Të shijuarit: Dhuratë e një Krijuesi të dashur
«NË MBRETËRINË e [pesë] shqisave,—tha Linda Bartoshëk, një kërkuese kryesuese për shqisën e të shijuarit,—të shijuarit është mbretëresha.» Të shijuarit është një përvojë e këndshme që na mbron, duke na ndihmuar të dallojmë atë që është e pranueshme nga ajo që është e dëmshme.
Mrekullia e të shijuarit na lejon të kënaqemi me ëmbëlsinë e një portokalli të freskët, me freskinë e akullores me shije menteje, me shijen e hidhur forcuese të një filxhani kafeje në mëngjes dhe me erëzat delikate të salcës speciale të një kryekuzhinieri. Të shijuarit është një shqisë kaq e fuqishme, saqë me të janë krahasuar disa aspekte të personalitetit.
Ndoshta ju i keni identifikuar disa njerëz si të ëmbël. Nga ana tjetër, mund të keni thënë se dikush tjetër ishte i thartë. Për një person që ushqen smirë ndaj një tjetri mund të thuhet se është i hidhur. Bibla, për shembull, flet për «njerëz me shpirt të hidhur» dhe u referohet edhe ‘fjalëve të hidhura’.—Gjyqtarët 18:25, BR; Psalmi 64:3; 2. Samuelit 17:8, BR.
Të shijuarit dhe historia e botës
Të shijuarit ishte një faktor kryesor për udhëtimet e zbulimit të bëra në shekullin e 15-të dhe të 16-të. Rreth 500 vjet më parë, Vasko de Gama udhëtoi me anije rreth skajit të Afrikës për në Indi dhe përsëri në Portugali, duke u kthyer me një ngarkesë erëzash. Për tre shekujt që pasuan, kombet evropiane u futën në konflikt, pasi Franca, Britania e Madhe, Holanda, Portugalia dhe Spanja konkurronin për të pasur kontrollin e burimeve të erëzave.
‘Pse,—mund të pyesni ju,—kombet luftonin dhe vdisnin për erëzat?’ Për të kënaqur të shijuarin! Po, shija e evropianëve për erëza ishte mjaft e fuqishme. Deri sot e kësaj dite industria moderne, tregtia dhe shkenca plotësojnë nevojat e të shijuarit.
Por çfarë është të shijuarit? Dhe si vepron ajo në harmoni me shqisat e tjera?
Roli i gjuhës
Një rol kryesor në shqisën e të shijuarit luan gjuha. Shumica e bulëzave të shijes gjenden atje, edhe pse disa prej tyre gjenden në pjesë të tjera të gojës dhe në ezofag. Bëni një shqyrtim të kujdesshëm të gjuhës suaj në pasqyrë. Vëreni kokrrizat e shumta të vogla që i japin gjuhës suaj një ndjesi mëndafshi. Këto quhen papila. Bulëzat e vogla të shijes grumbullohen brenda papilave në sipërfaqen e gjuhës. «Çdo bulëz përmban pak a shumë 100 qeliza të shijes,—thotë revista Science,—të cilat, kur ngacmohen inervojnë një qelizë nervore që e mbart sinjalin në tru.»
Numri i bulëzave të shijes mund të ndryshojë shumë nga një person në një tjetër e në këtë mënyrë ndikon mbi të shijuarit. Gjuha e njeriut mund të ketë deri në 10.000 bulëza të shijes ose një minimum prej 500 bulëzash. Inlis Miller, që studioi anatominë e bulëzave të shijes, vërejti: «Njerëzit që kanë më shumë bulëza të shijes shijojnë më shumë, ata me më pak bulëza të shijes shijojnë më pak.»
Si funksionon të shijuarit?
Të shijuarit është një shqisë shumë e ndërlikuar. Për ta thënë saktë, ajo është një çështje e kimisë. Përbërës të tretur kimikë nga ushqimi në gojën tonë stimulojnë receptorët e shijes që dalin përmes poreve në gjuhën tonë. Qelizat receptuese reagojnë dhe stimulojnë qelizat nervore (neuronet) që të dërgojnë sinjale nga bulëzat e të shijuarit për në tru.
