BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/99 f. 13-16
  • Shtrëngata—Mbretëreshë e tmerrshme e reve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Shtrëngata—Mbretëreshë e tmerrshme e reve
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si formohen shtrëngatat
  • Fishekzjarre në qiell
  • Dobia më e madhe e një shtrëngate
  • Ç’të themi për breshërin?
  • Tornado dhe shtrëngata
  • Prapë po bie shi!
    Zgjohuni!—2004
  • Mrekullitë e krijimit lartësojnë Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • T’u kushtojmë vëmendje veprave të mrekullueshme të Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Një vështrim rreth botës
    Zgjohuni!—2004
Zgjohuni!—1999
g 4/99 f. 13-16

Shtrëngata—Mbretëreshë e tmerrshme e reve

Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Australi

SHUMË njerëz janë magjepsur prej reve qysh kur ishin fëmijë. Një 80-vjeçar sjell ndër mend se si shtrihej mbi bar në fëmijërinë e hershme, duke vështruar retë që, siç shprehet ai, «parakalonin mespërmes qiellit». Ai kujton që shpesh pyeste veten se me çfarë ishin bërë retë. Me pambuk? Përse çdonjëra dukej kaq e ndryshme? Ajo dukej si një anije me vela, ajo si një kalë që lodron. Pastaj vinte një kështjellë e mbufatur. Ato vazhdonin të kënaqnin imagjinatën e tij fëmijërore ndërsa lundronin përmes qiellit në një varg formash dhe madhësish përherë në ndryshim. Ai thotë se sot i pëlqen ende të vështrojë retë që duket sikur «lozin me pantomima» në qiell. Ndoshta edhe juve ju kënaq ky dëfrim i thjeshtë.

Megjithatë, ka mundësi që retë më mbresëlënëse dhe më të tmerrshme të jenë ato që mund të «flasin». Emri i tyre është re grumbullore ose re stuhie. Të errëta dhe paralajmëruese, ato mund të ngrihen 16 kilometra e madje edhe më lart në qiell. Këto janë retë që sjellin shtrëngatat. Ndërsa grumbullohen në qiell, retë e stuhisë mund të lëshojnë vetëtima dhe të buçasin me gjëmime paralajmëruese bubullimash. Gjatë natës ato mund të japin një shfaqje verbuese tingujsh dhe dritash, që ia kalon çfarëdo shfaqjeje fishekzjarresh të bërë nga njerëzit. Ato shfryjnë, derdhin shiun e breshërin dhe pastaj vazhdojnë përpara, duke lënë pas aromën e shiut freskues dhe pastrues, shpesh mbi një tokë të etur më parë për ujë.

Si formohen shtrëngatat

Kohët e fundit njeriu ka mundur ta shikojë planetin Tokë nga hapësira. Ai sheh një qilim resh që rri pezull mbi pjesën më të madhe të sipërfaqes së planetit. Autori Fred Hapgud bën të ditur se «gjysma e sipërfaqes së globit, 250 milionë kilometra katrorë, është e mbuluar në çdo moment me [re]: si fletë letre, rrumbullake, të fryra, fijëzore, si dantella, shtëllungore, të të gjitha shkallëve të ndriçimit dhe patejdukshmërisë, që rriten, përhapen, lundrojnë dhe zhduken anembanë botës». Shtrëngatat janë pjesë e këtij grumbulli resh. Në fakt, në tokë ndodhin çdo vit deri në 15.000.000 shtrëngata dhe në çdo moment rreth 2.000 shtrëngata janë aktive.

Një shtrëngatë formohet kur ajri i ftohtë e i dendur shtrihet sipër ajrit të lagësht që është më pak i dendur. Një nxitës, i tillë si nxehtësia diellore, moti në frontet atmosferike ose terreni ngjitës bën që ajri i ngrohtë e i lagësht të fillojë të ngrihet përmes ajrit të ftohtë. Formohen rryma ajri dhe energjia në formë nxehtësie që ruhet në ajër dhe në avullin e ujit, kthehet pas kësaj në erë dhe në energji elektrike.

