Mbijetova Fluturimin 801
NDËRSA po zbritnim për t’u ulur në Guam, hodha sytë jashtë nga dritarja. ‘E çuditshme,—mendova.—Duket shumë errësirë.’ Vërtet, kishte kaluar mesnata dhe shiu i rëndë e vështirësonte shikimin. Por ku ishin dritat e njohura të ishullit dhe pistat e ndritshme të aeroportit? Gjithçka që mund të shihja ishin disa drita të zbehta që dilnin nga krahët e jumbo jet-it.
Një nga stjuardët e fluturimit tonë kishte bërë njoftimet e zakonshme në përgatitje të uljes dhe unë dëgjova tingullin e fortë metalik të mekanizmit të uljes së aeroplanit, ndërsa zinte vend. Papritur u dëgjua një zhurmë e madhe, ndërsa aeroplani ynë po gërvishte tokën. Aeroplani bëri një lëvizje të fortë të pakontrolluar dhe pasagjerët shtrënguan mbështetëset e karrigeve të tyre, duke bërtitur: «Çfarë po ndodh?»
Pak momente më vonë aeroplani ynë, Boeing 747, u përplas rrëzë një kodre, 5 kilometra para se të mbërrinim në aeroport, me sa duket për shkak të llogaritjeve të gabuara të pilotit tonë. Si rezultat i asaj katastrofe ajrore që ndodhi më 6 gusht 1997, vdiqën një total prej 228 pasagjerësh dhe pjesëtarë të ekuipazhit. Unë isha një prej vetëm 26 të mbijetuarve.
Para se të hipja në aeroplan në Seul, Korea, një përfaqësues i linjës ajrore më ndërroi ndenjësen, duke më dhënë vendin e fundit që kishte mbetur i lirë në klasin e parë. Isha kaq i kënaqur saqë i telefonova gruas, Sun Dek, e cila do të më priste në aeroportin e Guamit. Ai ndërrim vendi doli i dobishëm në një mënyrë që nuk mund ta kisha imagjinuar dot.
Përplasja dhe skena më pas
Për shkak të shikimit të kufizuar, ekuipazhi i fluturimit mund të mos ketë qenë në dijeni të ndonjë rreziku kërcënues. Çdo gjë ndodhi kaq me shpejtësi! Për një moment u përgatita duke pritur më të keqen dhe kur hapa sytë pashë se isha përtokë jashtë aeroplanit, akoma i lidhur pas ndenjëses. Nuk jam i sigurt nëse kisha humbur ndjenjat apo jo.
‘Mos është ëndërr?’—pyeta veten. Kur e kuptova se nuk ishte ashtu, gjëja e parë që më shkoi nëpër mend ishte se si do të reagonte gruaja ime kur të dëgjonte për përplasjen. Më vonë, ajo më tha se nuk i kishte humbur për asnjë çast shpresat. Edhe kur dëgjoi përciptazi dikë në aeroport që thoshte se vetëm shtatë veta kishin mbijetuar, ajo mendonte se unë isha një nga të shtatët.
Aeroplani ynë ishte copëtuar në katër pjesë, të cilat ishin shpërndarë përgjatë terrenit të ashpër të xhunglës. Trupat ishin shpërndarë kudo. Pjesë të aeroplanit ishin në flakë dhe dëgjoja shpërthime bashkë me të qara dhe rënkime të tmerrshme. Dëgjoja zëra që luteshin: «Ndihmë! Ndihmë!» Ndenjësja ime kishte rënë mes barërave gati dy metra të larta dhe nën dritën e frikshme të flakëve mund të shihja faqen e pjerrët të një kodre aty afër. Ora ishte rreth 2.00 e mëngjesit dhe shiu vazhdonte të binte.
Isha kaq i trullosur saqë as e mendoja se mund të isha plagosur, derisa pashë një vajzë të re që i varej skalpi pas kokës. Menjëherë kontrollova kokën time dhe pashë se po më rridhte gjak nga një e çarë mbi syrin e majtë. Fillova të kontrolloja pjesën tjetër të trupit dhe zbulova shumë të çara të tjera të vogla. Por, lumturisht, asnjëra prej tyre nuk dukej e rëndë. Megjithatë, në të dyja këmbët ndieja një dhimbje paralizuese, gjë që ma bënte të pamundur të lëvizja. Që të dyja këmbët ishin thyer.
Më vonë, kur mbërrita në spital, mjekët i përshkruan plagët e mia si «të vogla». E me të vërtetë ashtu ishin, po të krahasoheshin me ato të të mbijetuarve të tjerë. Një burrë e nxorrën nga rrënojat e aeroplanit pa të dyja këmbët. Të tjerë kishin pësuar djegie të rënda, duke përfshirë tre veta që mbijetuan nga përplasja vetëm për të vdekur më vonë, pas disa javëve me dhimbje therrëse.
I shqetësuar nga flakët
Në vend se të isha i shqetësuar për plagët e mia, pyesja gjithnjë veten nëse shpëtuesit do të më gjenin në kohë. Pjesët e mesit të aeroplanit, ku duhej të kishte qenë ndenjësja ime, ishin pothuaj të shembura plotësisht. Ajo që mbetej ishte në flakë dhe pasagjerët e ngecur brenda po përjetonin një vdekje agonike. Nuk kam për t’i harruar kurrë ulërimat e tyre për ndihmë.
