BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 3/98 f. 10-13
  • Stresi mund të kontrollohet!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Stresi mund të kontrollohet!
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kujdesuni për veten tuaj
  • Mbani marrëdhënie të shëndetshme
  • Krijoni drejtpeshim në jetën tuaj
  • Shiheni stresin me arsyetueshmëri
  • Kultivoni një gjendje të mirë frymore
  • Një shpresë e sigurt
  • Ta mbajmë nën kontroll stresin
    Zgjohuni!—2010
  • Stres i dobishëm, stres i dëmshëm
    Zgjohuni!—1998
  • Si ta përballoj stresin në shkollë?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
  • Stresi: Shkaqet dhe pasojat
    Zgjohuni!—2005
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 3/98 f. 10-13

Stresi mund të kontrollohet!

«Në jetë do të ketë gjithnjë stres dhe ajo që në të vërtetë duhet të shqyrtoj⁠më është reagimi ynë ndaj tij, në vend se të përpiqemi ta largojmë stresin.»​—⁠Leon Çajtof, shkrimtar i shquar mbi shëndetin.

BIBLA paratha se në «ditët e fundit» do të kishte «kohë të vështira». Dëshmitë tregojnë qartë që ne po jetojmë në atë kohë, sepse, në vërtetim të asaj profecie njerëzit janë «mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë».​—⁠2. Timoteut 3:​1⁠-⁠5.

Nuk është për t’u habitur pse mbajtja e një mase qetësie është kaq e vështirë! Madje edhe ata që përpiqen të jetojnë në mënyrë paqësore mund të jenë të ndikuar. «Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë»,​—⁠shkroi psalmisti David. (Psalmi 34:19; krahaso 2. Timoteut 3:12.) Megjithatë, ka shumë gjëra që ju mund të bëni për të lehtësuar stresin, në mënyrë që ai të mos ju mbytë. Shqyrtoni sugjerimet e mëposhtme.

Kujdesuni për veten tuaj

Kujdes me atë që hani. Një mënyrë e shëndetshme të ushqyeri përfshin proteina, fruta, perime, grurë e drithëra të tjera dhe produkte bulmeti. Kini kujdes nga mielli i bardhë i rafinuar dhe nga yndyrnat e ngopura. Jini të matur me sasinë e kripës, të sheqerit të rafinuar, të alkoolit dhe të kafeinës që merrni. Përmirësoni mënyrën e të ushqyerit dhe mund të bëheni më pak të prekshëm ndaj stresit.

Bëni gjimnastikë. «Ushtrimi i trupit është i dobishëm»,​—⁠këshillon Bibla. (1. Timoteut 4:⁠8) Dhe vërtet, gjimnastika e përkorë, por e vazhdueshme që disa rekomandojnë të bëhet tre herë në javë, forcon zemrën, përmirëson qarkullimin, ul kolesterolin dhe zvogëlon mundësitë e infarktit të zemrës. Për më tepër, gjimnastika bën që të ndihemi mirë, ka të ngjarë për shkak të endorfinave që prodhohen gjatë aktivitetit energjik.

Bëni gjumë të mjaftueshëm. Mungesa e gjumit çon në kapitje dhe ul aftësinë tuaj për të kontrolluar stresin. Nëse keni probleme me gjumin, përpiquni të mbani një orar të rregullt për të shkuar në shtrat dhe për t’u ngritur në mëngjes. Disa rekomandojnë që dremitja të mos i kapërcejë 30 minuta, në mënyrë që të mos ndërhyjë në bërjen e një gjumi të mirë natën.

Organizohuni. Njerëzit që e kanë nën kontroll kohën e tyre janë shumë më në gjendje të përballojnë stresin. Për t’u organizuar, së pari përcaktoni se cilat përgjegjësi meritojnë përparësinë. Më pas, bëni një program, kështu që këto gjëra nuk do të lihen pas dore.​—⁠Krahaso 1. Korintasve 14:​33, 40 dhe Filipianëve 1:⁠10.

Mbani marrëdhënie të shëndetshme

Gjeni mbështetje. Gjatë kohëve stresuese, ata që kanë një rreth shoqëror të njohurish kanë të paktën njëfarë mbrojtjeje kundër mbytjes nga stresi. Gjetja sikur edhe e një miku të besuar, me të cilin të hapeni mund të jetë shumë e dobishme. Një proverb biblik thotë: «Kush është mik ai të do në çdo kohë dhe në ditë të ngushtë ai të bëhet vëlla.»​—⁠Fjalët e urta 17:​17, DSF.

