A duhet ta kujtojmë të kaluarën?
«A MUND ta harrojnë hebrenjtë Holokaustin?» Kjo pyetje u ngrit nga Virgjil Elizondo, presidenti i Qendrës Kulturore meksikane amerikane në San Antonio, Teksas. Kjo gjë na rikujton se mizoritë që janë parë në këtë shekull mund të lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive. Mes mizorive të shekullit të 20-të duhen përfshirë edhe gjenocidi i armenëve (1915-1923) dhe vrasjet në masë të kamboxhianëve (1975-1979). Gjithsesi, lista nuk është në asnjë mënyrë e plotë.
Duke u përpjekur për të nxitur pajtimin mes viktimave dhe torturuesve të tyre, udhëheqësit fetarë e politikë në disa raste u kanë bërë thirrje njerëzve që të harrojnë mizoritë e përjetuara. Kjo ndodhi, për shembull, në Athinë, Greqi, në vitin 403 p.e.s. Qyteti sapo kishte qenë dëshmitar i përfundimit të diktaturës shtypëse të Tridhjetë Tiranëve, një oligarki që kishte eliminuar edhe fizikisht pothuaj të gjithë kundërshtarët e vet. Qeveritarët e rinj kërkuan të rivendosnin harmoninë civile, duke dekretuar një amnisti (që vjen nga një fjalë greke, e cila do të thotë «harresë» ose «harrim») për përkrahësit e tiranisë së mëparshme.
Të harrojmë me anë të një dekreti?
Mund të jetë relativisht e lehtë të përpiqesh të fshish me anë të një dekreti kujtimin e mizorive të shkaktuara mbi të pafajshmit. Sundimtarët mund të vendosin ta bëjnë këtë për përfitime politike, siç ndodhi në Greqinë e Lashtë dhe në disa vende evropiane në fund të Luftës II Botërore. Për shembull, gazeta La Repubblica tha se në Itali, në vitin 1946, një dekret shpalli amnisti për më shumë se 200.000 qytetarë «fajtorë për pjesëmarrje, në mënyra pak ose shumë përkatëse, në aktet e shëmtuara të regjimit fashist».
Megjithatë, vendimet e qeverive ose të institucioneve publike janë një gjë. Ndjenjat e pjesëtarëve individualë të komunitetit janë një gjë krejt tjetër. Nuk është e mundur që me anë të një dekreti t’i detyrosh qytetarët si individë, ndoshta viktimat e pambrojtura të konflikteve brutale, të masakrave ose të barbarizmave të tjera, që të harrojnë vuajtjet e kaluara.
Më shumë se njëqind milionë njerëz kanë vdekur në luftërat e bëra vetëm në këtë shekull, shumë prej tyre pas vuajtjesh të patregueshme. Nëse do të na duhej të shtonim të gjithë ata që janë vrarë në masakrat në kohë paqeje, mizoritë do të ishin të panumërta. Shumë njerëz bëjnë çmos për të siguruar që asnjëra prej këtyre mizorive të mos harrohet.
Ata që do të donin ta fshinin kujtimin
Ata që i nxitin viktimat e mizorive ose pasardhësit e tyre që të falin e të harrojnë, shpesh pohojnë se të kujtosh të kaluarën është vetëm një burim ndarjeje, veçanërisht nëse kanë kaluar dekada nga ajo ngjarje. Ata thonë se harrimi bashkon, kurse kujtimi nuk mund ta kthejë prapa rrotën e historisë, sado tragjike të ishin vuajtjet.
Por, duke u përpjekur për t’i bërë njerëzit që të harrojnë, disa kanë shkuar deri në pikën e mohimit të realitetit të krimeve më të tmerrshme të kryera kundër njerëzimit. Të mbështetur nga të vetëquajturit historianë revizionues, disa pohojnë, për shembull, se nuk ka pasur kurrë ndonjë Holokaust.a Ata madje kanë organizuar vizita në ish-kampet e përqendrimit, si në Aushvic ose në Treblinka, dhe u kanë thënë vizitorëve se dhomat me gaz nuk kanë ekzistuar kurrë në ato vende, e një gjë të tillë e kanë bërë pavarësisht nga dëshmitarët e shumtë okularë dhe pirgjet me dëshmi e dokumentacione.
