Një parajsë e një lloji të ndryshëm
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË KANADA
DUKE ndenjur mbi shpatin e sipërm të prroskës dhe duke këqyrur shtratin e luginës poshtë, mahniteni nga peisazhi që të lë pa frymë: kodra të valëzuara dhe hone të thikëta luginash. Para jush është ajo që duket si një det i paanë bari. Një shkulm vorbullash ere kalon, duke mbushur ajrin me kundërmimin e fortë të sherbelës dhe me aromën e stepave.
Imagjinoni, vetëm dyqind vjet më parë, ju mund të kishit udhëtuar për ditë të tëra pa i humbur nga sytë kopetë e mëdha me bizonë që errësonin stepat e mëdha të Kanadasë dhe mund të kishit ndier tokën nën këmbët tuaja tek dridhej nga gjëmimi i miliona thundrave. Edhe migrimet e famshme të kafshëve në Afrikë nuk mund të krahasoheshin me ato të bizonëve që i binin kryq e tërthor këtij deti të madh bari.
Tani, disa nga shenjat e vetme të mbetura që tregojnë se bizonët kanë qenë njëherë e një kohë këtu, janë gurët e mëdhenj ku fërkoheshin bizonët. Mund t’i ndiesh cepat e lëmuar dhe mund të shohësh hendeqet e bëra përreth gurëve nga mijëra bizonë, të cilët fërkonin me to lëkurën që u kruhej. Nuk është vetëm era e fortë që fryn nga veriu ajo që t’i sjell lotët në sy, por edhe një ndjenjë e fortë magjepsjeje ndaj mrekullive të krijimit që ju rrethojnë e që kënaqin shqisat tuaja. Ku jeni? Po vizitoni një parajsë të një lloji të ndryshëm.
Një park me një ndryshim
Mirë se vini në Parkun Kombëtar të Stepave, në Saskaçevanin jugperëndimor, Kanada, i vetmi park në Amerikën e Veriut që është lënë posaçërisht për të ruajtur të paprishur stepën me bar të përzier. Faktikisht parku është i përbërë nga një bllok lindor dhe një bllok perëndimor, të ndarë nga 22,5 kilometra. Sipërfaqja e përgjithshme e tij së fundi do të përfshijë 900 kilometra katrorë.
Terreni është i thyer dhe i mbushur me shumë pengesa sfiduese. Eksplorimi bëhet më mirë në këmbë ose me kalë. Ata që kanë shpirtin e aventurës mund të kalojnë disa netë duke fushuar nën dritën e yjeve, por duhet të përgatiten për të marrë me vete ujë të mjaftueshëm dhe furnizime të tjera të nevojshme. (Shiko kutinë «Eksplorimi i parkut».) Gjatë udhëtimit tuaj më këmbë mespërmes parkut, nuk do të ndeshni ndërtesa moderne, rrugë të shtruara me asfalt ose zhavorr, linja të tensionit të lartë, vend për groposjen e plehrave dhe vendqëndrime për makinat. Mund të mos takoni madje asnjë njeri. Vërtet, ky park është një parajsë e një lloji të ndryshëm! Sapo hyni në park, keni hyrë në një botë me bukuri unike.
Rrafshinat e Mëdha të Amerikës së Veriut përbëjnë një nga ekosistemet më ashpërsisht të shndërruara në botë. Më pak se dyqind vjet më parë, kjo ishte një tokë 100 përqind e egër, e paprekur. Sot, për shembull, më pak se 25 përqind e stepave me bar të përzier në Kanada mbetet e pazhvilluar. Ideja për të mbrojtur këtë stepë me bar, duke e bërë një park, lindi në vitet 1830. Mbi njëqind vjet më vonë, në vitin 1957, Shoqata e Historisë së Natyrës e Saskaçevanit filloi të punonte për të ngritur një park kombëtar.
Megjithatë, vetëm në vitin 1988 një marrëveshje mes shtetit dhe krahinës bëri të mundur ngritjen e Parkut Kombëtar të Stepave. Ky park, bashkë me të tjerë në stepat kanadeze tani mbron 22 bimë, gjitarë dhe zogj që janë në listën zyrtare të llojeve të rrezikuara në Kanada. Përveç këtyre, ruhen edhe shumë lloje të tjera, ku disa prej tyre nuk gjenden në asnjë vend tjetër në botë.
Parku i Stepave është një tokë me ekstreme klimatike. I vendosur në qendër të kontinentit, ai nuk ndikohet nga efektet zbutëse të ndonjë oqeani. Kështu, temperaturat në dimër mund të shkojnë deri në -50°C dhe në verë nuk janë të pazakonta temperaturat deri mbi 40°C. Klima është e ashpër pasi bie jashtëzakonisht pak shi dhe fryn gjithnjë erë.
Megjithatë, edhe pse nuk është e dukshme me lehtësi që në fillim, atje ka një bollëk jete në gjendje të egër. Me durim dhe këmbëngulje, veçanërisht kur agon dhe kur bie muzgu, mund të shpërbleheni me rastin për të fotografuar drerët, kojotat, luqerbullat, lepujt e egër trupmëdhenj, thëllëzën e sherbelës, gjarpërinjtë me zile, bufat e strukur, skifterët e kuqërremtë, shqiponjat e arta, antilopën amerikane ekzotike (e përshkruar si ndoshta kafsha e madhe më e shpejtë e Amerikës së Veriut) ose koloninë e vetme të mbetur në Kanada të qenve me bisht të zi. Do të shihni edhe shumë zogj të tjerë si edhe insekte e bimë që janë indigjene në këtë zonë.
Një histori interesante e rajonit
Po të vendosni ta vizitoni këtë park unik, ju inkurajojmë të bëni disa kërkime rreth kësaj zone. Do të shihni se ka një histori të pasur. Për shembull, ekzistojnë ende shënuesit që tregojnë Shtegun e Policëve Kalorës veriperëndimorë me Xhaketa të Kuqe. Në vitin 1874, pasi dëgjoi zëra për çrregullime ndër vendasit, qeveria kanadeze dërgoi një repart prej treqind policësh kalorës në perëndim për të vendosur ligjin dhe rregullin. Kjo lëvizje qetësoi edhe frikën e shumë vetave se mos perëndimi i Kanadasë pushtohej nga Shtetet e Bashkuara. Veshur me xhaketa ushtarake me ngjyrë të purpurt të ndezur dhe duke kalëruar kuaj të kashaisur mirë, reparti krijoi një përfytyrim kaq mbresëlënës, saqë edhe sot e kësaj dite shtegu nga kaluan ata quhet Rruga e Xhaketës së Kuqe.
Me interes është edhe fakti se në vitin 1878 kjo zonë u bë shtëpia e një prej luftëtarëve indianë që ia kishin më shumë frikën në Amerikën e Veriut: prijësi i madh Sioux, Demi i Ulur. Pas fitores së fisit Sioux mbi forcat e Kusterit në lumin Little Bighorn, mijëra Siouxë amerikanë ua mbathën për në këtë pjesë të Kanadasë për të shpëtuar nga kavaleria amerikane.
Në park ekzistojnë rreth 1.800 vende interesante nga ana arkeologjike që na çojnë akoma më prapa në kohë. Në shumë kreshta, maja kodrash dhe zgjatime mund të gjenden shkëmbinj të mëdhenj të rregulluar në rrathë, të njohur si unaza për tipi ose çadrat e indianëve. Këta shkëmbinj njëherë e një kohë mbanin anët e tendave të indianëve të bëra me lëkura bizonësh, që të mos fluturonin tej nga era që frynte. Ekzistojnë edhe disa ndërthurje shtigjesh të lashta për bizonët, të cilat u përdorën nga indianët e rrafshinave. Shumë shekuj më parë zona ishte një vend i pasur gjahu për fiset Gros Ventre, Cree, Assiniboin, Blackfoot dhe Sioux.
Duke shkuar akoma më prapa në kohë, në bllokun lindor të parkut janë gjetur mbetje dinozaurësh mes kodrave të gërryera të qerpiçit në Killdeer Badlands.
Një panoramë bukurie
Nëse ndryshueshmëria dhe bollëku i florës dhe i faunës ose historia magjepsëse e kësaj toke nuk mjaftojnë për t’ju mahnitur, horizonti madhështor e dramatik i vetë vendit do ta përfundojë këtë detyrë. Aty do të dëgjoni tingujt e një miriade lloji zogjsh, do të nuhasni erën e sherbelës dhe do të ndieni diellin e nxehtë dhe erën mbi lëkurë. Shija e ushqimit të përgatitur në një stufë portative me gaz pasurohet nga peisazhi panoramik, i cili është një gosti e vazhdueshme për sytë. Mbi të gjitha, ka një pamje të papenguar 360 gradëshe të horizontit, veçanërisht përgjatë Shtegut të Dy Pemëve Interpretuese, që gjendet në bllokun perëndimor të parkut. Qielli i paanë me ngjyrë të kaltër të kthjellët sipër jush zbukurohet me ndonjë re të bardhë si pambuk që varet mbi kokat tuaja si një mal lundrues. Peizazhi piktoresk ju jep një ndjenjë mbizotëruese lirie dhe, në të njëjtën kohë, ju bën të ndiheni shumë të vegjël e ju ngjall frikë e nderim.
Kur bëhet fjalë për stepat, nuk është e rëndësishme vetëm ajo që shihni, por edhe ajo që ndieni. Është ndjenja që keni për këtë vend ajo që do t’ju tërheqë përsëri në këtë parajsë të një lloji të ndryshëm. Kjo përvojë i mbush zemrat tona me mirënjohje. Mendimet tona janë plot lavdi për Krijuesin e Madh, Jehovain, i cili i vendosi të gjitha gjërat këtu. Së shpejti, do të vijë dita kaq shumë e pritur kur e gjithë toka do të bëhet një parajsë dhe do ta shfaqë plotësisht bukurinë e saj natyrore.
[Kutia në faqen 26]
Eksplorimi i parkut
Kujtohuni që:
1. Të regjistroheni pranë personelit të parkut dhe merrni një manual informacionesh para se të hyni në park.
2. Të mbani një sasi të mjaftueshme uji të pijshëm me vete. Uji i pijshëm gjendet vetëm në Qendrën e Informacionit të Parkut.
3. Të vini një kapele për t’u mbrojtur nga dielli si edhe këpucë të forta e të rehatshme, që ju mbulojnë nyjet e këmbëve për t’i mbrojtur nga kaktuset plot gjemba.
4. Të mbani me vete një shkop për të goditur barin para jush kur ecni përmes barit të gjatë dhe shkurreve.
5. Të merrni me vete një kamera dhe dylbi, nëse i keni. Koha më e mirë për të vëzhguar kafshët është në agim dhe në muzg.
KUJDES: Mos i vini duart ose këmbët në vende që nuk arrini t’i shihni. Gjarpërinjtë me zile mund të kafshojnë kur zihen ngushtë ose në befasi. Është e jashtëligjshme të ngacmosh ose të gjuash kafshët e egra në një park kombëtar.
[Burimi i figurës në faqen 25]
Të gjitha fotografitë: Parqet Kanada