Krokodili i ujërave të kripura—Mbret i botës së zvarranikëve
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË PALAU
SUNDIMI mbi arkipelagun Palau në Oqeanin Paqësor është sfiduar shpesh. Fuqia e parë koloniale që sundoi mbi këta ishuj tropikalë, të cilët ndodhen 890 kilometra në lindje të Filipineve, ishte Spanja. Me kalimin e kohës, Spanja u zëvendësua nga Gjermania dhe Gjermania nga Japonia. Pas Japonisë, Shtetet e Bashkuara morën në dorë rajonin dhe sunduan mbi të deri në 1994-n, kur Republika e Palaut u bë një shtet i pavarur.
Megjithatë, gjatë gjithë këtyre sfidave, një lloj tjetër sundimi mbi këta ishuj nuk u sfidua kurrë. Cili ishte ky? Sundimi prej krokodilit të ujërave të kripura: mbreti i padiskutueshëm i botës së zvarranikëve në Palau. Veçse sot froni i krokodilëve po lëkundet. Në fakt, studiuesit thonë se «po të mos merren masa të menjëhershme dhe të rrepta për të mbrojtur llojin, së shpejti krokodili i ujërave të kripura do të zhduket nga ambienti i tij natyror në Palau».
Pse janë në hall krokodilët e Palaut? E në radhë të parë, pse mund ta kenë marrë titullin mbret i botës së zvarranikëve?
Nofullat!
Krokodili i ujërave të kripura mban emrin shkencor Crocodylus porosus, që do të thotë «një krokodil plot me kallo».a Ky emër lidhet me gungat luspore mbi faqen e sipërme të turirit të tij. Ato formojnë dy kreshta që zbresin nga sytë deri te vrimat e hundës. Turiri ka formën e një trekëndëshi dhe përbën rreth një të shtatën e tërë gjatësisë së trupit. Një krokodil i ekspozuar në Muzeun e Palaut ka përmasat 40 centimetra në pjesën më të gjerë të kokës së tij të stërmadhe!
Kur nofulla e poshtme varet e hapur, vërehen dhëmbët në formë gërshëre të ankoruara në nofullat që mund të mbyllen me një forcë shkatërrimtare. E vetmja pjesë e butë e nofullave janë muskujt që i hapin ato. Një libër thotë se zakonisht mjafton një rrip llastiku për të mbajtur të mbyllur gojën e një krokodili dymetërsh.
Të projektuar me mjeshtëri
Koka e krokodilit jo vetëm që është e stërmadhe, por është edhe e projektuar me mjeshtëri për botën ujore. Hidhini një vështrim më nga afër (një krokodili të balsamosur, natyrisht!) dhe do të vëreni se veshët, sytë dhe vrimat e hundës janë pikat më të larta të kokës së tij. Kur krokodili noton, ato dalin tamam mbi sipërfaqen e ujit. Është interesante, megjithatë, që edhe kur mbyll gojën, kafsha nuk mund ta pengojë ujin të futet brenda, pasi nuk ka buzë që të mbulojnë nofullat. Por uji që futet në gojë nuk mund të kalojë në grykë, sepse një valvul bllokon hyrjen drejt saj. Gjithashtu, meqë ajri thithet përmes vrimave të hundës dhe hyn në pjesën pas kësaj valvule, krokodili mund të marrë frymë ndërkohë që goja e tij është plot me ujë.
Por ç’të themi për shikimin nën ujë? Asnjë problem. Kur zhytet, krokodili nxjerr mbi sy një membranë të tejdukshme ose qepallë të tretë. Kjo membranë e mbron syrin pa shkaktuar humbje të shikimit.
Dimensione mbretërore
Krokodili i ujërave të kripura është zvarraniku më i madh në botë. Kur arrijnë gjatësinë 3,2 metra, meshkujt kanë arritur pjekurinë, por rritja vazhdon edhe për shumë vite të tjera. Mark Kauordin, autor i librit The Guinness Book of Animal Records (Libri Gines i rekordeve të kafshëve), thotë se një rezervat natyror në Indi strehon një krokodil mashkull të ujërave të kripura që është i gjatë 7 metra!
Edhe habitati i krokodilit ka dimensione mbretërore. I njëjti libër thotë se territori ku jeton krokodili i ujërave të kripura është më i madh nga ai i tërë llojeve të tjera të krokodilëve. Krokodilët e ujërave të kripura jetojnë në të gjitha rajonet tropikale të Azisë dhe Paqësorit, një zonë që shtrihet nga India deri në Australi dhe në arkipelagun Palau.