Kushtet atmosferike që duhen për t’u formuar shtrëngatat janë më të zakonshme në gjerësitë më të vogla gjeografike. Kjo shpjegon se përse Amerika e Jugut dhe Afrika janë kontinentet më të prirura për të pasur shtrëngata dhe përse Afrika Qendrore dhe Indonezia konsiderohen prej kohësh si vendet me veprimtarinë më të madhe të shtrëngatave në botë. Rekordi i pranuar gjerësisht është 242 ditë shtrëngatash në vit, i regjistruar në Kampala, Ugandë. Megjithatë, shtrëngatat ndodhin edhe në shumë pjesë të tjera të tokës.

Fishekzjarre në qiell

Dy karakteristikat e një shtrëngate që dallohen qartë nga të gjithë janë bubullimat dhe vetëtimat. Por, çfarë i shkakton këto dukuri të mahnitshme dhe shpesh të frikshme? Rrufeja është thjesht shkarkimi elektrik që prodhohet kur ndryshimet e ngarkesave elektrike në dy vende janë aq të mëdha, sa e mposhtin efektin izolues të ajrit. Kjo gjë mund të ndodhë brenda një reje, ndërmjet reve ose ndërmjet reve dhe tokës. Rrufeja bën që për një çast ajri të nxehet, duke arritur temperatura jashtëzakonisht të larta, deri në 30.000 gradë celsius në momentin që goditja e rrufesë shkarkon ngarkesën e saj elektrike.

Rrufetë mund të klasifikohen në rrufe shirit, rrufe zigzag ose rrufe kompakte. Nëse shkarkimi elektrik duket si një vijë e vetme e dhëmbëzuar, rrufeja është rrufe shirit. Nëse vija duket e ndarë ose e degëzuar, atëherë quhet rrufe zigzag. Nëse shkrepëtima ndodh brenda resë, njihet me emrin rrufe kompakte. Ekspertët në këtë fushë thonë se shumica e rrufeve që shikojmë janë rrufe midis reve dhe tokës.

Rrufetë u shkaktojnë dëme qenieve të gjalla, madje vrasin e plagosin njerëz dhe kafshë. Njerëzit që gjenden në plazhe, fusha golfi dhe jashtë në zona fshatare rrezikohen më shumë, sepse nuk janë të mbrojtur nga shkarkimet elektrike.—Shiko kutinë në faqen 15.

Faktikisht vetëm rreth 30 për qind e njerëzve që goditen nga rrufeja vdesin dhe mundësia për të pasur dëmtime afatgjata është e vogël kur është dhënë menjëherë ndihma e shpejtë. Megjithatë, në kundërshtim me mitin e përhapur, rrufeja mund të godasë dhe shpesh godet vërtet më shumë se një herë në të njëjtin vend!

Goditjet e rrufeve ndezin shumë zjarre. Këto mund të shkretojnë sipërfaqe të tëra toke. Në Shtetet e Bashkuara, gati 10 për qind e zjarreve që bien në pyje shkaktohen nga rrufetë. Si rezultat, në atë vend digjet nga zjarri më shumë se 35 për qind e gjithë sipërfaqes së mbuluar me pyje dhe shkurre.

Por në të njëjtën kohë, goditjet e rrufeve janë të dobishme. Pyjet, për shembull, përfitojnë në disa mënyra. Zjarret që ndizen nga rrufetë bëjnë që të pakësohet mbulesa bimore e pyjeve me anë të zjarreve të vogla. Kjo gjë mund të zvogëlojë rrezikun e zjarreve më të mëdha dëmtuese, të cilat arrijnë kurorat e pemëve. Rrufetë shkaktojnë edhe një shndërrim të dobishëm të azotit të gaztë, i cili nuk mund të përdoret nga bimët në formën e tij të gaztë. Rrufetë e kthejnë këtë gaz në komponime kimike të azotit, thelbësore për formimin e indeve të bimëve dhe për zhvillimin e farave, të cilat sigurojnë proteinat e domosdoshme për jetën e kafshëve. Është llogaritur se 30 deri në 50 për qind e oksideve të azotit të pranishme në reshje janë prodhuar nga rrufetë dhe çdo vit në të gjithë rruzullin prodhohen në këtë mënyrë 30 milionë tonë azot i fiksuar.

Dobia më e madhe e një shtrëngate

Një shtrëngatë mund të shkarkojë një sasi shumë të madhe uji. Shkaku kryesor për shirat tepër të bollshme që bien brenda një kohe të shkurtër është që në shtrëngatat e fuqishme, rrymat e forta ngjitëse të ajrit ngrenë pezull një sasi të madhe uji dhe pastaj e shkarkojnë atë papritur. Është llogaritur se brenda një ore, këta shira bien në një masë që arrin deri në njëzet centimetra. Sigurisht, shira të tillë të rrëmbyeshëm mund të kenë një anë negative.

Kur një shtrëngatë zhvendoset ngadalë, pjesa më e madhe e reshjeve shkarkohet vetëm mbi një sipërfaqe relativisht të vogël toke dhe si pasojë mund të ndodhë një përmbytje e menjëhershme. Gjatë një shtrëngate të tillë rrjedhat sipërfaqësore mund të shkaktojnë fryrjen e përrenjve dhe lumenjve. Është llogaritur se në Shtetet e Bashkuara, rreth një e treta e dëmtimeve nga përmbytjet shkaktohet prej përmbytjeve të menjëhershme të krijuara nga shtrëngatat.

Prapëseprapë, reshjet e shtrëngatave sjellin shumë dobi. Tokat, rezervuaret dhe digat furnizohen me sasi të mëdha uji. Studimet kanë treguar se në disa rajone, 50 deri në 70 për qind e gjithë sasisë së reshjeve vjen nga shtrëngatat. Prandaj, në këto vende shiu i shtrëngatës është thelbësor për jetën.

Ç’të themi për breshërin?

Një aspekt shumë i dëmshëm i shtrëngatave është fakti që ato shoqërohen shpesh me breshër të fuqishëm. Breshëri formohet kur pikat e shiut ngrijnë dhe më pas, ndërsa rrotullohen nga rrymat ngjitëse dhe zbritëse të ajrit, zmadhohen. Ekzistojnë disa të dhëna për kokrra breshëri me përmasa dhe peshë të pabesueshme. Thuhet se në vitin 1925, në Gjermani ra një breshër kokrrat e të cilit kishin përmasa 26 centimetra me 14 centimetra me 12 centimetra. Pesha e tyre u llogarit në më shumë se dy kilogramë. Një prej reshjeve më kokërrmëdha të breshërit të regjistruara ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara, ra në vitin 1970 në shtetin e Kanzasit. Kokrrat e tij arrinin 44 centimetra në perimetrin e tyre më të madh dhe peshonin 776 gramë. Një kokërr breshëri me atë madhësi, e cila bie që lart nga retë, mund të vrasë një njeri.

Lumturisht, breshëri në përgjithësi është shumë më i vogël se kaq dhe ka më shumë të ngjarë që të shkaktojë bezdi, sesa vdekje. Veç kësaj, për shkak të llojit të shtrëngatave që krijojnë breshër, zonat e prekura nga breshëri i dëmshëm janë relativisht të vogla. Megjithatë, humbjet në prodhimet bujqësore në shkallë botërore llogariten në qindra milionë dollarë çdo vit.

Tornado dhe shtrëngata

Ndoshta gjëja më e rrezikshme e shtrëngatave është krijimi i tornados. Thuajse të gjitha tornadot shoqërohen me shtrëngata, por jo të gjitha shtrëngatat shoqërohen nga tornado. Kur formohet, një tornado është një shtjellë e ngushtë ajri që rrotullohet me vrull, e cila arrin një diametër prej disa qindra metrash. Ajo niset nga një re stuhie dhe shtrihet deri në tokë. Në tornadot më të fuqishme, shpejtësia e erës mund të jetë më shumë se 400 ose 500 kilometra në orë. Veprimi i ndërthurur i erërave të fuqishme rrotulluese dhe i rrymave ngjitëse në qendër të tornados mund të rrëzojë ndërtesa dhe të flakë në ajër mbeturina vdekjeprurëse. Tornadot ndodhin në shumë vende të botës.

