Së afërmi një botë e lirë nga krimet!
KUR shohim gjendjen e botës sot, bëhet e qartë se është shumë e vështirë të mos ndikohemi për të bërë të keqen. Faktikisht, të gjithë ne kemi lindur të papërsosur, të prirur për të bërë gjëra të këqija. (1. Mbretërve 8:46; Jobi 14:4; Psalmi 51:5) Dhe që nga koha kur Satana Djalli është hedhur nga qielli, ai po bën përpjekje më të forta se kurrë për të shkaktuar trazira.—Zbulesa 12:7-12.
Pasojat kanë qenë të tmerrshme. Një anketë e bërë me 4.000 fëmijë në Skoci zbuloi, për shembull, se dy të tretat e atyre që ishin mes moshës 11 dhe 15 vjeç kishin kryer tashmë krime. Një anketë e bërë në të gjithë Britaninë tregoi se afërsisht një në tre adoleshentë nuk ngurronin të vidhnin dyqanet. Dhe më shumë se gjysma e tyre pranuan se po t’u kthenin tepër para si kusur, do t’i mbanin për vete.
Libri italian Rasti dhe vjedhësi (Lʹoccasione e lʹuomo ladro) ofron kuptueshmëri mbi faktin përse njerëzit vjedhin. Libri thotë se vjedhësit kanë «një nivel të ulët vetëkontrolli» dhe se janë «të paaftë të shtyjnë për më vonë përmbushjen e kënaqësive». Libri shton se shumica e vjedhësve nuk janë profesionistë, por thjesht «oportunistë që janë të gatshëm të shfrytëzojnë situatat».
Në mënyrë interesante libri vë në dukje edhe arsyet përse shumë njerëz «përmbahen nga thyerja e ligjeve». Ai nxjerr përfundimin që arsyeja nuk është se ata «i frikësohen sanksioneve ligjore, por sepse kanë vlera morale që i pengojnë të veprojnë ashtu». Ku mund t’i mësojnë njerëzit vlera të tilla morale të duhura?
Edukimi që nevojitet
Fillimisht shqyrtoni atë që mësohet nga shumë burime komunikimi. Për shembull, mesazhi që zakonisht transmetohet nga filmat dhe televizori është se dhuna, tradhtia bashkëshortore dhe sjellja abuzive janë të pranueshme. Nuk habitemi, pra, që njerëzit kanë një nivel kaq të ulët të vetëkontrollit. Bibla, nga ana tjetër, mëson në mënyrë të mençur: «Ai që është i ngadalshëm në zemërim është më mirë se një njeri i fuqishëm dhe ai që e kontrollon frymën e tij sesa ai që zë rob një qytet.»—Fjalët e urta 16:32, BR.
Duke konsideruar propagandën e sotme, nuk duhet të na habitë fakti që shumë veta janë «të paaftë të shtyjnë për më vonë përmbushjen e kënaqësive». Në mënyrë të përsëritur njerëzit dëgjojnë: «Bli tani dhe paguaj më vonë.» «Ji i mirë me veten.» «Ti meriton më të mirën.» «Kujdesu për veten.» Përmbushja e kënaqësive personale paraqitet si një gjë normale dhe e duhur. Por një pikëpamje e tillë egocentrike është në kundërshtim me mësimin e Biblës që «të mbani një sy, jo në interesin personal vetëm mbi çështjet tuaja, por edhe në interesin personal mbi ato të të tjerëve».—Filipianëve 2:4, BR.
A nuk do të ishit dakord se shumica e atyre që janë të pandershëm janë oportunistë? Mjerisht, numri i njerëzve që janë të gatshëm t’i shfrytëzojnë situatat për përfitimin e tyre po rritet. Ata nuk pyesin nëse njëfarë veprimi është i drejtë moralisht. Shqetësimi i tyre i vetëm është: ‘A mund t’ia dal mbanë pa u kapur?’
Çfarë nevojitet? Siç është vërejtur më sipër, nevojiten vlerat morale. Këto do t’i përmbajnë njerëzit nga kryerja e akteve kriminale, nga nënvleftësimi i shenjtërisë së jetës, nga dhunimi i shenjtërisë së martesës, nga tejkalimi i kufijve të sjelljes së përshtatshme dhe nga cënimi i të drejtave të të tjerëve. Ata që nuk i mësojnë vlera të tilla, siç thotë Bibla, ‘tejkalojnë çdo kuptim moral’. (Efesianëve 4:19) Sjellja kriminale e personave të tillë të paperëndishëm është ajo që na pengon të gëzojmë një botë të lirë nga krimet.
