BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 7/99 f. 8-11
  • Të mbajmë të shëndetshme pikëpamjen mendore

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të mbajmë të shëndetshme pikëpamjen mendore
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Helm për trurin
  • Zgjidheni zbavitjen me mençuri
  • Kërkoni udhëheqjen hyjnore
  • Si të zgjedhësh zbavitje të dobishme
    ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
  • TV​—«Mësues i fshehtë»
    Zgjohuni!—2006
  • Zgjidhe me mençuri zbavitjen
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2019
  • Zgjidh zbavitje që i pëlqejnë Jehovait
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 7/99 f. 8-11

Të mbajmë të shëndetshme pikëpamjen mendore

SHËNDETI ynë fizik varet në një masë të madhe nga ushqimi që futim në trupin tonë. Nëse një person jeton me një dietë të rregullt të përbërë nga ushqime pa vlerë, më në fund shëndeti i tij do të dëmtohet. I njëjti parim zbatohet në rastin e shëndetit tonë mendor.

Për shembull, mund t’i krahasoni gjërat që futim në mendje me një lloj ushqimi mendor. Ushqim mendor? Po, informacioni që thithim nga librat, revistat, shfaqjet televizive, videot, lojërat kompjuterike, Interneti dhe nga tekstet e këngëve mund të ndikojnë mbi mënyrën tonë të të menduarit dhe mbi personalitetin tonë pikërisht ashtu siç ndikon ushqimi real mbi trupin tonë. Si kështu?

Një ish-menaxher reklamash Xheri Mander shkroi në lidhje me ndikimin që ka televizioni në jetën tonë: «Televizioni i vendos imazhet në trurin tonë më shumë se çdo ndikim tjetër.» Por ato imazhe mendore, bëjnë më shumë sesa vetëm na zbavitin. Revista The Family Therapy Networker thotë: «Gjuha, imazhet, tingujt, idetë, personazhet, situatat, vlerat morale dhe koncepti i mjeteve të informacionit për të bukurën, bëhen lënda e parë e mendimeve, ndjenjave dhe përfytyrimeve tona.»

Po, dashur padashur, mendimet dhe ndjenjat tona mund të ndikohen tinëzisht nga ajo çka shohim në televizor dhe nga format e tjera të argëtimit. Pikërisht këtu qëndron rreziku. Siç thotë Mander, «ne njerëzit imitojmë gradualisht çdo imazh që futim në trurin tonë».

Helm për trurin

Shumë njerëz që ndoshta e kontrollojnë me kujdes dietën e tyre fizike, gëlltitin pa dallim çfarëdolloj ushqimi mendor që u serviret nga mjetet e informacionit masiv. Për shembull, a keni dëgjuar ndonjë të thotë: «Nuk ka asgjë të mirë për të parë në televizor.» Disa duken si të hipnotizuar, pasi i ndërrojnë pambarimisht kanalet me shpresën se do të dalë diçka me vlerë, por as që e çojnë nëpër mend ta fikin televizorin.

Përveç harxhimit të një sasie kaq të madhe kohe, shumë programe trajtojnë tema që të krishterët do të donin t’i shmangnin. «Veç të folurit të papastër,—thotë shkrimtari i arteve të bukura, Geri Koltukian,—temat e diskutueshme dhe seksuale po shfaqen sot në ekran më shumë sesa në të kaluarën.» Në fakt, sipas një studimi të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara rezultoi se skenat me përmbajtje seksuale shfaqen mesatarisht 27 herë në orë, gjatë orëve më të ndjekura nga teleshikuesit.

Dikush mund të pyesë se çfarë ndikimi ka kjo në mënyrën e të menduarit të njerëzve. Në Japoni një dramë televizive e njohur ndikoi mbi kaq shumë njerëz, saqë mjetet kombëtare të informacionit thanë se ajo shkaktoi një «bum kurorëshkeljesh». Veç kësaj, autorët e librit Watching America thonë: «Sot shumica e formave të sjelljes seksuale . . . trajtohen si zgjedhje të ligjshme të mënyrës personale të të jetuarit.»

Megjithatë, programet televizive që reklamojnë temat seksuale janë vetëm një pjesë e problemit. Përshkrimet e gjalla dhe të hollësishme të dhunës janë, gjithashtu, të zakonshme. Veçanërisht shqetësuese janë efektet që programet televizive dhe filmat e dhunshëm mund të kenë mbi mendjet e të rinjve, të cilat ndikohen lehtësisht. «Kur fëmijët e vegjël shohin në TV dikë që e qëllojnë me armë, e godasin me thikë, e përdhunojnë, e trajtojnë mizorisht, e degradojnë ose e vrasin,—thotë Deivid Grosmen, një oficer ushtrie në pension dhe ekspert në psikologjinë e vrasjes,—për ta kjo është sikur të ndodhte me të vërtetë.» Duke komentuar mbi të njëjtin problem, The Journal of the American Medical Association tha: «Shumë fëmijë nën moshën 3 deri në 4 vjeç, nuk janë në gjendje ta dallojnë realitetin nga fantazia në programet televizive dhe vazhdojnë të mos e dallojnë pavarësisht nga shpjegimet e të rriturve.» Me fjalë të tjera, megjithëse një prind mund t’i thotë fëmijës se ‘ata njerëz nuk vdiqën me të vërtetë, se ata thjesht po bënin gjoja sikur po vdisnin’, mendja e një fëmije përsëri nuk mund ta bëjë dallimin. Për një fëmijë të vogël, dhuna në TV është krejtësisht reale.

Duke përmbledhur ndikimin e «dhunës në mjetet e informacionit masiv», revista Time tha: «Pak studiues merakosen ende të diskutojnë në lidhje me ndikimin që skenat me gjakderdhje në TV dhe në kinema kanë mbi fëmijët që i shohin ato.» Ç’lloj ndikimi kanë ato? «Dekada të tëra zbavitjeje të dhunshme kanë arritur me sukses ta ndryshojnë konceptin e publikut mbi të dhe mbi vlerat morale»,—thotë kritiku i filmave Majkëll Medved. Ai shton: «Vështirë se mund të bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv, kur shoqëria humbet aftësinë e saj për tu ndier e skandalizuar.» S’është për t’u çuditur që një shkrimtar tha se të marrësh një katërvjeçar për të parë një film të dhunshëm, do të thotë ‘të helmosh trurin e tij’.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se të gjitha programet televizive janë të këqija. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për librat, revistat, videot, lojërat në kompjuter dhe format e tjera të zbavitjes. Megjithatë, është e qartë se pjesa më e madhe e asaj që quhet zbavitje është e papërshtatshme për ata që dëshirojnë të mbajnë një pikëpamje të shëndetshme mendore.

Zgjidheni zbavitjen me mençuri

Imazhet që transmetohen në mendje përmes syve tanë ushtrojnë një ndikim të fuqishëm mbi mendimet dhe veprimet tona. Për shembull, nëse do ta ushqenim rregullisht mendjen tonë me zbavitje imorale, vendosmëria jonë në bindje të urdhërimit të Biblës për ‘t’u larguar nga kurvëria’ mund të dobësohej. (1. Korintasve 6:18) Në mënyrë të ngjashme, nëse merremi me zbavitje, të cilat paraqesin ‘burra që praktikojnë atë që është e dhimbshme’, mund ta kemi të vështirë të ‘jetojmë në paqe me të gjithë njerëzit’. (Psalmi 141:4, BR; Romakëve 12:18) Për të shmangur këtë, ne duhet t’i largojmë sytë nga ajo që «nuk vlen për asgjë».—Psalmi 101:3, BR; Fjalët e urta 4:25, 27.

Vërtet, për shkak të papërsosmërisë së trashëguar, të gjithë ne duhet luftojmë për të bërë atë që është e drejtë. Apostulli Pavël pranoi me çiltërsi: «Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.» (Romakëve 7:22, 23) A do të thotë kjo që Pavli u dorëzua para dobësive të tij mishore? Aspak! Ai tha: «E qëlloj me grushta trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që . . . unë vetë të mos bëhem në njëfarë mënyre i pamiratuar.»—1. Korintasve 9:27, BR.

Në mënyrë të ngjashme, ne nuk duam ta përdorim kurrë papërsosmërinë tonë si një pretekst për të mëkatuar. Shkrimtari biblik, Juda, tha: «Shumë të dashur, . . . ndjeva nevojën t’ju shkruaj juve dhe t’ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.» (Judës 3, 4) Po, ne duhet të ‘luftojmë’ dhe të largohemi nga ajo zbavitje që na shtyn të bëjmë atë që është e keqe.a

Kërkoni udhëheqjen hyjnore

Kultivimi i një pikëpamjeje të shëndetshme mendore nuk është gjithmonë i lehtë në këtë sistem gjërash. Megjithatë, Bibla na siguron se është e mundur të qëndrojmë të pastër si mendërisht, ashtu edhe moralisht. Si? Në Psalmin 119:11, lexojmë: «E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.»

Të ruash si thesar fjalën e Perëndisë do të thotë ta konsiderosh si diçka të çmuar ose të kesh një vlerësim të lartë për të. Sigurisht, do të ishte e vështirë ta vlerësonim Biblën, nëse nuk do të dinim se çfarë thotë ajo. Duke marrë njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë, ne përvetësojmë mendimet e Perëndisë. (Isaia 55:8, 9; Gjoni 17:3) Kjo, nga ana e saj, na pasuron frymësisht dhe e ngre mënyrën tonë të të menduarit në një nivel më të lartë.

A ka ndonjë kriter të besueshëm për të përcaktuar se çfarë është frymësisht dhe mendërisht e shëndetshme? Po! Apostulli Pavël këshilloi: «Të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.»—Filipianëve 4:8

Por që të nxjerrim dobi të vërtetë, kërkohet më shumë sesa thjesht të fitojmë njohuri mbi Perëndinë. Nën frymëzim, profeti Isaia shkroi: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.» (Isaia 48:17) Vërtet, jo vetëm që duhet të kërkojmë udhëheqjen hyjnore, por edhe duhet të veprojmë sipas asaj njohurie.

Një mënyrë tjetër për të nxjerrë dobi moralisht dhe frymësisht është duke folur me Jehovain, ‘Dëgjuesin e lutjeve’. (Psalmi 65:2, BR; Psalmi 66:19) Nëse i afrohemi Krijuesit me sinqeritet dhe përulësi, ai do ta dëgjojë përgjërimin tonë. Dhe nëse e ‘kërkojmë, ai do të na lërë ta gjejmë’.—2. Kronikave 15:2, BR.

A është, pra, e mundur ta ruajmë shëndetin tonë mendor dhe frymor në këtë botë të dhunshme dhe imorale? Në të vërtetë, po. Duke mos e lejuar mendjen të bëhet e pandjeshme nga zbavitja e kësaj bote, duke përforcuar aftësinë tonë të të menduarit përmes studimit të Fjalës së Perëndisë dhe duke kërkuar udhëheqjen hyjnore, mund të ruajmë një pikëpamje të shëndetshme mendore.

[Shënimi]

a Për informacion të mëtejshëm mbi zgjedhjen e një zbavitjeje të shëndetshme, shikoni Zgjohuni!, 22 maj 1997, faqet 8-10, anglisht.

[Diçitura në faqen 9]

«Shumë fëmijë nuk janë në gjendje ta dallojnë realitetin nga fantazia në programet televizive»

[Diçitura në faqen 11]

«Dekada të tëra zbavitjeje të dhunshme kanë arritur ta ndryshojnë konceptin e publikut mbi të dhe mbi vlerat morale»

[Kutia në faqen 11]

Si ta ulim rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Nutrition Action Healthletter sugjeron hapat e mëposhtëm për t’ju ndihmuar të pakësoni rrezikun e sëmundjeve në zemër.

• Ndërpritni duhanin. Nëse e lini sot mund ta pakësoni rrezikun e sëmundjeve në zemër brenda një viti, edhe sikur të shtoni në peshë.

• Bini në peshë. Nëse jeni mbi peshë, edhe humbja e vetëm tre deri në gjashtë kilogramëve mund të bëjë efekt.

• Merruni me ushtrime fizike. Bërja rregullisht e ushtrimeve fizike (të paktën tri herë në javë) ndihmon në pakësimin e kolesterolit të dëmshëm (LDL), në parandalimin e rritjes së presionit të gjakut dhe në humbjen e peshës së tepërt.

• Hani më pak yndyrë të ngopur. Nëse nivelin e LDL -së e keni të lartë, përdorni mish me më pak dhjamë dhe provoni të përdorni qumësht me 1 për qind yndyrë ose qumësht të skremuar në vend të qumështit me 2 për qind yndyrë.

• Kufizoni konsumimin e alkoolit. Ka tregues se ata që pijnë verë të kuqe në masë të arsyeshme mund ta pakësojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

• Hani më tepër fruta, perime dhe ushqime të tjera të pasura me fibra të tretshme.

[Figura në faqen 8]

Dhuna në TV është si helm për trurin e një fëmije

[Figura në faqen 9]

Disa herë fëmijët e imitojnë dhunën që shohin në TV

[Figura në faqen 10]

Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre duke u siguruar një llojshmëri materialesh të mira për të lexuar

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo