E dobishme dhe e lumtur, edhe pse e verbër
Treguar nga Politimi Venetsianos
Po luaja me dy vëllezërit e mi, motrën dhe një kushërirë, kur një objekt i vogël fluturoi në dritare. Ishte një granatë. Kur shpërtheu, që të dy vëllezërit dhe motra ime u vranë, ndërsa unë mbeta krejtësisht e verbër.
ISHTE 16 korrik i vitit 1942 dhe unë isha një vajzë e vogël vetëm pesë vjeçe. Për ditë të tëra bija dhe dilja nga koma. Kur m’u kthye vetëdija kërkova vëllezërit dhe motrën time. Pasi mësova se ata kishin vdekur, doja të kisha vdekur edhe unë.
Kur linda unë, familja ime jetonte në ishullin grek të Salaminës, afër Pireut, porti i Athinës. Edhe pse të varfër, ne gëzonim një jetë të qetë. Tërë kjo mori fund me fillimin e Luftës II Botërore në vitin 1939. Babai im ishte peshkatar në Mesdhe. Atij i duhej të shmangte shpesh nëndetëset, fregatat, siluret dhe bombat e fuqive të Boshtit, si edhe ato të fuqive Aleate. Greqia po jetonte nën thundrën e fashizmit dhe të nazizmit.
Të mësuar që të urrenim Perëndinë
Për shkak të kushteve të tmerrshme që ekzistonin gjatë luftës, mamaja humbi fëmijën e katërt. Ajo vuajti nga një depresion shkatërrimtar, u sëmur me tuberkuloz dhe në fund, në gusht të vitit 1945, pasi nxori në dritë fëmijën e saj të gjashtë, vdiq. Fqinjët fetarë filluan të thoshin se ne po ndëshkoheshim nga Perëndia. Duke u përpjekur të na inkurajonin, por, përkundrazi, duke i keqësuar gjërat, disa priftërinj ortodoksë grekë thanë se Perëndia i kishte marrë vëllezërit dhe motrat e mia në qiell që të ishin engjëj të vegjël.
Babai u indinjua. Përse do të rrëmbente Perëndia katër fëmijë të vegjël prej një familjeje të varfër, kur ka me vete miliona engjëj? Këto bindje të Kishës Ortodokse ngulitën në të ndjenja të forta kundër Perëndisë dhe kundër fesë. Prandaj, babai nuk donte të kishte të bënte fare me fenë. Ai më mësoi ta urreja dhe ta përçmoja Perëndinë, duke theksuar se Perëndia ishte përgjegjës për dhembjen dhe mjerimin tonë.
Si një bishë në kafaz
Pak pas vdekjes së mamasë sime në vitin 1945, edhe babai u sëmur me tuberkuloz dhe u shtrua në një sanatorium. Motrën time të vogël e çuan në një çerdhe publike. Më vonë, kur babai doli nga sanatoriumi dhe shkoi në çerdhe që ta merrte, i thanë se ajo kishte vdekur. Mua më futën në një shkollë për të verbër, ku kalova tetë vjetët pasues të jetës sime. Në fillim isha zemërplasur. Isha veçanërisht e dëshpëruar gjatë ditëve të vizitave. Shumica e shokëve të mi të shkollës kishin dikë që i vizitonte, por unë nuk kisha asnjë.
Sillesha si një bishë në kafaz. Më quanin rreziku i shkollës. Si pasojë më rrihnin dhe më duhej të ulesha në ‘karrigen e të pabindurve’. Shpesh mendoja t’i jepja fund jetës. Megjithatë, me kalimin e kohës, e kuptova se duhej të mësoja të isha e zonja e vetes. Arrita të gjej kënaqësi duke ndihmuar shokët e tjerë të verbër të shkollës, shpesh duke u dhënë ndihmë që të visheshin ose që të rregullonin krevatet.