Zgjidhni konfliktet. «Dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj»,​—⁠shkroi apostulli Pavël. (Efesianëve 4:26) Mençuria e zgjidhjes së shpejtë të mosmarrëveshjeve në vend të ushqimit të zemërimit tregohet në një studim me mbi 929 të mbijetuar nga infarkti i zemrës. Ata që kishin një shkallë të lartë armiqësie ishin tre herë më të prirur të vdisnin nga një pushim zemre brenda dhjetë vjetëve nga infarkti i parë, sesa ekuivalentët e tyre me temperament të butë. Autorët e këtij studimi theksojnë se, megjithëse zemërimi duket sikur është faktori më i fortë, çdo emocion intensiv negativ, që dërgon dallgë të forta me hormone stresi në gjithë trupin, mund të ketë të njëjtin efekt. «Xhelozia është kalbësirë për kockat»,​—⁠thotë Fjalët e urta 14:​30, BR.

Lini kohë për familjen. Prindërve izraelitë u ishte urdhëruar të kalonin kohë me fëmijët e tyre, duke u ngulitur atyre parimet e drejta në zemër. (Ligji i përtërirë 6:​6, 7) Lidhja që erdhi si rezultat nxiti solidaritetin familjar, diçka që sot me keqardhje mund të themi se mungon. Një studim zbuloi se disa çifte, ku të dy partnerët punojnë, kalojnë një mesatare prej vetëm 3,5 minutash në ditë duke luajtur me fëmijët e tyre. Megjithatë, familja juaj mund të jetë një burim shumë i madh forcimi kur jeni duke përballuar stresin. «Familja ju jep privilegjin e një anëtarësie pa kushte në një grup mbështetjeje që me të vërtetë ju njeh për atë që jeni dhe megjithatë ju pëlqen»,​—⁠thotë një libër mbi stresin. «Bashkëpunimi familjar është një nga mjetet më të mira për të zvogëluar stresin.»

Krijoni drejtpeshim në jetën tuaj

Jini të arsyeshëm. Një person që vazhdimisht e shtyn veten deri në kufijtë e tij, fizikisht dhe emocionalisht, është kandidat i parë për të vuajtur nga sfilitja e forcave dhe mundësisht edhe nga depresioni. Çelësi për të mos rënë në një gjendje të tillë është drejtpeshimi. «Mençuria nga lart është . . . e arsyeshme»,​—⁠shkroi dishepulli Jakov. (Jakovit 3:​17, BR; krahaso Predikuesin 7:​16, 17 dhe Filipianëve 4:⁠5.) Mësoni t’u thoni jo kërkesave që tejkalojnë atë që ju në mënyrë të arsyeshme mund të mbani.

Mos e krahasoni veten me dikë tjetër. Në Galatasve 6:4 thuhet: «Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin.» Po, madje edhe në çështjet e adhurimit, Perëndia nuk bën krahasime të pafavorshme, duke kërkuar më shumë nga sa lejojnë rrethanat tona individuale. Ai i pranon dhuratat dhe sakrificat tona ‘sipas asaj që kemi dhe jo sipas asaj që nuk kemi’.​—⁠2. Korintasve 8:⁠12.

Lini kohë për t’u çlodhur. Madje edhe Jezui, megjithëse ishte punëtor i palodhur, la kohë për çlodhje për veten dhe ithtarët e tij. (Marku 6:​30⁠-⁠32) Shkrimtari i frymëzuar i librit të Predikuesit mendonte se çlodhja e shëndetshme ishte e dobishme. Ai shkroi: «Kështu lëvdova harenë, sepse nuk ka gjë më të mirë për njeriun nën diell se të hajë, të pijë dhe të jetë i gëzuar, sepse kjo i mbetet në mundin e tij gjatë ditëve të jetës që Perëndia i ka dhënë nën diell.» (Predikuesi 8:15) Kënaqësitë e drejtpeshuara mund ta freskojnë trupin dhe të ndihmojnë për të larguar stresin.

Shiheni stresin me arsyetueshmëri

Kur të përballoni rrethana stresuese:

Mos nxirrni përfundimin se nuk miratoheni nga Perëndia. Bibla na tregon se Ana, një grua besimplote, për vite me radhë ishte «në trishtimin e shpirtit» («thellësisht e angështuar», Revised Standard Version). (1. Samuelit 1:​4⁠-⁠​11) Në Maqedoni, Pavli ishte «në angështim nga çdo anë». (2. Korintasve 7:​5, Byington) Para vdekjes së tij, Jezui tregohet «duke qenë në agoni» dhe stresi i tij ishte kaq i madh saqë «djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë».a (Luka 22:⁠44) Këta ishin shërbëtorë besimplotë të Perëndisë. Kur ndesheni me stresin, pra, nuk ka asnjë arsye që të nxirrni përfundimin se Perëndia ju ka braktisur.

Mësoni prej rrethanave tuaja stresuese. Pavli shkroi se ai duhej të duronte «një gjemb në mish», pa dyshim një problem shëndetësor që i shkaktonte shumë angështim. (2. Korintasve 12:⁠7) Rreth pesë vjet më vonë, megjithatë, ai ishte në gjendje të thoshte: «Jam mësuar gjithsi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak! Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!» (Filipianëve 4:​12, 13, DSF) Pavli nuk kënaqej me atë «gjemb në mish» që kishte, por duke e duruar ai mësoi se si të mbështetej akoma më shumë në Perëndinë për të marrë fuqi.​—⁠Psalmi 55:⁠22.

