Emri i Perëndisë stolis arkitekturën çeke
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Republikën Çeke
NË SHUMË pjesë të botës emri Jehova i shoqërohet ekskluzivisht Dëshmitarëve të Jehovait. Ju mund të mbeteni të habitur po të mësoni se në Republikën Çeke, stolisjet në një numër ndërtesash historike përfshijnë tetragramin me katër shkronjat hebraike (יהוה) që përbëjnë emrin hyjnor, Jehova.
Ndoshta shembulli më i njohur i tetragramit gjendet në urën Çarls, e ndërtuar në vitin 1357 përgjatë lumit të bukur Vltava afër qytetit të vjetër të Pragës. Kjo urë qarkohet në të dyja anët me skulptura, njëra prej të cilave tërheq vëmendjen e pothuaj të gjithë kalimtarëve. Është statuja e Jezu Krishtit mbi një kryq, i qarkuar me shkronja hebraike të praruara, duke përfshirë edhe tetragramin, që formojnë shprehjen «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai i ushtrive».
Si ndodhi që kjo shprehje, të cilën e gjejmë në Bibël në Isainë 6:3, të gdhendej në këtë statujë? Një mbishkrim në bazamentin e saj flet për një hebre, i cili kaloi andej një ditë në vitin 1696 dhe me sa duket foli pa respekt rreth kryqit. Për shkak të kësaj, ai u çua para Gjykatës Mbretërore të Apelit dhe u dënua që të shlyente një ndëshkim. Për të shlyer këtë ndëshkim ai bëri një kurorë të praruar për kryqin, duke shkruar në të citimin e mësipërm.
Aty afër gjenden Sinagoga e Vjetër-e Re dhe varreza më e vjetër hebraike në Evropë. Në këtë sinagogë vendi i psaltrit mban tetragramin të vendosur në një strukturë argjendi. Por tetragrami nuk gjendet vetëm në ndërtesat hebraike. Në juglindje të Pragës, mbi një shpat shkëmbor mali që shikon nga lumi Sázava, qëndron kështjella mesjetare e Çeske Shternberkut. Mbi altarin e kapelës së kështjellës janë katër shkronja ari: tetragrami. Shkronjat duket sikur qëndrojnë në ajër, sepse janë varur në tela. Pas tyre shkëlqen një dritë, por jo nga një llambë! Një baxhë, e cila nuk mund të shihet nga brenda, hedh një ndriçim të kuqërremtë mbi altarin e bardhë, mbi të cilin lëkundet tetragrami.
Tetragrami shfaqet, gjithashtu, në afreske në ndërtesa të tjera çeke. Ato japin një dëshmi të mëtejshme se në të kaluarën shumë persona këtu e njihnin emrin e Perëndisë. Sot, në Republikën Çeke dhe në mbi 200 vende, Dëshmitarët e Jehovait ngazëllehen për faktin që e dinë emrin hyjnor dhe që u mësojnë të tjerëve rreth tij. (Isaia 43:10-12) Për më tepër, libri biblik i Isaisë tregon për kohën kur emrin e Perëndisë, si edhe cilësitë, qëllimin dhe aktivitetet e tij, do të «bëhet i njohur në të gjithë botën».—Isaia 12:4, 5, BR.