I lirë nga belbëzimi!
PËR afro tetë dekada, Zgjohuni! i ka ndihmuar lexuesit e saj që të përballojnë problemet e përditshme. Disa herë, kjo revistë i vë ata në dijeni të zhvillimeve dhe qëndrimeve të reja në fushën e mjekësisë, të cilat mund të prekin thellësisht jetën e tyre, siç e zbulon historia vijuese.
Methju lindi në vitin 1989 në veri të Anglisë. Deri në moshën dy vjeç, ai ishte një vogëlush normal. Pastaj, krejt papritur, ndërsa ishin me pushime filloi të belbëzonte rëndë.
Unë dhe burri im u konsultuam me klinikën lokale të terapisë së të folurit,—shpjegon Margaret, mamaja e tij,—dhe atje na thanë se atij nuk mund t’i bëhej asgjë deri sa të mbushte shtatë vjeç, pasi deri në atë moshë fëmijët nuk janë në gjendje të kontrollojnë kordat e tyre të zërit. Por, kur shkoi në shkollë, Methju kishte vështirësi t’u bënte ballë ngacmimeve të fëmijëve të tjerë dhe belbëzimi i tij u keqësua. Urrente të ishte mes turmave dhe u bë i mbyllur. Edhe ndjekja e mbledhjeve në Sallën e Mbretërisë u bë një sfidë.
Pastaj na zunë sytë pjesën ‘Shpresë për belbëzuesit’ në artikullin ‘Një vështrim rreth botës’, në Zgjohuni!, 8 prill 1995, anglisht. Aty shpjegohej shkurtimisht puna e një skuadre terapistësh të të folurit në Sidnei, Australi, të cilët kishin pasur sukses në trajtimin e belbëzimit te fëmijët e vegjël.
I shkruam Universitetit të Sidneit dhe morëm një përgjigje të mirësjellshme nga dr. Mark Onslou, ku sugjerohej që ta kontaktonim me telefon. Meqë jetojmë në anën tjetër të botës, skuadra e tij e terapistëve të të folurit vendosi të provonte ‘ndërhyrjen në distancë’. Ne si prindërit e Methjus, morëm udhëzime për sa i përket teknikës së skuadrës me telefon, faks dhe kaseta audio. Terapia u përshtat sipas nevojave personale të Methjus. Ulesha me të dhe në një mënyrë të qetë e joformale e ndihmoja me anë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë për të korrigjuar fjalët problematike. I jepja lavdërime bujare dhe shpërblime të vogla për të folurin ‘e rrjedhshëm’.
Gjashtë muaj më vonë Methju nuk ishte më një fëmijë i mbyllur, duke jetuar në botën e tij të vogël, por një djalosh normal, i lumtur e miqësor. Tani përgjigjet në mbledhjet e kongregacionit dhe i pëlqen shumë të bëjë leximin e Biblës në Sallën e Mbretërisë. Ka edhe një pjesëmarrje domethënëse në shërbimin shtëpi më shtëpi. I foluri i tij është normal!
Sa mirënjohës jemi për atë copëz lajmi në Zgjohuni!, e cila transformoi jetën e djalit tonë!—Kontribut nga një lexuese.