Si ka mundësi që këto ide të rreme revizionuese të kenë sukses në disa qarqe? Kjo ndodh, sepse disa zgjedhin të harrojnë përgjegjësinë e tyre dhe atë të popullit të tyre. Pse? Për shkak të nacionalizmit, të vetë ideologjisë së tyre ose të antisemitizmit apo ndjenjave të tjera si këto. Revizionistët arsyetojnë se pasi të harrohen mizoritë, përgjegjësia zhduket. Por shumë njerëz u rezistojnë me forcë këtyre revizionistëve të papërgjegjshëm, të quajtur nga një historian francez «vrasësit e kujtesës».
Ata nuk harrojnë
Pa dyshim, është shumë e vështirë që të mbijetuarit të harrojnë personat e dashur që kanë humbur në luftë ose në mizori të tjera. Megjithatë, shumë nga ata që duan të kujtojnë masakrat dhe gjenocidet, e bëjnë këtë sepse shpresojnë që mësimet e nxjerra nga vuajtjet e tyre dhe nga vuajtjet e personave të tyre të dashur do të jenë të dobishme për të shmangur çdo përsëritje të një brutaliteti të tillë.
Kështu, qeveria gjermane ka vendosur të përkujtojë përvjetorin e zbulimit të tmerreve të kryera nga nazistët në kampin e përqendrimit në Aushvic. Synimi, sipas presidentit të Gjermanisë, është se «të kujtuarit do të shërbejë si një paralajmërim për brezat e ardhshëm».
Ngjashëm, në përvjetorin e 50-të të përfundimit të Luftës II Botërore, papa Gjon Pali II tha: «Kujtimet e Luftës nuk duhet të zbehen me kalimin e viteve, përkundrazi, ato duhet të bëhen një mësim i ashpër për brezin tonë dhe për brezat që do të vijnë.» Megjithatë, duhet thënë se Kisha Katolike nuk është gjithnjë e qëndrueshme në kujtimin e mizorive dhe të viktimave të atyre viteve.
Me qëllim që edhe brezat e rinj të nxjerrin mësime dhe paralajmërime nga gjenocidet e këtij shekulli dhe të shekujve të kaluar, janë ngritur një numër muzesh, si Muzeu i Përkujtimit të Holokaustit në Uashington, D.C., dhe Muzeu i Tolerancës Beit Hashoah në Los Anxheles. Për të njëjtën arsye, mbi këtë temë janë xhiruar dokumentarë dhe filma të tjerë prekës. E gjithë kjo është një përpjekje për ta parandaluar njerëzimin nga humbja e kujtimit të njerëzve që vuajtën nga dora e njerëzve të tjerë.
Pse të kujtojmë?
«Ata që nuk mund ta kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsëritin atë»,—shkroi filozofi amerikano-spanjoll Xhorxh Santajana. Mjerisht, duket se përgjatë mijëvjeçarëve, njerëzimi e harron shpejt të kaluarën e tij, duke e dënuar vetveten për të kryer të njëjtat gabime të dhimbshme gjithnjë e përsëri.
Sekuenca e gjatë dhe mizore e vrasjeve në masë të shkaktuara nga njeriu nxjerr në pah se sundimi i njeriut mbi njerëzit e tjerë ka qenë një dështim total. Pse kështu? Sepse njerëzit vazhdimisht kanë përsëritur të njëjtin gabim themelor, ata kanë hedhur poshtë Perëndinë dhe ligjet e tij. (Zanafilla 3:1-6; Predikuesi 8:9) E sot, tamam ashtu siç ishte profetizuar në Bibël, një «brez i shtrembër» po bën të njëjtën gjë dhe po korr të njëjtat pasoja.—Filipianëve 2:15; Psalmi 92:7; 2. Timoteut 3:1-5, 13.
Meqë kemi përmendur Krijuesin, Jehovain, në diskutimin tonë, cila është pikëpamja e tij? Çfarë harron e çfarë kujton ai? A mund të kapërcehet trashëgimia e dhimbshme e mizorive të shkaktuara nga njeriu? A do t’i ‘jepet fund ligësisë së njerëzve të këqinj’?—Psalmi 7:9.
[Shënimi]
a Për informacion mbi falsitetin e argumenteve të historianëve revizionues, ju lutemi shikoni artikullin «Holokausti: Po, ai ndodhi me të vërtetë!», botuar në Zgjohuni!, 8 prill 1989, faqet 4-8, anglisht.
[Diçitura dhe figurat në faqen 7]
«Ata që nuk mund ta kujtojnë të kaluarën janë të dënuar për ta përsëritur atë.»—Xhorxh Santajana
Krematori dhe furra në kampin e përqendrimit në Aushvic
[Burimi]
Muzeu Oświęcim