Në mënyrë mahnitëse, një bulëz e shijes mund të inervojë shumë neurone të ndryshme dhe një neuron mund të marrë mesazhe nga disa bulëza të shijes. Asnjëri nuk e di me saktësi se si ndahen receptorët e të shijuarit dhe sistemi i tyre i ndërlikuar. The Encyclopedia Americana thotë: «Ndijimet e perceptuara në tru me sa duket vijnë nga një kodim i ndërlikuar i impulseve elektrike të transmetuara nga qelizat receptuese.»
Në ndijimin që identifikojmë me të shijuarin përfshihen edhe shqisat e tjera. The New Book of Popular Science vërente: «Disa herë ne me vështirësi dallojmë nëse një person po e shijon apo po e nuhat një substancë.» Për shembull, ne mund të kalojmë nga një furrë buke dhe të nuhatim aromën e bukës së sapopjekur. Goja fillon të na lëshojë lëng. Dhe po të hyjmë në dyqan, të shohim bukën e ndoshta të prekim koren e saj, shqisat tona ngacmohen akoma më shumë. Mezi presim të këputim një kafshatë!
Atëherë, çfarë është shqisa e të shijuarit? Revista Omni shpjegon: «Ajo që një person i thjeshtë e përshkruan si të shijuarit, faktikisht është një sintezë e ngatërruar e një numri ndijimesh: aroma, shija, prekja, dendësia, pamja, irritimi kimik (djegia e specit djegës, freskia e mentes) dhe temperatura.»
Nga ana tjetër, siç vazhdon të shpjegojë artikulli, «të shijuarit . . . është shumë i thjeshtë. Dallojmë katër (dhe vetëm katër) ndijime të të shijuarit: të ëmblën, të kripurën, të thartën dhe të hidhurën». Edhe pse ka qenë një metodë e përhapur ndarja e gjuhës në zona të ndjeshme kundrejt të shijuarit, tani besohet se një bulëz e vetme e shijes, e ndodhur kudo në gjuhë, mund të diktojë disa ose të katërta ndijimet e të shijuarit.
Megjithatë, për kiminë e të shijuarit ka ende shumë gjëra të panjohura. Për shembull, nuk kuptohet se përse shtimi i disa pikave të lëngut të limonit e rrit shijen e kripur të ushqimit. Me interes është edhe fakti se ndijimet e shijes së ëmbël, të thartë dhe të kripur lëshojnë sinjale elektrike në qelizat e të shijuarit, por shija e hidhur me sa duket shkakton që këto qeliza të prodhojnë një mesazh kimik.
Të fitohet shija
Ka mundësi që tani ju të keni fituar shijen për gjëra që më përpara nuk ju pëlqenin. Kjo mund të thuhet për ushqime të tilla si ullinjtë, djathi me shtrepa, rrepat, erëzat djegëse dhe të hidhurat. Që nga kohët e hershme, «barishtet e hidhura», si radhiqet dhe çikorja, i kanë shtuar shije të veçantë gatimeve dhe sallatave. Por ju duhet ta mësoni shijen tuaj që ta pëlqejë të hidhurën.—Eksodi 12:8.
Studimet e bëra sugjerojnë se fitimi i shijes për një ushqim ka të bëjë shumë me rrethanat në të cilat provohet për herën e parë. Për shembull, një vajzë nuk i kishte provuar kurrë salsiçet. Madje edhe pamja ose era e tyre ishte e bezdisshme për të, sepse mamaja e saj nuk i pëlqente fare salsiçet. Por një ditë, kur ishte rreth të 20-ave, kjo vajzë ishte shumë e uritur dhe në shtëpi nuk gjeti gjë tjetër për të ngrënë veç salsiçeve. Kështu që ajo hëngri ca dhe u habit nga fakti se në të vërtetë asaj i pëlqente shija e tyre!
Prandaj, nëse do t’ju pëlqente të fitonit shijen për diçka të re, provojeni kur jeni vërtet të uritur. E nëse jeni prindër, mbani mend se mënyra me të cilën reagoni ndaj njëfarë ushqimi, si edhe rrethanat në të cilat e paraqitni atë, mund të ndikojnë te fëmijët. Krijoni një ambient të këndshëm kur paraqitni ushqime të reja. Përfshini fëmijën tuaj. Një shkrimtare sugjeroi:
«Gjatë përgatitjes së ushqimit mbajeni foshnjën ose vogëlushin në kuzhinë, në një karrocë për foshnjat ose në karrige. Në këtë mënyrë ai do të shohë e do të nuhatë ushqimet në një atmosferë të lumtur e të rehatshme e do të mësohet me to edhe përpara se të jetë aq i madh sa për t’i ngrënë. Disa muaj më vonë mund t’i jepni të hajë disa kafshata të vogla nga ajo që po gatuani, të gjallë ose pjesërisht të gatuar.»
Ajo shtoi: «Mund të duhet programim që më përpara dhe kohë më tepër, por për një ushqim të rrallë gjeni mënyra të thjeshta me të cilat një fëmijë mund t’ju ndihmojë për të përgatitur një gjellë të re ose që nuk pëlqehet. Inkurajojeni që ta provojë gjellën gjatë përgatitjes. Ndihmësi juaj do të jetë i lumtur dhe i uritur kur provon, e këto janë kushte të përsosura për ta ndihmuar fëmijën që të pranojë një ushqim të ri.»
Kur të shijuarit pëson rënie
Mjerisht, shqisa e të shijuarit mund të pësojë rënie me kalimin e moshës, siç e tregoi miku i moshuar i mbretit David, Barzilai, kur tha: «Unë jam tetëdhjetë vjeç tani. . . . A mund ta shijojë shërbëtori yt atë që hëngra e atë që piva?» (2. Samuelit 19:35, BR) Sidoqoftë, në rënien ose edhe në humbjen e shqisës së të shijuarit mund të përfshihen faktorë të tjerë.
Problemi mund të jetë rezultat i një dëmtimi në kokë, i një alergjie, i një infeksioni, i medikamenteve, i ekspozimit ndaj lëndëve kimike toksike ose edhe i një ftohjeje të thjeshtë. Thellësia e dëshpërimit të atyre që u ka humbur të nuhaturit dhe të shijuarit, u vu re në mënyrë prekëse nga një grua që kishte pësuar një humbje të tillë. Ajo shkroi: «Ne na bëhet kaq normale aroma e këndshme e kafesë dhe shija e ëmbël e portokalleve, saqë kur i humbim këto shqisa, na duket gati-gati sikur kemi harruar të marrim frymë.»
I ashtuquajturi halucinacion i të shijuarit është një çrregullim shqetësues ku një person shijon vazhdimisht diçka që nuk është e pranishme. Pacientët me kancer që bëjnë kimioterapi disa herë kanë ndijime të shndërruara të të shijuarit dhe të nuhaturit.
Një bekim i dhënë nga Perëndia
Çfarë kënaqësie kemi kur të shijuarit është i mprehtë! Shumë njerëz të moshuar kujtojnë me kënaqësi gjërat që shijonin gjatë rinisë: frutat e pjekura të këputura nga pemët ose gjellët e pëgatitura në mënyrë të veçantë. Që Krijuesi ynë dëshiron që ne të gëzojmë këtë kënaqësi të të shijuarit mund të shihet nga premtimi i tij për një banket «me pjata plot vaj të mbushura me palcë» në botën e tij të re e të drejtë, kur vuajtjet, plakja dhe vdekja nuk do të jenë më.—Isaia 25:6-9, BR; Jobi 33:25; Zbulesa 21:3, 4.
Të shijuarit i shton një dimension pasurues jetës sonë. Pa të, ngrënia do të ishte po aq monotone sa edhe mbushja e një automobili me karburant. Kjo shqisë është me të vërtetë një bekim nga Krijuesi i dashur e i mençur!
[Figura në faqen 24]
Mësojeni fëmijën tuaj të kënaqet me ushqimet e shëndetshme