Priftërinjtë na thoshin se Perëndia na kishte bërë të verbër për shkak të disa mëkateve të tmerrshme të prindërve tanë. Kjo vetëm sa ma shtonte më tepër urrejtjen për Perëndinë, i cili dukej se qe i lig dhe keqdashës. Një koncept fetar që më bënte të ndihesha e trembur dhe e inatosur ishte ai që shpirtrat e të vdekurve vijnë rrotull, duke shqetësuar të gjallët. Kështu, pavarësisht nga dashuria ime për vëllezërit, motrat dhe mamanë time të ndjerë, unë kisha frikë prej «shpirtrave» të tyre.
E ndihmuar nga babai im
Me kalimin e kohës, babai u takua me Dëshmitarët e Jehovait. Ai u habit kur mësoi nga Bibla se ishte Satanai, dhe jo Jehovai, burimi i dhembjeve dhe i vdekjes. (Psalmi 100:3; Jakovit 1:13, 17; Zbulesa 12:9, 12) Shpejt, babai im, të cilit i ishin hapur sytë, filloi të frekuentonte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, bëri përparim frymor dhe në vitin 1947 u pagëzua. Disa muaj përpara kësaj, ai ishte martuar përsëri dhe tani kishte një djalë. Me kohë, gruaja e tij u bashkua me të në adhurimin e Jehovait.
Në moshën 16-vjeçare, u largova nga shkolla për të verbërit. Sa ngushëlluese ishte të ktheheshe në një familje të dashur të krishterë! Ata bënin atë që e quanin studim familjar të Biblës, në të cilin isha e ftuar të merrja pjesë. Unë merrja pjesë nga respekti dhe mirësjellja, ndonëse në të vërtetë nuk i kushtoja ndonjë vëmendje. Ndjenjat e mia të forta kundër Perëndisë dhe fesë mbizotëronin ende.
Familja po studionte broshurën Udha e Perëndisë është dashuri. Në fillim nuk më interesonte, por pastaj dëgjova babain duke diskutuar mbi gjendjen e të vdekurve. Kjo tërhoqi vëmendjen time. Nga Bibla u lexua Predikuesi 9:5, 10: «Të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»
Fillova të kuptoja se nuk kishte asnjë arsye për frikën time. Mamaja, vëllezërit dhe motrat e mia të vdekura nuk ishin në gjendje të më dëmtonin. Diskutimi kaloi pastaj në temën e ringjalljes. U bëra tërë veshë. Zemra më gufoi nga gëzimi kur dëgjova premtimin e Biblës se nën mbretërimin e Krishtit, të vdekurit do të vijnë në jetë! (Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 20:12, 13) Tani, studimi ishte shumë interesant për mua. E pritja me padurim ditën e këtij diskutimi familjar dhe me gjithë verbërinë time, përgatitesha mirë.
Fitimi i shikimit frymor
Ndërsa përparoja në njohurinë mbi Shkrimet, konceptet e gabuara rreth Perëndisë dhe mënyrave si vepron ai zhdukeshin. Mësova që as unë, as ndonjë tjetër nuk ishim bërë të verbër nga Perëndia, por që rrënja e gjithë të këqijave është Kundërshtari i tij, Satana Djalli. Sa keq më vinte që, për shkak të paditurisë sime të plotë, kisha fajësuar Perëndinë! Me etje të pashuar, unë rritesha në njohurinë e saktë të Biblës. Frekuentoja dhe merrja pjesë aktivisht në të gjitha mbledhjet e krishtere, megjithëse banonim shumë kilometra larg Sallës së Mbretërisë. Merrja pjesë aktivisht edhe në veprën e predikimit, duke mos lejuar që verbëria ime të më pengonte.
Sa e lumtur isha kur më 27 korrik 1958, pak më shumë se 16 vjet pas atij momenti tragjik që më la të verbër, u pagëzova! Kjo qe një nisje e re dhe isha plot me shpresë dhe optimizëm. Tani jeta ime kishte një qëllim: t’i shërbeja Atit tim të dashur qiellor. Njohuria për të më kishte çliruar prej mësimeve të rreme dhe më kishte dhënë kurajën për të përballuar verbërinë time dhe vështirësitë që vinin prej saj me vendosmëri dhe plot shpresë. Dedikoja rregullisht 75 ose më shumë orë në muaj për t’u predikuar të tjerëve lajmin e mirë të lavdishëm.
