Mali Sinai: Një xhevahir mes shkretëtirës
NUK kam për ta harruar kurrë emocionin që ndjeva, kur pashë për herë të parë malin tradicional Sinai. Ndërsa rruga gjarpëronte përmes terrenit përvëlues e plot pluhur të gadishullit Sinai në Egjipt, taksia jonë u fut papritur në rrafshinën e gjerë e të hapur të er-Rahasë. Faqja frikëndjellëse e malit Sinai ngrihej si thikë nga shtrati i rrafshinës. Dukej si një xhevahir i vendosur në shkretëtirë. Sa të rrëqethte mendimi se ky mund të ishte tamam mali ku Moisiu mori Ligjin nga Perëndia!
Edhe pse ekzistojnë ende disa debate në lidhje me vendndodhjen e saktë të malit biblik Sinai, pelegrinët kanë vazhduar të vijnë këtu për shumë shekuj, pasi besojnë që ky është mali i famshëm. Aty nga shekulli i tretë i e.s., ia behën asketët, me qëllim që të veçoheshin në përsiatje fetare. Në shekullin e gjashtë, perandori bizantin, Justiniani I, urdhëroi ndërtimin në këtë vend të një manastiri ngjashëm një kështjelle, për të mbrojtur këta asketë dhe për të siguruar praninë romake në zonë. Ky manastir, që gjendet në rrëzë të malit tradicional Sinai, është i njohur tani si Manastiri i Shën Katerinës. Përse të mos më shoqëroni gjatë udhëtimit tim në malin Sinai?
Duke eksploruar malin
Pasi kishim udhëtuar përmes luginës së thatë, shoferi beduin i taksisë më la mua dhe shokun tim pikërisht poshtë manastirit. Korniza e kësaj skene përbëhet nga disa shkëmbinj të thepisur e të zhveshur, ndërsa muret e manastirit me pemë anash dhe kopshti i gjelbër përbëjnë një pamje mikpritëse. Por ne e lëmë atë prapa, meqë tani për tani objektivi ynë është të ngjitemi në majën jugore dhe të vendosim kampin aty gjatë natës. Kjo majë, Gebel Musa, d.m.th., «Mali i Moisiut», është identifikuar tradicionalisht si mali Sinai.
Pas një marshimi prej dy orësh, gjendemi në atë që quhet Pellgu i Elijës, një luginë e vogël që ndan më dysh kreshtën dy milje të gjatë të malit Sinai. Sipas traditës, në një shpellë aty pranë Elija dëgjoi zërin e Perëndisë. (1. Mbretërve 19:8-13) Qëndruam për të marrë pak frymë nën një pemë qiparisi 500-vjeçare. Këtu ndodhet edhe një pus i lashtë. Sa na kënaqi uji i pastër dhe i ftohtë që na ofroi një beduin miqësor!
Duke ndjekur itinerarin e zakonshëm të turistëve, luftuam për nja 20 minuta të tjera duke ngjitur 750 shkallët prej guri deri në majë. Atje gjetëm një kishë të vogël. Murgjit pohonin se ajo ishte ndërtuar tamam mbi vendin ku Moisiu mori Ligjin. Përkrah kishës gjendet një e çarë në shkëmb, ku siç pohonin ata, Moisiu u fsheh kur Perëndia kaloi andej. (Eksodi 33:21-23) Megjithatë, e vërteta është që askush nuk e di se ku ndodhen saktësisht këto vende. Sidoqoftë, pamja nga maja është spektakolare! Po soditnim vargmalet prej graniti të kuqerremtë që dukeshin sikur po tërhiqeshin poshtë prapa rrafshirës së mbuluar me shkëmbinj. Në jugperëndim ngrihet Gebel Katherina ose mali Katerina, 2.637m i lartë, pika më e lartë e zonës.
Duke u ngjitur në Ras Safsafën fqinje
Dita tjetër na dha mundësinë të ngjiteshim në Ras Safsafa, maja që gjendet mbi të njëjtën kreshtë prej dy miljesh të Gebel Musait. Ras Safsafa është maja më veriore, që është paksa më e ulët se Gebel Musa. Ras Safsafa ngrihet thikë nga rrafshira e Er-Rahasë, ku izraelitët mund të kenë ngritur kampin, ndërsa Moisiu u ngjit lart për të marrë Ligjin nga Jehovai.
Ndërsa marshojmë drejt Ras Safsafës, përmes një peizazhi me maja e lugina më të vogla, kalojmë kisha të vogla të braktisura, kopshte dhe kroje, gjurmë të një kohe, kur më shumë se njëqind murgjër dhe heremitë banonin këtu në shpella dhe zgavra guri. Tani, këtu ka mbetur vetëm një murg.