Ndenjësja ime ishte hedhur afër hundës së aeroplanit. Gjendesha në largësinë e krahut nga rrënojat. Duke e anuar qafën mbrapa, mund të shihja flakët. Kisha frikë se do të ishte thjesht çështje kohe dhe flakët do të arrinin tek unë, por lumturisht nuk arritën kurrë.
Më në fund i shpëtuar
Minutat kalonin ngadalë. Kishte kaluar kështu më shumë se një orë. Më në fund, rreth orës 3.00 të mëngjesit disa shpëtues diktuan vendin e përplasjes. Mund t’i dëgjoja tek flitnin në majë të kodrës, duke shprehur habi për atë që po shihnin. Njëri prej tyre thirri: «A ka ndonjë aty?»
«Jam këtu,—bërtita unë.—Ndihmë!» U përgjigjën, gjithashtu, edhe pasagjerë të tjerë. Një nga shpëtuesit i thirri një tjetri me emrin «Ted». Kështu që unë fillova të bërtisja: «Hej, Ted, jam këtu!» dhe «Ted, eja na ndihmo!»
«Po zbresim! Vetëm prisni!»—ishte përgjigjja.
Shiu i rrëmbyer, i cili mund të ketë shpëtuar shumë veta nga flakët, e pengonte zbritjen nëpër rrëpirën e rrëshqitshme. Prandaj, kaloi më shumë se një orë para se shpëtuesit të arrinin te të mbijetuarit. Koha që iu desh atyre për të më gjetur m’u duk një shekull.
«Jemi këtu,—thanë dy shpëtues me elektrikë dore.—Mos u shqetëso.» Shpejt atyre iu bashkuan edhe dy shpëtues të tjerë dhe së bashku u përpoqën të më ngrinin nga vendi. Dy prej tyre më kapën nga krahët dhe dy të tjerët nga këmbët. Transportimi në atë mënyrë më sillte dhimbje të jashtëzakonshme, veçanërisht meqenëse ata vazhdonin të rrëshqitnin në baltë. Pasi përshkuan një distancë të vogël ata më ulën poshtë. Njëri prej tyre shkoi të kërkonte një barrelë dhe më çuan në një vend ku një helikopter ushtarak mund të më transportonte në një ambulancë në majë të kodrës.
Më në fund takohem me gruan!
Kur mbërrita në spital në repartin e urgjencës, kishte shkuar ora 5.00 e mëngjesit. Për shkak të natyrës së rëndë të plagëve të mia mjekët nuk më lejuan të bëja një telefonatë. Kështu, gruaja ime nuk e mori vesh se unë kisha mbijetuar nga përplasja deri në orën 10.30 të mëngjesit, pothuaj nëntë orë pasi aeroplani ishte rrëzuar. Ajo u njoftua nga një mik, i cili kishte parë emrin tim në listën e të mbijetuarve.
Kur më në fund gruaja u lejua të më shihte, rreth orës 4.00 pasdite, nuk e njoha menjëherë. Shqisat më ishin mpirë nga qetësuesit. Fjalët e saj të para ishin: «Të falënderoj që je gjallë.» Unë nuk e kujtoj bisedën, por më vonë më thanë se isha përgjigjur: «Mos më falëndero mua. Falëndero Jehovain.»
Mbajtja e përparësive në vendin e duhur
Ndërsa po shtrohesha në spital, dhimbja që ndieja ishte e njohur për mua. Në vitin 1987, më pak se një vit pasi isha transferuar nga Korea në Guam, rashë nga një skelë katër-katëshe në një aksident ndërtimi dhe theva të dyja këmbët. Kjo shënoi një kthesë në jetën time. Motra ime më e madhe, një Dëshmitare e Jehovait, më kishte nxitur gjithnjë të studioja Biblën. Periudha gjashtë-mujore për të marrë veten më dha mundësinë të bëja këtë studim. Si rezultat, po atë vit i dedikova jetën Perëndisë Jehova dhe e simbolizova këtë me pagëzimin në ujë.
Që nga përplasja e aeroplanit, kam menduar shpesh mbi një shkrimin tim të preferuar, i cili thotë: «Vazhdoni, pra, të kërkoni së pari mbretërinë [e Perëndisë] dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33, BR) Gjatë periudhës për të marrë veten nga përplasja e aeroplanit pata mundësi të rivlerësoja jetën time.
Në një mënyrë shumë të fuqishme përplasja e Fluturimit 801 më nguliti në mend se sa e çmuar është jeta. Mund të kisha vdekur me kaq lehtësi! (Predikuesi 9:11) Edhe kështu, nevojiteshin disa ndërhyrje kirurgjikale për të riparuar trupin tim dhe kalova më shumë se një muaj në spital për të marrë veten.
Tani dëshiroj t’i tregoj Krijuesit tonë të Madh se e çmoj me të vërtetë dhuratën e tij të mrekullueshme të jetës, duke përfshirë masat që ai ka marrë me qëllim që njerëzit të gëzojnë jetën e përhershme në një parajsë tokësore. (Psalmi 37:9-11, 29; Zbulesa 21:3, 4) E kuptoj se mënyra më e mirë për të treguar këtë çmueshmëri është duke vazhduar të vë interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetën time.—Kontribut nga një lexues.
[Burimi i figurës në faqen 23]
US Navy/Sipa Press