BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/98 f. 25-27
  • Ortodontia: Çfarë përfshihet në të?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ortodontia: Çfarë përfshihet në të?
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një degë e odontologjisë
  • Me çfarë merret ortodontia
  • Kur duhet të mjekohet një person?
  • Jo vetëm për fëmijët
  • Kohëzgjatja dhe metodat e mjekimit
  • A i kërcitni dhëmbët?
    Zgjohuni!—1998
  • Pse të shkoni te dentisti?
    Zgjohuni!—2007
  • Si ta mbroni buzëqeshjen?
    Zgjohuni!—2005
  • Dhëmbët
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 4/98 f. 25-27

Ortodontia: Çfarë përfshihet në të?

DHËMBËT tuaj janë të rëndësishëm! Ato ju duhen për të ngrënë e për të folur dhe janë, gjithashtu, pjesë e rëndësishme e një buzëqeshjeje ose e një të qeshure të këndshme.

Dhëmbët kataroshë mund ta vështirësojnë copëtimin dhe përtypjen e ushqimit, mund të kontribuojnë në sëmundjet e mishit të dhëmbëve dhe mund të jenë përgjegjës për defektet në të folur. Specialistët kanë vërejtur, gjithashtu, se dhëmbët kataroshë mund të jenë një handikap shoqëror për disa, meqenëse ata mund të kenë vështirësi për t’u shprehur lirisht, për shkak se besojnë që buzëqeshja e tyre do t’u nxjerrë në pah defektet e dhëmbëve.

Çfarë mund të bëni në qoftë se dhëmbët tuaj nuk janë të drejtë? Kush mund t’ju ndihmojë? Në çfarë moshe? Çfarë lloj mjekimi mund të përdoret? A do të jetë i dhimbshëm? A është gjithnjë i nevojshëm një mjekim i tillë?

Një degë e odontologjisë

Dega e odontologjisë që merret me këto probleme quhet ortodonti. Ajo trajton korrigjimin e çrregullimeve dentare.

Cilat janë funksionet kryesore të ortodontisë? Ajo ka të bëjë me diagnostikimin dhe parandalimin e problemeve, si edhe me ndërtimin e aparateve korrigjuese ortodontike.

Dhëmbët e ngjeshur, të parregullt dhe të dalë jashtë ishin një problem për njerëzit edhe në kohët e lashta dhe përpjekjet për terapi datojnë të paktën në shekullin e 8-të p.e.s. Të projektuara mirë e në mënyrë të habitshme, aparate të hershme të fiksuara të ortodontisë kanë dalë në dritë nga zbulimet arkeologjike greke dhe etruske.

Sot, në shumicën e vendeve të botës, dentistë të specializuar, të quajtur ortodontë, trajtojnë problemet e lidhura me dhëmbët kataroshë. Atyre u duhet të kenë një njohuri të konsiderueshme mbi rritjen dhe zhvillimin e dhëmbëve, të nofullave dhe të muskujve e të indeve qarkues.

Me çfarë merret ortodontia

Ortodontia mund të përkufizohet si «fusha e odontologjisë që interesohet për mbikëqyrjen, drejtimin dhe korrigjimin e strukturave në rritje dhe atyre të pjekura dentofaciale». Ajo përfshin «rregullimin e marrëdhënieve mes dhëmbëve dhe kockave të fytyrës nëpërmjet aplikimit të forcave dhe/ose nxitjes e ridrejtimit të forcave funksionuese brenda kompleksit kraniofacial». Ky është një përkufizim teknik, por i saktë.

Kështu, në ortodonti forcat ushtrohen mbi dhëmbët ose mbi strukturat që i qarkojnë ato. Kjo bëhet me anë të aparateve të bëra me porosi, të cilat korrigjojnë problemet e veçanta të çdo pacienti, duke i shtyrë dhëmbët, e madje edhe kockat në pozicionin e duhur.

Në kockën përqark dhëmbëve, ka disa qeliza që quhen osteoklaste dhe të tjera që quhen osteoblaste. Si rezultat i forcave të krijuara nga aparatet, osteoklastet vihen në punë atje ku ka presion, kështu që indi kockor përshtatet. Në zonat ku ka tërheqje, hapësira mbushet nga një kockë e re, që formohet prej osteoblasteve. Në këtë mënyrë dhëmbët lëvizin dalëngadalë.

A nuk është një parehati të vësh në gojë një trup të huaj të bërë nga tela, rezinë e ndoshta edhe gomë, për muaj me radhë? Kur vihen ose rregullohen aparatet, fillimisht ato mund të shkaktojnë disa parehati, por pas njëfarë kohe një person mësohet me të. Në teori, kushdo mund të mësohet me mbajtjen e aparateve të fiksuara.

Kur duhet të mjekohet një person?

Jo të gjitha situatat që te fëmijët duken se paraqesin anomali në kafshim ose kafshimin e keq të dhëmbëve, do të mbeten në moshën e rritur. Disa lloje keqvendosjesh të dhëmbëve anojnë të rregullohen vetë. Në fakt, gjatë kalimit nga dhëmbët e qumështit apo të përkohshëm në dhëmbët e përhershëm, dhëmbët e përparmë të këtyre të fundit shpesh anojnë të ngjeshen, meqë janë më të mëdhenj se dhëmbët që zëvendësojnë.

