Fildishi: Sa e madhe është vlera e tij?
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË KENIA
Në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Harare, Zimbabve, gjatë qershorit të vitit 1997, delegatë nga 138 vende votuan për të zbutur një ndalim global, të vënë që prej shtatë vjetësh mbi tregtinë e fildishit. Vendimi, të cilin e ndoqën debate të ashpra, i lejon tri kombe në Afrikën Jugore: Botsvanën, Namibinë dhe Zimbabven, që t’i shesin fildish në masë të kufizuar një vendi, Japonisë. Përfaqësuesit nga Afrika Jugore u kënaqën me këtë vendim, duke shpërthyer spontanisht në këngë. Delegatë të tjerë u shqetësuan, duke menduar me frikë mbi atë që ky vendim do të nënkuptonte për elefantët afrikanë.
KUR Anibali sfidoi ushtrinë e Romës në shekullin e tretë p.e.s., ai pati me vete një karvan me elefantë afrikanë të zbutur. Në ato kohë elefantët afrikanë ka të ngjarë të numëroheshin në dhjetëra milionë dhe lulëzonin që nga Kepi i Shpresës së Mirë e deri në Kairo.
Gjërat ndryshuan. Një vëzhgues vërejti: «Ishujt njerëzorë në një det me elefantë ndryshuan në ishuj gjithnjë e më të vegjël elefantësh në një det me njerëz.» Ndërsa popullsia rritej në numër, konkurrenca për tokë i kishte lënë elefantët me humbje. Një faktor tjetër në rënien e numrit të elefantëve ishte përhapja drejt jugut e shkretëtirës së Saharasë.
Megjithatë, më me epërsi ndaj këtyre arsyeve ishte kërkesa për fildish. Fildishi, në ndryshim nga kockat e tigrit dhe briri i rinoqerontit, nuk është i lidhur me ndonjë mit të ndonjë vlere farmaceutike. Por, pavarësisht nga kjo, ai është luksoz, i bukur, i durueshëm dhe gdhendet me lehtësi. Që nga kohët e lashta fildishi i dhëmbëve të elefantit është klasifikuar mes gjërave më të çmueshme dhe të dëshiruara.
Katërqind vjet pas Hanibalit, perandoria romake shkatërroi një pjesë të madhe të popullsisë së elefantëve në Afrikën e Veriut për të kënaqur dëshirat e zjarrta për fildish. Që nga ajo kohë ato dëshira të zjarrta kanë vazhduar, veçanërisht në botën perëndimore. Në fillim të këtij shekulli kërkesa ishte bërë e madhe, jo kaq shumë për të bërë vepra arti dhe objekte fetare si më përpara, por për të prodhuar tastiera për piano. Sipas librit Betejë për elefantët (Battle for the Elephants), vetëm në vitin 1910 u përdorën rreth 700 tonë fildish (që paraqesin 13.000 elefantë të vrarë) për të bërë 350.000 tastiera në Shtetet e Bashkuara.
Një shfrenim i gjuetisë së paligjshme
Pas luftës së parë botërore kërkesa për fildish ra, u nxorrën ligje të reja për ruajtjen e florës dhe faunës së egër dhe elefantët filluan të rriteshin në numër. Megjithatë, në fillim të viteve 1970 filloi përsëri vrasja e tyre në shkallë të gjerë. Tani kërkesa për fildish vinte nga vendet aziatike sapo të pasuruara.
Kësaj radhe, dy faktorë paralajmëruan shkatërrimin për elefantët në Afrikë. Së pari ishte vënia në dispozicion, gjithnjë e më shumë, e armëve me peshë të lehtë dhe të sofistikuara. Papritur u bë e lehtë të rrëzoje me një të qëlluar jo vetëm elefantë veç e veç, por tufa të tëra. Së dyti, bërja e mjeteve elektrike për të gdhendur do të thoshte që fildishi i papërpunuar mund të transformohej me shpejtësi në produkte gati për shitje. Në të kaluarën, një gdhendës japonez mund të kishte kaluar një vit duke gdhendur vetëm një dhëmb elefanti. Por, me mjetet elektrike, vetëm brenda një jave një fabrikë me tetë njerëz që bënte bizhuteri dhe hanko (vulat me emra, që janë të përhapura në Japoni), mund të konsumonte dhëmbët e 300 elefantëve. Kërkesat në rritje për fildish shkaktuan një rritje marramendëse të çmimeve. Sigurisht, shumat e parave nuk u shkonin gjahtarëve, por ndërmjetësve dhe tregtarëve, shumë prej të cilëve vunë një pasuri përrallore.
