Sida: Çfarë shprese ka për të ardhmen?
KUNDËR ndalimit të sëmundjes, pavarësisht nga mungesa e ilaçeve për të kuruar ose parandaluar infeksionin e HIV-it, veprojnë edhe faktorë të tjerë. Një prejt këtyre është fakti se shumë njerëz, duke mos dashur të ndryshojnë stilin e tyre të jetës, janë të gatshëm të rrezikojnë marrjen e infeksionit. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, përqindja e infektimit ka mbetur po ajo, pavarësisht nga ulja e numrit të njerëzve që kanë zhvilluar plotësisht SIDA-n. Sipas Associated Press, arsyeja është se «shumë njerëz nuk u vënë veshin paralajmërimeve për ta parandaluar».
Në kombet në zhvillim, ku duket se jetojnë rreth 93 përqind e atyre që janë të infektuar me HIV, ka probleme të tjera në përballimin e sëmundjes. Shumë nga këto vende janë aq të varfra sa nuk sigurojnë dot as shërbimet më themelore për kujdesin e shëndetit. Edhe sikur në ato vende të jenë në dispozicion ilaçet e reja, të cilat në pjesën më të madhe nuk janë, çmimi për një trajtim njëvjeçar do të kushtonte më tepër se rrogat që shumë prej tyre mund të fitojnë gjatë gjithë jetës!
Megjithatë, le të supozojmë se do të dilte një ilaç i ri dhe jo i kushtueshëm që faktikisht do të kuronte sëmundjen. A do t’i arrijë ky ilaç të gjithë ata që kanë nevojë? Ka të ngjarë që jo. Sipas Fondit të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, rreth katër milionë fëmijë vdesin çdo vit nga pesë sëmundje të cilat mund të parandalohen nga vaksina jo të kushtueshme dhe ekzistuese.
Çfarë mund të themi për njerëzit e infektuar që jetojnë në ato vende ku nuk mund të sigurojnë ilaçe për mjekimin? Ruth Mota, nga Programet e Shëndetit Ndërkombëtar në Santa Kruz, Kaliforni, ka ndihmuar për të organizuar parandalimin e HIV-it dhe programe kujdesjeje në dhjetra vende në zhvillim. Ajo thotë: «Nga përvoja ime, një qëndrim pozitiv është po aq i rëndësishëm sa edhe mundësia për t’u mjekuar. Njoh njerëz që kanë jetuar me HIV për 10 deri 15 vjet dhe që nuk janë mjekuar kurrë. Ilaçet janë të dobishme, por shërimi përfshin më shumë se sa thjesht futjen e kimikateve në trupin tënd. Përfshin, gjithashtu, qëndrimin, mbështetjen sociale, gjendjen frymore dhe të ushqyerit.»
Do të ketë një zgjidhje
A kemi ndonjë arsye për të besuar se një ditë SIDA do të zhduket? Po, ka. Shpresa më e mirë gjendet në fjalët e asaj që shumë e quajnë Lutja e Zotërisë ose Ati Ynë. Në këtë lutje, të regjistruar në librin biblik të Mateut, ne lutemi që të kryhet vullneti i Perëndisë në tokë ashtu siç është kryer në qiell. (Mateu 6:9, 10) Nuk është vullneti i Perëndisë që njerëzit të jenë gjithmonë të pllakosur nga sëmundjet. Perëndia do t’i përgjigjet kësaj lutjeje. Duke bërë kështu, ai do të sjellë një fund jo vetëm për SIDA-n, por për të gjitha sëmundjet që pllakosin njerëzimin. Atëherë, «asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’».—Isaia 33:24.
Ndërkohë, strategjia më e mirë është parandalimi. Për shumë sëmundje ka dy mundësi: ose mund t’i parandalosh ato, ose mund t’i kurosh. Për HIV-in nuk ka shumë zgjidhje. Mund të parandalohet, por tani për tani nuk mund të kurohet. Përse të provosh gjëra që vënë në rrezik jetën tënde? Parandalimi është sigurisht më i mirë se çdo kurë.
[Diçitura në faqen 9]
«Shërimi përfshin më shumë se sa thjesht futjen e substancave kimike në trupin tënd. Përfshin, gjithashtu, qëndrimin, mbështetjen sociale, gjendjen shpirtërore dhe të ushqyerit.»—Ruth Mota
[Kutia dhe figura në faqen 9]
«Kongregacioni ishte i mrekullueshëm»
Apostulli Pavël i nxiti të krishterët: «Le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në rradhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.» (Galatasve 6:10) Mamaja e Karenit, e përmendur në artikullin e parë, tregon se si reagoi kongregacioni lokal i Dëshmitarëve të Jehovait kur mësuan se Karen dhe Bill ishin të sëmurë me HIV. Ajo thotë: «Kongregacioni ishte i mrekullueshëm. Kur Billi u sëmur me pneumoni, Karen ishte vetë e sëmurë dhe po luftonte për t’u kujdesur për të dhe fëmijët. Vëllezërit pastronin shtëpinë e tyre, riparuan makinën dhe u lanin rrobat. I ndihmuan për t’u kujdesur për çështjet ligjore dhe për t’u transferuar në një shtëpi tjetër. Ata blinin ushqime dhe gatuanin për ta. Ishte një derdhje e vërtetë e mbështetjes emocionale, frymore dhe materiale.»
[Figura në faqen 8]
Besnikëria martesore mund të parandalojë infektimin me HIV