Vetëmjekimi: Dobitë dhe rreziqet
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Brazil
«NË MBARË botën tregu i vetëmjekimit po zgjerohet»,—pohon presidenti i një shoqërie të madhe farmaceutike. «Njerëzit duan të kenë kontrollin mbi shëndetin e tyre.» Edhe pse mund të jetë kështu, a ka ndonjë rrezik për të cilin duhet të jeni në dijeni?
Patjetër që, po të përdoren siç duhet, ilaçet mund të sjellin lehtësim. Për shembull, insulina dhe antibiotikët si edhe formula e thjeshtë dhe jo e shtrenjtë e terapisë së rihidratimit oral, shpëtojnë jetë të panumërta. Sfida e vetëmjekimit është të vendosim se kur dobitë janë më të shumta sesa rreziqet.
Duhet pranuar se në disa vende, ndihma e kualifikuar mjekësore mund të jetë ose tepër larg, ose tepër e kushtueshme. Kështu, për të marrë informacione në lidhje me mjekimin shumë njerëz mbështeten në opinionet e miqve dhe të të afërmve ose në librat udhëzues për përmirësimin vetjak. Fernando Lëfevrë, një profesor në Universitetin e San Paolos, Brazil, thotë, gjithashtu, se «fushatat e reklamave të japin idenë se me blerjen e një kapsule të thjeshtë, mund të kesh shëndet dhe mirëqenie».a Si rezultat, për të kapërcyer efektet e punës së tepërt, të ushqyerit të keq e madje problemet e zakonshme emocionale, shumë veta u drejtohen ilaçeve. Lëfevrë shton: «Në vend se të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre, njerëzit përpiqen t’i zgjidhin problemet me produkte që i blejnë vetë në farmaci.» Dhe kushedi nëse pacientët njohin edhe diagnozën e saktë?
Përveç përdorimit të mjekimit për të kuruar sëmundje të tilla si: dhimbjen e kokës, hipertensionin dhe përzierjen e stomakut, shumë i drejtohen mjekimit për të përballuar ankthin, frikën dhe vetminë. «Njerëzit kërkojnë ndihmën e një mjeku, pasi mendojnë se një tabletë do të zgjidhë problemin»,—thotë dr. Andrei Fingold. Ai vazhdon: «Edhe profesionistët e shëndetësisë janë të prirur për të dhënë receta ilaçesh dhe për të rekomanduar analiza të panumërta. Nuk bëhet asnjë përpjekje për të njohur historinë e pacientit, i cili në shumicën e rasteve ka një stil jetese kaotik, stresues dhe jo të shëndetshëm.» Romildo Bueno, nga Këshilli Botëror për Parandalimin e Abuzimit me ilaçe psikotropike (ilaçe që ndryshojnë perceptimin ose sjelljen), pranon: «Koha për të vizituar pacientët është e kufizuar dhe mjeku e heq qafe personin duke kuruar vetëm simptomat.» Përdorimi i ilaçeve «është një mënyrë mjekësore për [të zgjidhur] problemet shoqërore». Megjithatë, një mjek tjetër paralajmëron se shumë pacientë kanë nevojë për ilaçe psikotropike të dhëna me kujdes.
Pasi flet për «modën e prozakut», e përditshmja braziliane O Estado de S. Paulo thotë: «Një ilaç që bëhet një modë, tamam si një model i ri flokësh, është, pa e tepruar, i çuditshëm.» Kjo gazetë citon thënien e mjekut psikiatër Artur Kaufman: «Mungesa e objektivitetit dhe e qëllimit në jetë krijon një fenomen ku një ilaç i efektshëm bëhet shpëtimi nga të gjitha sëmundjet.» Kaufman shton: «Njeriu po interesohet gjithnjë e më shumë për shërimet e menjëhershme e për këtë arsye, pasi ka humbur interesin në gjetjen e shkaqeve të problemeve të tij, ai preferon të marrë një tabletë për t’i zgjidhur ato.» Por, a është e sigurt të mjekohemi vetë?
Vetëmjekimi: Një rrezik?
«Një nga karakteristikat e habitshme në fushën mjekësore në shekullin e 20-të ka qenë zhvillimi i ilaçeve të reja»,—thotë The New Encyclopædia Britannica. Por ajo, gjithashtu, thotë: «Ka të ngjarë që më shumë helmime t’i detyrohen keqpërdorimit të ilaçeve sesa ndonjë shkaku tjetër.» Në fakt, ashtu siç mund të kurojnë, ilaçet mund edhe të dëmtojnë. Shkrimtarja Selene de Kastru shpjegon se tabletat dietike për anoreksinë «veprojnë mbi sistemin nervor dhe mund t’u japin shkëndijën simptomave të tilla të pakëndshme si pagjumësia, ndryshimet në sjellje e në disa raste edhe halucinacione». Ajo shton: «Por kushdo që mendon se tabletat e anoreksisë veprojnë vetëm si inhibitorë të oreksit po gënjen veten. Një kapsulë mund të jetë fillimi i një rrethi vicioz ilaçesh, ku secili neutralizon efektin e tjetrit.»
