Varësia e botës nga droga
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË SPANJË
NJË i sapolindur ulërin në një spital të Madridit, në Spanjë. Një infermiere përpiqet në mënyrë të ethshme ta qetësojë, por më kot. Foshnja është në agoni, si pasojë e ndërprerjes së heroinës. Ç’është më e keqja, ai është edhe sieropozitiv. Mamaja e tij ishte një heroinomane.
Një nënë në Los Anxhelos, pa e pasur mendjen e nget makinën në një rrugë që është nën kontrollin e një bande trafikantësh droge. Pritet me një breshëri plumbash, të cilat vrasin vajzën e saj të mitur.
Mijëra kilometra larg, në Afganistan, një fshatar kultivon një fushë me lulëkuqe. Ky ka qenë një vit i mbarë: prodhimi është rritur 25 për qind. Për këto lulëkuqe opiumi të paguajnë mirë dhe familja e fshatarit po lufton për të mbijetuar. Por këto lulëkuqe të bukura do të shndërrohen në heroinë dhe heroina shkatërron jetë.
Një adoleshente e ndrojtur në Sidnei, Australi, shkon në diskotekë çdo të shtunë në mbrëmje. Asaj i dukej e vështirë të përzihej me turmën, por kohët e fundit, një pilulë e quajtur ekstazë i ka dhënë siguri te vetja. Pilulat që merr ajo ishin futur kontrabandë në Australi nga Holanda, ndonëse edhe laboratorët në vend po fillojnë t’i vënë në dispozicion ato. Ekstaza bën që muzika t’i tingëllojë më joshëse dhe ajo çka e frenonte përbrenda largohet. Madje edhe vetja i duket më tërheqëse.
Për Manuelin, një fshatar të fortë, i cili mezi sa e nxjerr bukën e gojës nga ferma e tij e vogël në Ande, jeta u bë disi më e lehtë kur filloi të kultivonte koka. Manueli do të donte ta ndërpriste prodhimin e kësaj bime, por trembet se kjo do t’i zemërojë keq njerëzit e pashpirt që kontrollojnë prodhimin e kokës në zonën e tij.
Këto janë vetëm pak nga fytyrat njerëzore që shihen mbrapa kamxhikut të drogës, i cili po torturon planetin tonë.a Pavarësisht nëse këta njerëz janë konsumatorë, prodhues ose spektatorë të pafajshëm, droga po merr pa mëshirë jetën e tyre.
Sa i madh është problemi i drogës?
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, vëren: «Droga po rrënon shoqërinë tonë, po pjell krimin, po përhap sëmundje si SIDA dhe po vret rininë e të ardhmen tonë.» Ai shton: «Sot përllogaritet se ka afërsisht 190 milionë persona përreth botës që përdorin drogë. Asnjë vend nuk është i imunizuar. Dhe asnjë vend nuk mund të shpresojë ta ndalë i vetëm tregtinë e drogës brenda kufijve të vet. Shtrirja mbarëbotërore e tregtisë së drogës kërkon një reagim ndërkombëtar.»
Si për t’i keqësuar gjërat, vitet e fundit kanë dalë në skenë droga artificiale.b Këto substanca sintetike janë krijuar për t’i dhënë konsumuesit një ndjenjë euforike. Duke qenë se drogat artificiale mund të prodhohen gati kudo me shpenzime të pakta, forcat e policisë janë thuajse të pafuqishme për të kontrolluar prodhimin e tyre. Në vitin 1997, Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Drogat Narkotike tërhoqi vëmendjen mbi faktin që në shumë vende, këto droga sintetike janë bërë pjesë e «preferencave të pjesës dërrmuese të konsumuesve» dhe që ato duhet të konsiderohen si një «kërcënim i frikshëm për shoqërinë ndërkombëtare në shekullin që po vjen».
Drogat më të reja nuk janë më pak të fuqishme sesa paraardhëset e tyre. Kokaina krak të vë akoma më shumë sesa kokaina nën varësinë e saj. Linjat e reja të kanabisitc kanë efekte më të fuqishme halucinante dhe një drogë e re artificiale e quajtur akull, mund të jetë një nga drogat më shkatërrimtare.
Paratë e drogës dhe pushteti i drogës
Edhe pse ata që drogohen mund të jenë një pakicë, numri i tyre mjafton për t’u dhënë një pushtet të jashtëzakonshëm bosëve të drogës, personave që organizojnë prodhimin dhe shpërndarjen e drogës. Këta individë të paskrupull drejtojnë një veprimtari kontrabandë që është bërë biznesi më fitimprurës dhe praktikisht më i madhi në botë. Fitimet nga droga mund të përbëjnë tani rreth 8 për qind të gjithë tregtisë ndërkombëtare ose afërsisht një shumë prej 400.000.000.000 dollarësh çdo vit. Ndërsa qarkullojnë anembanë botës, paratë e nxjerra nga droga pasurojnë banditë, korruptojnë forca të policisë, mbushin me rryshfete duart e politikanëve dhe madje financojnë terrorizmin.
A mund të bëhet ndonjë gjë për t’i vënë fre problemit të drogës? Deri në çfarë mase ndikon tregtia e drogës mbi të ardhurat tona, mbi sigurinë tonë dhe mbi jetën e fëmijëve tanë?
[Shënimet]
a Në këta artikuj, u referohemi drogave që përdoren për qëllime jomjekësore dhe që shpërndahen në mënyrë të paligjshme.
b Droga me një përbërje kimike pakëz të modifikuar, që shpesh prodhohen për të shmangur kufizimet e vendosura për narkotikët e paligjshëm ose halucinantët.
c Majat lulëzuese të thara të bimës së kanabisit janë burimi i marihuanës. Rrëshira që del nga po kjo bimë është hashashi. Që të dyja këto produkte pihen ashtu si duhani nga përdoruesit e drogës.
[Harta në faqet 4, 5]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Prodhimi dhe trafiku mbarëbotëror i drogës
ZONAT KRYESORE TË PRODHIMIT:
Kanabis: bimë (marihuanë) dhe rrëshirë (hashash)
Heroinë
Kokainë
Shigjetat tregojnë rrugët kryesore të trafikut.
[Burimi]
Burimi: World Drug Report i Kombeve të Bashkuara
[Burimi i figurës në faqen 3]
U.S. Navy photo