Më pak dramatike në pamje, por prapëseprapë me fuqi dëmtuese, janë erërat vijëdrejta që shoqërohen me rryma zbritëse dhe mikroshpërthime. Rrymat zbritëse mund të shkaktojnë mbi ose pranë tokës erëra dëmtuese që mund të arrijnë një shpejtësi deri në 150 kilometra në orë. Mikroshpërthimet janë më të fuqishme dhe mund të arrijnë më shumë se 200 kilometra në orë.

Është e qartë se nuk duhet t’i konsiderojmë shtrëngatat me moskokëçarje dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për rreziqet e tyre. Ato janë vetëm njëra prej aspekteve të shumta të krijimit rreth të cilave kemi ende shumë për të mësuar.

[Kutia dhe figura në faqen 15]

Masa paraprake për goditjet e rrufeve

Qendra Australiane për Trajtimin e Rasteve Urgjente sugjeron marrjen e masave të mëposhtme paraprake gjatë një shtrëngate.

Mbrojtja përjashta

◼ Kërkoni strehë në një automjet me mbulesë të fortë ose në një godinë; shmangni ndërtesat e vogla, tendat prej pëlhure dhe grupet e izoluara ose të vogla të pemëve.

◼ Nëse ndodheni larg ndonjë strehe, mblidhuni kruspull (veçmas), mundësisht në një gropë, me këmbët të bashkuara dhe largoni sendet metalike nga koka dhe nga trupi. Mos u shtrini, por sigurohuni që të mos jeni objekti më i lartë në zonën përreth.

◼ Nëse flokët ju ngrihen përpjetë ose dëgjoni gumëzhitje nga objektet aty afër, të tillë si shkëmbinj dhe mure rrethues, largohuni menjëherë për në një pozicion tjetër.

◼ Mos ngrini në ajër balona ose modele aeroplanësh që komandohen me tela.

◼ Kur jeni jashtë, mos mbani në dorë objekte të gjata ose metalike, të tilla si kallama peshkimi, çadra dhe shkopinj golfi.

◼ Mos prekni ose mos lëvizni pranë ndërtimeve prej metali, rrethimeve me tela ose telave metalikë të rrobave.

◼ Mos ngitni kuaj, biçikleta ose automjete të hapura.

◼ Nëse po ngisni makinën, ngadalësoni shpejtësinë ose parkoni larg objekteve të tilla të larta, si pemë dhe shtylla të tensionit të lartë. Qëndroni brenda automjeteve dhe rimorkiove me mbulesë të fortë, por mos prekni ose mos u mbështetni në pjesët e tyre metalike.

◼ Nëse po notoni ose po bëni rrëshqitje mbi dallgë, dilni menjëherë nga uji dhe kërkoni një strehë.

◼ Nëse po lundroni, dilni në breg sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse është e rrezikshme të veproni kështu, kërkoni mbrojtje nën një strukturë të lartë, si nën një urë ose në një mol. Sigurohuni që në një varkë me vela, direku dhe litarët shtrëngues, janë vendosur në mënyrën e duhur për ta shkarkuar rrymën e tepërt elektrike në ujë.

Mbrojtja brenda

◼ Qëndroni larg dritareve, pajisjeve elektrike, tubacioneve dhe pajisjeve të tjera prej metali.

◼ Shmangni përdorimin e telefonit. Nëse ju duhet të bëni një telefonatë urgjente, bëjeni sa më të shkurtër që të jetë e mundur.

◼ Përpara se të arrijë shtrëngata, stakoni antenën e jashtme dhe kabllot elektrike të radios dhe televizorit. Stakoni modemin e kompjuterit dhe burimet e energjisë. Pastaj qëndroni larg pajisjeve elektrike.

[Burimi]

Nga botimi Severe Storms: Facts, Warnings and Protection.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo