Pikëpamja e Biblës
A janë realë demonët?
GJATË shekullit të 17-të dhe të 18-të, përgjatë pjesës më të madhe të Evropës u ngrit një fushatë e tërbuar persekutimi kundër shtrigave. Shumë shtriga të deklaruara hoqën tortura të tmerrshme. Disa që ishin akuzuar në mënyrë të rreme rrëfyen se ishin shtriga vetëm për t’i dhënë fund torturimit. Një numër i panumërt prej tyre u ekzekutuan në bazë të zërave që qarkullonin ose të dyshimeve.
Edhe pse në dukje ishin të bazuara në Shkrimet, këto veprime kundër shtrigërisë, një formë e demonizmit, ishin në mënyrë të qartë fanatike. Të krishterët nuk janë ngarkuar me detyrimin për të torturuar apo për të ekzekutuar shtrigat ose çfarëdo praktikuesi tjetër të spiritizmit. (Romakëve 12:19) Cili është qëndrimi mbizotërues sot?
Një qëndrim i zbutur
Sot, shumica e njerëzve në të ashtuquajturin krishterim nuk i marrin seriozisht këto praktika spiritiste. Të shtyrë nga kurioziteti, disa mund të jenë amatorë në astrologji, magji, parashikime dhe shtrigëri, por ata nuk i konsiderojnë këto praktika të okultizmit si demonizëm. Disa herë, artistët, personalitetet sportive dhe politikanët e pranojnë hapur përfshirjen e tyre me okultizmin. Një enciklopedi thotë se disa libra dhe filma i paraqesin shtrigat dhe magjistarët si «persona tërheqës, pak të pazakontë, aktivitetet e mbinatyrshme të të cilëve nuk dëmtojnë asnjëri». Materiale të projektuara për të zbavitur dhe për të edukuar fëmijët mund të përkrahin tema të okultizmit.
Një qëndrim i tillë i zbutur dhe i shkujdesur ndaj demonizmit mund të çojë në mosbesimin e ekzistencës së demonëve. A besoni ju se demonët ekzistojnë dhe po përpiqen aktivisht për të na dëmtuar? Në fund të fundit, shumica e njerëzve sot do të thoshin se ata nuk kanë përjetuar kurrë ndonjë kontakt me demonët ose të kenë qenë dëshmitarë të aktivitetit të tyre. A janë realë demonët?
Mosbesimi paraqet një dilemë
Ata që pohojnë se e pranojnë Biblën, por që dyshojnë në ekzistencën reale të demonëve, janë duke u përballuar me një dilemë. Nëse nuk besojnë se demonët janë realë, ata po shfaqin një masë mosbesimi në Bibël. Përse? Sepse koncepti i krijesave frymore të liga me fuqi mbinjerëzore mësohet në Fjalën e Perëndisë, Biblën.
Libri i saj i parë, Zanafilla, tregon se si një qenie inteligjente përdori një gjarpër për të mashtruar Evën dhe e shtyu në rebelim kundër Perëndisë. (Zanafilla 3:1-5) Libri i fundit i Biblës, Zbulesa, e identifikon këtë dredharak të lig, ‘gjarpërin e lashtë’, si «ai që është quajtur Djall edhe Satan, që mashtron gjithë dheun». (Zbulesa 12:9) Satanai ia doli mbanë të joshte engjëj të tjerë në rebelim. (Judës 6) Në Bibël këta engjëj të rënë janë quajtur demonë. Ata veprojnë në afërsi të tokës dhe janë shumë të zemëruar me Perëndinë dhe me ata që i shërbejnë atij.—Zbulesa 12:12.
Satanai dhe demonët kanë fuqinë për të influencuar, për të dëmtuar dhe për të komunikuar me njerëzit. (Luka 8:27-33) Ata e kanë studiuar natyrën njerëzore për mijëra vite. Ata dinë se si të përfitojnë nga dobësia njerëzore. Bibla raporton raste kur ata zotëruan ose morën nën kontroll të plotë burra, gra dhe fëmijë. (Mateu 15:22; Marku 5:2) Ata mund të shkaktojnë sëmundje ose dëmtime fizike si verbërinë. (Jobi 2:6, 7; Mateu 9:32, 33; 12:22; 17:14-18) Ata mund të verbojnë, gjithashtu, edhe mendjet e njerëzve. (2. Korintasve 4:4) Demonët janë vazhdimisht aktivë, siç është udhëheqësi i tyre, Satanai, i cili është si «një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë». (1. Pjetrit 5:8) Bibla përmban shumë tregime mbi ekzistencën e demonëve. Po të besoni në Bibël, atëherë e pranoni ekzistencën reale të krijesave të liga të padukshme.
Mashtrues të ligj
Por si mund të ekzistojnë demonët e fuqishëm sot, pa shkaktuar një gjendje të vazhdueshme terrori në botë? Përse ndodh që prania dhe veprimet e tyre nuk janë më të dukshme? Bibla përgjigjet: «Satanai vetë shndërrohet në engjëll drite.» (2. Korintasve 11:14) Djalli është një mashtrues. Aktiviteti demonik shpesh maskohet si diçka e padëmshme ose madje e dobishme. Prandaj, ky aktivitet është i vështirë për t’u kuptuar.
Satanai dhe demonët e tij vazhdojnë të dëmtojnë njerëzit në mënyra të ndryshme, siç kanë bërë në kohët biblike. Disa që tani janë të krishterë të vërtetë, një herë e një kohë ishin të përfshirë me okultizmin; ata mund të dëshmojnë për tmerret e sulmeve demonike. Sot, ndoshta në një shkallë më të madhe se kurrë më parë, demonët po përdorin fuqitë e tyre mbinjerëzore për t’i tërhequr njerëzit në praktikat e drejtpërdrejta të okultizmit. Fuqia e tyre nuk duhet nënvlerësuar. Megjithatë, ata bëjnë më shumë punë duke i joshur njerëzit që të largohen nga Perëndia, sesa duke i terrorizuar ata. Bibla thotë se Satanai dhe demonët po «mashtrojnë gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9, BR) Ata janë të përqendruar në minimin e gjendjes frymore me anë të mënyrave dinake dhe tinzare.
Demonët janë realë. Ndryshe, si mund të shpjegohej etja e pangopur për gjak dhe shkatërrim, e cila është kaq e dukshme mes njerëzve sot? Njerëzit, në mënyrë të natyrshme dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe lumturi. Por demonët nxitin të ligën dhe kanë fuqinë për të influencuar dhe për të korruptuar mendjen njerëzore.
Megjithatë, Jehovai është Perëndia i Plotfuqishëm, më i fuqishëm se demonët. Ai ofron forcën dhe mbrojtjen e tij kundër «kurtheve të Djallit». (Efesianëve 6:11-18) Ne nuk duhet të kemi një frikë të sëmurë nga demonët, sepse Perëndia premton: «Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni Djallin dhe ai do të largohet nga ju.»—Jakovit 4:7.
[Burimi i figurës në faqen 18]
Sipa Icono