Dashurues të diellit: Mbroni lëkurën tuaj!
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
A JU pëlqen t’i kaloni pushimet në bregdet? Po të bëni ekskursione në male? Atëherë ju jeni një prej atyre miliona njerëzve që u pëlqejnë veprimtaritë në natyrë. Vetëm një paralajmërim, megjithatë: kjo shpesh nënkupton ekspozim më të madh ndaj diellit. A mbart ndonjë rrezik kjo gjë? Nëse po, si mund ta mbroni veten?
«Lëkura është organi më i madh dhe një nga më të dukshmit e trupit tuaj»,—shkruan dr. U. Miçëll Sams, i Riu. Lëkura ndihmon për ta mbrojtur trupin nga dehidratimi dhe për t’ju mbajtur ngrohtë. Ajo bën të mundur që të ndjeni të ftohtin, të nxehtin, dhimbjen dhe dridhjet, si edhe të dalloni nëse një sipërfaqe është e ashpër a e lëmuar. Lëkura luan, gjithashtu, një rol të rëndësishëm në prodhimin e vitaminës D, e cila është thelbësore për formimin e eshtrave. Prodhimi i vitaminës D realizohet me ndihmën e dritës së diellit.
Mirëpo ekspozimi i tepërt i lëkurës ndaj dritës së diellit mbart një rrezik gjithnjë në rritje. Rrezatimi diellor që arrin sipërfaqen e tokës përbëhet nga rrezet infra të kuqe dhe nga drita e dukshme, si edhe nga rrezet ultravjollcë të gamës A dhe B (UVA dhe UVB). Lumturisht, rrezet kozmike, rrezet gama dhe rrezet X, të cilat prodhohen nga dielli, thithen prej atmosferës. Në fakt, shtresa atmosferike e ozonit u mbyll rrugën rrezeve C ultravjollcë (UVC) dhe pengon depërtimin e pjesës më të madhe të rrezeve UVA dhe UVB. Mjerisht, vende-vende, kjo shtresë ozoni po dëmtohet. Shumë shkencëtarë ua vënë fajin për këtë problem disa ftohësve, si edhe karburanteve aerosole. Sido që të jetë, ekspozimi ndaj diellit po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm për shëndetin.
Përveç djegies, rrezet ultravjollcë mund t’ju krijojnë njolla kafe, si edhe trashje e tharje progresive të lëkurës. Rrezatimi ultravjollcë mund të dobësojë, gjithashtu, fibrat elastike të lëkurës, duke sjellë për pasojë plakje të parakohshme, gjë që përfshin shfaqjen e atyre rrudhave të frikshme. Më keq akoma, ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve ultravjollcë mund të krijojë probleme në sistemin tuaj imunitar dhe mund të çojë në zhvillimin e plagëve dhe kancerit të lëkurës. Sikur të mos mjaftonte, lëkura e dëmtuar ose e sëmurë ndikon në pamjen tuaj dhe mund t’i kontribuojë në disa raste ndjenjave të pasigurisë e madje edhe depresionit.
Çfarë mund të bëni?
Lëkura ka nevojë të mbrohet ditë për ditë nga dielli, po aq sa ka nevojë të mbrohet gjatë periudhave të shkurtra të një ekspozimi intensiv. Ç’mund të bëhet? Përveç veshjes së rrobave mbrojtëse dhe kufizimit të kohës së ekspozimit ndaj diellit, ju mund të ndiqni këshillën e specialistëve, të cilët rekomandojnë përdorimin e një kremi kundër diellit. Si mund ta zgjidhni kremin e duhur kundër diellit? Kontrolloni faktorin e mbrojtjes nga dielli (SPF), që kanë shënuar prodhuesit. Sa më i madh të jetë numri, aq më e madhe është mbrojtja. Njerëzve me lëkurë më të bardhë u duhet një krem që e ka numrin e SPF-së më të madh nga kremrat që u duhen njerëzve me lëkurë më të errët. Një vërejtje: SPF-ja i referohet vetëm mbrojtjes që të jep kremi nga rrezatimi UVB. Prandaj, u jepni përparësi kremrave me spektër të gjerë, të cilët sigurojnë edhe një masë mbrojtjeje nga rrezatimi UVA.
Fëmijët, sidomos ata me lëkurë më të çelët, janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj diellit. Për më tepër, siç vëren botimi Fotoproteção (Mbrojtja nga drita), shpesh fëmijët ekspozohen më shumë sesa të rriturit ndaj dritës së diellit. Fotoproteção pohon se ndërmarrja e hapave për ta mbrojtur lëkurën e fëmijës nga dielli gjatë 18 viteve të tij të para të jetës, mund ta zvogëlojë shumë mundësinë që t’i shfaqet një kancer lëkure.
Drita e diellit është e domosdoshme për jetën në tokë. Pastaj, kush nuk i gëzohet kohës së bukur me diell? Por mos u gënjeni nga imazhet që janë në modë, të cilat e paraqesin lëkurën e bronztë si simbolin e bukurisë dhe të rinisë! Mbrojeni shëndetin tuaj, mbroni, pra, lëkurën tuaj nga ekspozimi i tepërt në diell.
[Kutia në faqen 23]
Ruajeni lëkurën tuaj!
1. Mbroni veten nga dielli, sidomos nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 4:00 pasdite, kur rrezet e diellit janë më të forta.
2. Edhe nëse është ditë me re, përdorni një krem kundër diellit me spektër të gjerë, që ju mbron nga rrezet UVA dhe UVB dhe që e ka faktorin e mbrojtjes nga dielli 15 a më shumë.
3. Vini krem çdo dy orë kur jeni jashtë, veçanërisht nëse po notoni ose nëse djersitni.
4. Vishni rroba mbrojtëse, të punuara dendur. Ngjyrat e errëta sigurojnë mbrojtje më të madhe.
5. Vini një kapele me strehë të paktën dhjetë centimetra dhe syze dielli me xhama mbrojtës ultravjollcë.
6. Qëndroni në hije sa herë të jetë e mundur.
7. Shmangni sipërfaqet pasqyruese, të tilla si: uji, rëra dhe bora, të cilat pasqyrojnë pjesën më të madhe të rrezeve dëmtuese të diellit.
[Burimi]
(Bazuar në Skin Savvy, botuar nga Akademia Amerikane e Dermatologjisë)
[Figurat në faqen 23]
Mbroni shëndetin dhe pamjen tuaj: ruani lëkurën
Në zonat ku pasqyrohen rrezet e diellit, nevojitet një kujdes më i madh