Prishja e martesës
Në vitin 1966, u martova me një burrë, me të cilin kisha të njëjtat qëllime në jetë. Dukej se së bashku do të gëzonim një martesë të lumtur, duke qenë se që të dy punonim për të rritur aktivitetin tonë në veprën e predikimit. Për disa muaj ne i kushtonim shumë orë kësaj vepre jetëshpëtuese. U transferuam në një zonë të izoluar afër Livadhiasë, në Greqinë Qendrore. Gjatë viteve që ishim atje, nga 1970-a deri në 1972-shin, me gjithë juntën shtypëse që ishte atëherë në fuqi në Greqi, mundëm të ndihmonim disa njerëz që të mësonin të vërtetën e Biblës dhe të bëheshin të krishterë të pagëzuar. Ishim të lumtur edhe që t’i jepnim një ndihmë kongregacionit të vogël të Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë.
Por, me kalimin e kohës, burri im filloi ta linte pas dore studimin e Biblës dhe pjesëmarrjen në mbledhjet tona të krishtere dhe, së fundi, i braktisi krejtësisht mësimet biblike. Kjo gjë shkaktoi shumë tensione në martesën tonë, e cila përfundoi me divorc në vitin 1977. Ndihesha krejt e rrënuar.
Një jetë e lumtur dhe frytdhënëse
Në këtë periudhë tepër të zymtë të jetës sime, Jehovai dhe organizata e tij më erdhën përsëri në ndihmë. Një vëlla i dashur i krishterë më shpjegoi se nëse unë lejoja që gjendja e shkaktuar prej ish-burrit tim të më grabiste gëzimin, atëherë, në thelb, unë do të isha skllave e tij. Ai do të zotëronte çelësin e lumturisë sime. Afërsisht në këtë periudhë, një pjesëtare më e moshuar e kongregacionit kërkoi ndihmë për të përmirësuar aftësitë e saj në predikim. Shpejt u përpiva plotësisht nga ajo që më solli gëzimin më të madh: pjesëmarrja në shërbim!
Pastaj, një i krishterë tjetër më dha këtë sugjerim: «Ti mund të vazhdosh të ndihmosh në vende ku ka më tepër nevojë për ty. Mund të jesh një fanar i përdorur nga Perëndia Jehova.» Çfarë mendimi emocionues! Një njeri i verbër të jetë «një fanar i përdorur nga Perëndia Jehova»! (Filipianëve 2:15) Pa vonesë, u largova nga Athina dhe shkova të banoja në fshatin Amarintos, në Evoinë Jugore, një zonë ku kishte shumë pak mësues të Biblës. Me ndihmën e vëllezërve dhe motrave atje, munda të kem një shtëpi të ndërtuar dhe të kujdesem në mënyrë të mjaftueshme për nevojat e mia.
Kështu tani, prej më shumë se 20 vjetësh, jam në gjendje t’i kushtoj disa muaj çdo vit disa formave të ndryshme të një aktiviteti të rritur predikimi. Me forcën që vjen nga Jehovai, arrij të marr pjesë në të gjitha format e shërbimit, duke përfshirë vizitat në shtëpitë e njerëzve, drejtimin e studimeve biblike me të interesuarit dhe dëshminë me njerëzit në rrugë. Kohët e fundit, kam privilegjin të drejtoj katër studime biblike me persona që kanë interes për Krijuesin tonë. Sa e lumtur jam kur shikoj se vetëm prej një grushti vëllezërish që ishin 20 vjet më parë, në këtë zonë kanë lulëzuar tri kongregacione!
Dy herë në javë, unë udhëtoj çdo herë për më shumë se 30 kilometra që të marr pjesë në mbledhjet e krishtere, e vendosur për të mos humbur as edhe një prej tyre. Kur, për shkak të mungesës së kontaktit pamor me oratorin, kuptoj se mendja ime është e shpërqendruar gjatë mbledhjeve, unë përdor bllokun tim të veçantë të shënimeve në Braille për të marrë shënime të shkurtra. Në këtë mënyrë, i detyroj veshët dhe mendjen time që të kushtojnë një vëmendje të madhe. Për më tepër, kam privilegjin që në shtëpinë time të drejtohet njëra prej mbledhjeve të kongregacionit. Njerëzit vijnë nga fshatrat e afërta, për të marrë pjesë në atë që quhet Studimi i Librit i Kongregacionit. Në vend se të pres që të tjerët të më vizitojnë gjithmonë në shtëpinë time, unë marr iniciativën për t’i vizituar ata, gjë që rezulton në inkurajim reciprok.—Romakëve 1:12.
Kur isha adoleshente dhe banoja me babanë tim, ai nuk më trajtonte kurrë si një fëmijë të verbër. Me durim dhe këmbëngulje, harxhonte shumë kohë, duke më mësuar t’i bëja gjërat me duart e mia. Kjo stërvitje praktike ka bërë që të jem në gjendje të kujdesem mirë për kopshtin tim dhe për atë pak bagëti që kam. Unë punoj shumë në shtëpi, duke e mbajtur atë të pastër dhe duke përgatitur ushqimin. Kam mësuar se mund të gjejmë gëzim dhe lumturi në gjërat e thjeshta të jetës, në ato që kemi. Kam mundur të kryej shumë gjëra me katër shqisat që më kanë mbetur: dëgjimin, nuhatjen, shijimin dhe prekjen, gjë që më jep kënaqësi të pamasë. Kjo ka qenë edhe një dëshmi e mrekullueshme për personat e jashtëm.
E mbështetur nga Perëndia im
Shumë njerëz habiten se si kam arritur të jem optimiste dhe të mbaj veten, pavarësisht nga kufizimet e mia. Para së gjithash, i duhet dhënë merita Jehovait, ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’. (2. Korintasve 1:3) Pasi humba shikimin, mendoja shpesh për vetëvrasjen. Kështu që nuk besoj se do të isha gjallë sot, nëse nuk do të ishte për Jehovain dhe të vërtetën e Biblës. Kam arritur të kuptoj se Krijuesi ynë na ka dhënë shumë dhurata, jo vetëm shikimin, dhe se nëse i përdorim mirë ato, ne mund të jemi të lumtur. Njëherë, kur Dëshmitarët po predikonin në fshatin tim, një grua u tha për mua: «Është Perëndia që adhuron, ai që e ndihmon atë të kryejë gjithë këto gjëra!»
Të gjitha sprovat e mia më kanë afruar më shumë me Perëndinë. Kjo ma ka forcuar shumë besimin. Më vjen ndër mend se edhe apostulli Pavël vuante prej asaj që ai e quajti «një gjëmb në mish», ndoshta një problem me sytë. (2. Korintasve 12:7; Galatasve 4:13) Kjo nuk e pengoi atë që të ishte «i zënë në mënyrë intensive» me lajmin e mirë. Ashtu si ai, unë mund të them: ‘Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia . . . Sepse kur jam e dobët, atëherë jam e fortë.’—Veprat 18:5, BR; 2. Korintasve 12:9, 10.
Mbi të gjitha, shpresa ime e bazuar në Bibël se në ringjallje do të mund të shoh me vetë sytë e mi mamanë, motrat dhe vëllezërit e mi të dashur, ka pa dyshim një ndikim pozitiv dhe dobiprurës tek unë. Bibla premton se «do të hapen sytë e të verbërve» dhe se «do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve». (Isaia 35:5; Veprat 24:15) Këto perspektiva më mbushin me optimizëm dhe me pritje të paduruar për të ardhmen e shkëlqyer nën Mbretërinë e Perëndisë!
[Figura në faqen 15]
Babai im, i cili studioi Biblën me mua
[Figura në faqen 15]
Në kuzhinën time
[Figura në faqen 15]
Me një shoqe në shërbim