Shumë ilaçe të përdorura zakonisht mund të shkaktojnë irritimin e stomakut e madje të përziera, të vjella dhe hemorragji. Disa ilaçe mund të krijojnë varësi ose mund t’u shkaktojnë dëm veshkave dhe mëlçisë.
Edhe produktet e përhapura mjekësore mund të jenë të dyshimta. «Kjo modë për plotësues vitaminash është jashtëzakonisht e rrezikshme»,—paralajmëron dr. Efraim Olshever, president i një shoqate mjekësore braziliane. «Jo vetëm që popullsia po mjekohet vetë, por disa mjekë të painformuar po japin receta të dyshimta ilaçesh, duke shpërfillur rreziqet e përfshira.» Megjithatë, një mjek tjetër pohon se plotësuesit e vitaminave, të marrë në dozat e duhura, mund të jenë të nevojshëm ose të dobishëm në kurimin e disa sëmundjeve dhe mangësive.
Vetëdiagnostikim i sigurt: Si?
Duke qenë se nuk mund të shkojmë te mjeku sa herë që nuk ndihemi mirë, në familjet tona mund të jenë të dobishëm edukata shëndetësore dhe vetëmjekimi i vetëdijshëm. Megjithatë, para se të merret ndonjë mjekim, është jetësore bërja e një vetëdiagnostikimi të saktë e të efektshëm. Nëse nuk gjendet një mjek aty afër ose rrethanat nuk ju lejojnë të shkoni tek ai, konsultimi i një libri referimi mjekësor të përshtatshëm mund t’ju ndihmojë të bëni një diagnozë të saktë. Për shembull, Shoqata Mjekësore Amerikane boton një manual mjekësor familjar që përfshin një pjesë 183-faqëshe me tabela simptomash. Këto e drejtojnë pacientin nëpërmjet një serie pyetjesh, të cilave mund t’u përgjigjet po ose jo. Me anë të këtij procesi eliminimi, shpesh mund të identifikohet një problem.
Po roli i mjekëve cili është? Kur duhet të kërkojmë ndihmë profesionale? Si mund të shmangim ekstremet, qoftë të shqetësohemi tepër për shëndetin, qoftë neglizhimin? Vërtet, në një botë ku mbizotërojnë sëmundjet dhe çrregullimet psikosomatike, si mund të gëzojmë një masë shëndeti të mirë?
[Shënimi]
a Në shumë vende reklamimi «drejtpërdrejt konsumatorit» i ilaçeve që mund t’i japë me recetë vetëm mjeku, është shtuar shumë kohët e fundit, pavarësisht nga kritikat e shumë mjekëve dhe organizatave mjekësore për këtë metodë.
[Diçitura në faqen 4]
«Nuk bëhet asnjë përpjekje për të njohur historinë e pacientit, i cili në shumicën e rasteve ka një stil jetese kaotik, stresues dhe jo të shëndetshëm.» —Dr. Andrei Fingold
[Kutia në faqen 4]
Barna popullore shtëpiake
Për mijëra vite, njerëzit në shumë kultura i kanë kuruar sëmundjet me barna popullore, duke përdorur bimët që gjendeshin në fusha e në pyje. Edhe shumë ilaçe moderne bëhen nga bimët, siç është luletogëza, e cila përdoret për kurimin e problemeve të zemrës. Kështu, Penelopi Odi, një anëtare e Institutit Kombëtar të Herbalistëve Mjekësorë në Mbretërinë e Bashkuar, pohon në librin e saj se «ka më shumë se 250 kurime të sigurta për të ndihmuar në lehtësimin e ankimeve të zakonshme, që nga kolla e zakonshme, të ftohtët dhe dhimbja e kokës e deri në kurimet speciale për gjendjen e lëkurës, problemet e tretjes dhe sëmundjet e fëmijëve».
Ajo shkruan: «Herbalizmi është konsideruar gjithnjë si ‘mjekësia e popullit’. Ai përbëhet nga barna të thjeshta që mund të përdoren në shtëpi për dhimbje të vogla ose për të plotësuar barna më të forta, të dhëna nga profesionistët për gjendjet kronike dhe akute.» Ajo vazhdon: «Edhe pse shumica e barnave popullore janë padyshim pothuaj të sigurta, ato duhen trajtuar me konsideratë. Mos i kaloni dozat e thëna ose mos vazhdoni me mjekime shtëpiake, nëse gjendjet janë të vazhdueshme, keqësohen ose nëse diagnoza e vërtetë është në dyshim.»—The Complete Medicinal Herbal.