Kostoja në elefantë ishte e tmerrshme. Brenda afro dy dekadave, Tanzania humbi 80 përqind të elefantëve të saj, shumicën për shkak të gjuetisë së ndaluar. Kenia humbi 85 përqind të elefantëve të saj. Uganda humbi 95 përqind të tyre. Fillimisht, gjahtarët qëllonin kryesisht mbi elefantët meshkuj, sepse ata i kishin dhëmbët më të mëdhenj. Por, ndërsa elefantët më të vjetër pakësoheshin, gjahtarët filluan të gjuanin edhe të vegjlit e elefantëve për dhëmbët e tyre të vegjël. Gjatë asaj periudhe më shumë se një milion elefantë mund të jenë masakruar për t’u marrë fildishin, duke e shkurtuar popullsinë e elefantëve të Afrikës në 625.000.
Ndalimi global
Përpjekjet për të kontrolluar tregtinë e fildishit dhe për të ndaluar kasaphanën e tyre dështuan në mënyrë të mjerueshme. Më në fund, në tetor 1989, në një konferencë të mbajtur në Zvicër, kongresi mbi tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të florës dhe faunës (CITES) ndaloi të gjithë tregtinë e fildishit mes kombeve të saj anëtare. Ndalimi u mbështet nga fonde masive për të mbrojtur elefantët në habitatin e tyre.
Disa parashikuan se një ndalim mbi fildishin do të prodhonte çmime më të larta në tregun e zi dhe se gjuetia e ndaluar do të rritej. Ndodhi e kundërta. Çmimet ranë dhe tregjet, që një herë e një kohë ishin lulëzuese, shteruan. Në Indi, për shembull, shitja me pakicë e fildishit ra me 85 përqind dhe shumicës së zejtarëve të vendit që merreshin me punimin e fildishit iu desh të gjenin punë tjetër. Gjuetia e ndaluar ra në mënyrë dramatike. Në Kenia, para ndalimit gjahtarët vritnin të paktën 2.000 elefantë në vit. Në vitin 1995, numri kishte rënë në 35. Për më tepër, popullsia e elefantëve të Kenias u rrit nga 19.000 në vitin 1989 në rreth 26.000 sot.
Për këto arsye, agjencia e hetimeve mbi ambientin, me qendër në Londër, e përshëndeti ndalimin e tregtisë së fildishit si «një nga sukseset më të mëdha të historisë së kohëve të fundit mbi ruajtjen». Megjithatë, jo të gjithë kanë po të njëjtin entuziazëm, veçanërisht në Afrikën Jugore.
Elefantët e Afrikës Jugore
Vendet afrikano-jugore kanë më shumë se 200.000 elefantë ose gati një të tretën e të gjithë popullsisë së elefantëve në Afrikë. Kjo i detyrohet pjesërisht politikës së efektshme të ruajtjes dhe pjesërisht faktit që këto vende i shpëtuan forcave ushtarake rezerviste, të armatosura rëndë, të cilat masakruan kopetë e Afrikës Lindore dhe Qendrore.
Megjithatë, duke qenë se popullsia e elefantëve rritet, shpesh ndodhin konflikte mes elefantëve dhe njerëzve që jetojnë në zonat e thella. Në fund të fundit, një elefant i rritur ka oreks të tmerrshëm dhe është në gjendje të konsumojë mbi 300 kilogramë bimësi në ditë. Në qoftë se një elefant do të jetonte në lagjen tuaj, do ta merrnit vesh patjetër.
Trusti i pasurive natyrore të Afrikës, me qendër në Zimbabve, thotë: «Elefantët shihen me frikë, me dyshim dhe me armiqësi nga shumica e fshatarëve afrikanë. Vetëm në disa orë elefantët mund të shkatërrojnë mjetet e jetesës së njerëzve, duke ngrënë të korrat e tyre ose duke shtypur bagëtinë e tyre derisa ato ngordhin. Ata dëmtojnë, gjithashtu, shtëpitë dhe shkollat, plevicat e kafshëve, pemët frutore, sfratet dhe përvijimet e tokës. Çdo ditë gazetat lokale përmbajnë raporte mbi dëmet nga elefantët.»
Kombet afrikano-jugore janë krenare për suksesin e tyre në mbajtjen e popullsive të shëndetshme të elefantëve. Por ruajtja e tyre është e kushtueshme dhe ata nuk besojnë se duhet të ndëshkohen për problemet e vendeve të tjera afrikane. Ata arsyetojnë se një tregti e kontrolluar e fildishit do të lejonte që paratë e fituara të përdoreshin për të mbështetur përpjekjet për ruajtjen e kafshëve dhe do të ndihmonte për t’i kompensuar fermerët fshatarë për humbjet e tyre.
Stivat e fildishit
Në vendet ku enden elefantët fildishi grumbullohet. Ai vjen nga vrasja ligjore e elefantëve për të ulur numrin e tyre, nga elefantët që ngordhin për shkaqe natyrore dhe nga grumbullimet e paligjshme të fildishit që janë konfiskuar. Çfarë bëhet me këtë fildish?
Kenia e djeg fildishin e saj. Që nga korriku i vitit 1989, Kenia ka djegur publikisht fildishin që llogaritej me vlera prej miliona dollarësh, pa asnjë kompensim të drejtpërdrejtë nga burimet e jashtme. Në vitin 1992 edhe Zambia i dogji stivat e saj me fildish. Mesazhi ishte i qartë: Kenia dhe Zambia nuk donin asnjë pjesë në tregtinë e fildishit.
Vende të tjera i kanë mbajtur stivat e tyre me fildish si një investim të ardhshëm. TRAFFIC, organizata më e madhe në botë për mbrojtjen e florës dhe faunës së egër, përllogarit se vëllimi total i fildishit që tani për tani është i stivuar në vendet afrikane përfshin të paktën 462 tonë, me një vlerë prej 46 milionë dollarësh. Botsvana, Namibia dhe Zimbabve, tre vendet që tani janë lejuar të bëjnë tregti me Japoninë, mbajnë 120 tonë fildish. Duke pasur parasysh këtë, shumë njerëz pyesin: ‘Në një zonë ku njerëzit po luftojnë ekonomikisht, pse ta lëmë fildishin që të zërë pluhur nëpër depo? Përse të mos e shesim atë dhe t’i mbledhim paratë në fonde për ruajtjen?’
Shqetësimet zvarritin
Ndërkohë që disa kombe afrikane argumentojnë se një lehtësim i ndalimit mbi fildishin do të ndihmojë ruajtjen e elefantëve, kombe të tjera me pasion besojnë se një ndalim i plotë i tregtisë është e vetmja masë që do të parandalojë një rinovim të tërbimit të gjuetisë së ndaluar. Shqetësimet përqendrohen mbi faktin se sa rreptësisht do të kontrollohet tregtia. Po sikur sistemet e marketingut të krijojnë shtigje, përmes së cilave kontrabanda e fildishit të hynte në një tregti ligjore? Gjithashtu, ç’të themi për gjuetinë e ndaluar spekuluese? Po sikur lehtësimi i ndalimit të nënkuptonte që elefantët do të vriteshin dhe fildishi i tyre do të grumbullohej nga ata që shpresojnë se në të ardhmen ndalimi mund të lehtësohej edhe më tej?
Këtyre shqetësimeve i shtohet fakti se pushkët tani në Afrikë janë më me bollëk se kurrë më parë. Luftërat civile këtu i kanë vënë automatikët në duart e njerëzve që, të shtyrë nga kushtet e ashpra ekonomike, janë të gatshëm t’i përdorin ato për të bërë para. Nehemia Rotiç, drejtor i Shoqërisë «Flora dhe Fauna e egër afrikano-lindore», shkroi: «Duke i vënë një çmim fildishit [për shkak të tregtisë së rinovuar], nuk ka asnjë dyshim se këto armë do të kthehen nga elefantët: në fund të fundit është shumë më e lehtë t’i gjuash një elefanti në një park të madh sesa të grabitësh një bankë në qytet.»
Një problem i mëtejshëm është se masat kundër gjuetisë së ndaluar nuk janë vetëm të kushtueshme, por edhe të vështira. Patrullimi i hapësirave të pamasa ku enden elefantët kërkon burime kolosale nga ana financiare. E në Afrikën Lindore, këto gjenden me vështirësi.
Çfarë e ardhme i pret elefantët?