Megjithatë, me rënien e dhëmballëve të qumështit, të cilat zëvendësohen nga paradhëmballët e përhershme, ka një ndryshim në pozic⁠ionin relativ të dhëmbëve. Me përdorimin dhe nën ndikimin e strukturës muskulore, dhëmbët mund të drejtohen vetvetiu. Prandaj, nëse je një prind, mos u alarmo po të vësh re se dhëmbët e përhershëm të fëmijës suaj fillimisht duket se po zhvillohen shtrembër. Një ortodont duhet të jetë në gjendje të përcaktojë nëse ka nevojë të bëhet ndonjë ndërhyrje apo jo.

Ortodontët nuk janë dakord me njëri⁠-⁠tjetrin mbi përcaktimin e periudhës së kurimit të pacientëve me moshë të re. Disa thonë se duhet bërë në një moshë shumë të re (4⁠-⁠6 vjeç). Të tjerë thonë më vonë, ndaj mbarimit të rritjes, gjatë pubertetit (12⁠-⁠15 vjeç). Të tjerë akoma e përshtatin veten diku në mes të kësaj periudhe.

Jo vetëm për fëmijët

Por ortodontia nuk është vetëm për fëmijët. Dhëmbët kataroshë mund të shkaktojnë shumë probleme edhe në moshën madhore. Gjendja e tanishme e buzëqeshjes suaj mund të korrigjohet pa ndonjë kufi moshe, nëse dhëmbët dhe strukturat mbajtëse të dhëmbëve janë të shëndetshme.

Çfarë problemesh shkaktojnë dhëmbët kataroshë? Janë të paktën tri lloje: (1) probleme të lidhura me pamjen e jashmte; (2) probleme funksionale, duke përfshirë vështirësi në lëvizjen e nofullave (dhimbje dhe mungesë bashkërendimi të muskujve), probleme me përtypjen dhe probleme në nyjëtimin e në formulimin e fjalëve; (3) rrezik më të madh dëmtimi, për shkak të dhëmbëve që dalin jashtë e, gjithashtu, rrezik më të madh për sëmundje periodontale (sëmundjet e indeve përreth dhëmbit) dhe krimbjen e dhëmbëve, si edhe keqësimin dhe dobësimin e dhëmbëve, të shkaktuara nga kafshimi i keq i dhëmbëve.

Përveç kësaj, disa specialistë e shoqërojnë kafshimin e keq të dhëmbëve me problemet në pozicionin e shtyllës kurrizore (veçanërisht në zonën e qafës) dhe me problemet e funksionimit të muskujve në pjesë të tjera të trupit. Por, si bëhet mjekimi? Dhe sa kohë zgjat ai?

Kohëzgjatja dhe metodat e mjekimit

Në qoftë se mendoni që, ju ose një nga fëmijët tuaj, keni nevojë për një ortodont, ju duhet të zgjidhni një të tillë, të cilit mund t’i besoni. Kohëzgjatja e mjekimit do të ndryshojë sipas shkallës së problemit dhe teknikës së përdorur, por ka mundësi që të zgjatë disa muaj, e ndoshta vite.

Për ta thjeshtuar, mund t’i ndajmë aparatet e mjekimit në dy grupe: aparate të lëvizshme dhe aparate të fiksuara. Ndërsa aparatet e lëvizshme mund të hiqen dhe të vihen përsëri nga vetë pacienti, aparatet e fiksuara çimentohen realisht në dhëmbë dhe kryejnë spostime të vogla më komplekse dhëmbësh.

Kërkimet kanë përparuar shumë në fushën e estetikës, kështu që sot ekzistojnë shumë aparate që duken si «natyrale». Disa nga këto nuk shihen, sepse kanë të njëjtën ngjyrë me dhëmbët dhe të tjerë, që janë fiksuar në brendësi të gojës në atë që njihet si pozicioni lingual në afërsi të gjuhës, mbeten jashtë rrezes së shikimit. Këto teknika quhen ortodonti e padukshme.

Në rastet më të vështira, kur ortodonti është i paaftë për të arritur rezultatin e dëshiruar vetëm duke përdorur aparatet e fiksuara, ai mund të kërkojë edhe ndihmën e një kirurgu specialist në problemet e gojës dhe të fytyrës. Ai mund të kryejë një operacion që realisht i sposton pak kockat që formojnë fytyrën.

Sot, ortodontia mund të plotësojë shumë nga nevojat e atyre që kanë probleme dhëmbësh e nofullash, duke përfshirë edhe ata që dëshirojnë të buzëqeshin pa u turpëruar për dhëmbët e tyre. Sigurisht që, nëse një person do të vendosë të përdorë ortodontinë apo jo, mbetet një vendim personal.

Në kohën që jetojmë, njerëzimit i duhet të marrë në konsideratë papërsosmëritë fizike, disa prej të cilave mund të lehtësohen me anë të masave korrigjuese. Megjithatë, ne mund të presim me padurim kohën, në botën e re të Perëndisë, kur ai të eliminojë plotësisht dhe përfundimisht të gjitha pasojat e papërsosmërisë, duke përfshirë edhe ato të gojës. Atëherë, në atë sistem të ri me një shëndet të përsosur, secili prej nesh do të jetë i aftë t’i ofrojë i sigurt një buzëqeshje të ngrohtë e miqësore kujtdo që takon.

Në lidhje me atë kohë, Bibla parathotë: «Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.» (Isaia 14:⁠7) Patjetër, këto shpërthime me britma gëzimi do të shoqërohen nga buzëqeshje të bukura!

[Figurat në faqen 25]

Ekspozim i dy aparateve të fiksuara, të projektuara (1) për t’i shtyrë prapa dhëmballët dhe (2) për të nxitur rritjen e nofullave

1

2

[Figura në faqen 26]

Aparate të fiksuara, të projektuara për të mbyllur kafshimin

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo