Një fëmijë me emrin «E varfër»
NË NJË fshat të vogël afrikan, një burrë i quajtur Okot dhe gruaja e tij Matina, patën një gëzim të madh kur u lindi një vajzë, fëmija i tyre i parë. Të afërmit dhe miqtë erdhën në fshat për t’u sjellë peshqeshe dhe për të shprehur shpresën e tyre që fëmija të kishte një jetë të gjatë e të lumtur.
Çifti bënte një jetë të vështirë e të thjeshtë. Ata punonin në një copë të vogël toke dhe shtëpia e tyre, ku Matina lindi vajzën e saj, ishte e ndërtuar me tulla balte e me një çati prej kashte. Ata ishin të vendosur për të punuar shumë që t’i bënin gjërat më të lehta për të parëlindurën e tyre, sesa kishin qenë për ta. Për t’ia kujtuar vetvetes këtë synim, ata e quajtën vajzën e tyre Akan, që do të thotë «Jam e varfër».
Çfarë rezervon e ardhmja për Akanin? Po qe se jeta e saj do të ndjekë modelin e shumicës së njerëzve në atë vend, ajo mund të mos mësojë kurrë të lexojë e të shkruajë. Kur të rritet, po qe se do të mund të gjejë një punë, mund të fitojë vetëm rreth 190 dollarë në vit. Dhe në vendin e saj, jetëgjatësia është vetëm 42 vjet.
Gjendja e Akanit nuk është e pazakontë. Nga afro 6 miliardë njerëzit që jetojnë mbi tokë, afërsisht 1,3 miliardë fitojnë më pak se 370 dollarë në vit. Mesatarja e të ardhurave në kombet e pasura është 21.598 dollarë. Çdo ditë, edhe 67.000 të tjerë u bashkohen radhëve të të varfërve, pra, rreth 25 milionë në vit. Shumica prej tyre jetojnë në botën në zhvillim: në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine. Por edhe në kombet e pasura, ka vende me varfëri. Dhe 7 në 10 nga të varfrit e botës janë femra.
Shumica e njerëzve nuk i shpëton kurrë varfërisë mjeruese. Ajo u mohon atyre nevojat më të domosdoshme: ushqimin, veshjen dhe strehimin. Ajo mund t’i privojë ata nga liria, dinjiteti, arsimimi dhe nga shëndeti i mirë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë: «Varfëria e ushtron ndikimin e saj shkatërrues në çdo fazë të jetës njerëzore, që nga momenti i ngjizjes e deri në varr. Ajo bashkëvepron me sëmundjet më të dhimbshme e më fatale, për t’i sjellë një gjendje të mjerueshme të gjithë atyre që vuajnë prej saj.»
Por, a nuk po përmirësohet standardi i jetesës në kombet në zhvillim? Në disa, po. Në shumë të tjerë, jo. Revista për zhvillimin njerëzor Choices e përshkruan nocionin se «të varfrit po na arrijnë» si ‘një mit të rrezikshëm’. Më saktë, ajo pohon: «Jetojmë në një botë që, në fakt, është bërë më e polarizuar ekonomikisht, si ndërmjet vendeve të ndryshme, ashtu edhe brendapërbrenda tyre.»
A do të vazhdojë ta godasë varfëria përgjithnjë njerëzimin? Në dy artikujt vijues, Zgjohuni! shqyrton këtë temë të ndërlikuar dhe tregon se cila do të jetë zgjidhja.