Kultivoni një gjendje të mirë frymore

Lexoni dhe meditoni mbi Fjalën e Perëndisë. «Të lumtur janë të vetëdijshmit për nevojën e tyre frymore»,​—⁠tha Jezui. (Mateu 5:​3, BR) Leximi dhe meditimi mbi Fjalën e Perëndisë është thelbësor. Shpesh, duke bërë kërkime të zellshme nëpër Shkrime, ne gjejmë pikërisht fjalën e duhur për inkurajimin që na nevojitet për të kaluar ditën. (Fjalët e urta 2:​1⁠-⁠6) «Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë,​—⁠shkroi psalmisti,​—⁠ngushëllimet e tua [të Perëndisë] ma gëzojnë zemrën.»​—⁠Psalmi 94:​19, DSF.

Lutuni rregullisht. Pavli shkroi: «Ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezu.» (Filipianëve 4:​6, 7) Po, «paqja e Perëndisë» mund të kapërcejë ndjenjat tona të turbulluara dhe t’i stabilizojë ato, madje edhe kur duhet «fuqi përtej asaj që është normale».​—⁠2. Korintasve 4:​7, BR.

Merrni pjesë në mbledhjet e krishtere. Kongregacioni i krishterë ofron një sistem të vlefshëm mbështetjeje, sepse ata që janë brenda tij janë të nxitur «për t’u kujdesur për njëri⁠-⁠tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, . . . për të nxitur njëri⁠-⁠tjetrin». Me plot arsye, Pavli u tha të krishterëve hebrenj të shekullit të parë që të mos ‘hiqnin dorë nga të mbledhurit bashkë’.​—⁠Hebrenjve 10:​24, 25.

Një shpresë e sigurt

Kuptohet që pakësimi i stresit zakonisht përfshin më shumë sesa ndjekjen e një formule të thjeshtë. Shpesh kërkohet një ndryshim themelor në mënyrën e të menduarit. Për shembull, një personi mund t’i duhet të mësojë mënyra të reja reagimi ndaj rrethanave të tij, në mënyrë që ato të mos e vënë poshtë. Në disa raste shpeshtësia ose shkalla e intensitetit të stresit mund ta bëjë të nevojshëm kërkimin e një kujdesi kompetent mjekësor.

Sigurisht, asnjë person sot nuk bën një jetë plotësisht të lirë nga stresi i dëmshëm. Megjithatë, Bibla na siguron se Perëndia së shpejti do ta kthejë vëmendjen e tij ndaj njerëzve dhe do të eliminojë kushtet që u shkaktojnë atyre kaq shumë stres të dëmshëm. Në Zbulesën 21:4 ne lexojmë se Perëndia do të «fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshama, as dhimbje më s’do të ketë». (DSF) Pas kësaj, njerëzimi besimplotë do të banojë në siguri. Profeti Mikea paratha: «Secili do të pushojë nën hardhinë e vet, nën hijen e fikut të vet: askush nuk do t’u shtjerë më frikë, sepse kështu ka thënë goja e Zotit të ushtrive.»​—⁠Mikea 4:​4, DSF.

[Shënimi]

a Djersa në formë gjaku, sipas raporteve, ka ndodhur në disa raste të stresit ekstrem mendor. Hematidroza (djersitje hematike), për shembull, konsiston në nxjerrjen e djersës së lëkurës të ngjyrosur me gjak ose me pigment gjaku, ose të lëngut trupor të përzier me gjak. Megjithatë, nuk mund të thuhet me siguri se çfarë ndodhi në rastin e Jezuit.

[Kutia në faqen 12]

Stresi dhe ndërhyrjet kirurgjikale

Disa mjekë, para se t’i çojnë pacientët e tyre në dhomën e operacionit marrin në shqyrtim nivelin e stresit që kanë. Për shembull, dr. Kamran Nezhat, një kirurg, thotë:

«Nëse dikush i programuar për një ndërhyrje kirurgjikale më thotë se atë ditë e ka zënë paniku dhe nuk dëshiron të bëjë operacionin, unë e anuloj ndërhyrjen kirurgjikale.» Përse? Nezhat shpjegon: «Çdo kirurg e di se njerëzit që janë jashtëzakonisht të frikësuar, dalin shumë keq në një ndërhyrje kirurgjikale. Ata nxjerrin tepër gjak dhe kanë më shumë infeksione dhe ndërlikime. Kanë më shumë vështirësi të shërohen. Është shumë më mirë po të jenë të qetë.»

[Figurat në faqen 10]

Kultivimi i një gjendjeje të mirë frymore mund t’ju ndihmojë të qëndroni të qetë

[Figurat në faqen 11]

Kujdesja për shëndetin tuaj e pakëson stresin

Pushimi

Një mënyrë e mirë të ushqyeri

Gjimnastika

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo