Pse shumë njerëz po e refuzojnë gjakun?
NË NJË vendim që u quajt pikë kthese, një gjykatë e Ontarios e shpalli Kryqin e Kuq kanadez përgjegjës për infektimin me HIV të dy marrësve të transfuzionit të gjakut, që të dy këta morën gjak të infektuar nga i njëjti dhurues. «Kur një gjë kaq katastrofike sa gjaku i infektuar kërcënoi jetën e marrësve,—tha gjykatësi Stivën Borëns,—u kërkua një përgjigje urgjente.»
Gjatë viteve 80 rreth 1.200 kanadezë u infektuan me HIV dhe 12.000 të tjerë morën hepatitin C, që të gjithë këta nga gjaku dhe produktet gjakore të infektuara. Në ndihmë për të zvogëluar numrin e infeksioneve, dhuruesve po u bëhen shumë më tepër analiza të kujdesshme. Por jo të gjithë dhuruesit janë të ndershëm në lidhje me historinë e tyre seksuale. Një sondazh në Shtetet e Bashkuara, për shembull, zbuloi se 1 në 50 dhurues nuk raportoi faktorët me rrezik, si aktivitetin homoseksual ose marrëdhëniet seksuale me prostituta.
Plus kësaj dileme është edhe fakti se analiza e gjakut nuk është po aq e pagabueshme. Sipas revistës New Scientist, «nëse një person jep gjak brenda tre javëve pasi është infektuar me HIV, analizat e atij momenti nuk e diktojnë virusin. Për hepatitin C, kjo ‘periudhë e hapur’ mund të zgjatë më shumë se dy muaj».
Vitet e fundit, ka pasur një ulje domethënëse në numrin e kanadezëve që janë të gatshëm të japin ose të marrin gjak. Gazetari Pol Shrats shkruan: «Me rënien në interesin e dhurimit dhe me rritjen e numrit të atyre që nuk mund të dhurojnë gjak, falë Perëndisë Dëshmitarët e Jehovait po kryesojnë kërkimet e zëvendësuesve të gjakut.»
Është me interes raporti i The Toronto Star, ku thuhet se gjatë një viti të kaluar, rreth 40 njerëz «u regjistruan në spitalet kanadeze duke pohuar në mënyrë të rreme se ishin Dëshmitarë të Jehovait, pasi nuk donin transfuzione gjaku». Sondazhet tregojnë se rreth 90 përqind e kanadezëve do të parapëlqenin ndonjë alternativë ndaj gjakut të dhuruar. Pra, përdorimi i gjakut nuk është më vetëm një çështje fetare.