Një katastrofë prej akulli
«KATASTROFA natyrore më e keqe në historinë e kombit.» Kështu e quajti The Toronto Star stuhinë prej akulli të këtij janari që rrënoi provincat kanadeze të Ontarios, Kuebekut dhe të Nju Brunsuikut. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Bill Klinton i shpalli Meinin dhe Nju Hampshirin, si edhe ndarjet e Vermontit dhe pjesën veriore të Nju Jorkut, zona të prekura nga katastrofa.
Rreth 35 vdekje iu atribuan stuhisë, e cila pati edhe pesë ditë me një shi ngrirës. Ky shi zakonisht zgjat vetëm disa orë, por në këtë rast një shtresë e ngrohtë e sipërme ajri mbeti konstante mbi një masë ajri të ftohtë. Prandaj, kur shiu prekte ndonjë sipërfaqe, ai ngrinte në moment. Kjo formoi shtresa akulli deri në tetë centimetra të trasha. Nën peshën e akullit shumë pemë, linja energjie elektrike, shtylla tensioni dhe antena transmetuese prej çeliku ranë, shpesh me pasoja të frikshme.
Në Kuebek, qindra antena transmetuese të stërmëdha prej çeliku u shembën si të ishin bërë prej letre varaku. Një banor i shqetësuar i periferisë tregoi: «Pashë një [antenë] përballë meje të përkulej si të ishte prej plastike. U përkul më dysh, pastaj u bë si top dhe u thërrmua. Linjat e energjisë elektrike gjendeshin kudo mbi autostradë. Pasi ra e para, u rrëzuan tri të tjera pas saj.»
Grumbullimi i akullit rrëzoi më shumë se 120.000 kilometra linja të energjisë elektrike, një sasi që do të mjaftonte për ta rrethuar tri herë tokën! Në Kanada, tre deri në katër milionë njerëz ishin pa energji elektrike dhe ngrohje, disa prej të cilëve për tre javë e më shumë.
Në Mein, ku guvernatori Angus King shpalli gjendjen e urgjencës, mbi 200.000 njerëz ishin pa energji elektrike. «Kjo është katastrofa më e madhe e këtij lloji që ka goditur ndonjëherë këtë shtet»,—tha ai. Guvernatori i Nju Jorkut, Xhorxh Pataki, tha: «Kemi qytete të tëra me energji elektrike zero.»
Përgjatë bregut jugor të lumit Sent Lorenc, rreth 30.000 shtylla tensioni prej druri u shkatërruan gjatë stuhisë. Pas 17 orësh shiu ngrirës, Xhim Keli që jeton afër këtij lumi në Nju Jorkun verior, shkroi: «Nuk mund të shohim më jashtë dritareve. Nuk është thjesht brymë ose avull, por akull i ngurtë. Nga çdo anë e shtëpisë dëgjohen zhurma.»
Keli shpjegoi: «Nga larg dëgjohen disa tinguj që duken si të shtëna pushke. Bam! Heshtje. Bam! Heshtje. Bam, bam!» Më vonë, ai mësoi se tingujt kishin ardhur nga pemët që thyheshin dhe nga këputja më dysh e shtyllave të telefonit.
Për ironi, peizazhi mori një bukuri që të vriste sytë, edhe pse shkretimi kishte zënë vend mbi të. Disa shprehën frikën se Ontario mund të kishte humbur 20 milionë pemë panje, duke pezulluar industrinë e prodhimit të shurupit të panjës. Një kultivues u ankua: «Pemët duken si hunj të ngulur që drejtohen nga qielli.»
«Një zonë lufte e bukur»
Fraza e mësipërme ishte titulli i një artikulli në Toronto Star që përshkruante Monrealin, qytetin e dytë më të madh të Kanadasë. «Rrugët këtu duket sikur t‘i kenë gjuajtur me bomba!»—pohoi një banore. Një përllogaritje e hershme e dëmeve vetëm në zonën e Monrealit nxori shifrën prej më shumë se 500 milionë dollarë.
Një banor i Belvilit, Ontario, tha: «Duket sikur ka kaluar një luftë bërthamore. Mbi çdo gjë ka një shtresë pluhuri të bardhë, është e frikshme.» Ai e quajti atë «një bukuri e frikshme».
Javën vijuese pas stuhisë, kur qindra mijë njerëz ishin ende pa energji elektrike dhe i ftohti ishte i ashpër, policia filloi të evakuonte njerëzit për në vendstrehime. «T’i pyesim njerëzit apo t’i urdhërojmë të vijnë?»—pyeti një polic.
«Ata duhet të dalin,—u përgjigj ai që kishte përgjegjësinë,—por jini diplomatë në lidhje me këtë.» Ai shtoi: «Duket sikur jemi në kohë lufte.»
Në prag të katastrofës
Me humbjen e energjisë elektrike në pjesën më të madhe të Monrealit, dritat e rrugëve u fikën dhe sistemi i metrosë u mbyll. Në ditën e fundit të stuhisë, katër nga pesë stacionet shpërndarëse të energjisë hidroelektrike që shërbenin në qytet, ishin jashtë funksionimit ose ishin shkatërruar. Cilat ishin pasojat e mundshme?
«Pasditja erdhi me perspektivën e një errësire totale në Monreal, si edhe pa ujë,—shpjegoi kryeministri i Kuebekut, Lusiën Bushar.—Kishte ujë vetëm për dy orë akoma, sepse dy impiantet e filtrimit kishin pushuar së funksionuari.» Në këtë gjendje, ku njerëzit përdornin qirinj dhe me probabilitetin e mbetjes pa ujë fare, mundësia për një katastrofë ishte e madhe.
Një katastrofë tjetër u shmang rreth dy javë më vonë, kur një turmë prej 1.889 vetash u mblodhën më 24 janar për një asamble qarkore në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Monreal. Gjatë natës, më shumë se 20 centimetra borë e njomë kishte mbuluar Monrealin dhe gjatë programit të asamblesë për mëngjesin në muret dhe në tavan u vunë re dëmtime. Programi për pasditen u anulua dhe u bë një thirrje që të pranishmit të shkonin në shtëpi, të ndryshonin rrobat dhe të ktheheshin aty për të punuar.
Brenda një ore, 300 vullnetarë të armatosur me lopata, kazma dhe pajisje të tjera filluan të pastronin çatinë e stërmadhe prej 7.100 metrash katrorë. Pasi u hoq sipërfaqja me borë, u zbulua se në disa vende akulli ishte më i trashë se 60 centimetra! Për ta prerë akullin në pjesë katrore u përdorën sharra elektrike me zinxhirë dhe më pas këto copa akulli u tërhoqën deri në skajet e çatisë dhe u hodhën poshtë. Nga çatia u hoqën 1.600 ton borë dhe akull! Inspektimi i mëvonshëm zbuloi se, si rezultat i kësaj, tavani shkoi përsëri në vendin e vet dhe krisjet nëpër mure u mbyllën. Programi rifilloi mirë e bukur të dielën në mëngjes.
Ata ndihmuan njëri-tjetrin
Është e vërtetë se disa njerëz në zonë kërkuan të përfitonin nga mjerimi i të tjerëve gjatë kohës së shiut dhe të ftohtit, por si në shekullin e parë, shumë treguan «dashamirësi të jashtëzakonshme njerëzore». (Veprat 28:2, BR) Gazeta Daily Sentinel e Romës, Nju Jork, tha për Dëshmitarët e Jehovait që filluan menjëherë të ndihmonin njerëzit: «Burrat u takuan në Sallën e Mbretërisë në Uotertaun për t’u organizuar dhe që atje u caktuan nëpër shtëpitë e disa anëtarëve. Por, ata ndihmuan edhe fqinjët e tyre rreth e rrotull.»
Artikulli tha se përpjekje të tilla për lehtësim u koordinuan për njerëzit «përgjatë rajonit në Adams, Potsdam, Mëlon, Ogdenzburg, Platzburg, Masena, Gavërnur dhe Elenburg». Disa vullnetarë siguruan ngrohje në shtëpi për disa orë, duke instaluar gjeneratorë që të vinin në punë kaldajat. Mjerisht, pas stuhisë në shumë zona temperaturat kishin rënë minus 8°C.
Në një rast policia i pa Dëshmitarët që shkonin nëpër shtëpi dhe i ngatërroi për vjedhës. Kur Dëshmitarët shpjeguan se çfarë po bënin, një nga policët tha se pas stuhisë, babain e tij, që jeton në Monreal, e kishin ndihmuar Dëshmitarët e Jehovait, edhe pse babai i tij nuk është vetë Dëshmitar. Djali shprehu vlerësimin e tij për ndihmën që ishte dhënë.
Të goditura veçanërisht rëndë nga stuhia qenë rreth 100 qytete në jug të Monrealit, në një zonë të quajtur «trekëndëshi i errësirës». Dhjetë ditë pas stuhisë, këto qytete ishin ende pa energji elektrike. Në fakt, shumë njerëz mbetën pa energji elektrike për më shumë se një muaj! Nga Zyra e Degës e Dëshmitarëve të Jehovait afër Torontos u bënë rregullime që të bëheshin vizita speciale, për t’u siguruar ndihmë njerëzve në atë zonë. Kamiona me furnizime që përfshinin llampa me vaj, bateri dhe elektrikë dore u çuan në një qendër të caktuar shpërndarjeje dhe që atje iu shpërndanë atyre që kishin nevojë.
U bënë rregullime edhe që pleq të krishterë të përcaktonin nevojat e atyre që jetonin në këto zona. Një grup pleqsh vizitoi 11 kongregacione brenda një jave, duke mbajtur shumë mbledhje inkurajuese. Pas këtyre grumbullimeve, ku ishte siguruar inkurajim frymor, asnjë nuk donte të kthehej në shtëpi. Njerëzit vazhdonin të rrinin aty, duke gëzuar shoqërinë, duke folur e duke krahasuar histori. Në fakt, prania e rregullt në mbledhje ishte në maksimum gjatë javëve pas stuhisë.
Shumë veta që kishin një burim ngrohjeje, si një stufë druri ose një gjenerator për të siguruar energji elektrike, mirëpritën ata që nuk kishin fare ngrohje në shtëpitë e tyre. Disa Dëshmitarë kishin deri në 20 veta në shtëpitë e tyre. Gjithashtu, shumë Dëshmitarë jashtë zonës që kishte mbetur pa energji elektrike siguruan strehim për vëllezërit. Për shembull, Dëshmitarët në Set-Il, një qytet rreth 800 kilometra larg «trekëndëshit të errësirës», u ofruan për të strehuar 85 familje.
Dëshmitarët në zonat e largëta të thella, si në Rimuski, prenë dhe dërguan trungje druri për zjarr. Disa gjetën kohën për të shkruar disa shkrime në trungjet e druve që dërguan. Një Dëshmitar i dha ca dru nga dhurata e tij një fqinji jo-Dëshmitar, të cilit i ra në pjesë një trung druri, ku ishte shkruar Psalmi 55:16: «Vetë Jehovai do të më shpëtojë.» Me drurin në dorë, ai pa lart dhe tha: «Faleminderit Jehova.»
Çfarë mësimesh nxirren nga e gjithë kjo?
Shumë veta u tronditën kur panë brishtësinë e energjisë elektrike dhe kur kuptuan se sa shumë vareshin prej saj. «Të siguroj se kur të ndërtojmë shtëpi të reja,—tha një burrë,—në to do të ketë stufë me dru, gjenerator . . . dhe një stufë me gas.»
Afro gjashtë javë pas stuhisë, një komentues reflektoi: «Kishte shumë akull, shumë errësirë dhe shumë kohë për t’u menduar, gjë që është shumë më e lehtë për t’u bërë me televizor fikur.» Pastaj, vërejti: «Jemi habitur nga prekshmëria jonë ndaj elementeve natyrore.»
Studentët e Biblës reflektojnë mbi premtimin e Krijuesit për ta kthyer tokën në një parajsë globale, pasi të ketë eliminuar këtë sistem gjërash, siç ka eliminuar një botë të tillë më parë. (Mateu 24:37-39; 2. Pjetrit 2:5) Duke nxjerrë në pah arsenalin e tij të mundshëm, Perëndia pyet: «Vallë, a ke hyrë ndonjëherë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit [duke përfshirë edhe shiun e akullt] që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive [kohën e trazirave, BR], për ditën e betejës dhe të luftës?»—Jobi 38:22, 23.
[Figura në faqen 17]
Antenat transmetuese prej çeliku u përkulën si letër varaku
[Figura në faqen 18]
Një katastrofë e mundshme u shmang, kur vullnetarët hoqën borën dhe akullin nga çatia e Sallës së Asambleve
[Figura në faqen 18]
Dru zjarri për viktimat e stuhisë