Si do të vijë një botë e re
Sigurisht, shumë njerëz përpiqen me të gjitha mundësitë për të qenë të ndershëm, për t’i trajtuar njerëzit e tjerë me respekt dhe konsideratë dhe për t’u përmbajtur nga kryerja e akteve të paligjshme. Por do të ishte një gjë naive të mendonim se gjithkush në botë do të bënte këto përpjekje. Shumë prej tyre nuk do të veprojnë në këtë mënyrë, ashtu si shumica e atyre që jetuan në ditët e njeriut të drejtë, Noes, nuk ishin të gatshëm të bënin atë që ishte e drejtë. Në atë botë të mbushur me dhunë, vetëm Noeja dhe familja e tij u përmbajtën nga sjellja e paperëndishme, duke fituar kështu miratimin e Perëndisë. Duke eliminuar të paperëndishmit në Përmbytjen globale, Krijuesi ynë solli në ekzistencë një botë që ishte përkohësisht e lirë nga krimet.
Është e rëndësishme që të mbajmë në mend se tregimi i Biblës mbi Përmbytjen dhe shkatërrimin e të paperëndishmëve është më tepër sesa thjesht një histori interesante. Jezu Krishti shpjegoi: «Ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.» (Luka 17:26; 2. Pjetrit 2:5; 3:5-7) Ashtu si Perëndia shkatërroi atë botë të dhunshme që ekzistonte përpara Përmbytjes, ai do të shkatërrojë edhe këtë botë të mbushur me krime.
Ne kemi faktin vijues nga një burim i besueshëm, siç është shprehur nga apostulli i dashur i Jezuit, Gjoni: «Bota kalon me lakminë e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.» (1. Gjonit 2:17) Fundi i kësaj bote do t’i hapë rrugën një bote të re në të cilën, thotë Bibla, «[Perëndia] do të banojë bashkë me ta [njerëzimin] dhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim».—Zbulesa 21:3, 4.
Duke përshkruar se si do të vijë ajo botë e re, Bibla thotë, gjithashtu: «Por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.» (Fjalët e urta 2:22) Meqenëse mbi tokë do të mbeten vetëm të drejtët, do të përmbushet kjo profeci biblike: «Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.»—Psalmi 37:11.
Në botën e re të Perëndisë edhe kafshët nuk do të jenë më të dhunshme. Bibla parathotë: «Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë. . . . Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit [Jehovait, BR] ashtu si ujërat mbulojnë detin.»—Isaia 11:6-9; 65:17; 2. Pjetrit 3:13.
Bota e re e Perëndisë është afër
Lajmi i mirë është se këto kushte paqësore do të realizohen së afërmi në të gjithë tokën. Përse mund të jemi kaq të sigurt? Për shkak të asaj që Jezui profetizoi se do të ndodhte menjëherë përpara fundit të botës. Midis të tjerave ai paratha: «Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.» Ai shtoi: «Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria.»—Mateu 24:7, 12.
Një apostull i Jezuit paratha, gjithashtu: «Në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, . . . të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, . . . dëfrimdashës më fort se perëndidashës.» (2. Timoteut 3:1-5) Sigurisht, ne po jetojmë në «ditët e fundit» të kësaj bote! Prandaj, së shpejti ajo do të zëvendësohet nga bota e re e drejtë e Perëndisë!
Një studim i Biblës ka bindur miliona njerëz se një botë pa krime është e mundur dhe ata po veprojnë sipas ftesës për të qenë të mësuar në rrugët e Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova. (Isaia 2:3) A do t’ju pëlqente të bashkoheshit me ta? A jeni të përgatitur për të bërë përpjekjen që të fitoni jetën në një botë të re, të lirë nga krimet?
Jezui tregoi se çfarë nevojitet para së gjithash. Ai shpjegoi: «Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» Kështu, mirëqenia juaj e përhershme varet nga studimi juaj i Fjalës së Perëndisë dhe veprimi sipas asaj që mësoni.—Gjoni 17:3.
[Figura në faqet 8, 9]
Bibla përshkruan një botë të re, të lirë nga krimet dhe na thotë se si mund ta gëzojmë atë