Pikë kthese
Moçalet me pemë rrënjëmëdha Rhizophora në ishujt Palau u sigurojnë krokodilëve strehë, mbrojtje dhe ushqim të bollshëm. Nuk është për t’u çuditur, pra, që këta zvarranikë kanë zgjedhur arkipelagun Palau si një nga vendet e tyre të preferuara të qëndrimit dhe të shumimit. Në fakt, numri i krokodilëve që jetonin në këta ishuj gjatë viteve 60, llogaritej të ishte diku aty midis 1.500-s dhe 5.000-s.
Por dhjetori i 1965-s shënoi një pikë kthese për krokodilët në Palau. Atë muaj, një krokodil i ujërave të kripura sulmoi dhe vrau një peshkatar palaunez. Disa javë më vonë kafsha u kap dhe iu ekspozua publikut. Ky i fundit u egërsua kaq keq me kafshën e kapur, sa e vrau.
«Një luftë kundër llojit»
Pak pas kësaj, siç shpjegojnë Heri Mesel dhe F. Uein King, specialistë për krokodilët, autoritetet nisën «një fushatë për të shfarosur të gjithë krokodilët në Palau, pavarësisht se ku haseshin. Nuk ishte gjë tjetër, veçse një luftë kundër llojit». U ofruan shpërblime, u ngritën kurthe dhe u përdorën varka gjuetie për të ndjekur kafshët. Nga viti 1979 deri në vitin 1981, gjuetarët vranë 500 deri në 1.000 krokodilë. Ata i rropën kafshët dhe shitën lëkurët.
Meqë kanë lëkurë të madhe, krokodilët e rritur u bënë një shënjestër e veçantë. Mirëpo, çdo herë që vritnin një femër të rritur, gjuetarët ndalonin njëkohësisht lindjen e afro 1.000 të vegjëlve që do të mund të kishte pjellë femra gjatë jetës së saj. Për pasojë, popullata e krokodilëve u zvogëlua. Në fillim të viteve 90, Mesel dhe King zbuluan se ishin «më pak se 150 krokodilë në ambientin e tyre natyror në Palau».
Vërtet, njeriu ka arsye për të pasur shumë kujdes nga krokodilët e ujërave të kripura, pasi sulmet e tyre mund të jenë fatale. Megjithatë, siç vëren autori Kauardin, «dëmi që na bëjnë ata është i papërfillshëm në krahasim me shkretimin që u kemi sjellë ne».
Në vitin 1997 u krijua Rezervati Natyror i Ngardokut. Ndonëse ky rezervat nuk është krijuar për të mbrojtur kryesisht krokodilët e ujërave të kripura, ata përfitojnë prej tij. Kënetat që rrethojnë liqenin Ngardok u sigurojnë krokodilëve një vend për t’u fshehur dhe për t’u shumuar.
Krokodili i ujërave të kripura mund të mos përfshihet në konceptin që keni për një mik të ngushtë, por a nuk jeni dakord se ai është një mbret madhështor?
[Shënimi]
a Porosus vjen nga fjala greke porosis, që do të thotë «një kallo» dhe nga prapashtesa latine -osus, që do të thotë «plot me».
[Kutia në faqe 27]
LOT KROKODILI
Kur thuhet që dikush derdh lot krokodili ka kuptimin që ai shfaq një pikëllim ose keqardhje jo të sinqertë. Por, përse përshkruhen si hipokritë krokodilët? Sipas The International Wildlife Encyclopedia, një burim i mundshëm i kësaj thënieje mund të jetë fakti që krokodilët i mbajnë sytë të lagësht. Kështu, «lotët ose uji që ka ngecur në qepallat e tyre mund të rrjedhin nga cepat e syve. Kjo gjë, së bashku me ngërdheshjen e përhershme që krijohet nga nofullat, mund të ketë çuar në reputacionin e tyre legjendar si hipokritë».
[Kutia dhe figurat në faqe 27]
KROKODIL APO ALIGATOR?
Cili është ndryshimi mes një krokodili dhe një aligatori? Ndryshimi më i dukshëm qëndron te dhëmbët e tyre. E thënë thjesht, kur një krokodil i ka nofullat të mbyllura, mund të dallohet dhëmbi i madh i katërt i nofullës së poshtme. Ndërsa në rastin e aligatorit, ky dhëmb mbulohet prej nofullës së sipërme.
[Figurat]
Krokodil
Aligator
[Burimi]
Foto F. W. King
[Figurat në faqen 26]
Shikoni këto dhëmbë!
[Burimet]
Me mirësjelljen e Koorana Crocodile Farm, Rockhampton, Queensland, Australia
© Adam Britton, http://crocodilian.com
[Burimi i figurës në faqen 25]
Me mirësjelljen e Australian International Public Relations