Ne e takuam këtë murg vetmitar në një kopsht të rrethuar nga një gardh i lartë me tela me gjemba. Pasi na lejoi të hynim, ai na shpjegoi se kishte punuar në këtë kopsht për pesë vjet, duke zbritur në manastir vetëm një herë në javë. Murgu na drejton për nga Ras Safsafa dhe rruga jonë gjarpëron përpjetë, derisa më në fund, qëndruam lart mbi majat aty rrotull. Poshtë nesh mund të shikonim rrafshirën e gjerë të er-Rahasë. Sidomos nga kjo pikë e favorshme, mund ta imagjinoj këtë rrafshirë si vendin në të cilin ndodhej kampi i izraelitëve, nga ku Moisiu u ngjit në mal për të qëndruar në praninë e Perëndisë. Në mendjen time përfytyroj tre milionë izraelitë të mbledhur «përballë malit» në këtë rrafshirë të gjerë. Përfytyroj Moisiun që zbret nga një grykë aty pranë, duke mbajtur në duar dy pllakat ku janë shkruar Dhjetë Urdhërimet.—Eksodi 19:2; 20:18; 32:15.
Të kënaqur që ia vlejti barra qiranë në këtë ngjitje të mundimshme, kthehemi ngadalë në tendën tonë, ndërkohë që dielli nis të perëndojë. Në dritën e një zjarri të vogël, lexojmë pjesët e Eksodit që përshkruajnë përvojën e Moisiut në këtë vend e pastaj shkojmë në shtrat. Orët e vona të mëngjesit tjetër na gjejnë duke trokitur në portën e manastirit të Shën Katerinës.
Brenda në manastir
Manastiri i Shën Katerinës konsiderohet si një nga monumentet më të rëndësishme në të ashtuquajturin krishterim. I populluar nga murgjër të Kishës Ortodokse Greke, manastiri është i famshëm jo vetëm për vendndodhjen e tij, por edhe për ikonat dhe librarinë. Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij, manastiri i Shën Katerinës ka qenë kaq i izoluar, saqë mbërritja e vizitorëve ishte një ngjarje e rrallë dhe e shumëpritur. Murgjit i përqafonin mysafirët, i puthnin me gjithë zemër e madje u lanin edhe këmbët. Mysafirët mund të bridhnin lirisht nëpër rrëmujën e gjerë të ndërtesave që ndodheshin prapa mureve rreth 15 m të larta të manastirit. «Qëndroni për një javë, një muaj, sa të doni»,—ishte refreni që përsëritnin shpesh murgjit. Megjithatë, në këto ditë mikpritja e rreth dymbëdhjetë murgjërve që kanë mbetur, është rënduar së tepërmi. Tani, për të parë manastirin vijnë çdo vit më shumë se 50.000 vizitorë.
Për shkak të këtyre turmave, vizitat janë të kufizuara me vetëm tri orë në ditë dhe pesë ditë në javë. Turistët mund të vizitojnë vetëm një pjesë të vogël të manastirit: oborrin ku ndodhet Pusi i Moisiut (vendi ku sipas legjendës Moisiu takoi gruan e tij të ardhshme), Kishën e Shpërfytyrimit (e njohur si kisha më e vjetër aktive në botë) dhe librarinë. Gjithashtu, turistëve u tregohet edhe Kisha e vogël e Kaçubes që Digjet, e cila sipas fjalëve që murgjit u thonë turistëve, është tamam vendi ku Moisiu qe për herë të parë dëshmitar i pranisë së Perëndisë. Pasi murgjit e konsiderojnë këtë si vendin më të shenjtë në botë, këtu vizitorëve u kërkohet që të heqin këpucët, siç e udhëzoi Perëndia Moisiun.—Eksodi 3:5.
Mbetëm të zhgënjyer, kur nuk na lejuan t’i hidhnim një sy librarisë së famshme të manastirit, gjëja që na interesonte më shumë këtu. Kërkesa jonë për të bërë një përjashtim ndeshi në përgjigjen e ciceronit: «E pamundur! Manastiri do të mbyllet brenda pak minutave.» Pak çaste më vonë, megjithatë, kur u larguam nga grupi i turistëve, ciceroni na pëshpëriti: «Ejani këtej!» Duke kaluar poshtë litarëve, ngjitëm lart shkallët dhe kaluam pranë një murgu francez, i cili na pa me habi kur u gjendëm aty, ndërsa e pamë veten në një nga libraritë më të vjetra e më të famshme në botë! Ajo përmban mbi 4.500 vepra në gjuhët greke, arabe, siriake dhe egjiptiane. Njëherë e një kohë, ajo mbante edhe shumë të çmuarin Kodeks Sinaitik.—Shikoni kutinë në faqen 18.
Një largim i zymtë
Xhiroja jonë turistike përfundoi jashtë mureve të manastirit, me një vizitë në eshtërore. Këtu, eshtrat e breznive të tëra të murgjërve dhe heremitëve janë të bëra kapicë, të ndara në grumbuj me kocka këmbësh, kocka krahësh, kafka e kështu me radhë. Kafkat pothuajse arrijnë deri në tavan. Përse është konsideruar si i nevojshëm një vend i tillë i kobshëm? Murgjit kanë vetëm një varrezë të vogël, prandaj, kur dikush vdes, e kanë zakon që t’i heqin eshtrat nga varri më i vjetër, për të pasur një varr për të ndjerin. Çdo murg e di që më parë se një ditë eshtrat e veta do të bashkohen me ato të shokëve të tij në eshtëroren.
Në këtë mënyrë, vizita jonë përfundoi me nota disi të zymta. Por sigurisht ia vlejtën të gjitha përpjekjet. Ishim kënaqur tek shihnim pamjet e mrekullueshme dhe manastirin e famshëm. Por ndërsa largoheshim, ajo që na bënte më shumë përshtypje ishte mendimi se mbase kishim ecur në po ato shtigje ku kishte shkelur Moisiu dhe kombi i Izraelit gati 3.500 vjet më parë, këtu mbi malin Sinai, një xhevahir mes shkretëtirës.—Kontribut nga një lexues.
[Kutia në faqen 18]
Një zbulim i rëndësishëm
Gjatë shekullit të shkuar, studiuesi gjerman i Biblës, Kostantin fon Tishendorf, zbuloi në manastirin e Shën Katerinës një dorëshkrim të Biblës në greqisht, që datonte nga shekulli i katërt, i njohur tanimë si Kodeksi Sinaitik. Ai përfshin një pjesë të madhe të Shkrimeve Hebraike, nga versioni Septuaginta në greqisht, si dhe të gjitha Shkrimet Greke. Dorëshkrimi është një nga kopjet e plota më të vjetra të njohura të Shkrimeve Greke.
Tishendorfi kishte dëshirë ta botonte përmbajtjen e këtij «xhevahiri të pashoq», siç e quajti ai. Sipas Tishendorfit, ai u sugjeroi murgjërve se dorëshkrimi duhej t’i jepej carit të Rusisë, i cili, si mbrojtës i Kishës Ortodokse Greke, mund të përdorte ndikimin e tij në favor të manastirit.
Mbi murin e manastirit gjendet i ekspozuar përkthimi i një letre nga Tishendorfi, i cili premtonte t’ia ‘kthente dorëshkrimin, ta padëmtuar e të ruajtur në një gjendje të mirë, Vëllazërisë së Shenjtë të Malit Sinai, fill pas kërkesës së tyre të parë’. Megjithatë, Tishendorfi mendonte se murgjit nuk e vlerësonin rëndësinë e madhe të dorëshkrimit ose nevojën për ta botuar atë. Dorëshkrimi nuk është kthyer në manastirin e Shën Katerinës. Megjithëse pranuan më në fund 7.000 rubla prej qeverisë ruse, edhe sot e kësaj dite murgjit janë shumë dyshues ndaj përpjekjeve të studiuesve për të zbuluar thesaret e tyre. Përfundimisht, Kodeksi Sinaitik udhëtoi për në Muzeun Britanik, ku mund të shihet edhe sot.
Në mënyrë domethënëse, 47 kutitë me ikona dhe pergamena u zbuluan në vitin 1975 nën murin verior të manastirit të Shën Katerinës. Ky zbulim përfshinte më shumë se dymbëdhjetë fletët që mungonin nga Kodeksi Sinaitik. Deri tani, përveç një grupi të vogël studiuesish, këto fletë nuk mund t’i shikonte askush tjetër.
[Hartat në faqen 17]
Mali Sinai
[Burimet]
Foto nga NASA
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.
[Figura në faqet 16, 17]
Rrafshina e er-Rahasë dhe Ras Safsafa
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figurat në faqen 18]
Gebel Musa dhe manastiri i Shën Katerinës
[Burimet]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
Fotografitë e bëra me mirësjelljen e British Museum