Pasojat e vendimit për të lehtësuar ndalimin mbi tregtinë e fildishit mbeten për t’u parë. Megjithatë, edhe sikur gjërat të shkojnë mirë, kërcënimi për elefantët nuk do të zhduket. Elefantët janë të kërcënuar, gjithashtu, nga numri në rritje i njerëzve që kanë nevojë për tokë, për të ndërtuar një fermë ose për arsye të tjera. Vetëm në Afrikën Jugore, njerëzit shpyllëzojnë, në shumicën e rasteve për bujqësi, më shumë se 850.000 hektarë tokë çdo vit, një hapësirë sa gjysma e sipërfaqes së Izraelit. Ndërsa deti i njerëzve zgjerohet, ishujt e elefantëve me siguri bëhen edhe më të vegjël.
Revista World Watch thotë: «Ekziston një pikë ku bien dakord të gjithë ata që e kanë studiuar problemin: elefanti afrikan ka përpara një të ardhme të vështirë. Mjafton kriza e habitatit [për shkak të numrit në rritje të njerëzve] për të nënkuptuar se shumë elefantë do të ngordhin para kohe, në një mënyrë ose në një tjetër. Në qoftë se nuk vriten nga gjuetia me leje ose nga veprimet e spastrimit, apo nëse nuk vriten nga gjahtarët, shumë më tepër do të ngordhin nga uria, duke zvogëluar popullsinë.»
Kjo perspektivë e zymtë nuk merr në konsideratë as pikëpamjet e as qëllimin e Krijuesit të elefantëve, Perëndisë Jehova. Interesimi i Perëndisë për krijesat që ai vetë ka bërë është i dukshëm nga fjalët e Jezu Krishtit, i cili tha: «A nuk shiten vallë pesë harabela për dy pare? E megjithatë, as edhe një prej tyre nuk harrohet përpara Perëndisë.» (Luka 12:6) Nëse Perëndia nuk harron një harabel të vogël, mund të jemi të sigurt se nuk e shpërfill gjendjen e vështirë të elefantit të madh.
[Kutia në faqen 16]
Diçka për fildishin
«Fildishi është pa dyshim një substancë e bukur. Ai ka një shkëlqim dhe një ngrohtësi ndryshe nga çdo material tjetër që përdoret për zbukurime dhe për skulpturë. Por unë gjithnjë mendoj se njerëzit harrojnë që fildishi është dhëmbi i një elefanti. Fjala fildish nuk e lidh atë lëndë në mendjet tona me idenë e një elefanti. Dikush anon ta grupojë atë me nefritin, drurin e tikut, abanozin, madje edhe me arin e argjendin, por ekziston një dallim rrënjësor: materialet e tjera nuk vijnë nga ndonjë kafshë, dhëmbi i fildishit është një dhëmb prerës i modifikuar. Kur dikush mban një byzylyk të bukur fildishi ose një gdhendje të brishtë në dorë, na duhet njëfarë njohurie e konsiderueshme të kuptojmë se ajo copë fildishi ka ardhur nga një elefant, i cili dikur lëvizte duke përdorur dhëmbin e tij për t’u ushqyer, për të gërmuar, për të shtyrë, për të luajtur e për të luftuar dhe për më tepër, të kuptojmë se ai elefant duhej të sakrifikohej që ajo copë fildishi të mund të mbahej në dorën e një personi.»—Elephant Memories, nga Sinthia Mos.
[Kutia në faqen 19]
Diçka rreth elefantëve
Elefantët janë tepër të fuqishëm dhe kur janë të zemëruar, toka dridhet. Një elefant mund të të marrë në shenjë me feçkën e tij dhe të të hedhë në ajër si një gur. Megjithatë, një elefant mund edhe të të përkëdhelë me feçkën e tij ose të marrë ushqimin me butësi nga dora jote. Elefantët janë inteligjentë, të ndërlikuar e qesharakë. Ata shfaqin një besnikëri të fortë familjare dhe kujdesen për plagët e njëri-tjetrit, u rrinë mbi kokë të sëmurëve dhe reagojnë ndaj vdekjes së një pjesëtari të familjes së tyre. Edhe pse shpërfillin mbetjet e kafshëve të tjera, ata i njohin kockat e elefantëve të tjerë dhe reagojnë duke i shpërndarë ose duke i groposur ato.
[Figurat në faqen 18]
Dy vende e kanë djegur fildishin e tyre, të tjerat i kanë ruajtur stivat e tyre si një investim