BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 11/99 f. 8-10
  • Jetë të rrënuara, jetë të humbura

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jetë të rrënuara, jetë të humbura
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Një arratisje nga realiteti»
  • «Të thithur nga bota e drogës»
  • Nga murator në trafikant droge
  • Paratë dhe jetën!
  • A mund të fitohet lufta kundër drogës?
    Zgjohuni!—1999
  • Si ndikon droga në jetën tonë?
    Zgjohuni!—1999
  • Drogat: Kush i përdor?
    Zgjohuni!—2001
  • Drogat: Pse abuzojnë njerëzit me to?
    Zgjohuni!—2001
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 11/99 f. 8-10

Jetë të rrënuara, jetë të humbura

«DROGAT janë si çekanë farkëtari»,—vëren dr. Erik Nesler. Vërtet, një goditje e vetme nga këta çekanë kimikë mund të jetë vdekjeprurëse. «Kokaina krak, për shembull, dihet që i ka vrarë disa njerëz qysh në përdorimin e parë»,—shpjegohet në librin Drugs in America.

Vala e re e drogave sintetike mund të jetë po aq e rrezikshme. «Të rinjtë naivë që blejnë drogë në një mbrëmje ‘rave’ mund të mos e kenë idenë se çfarë kokteji kimik do të bombardojë trurin e tyre»,—vërehet në botimin World Drug Report, të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, për shumicën e të rinjve, rënia në thellësitë e dhënies pas drogës është një rënie graduale, siç e ilustrojnë shembujt e mëposhtëm.

«Një arratisje nga realiteti»

Pedro,a një prej nëntë fëmijëve të një familjeje, lindi në një lagje të njohur për dhunë, në qytetin e Kordovës, Spanjë. Fëmijëria e tij ishte traumatike, për shkak të alkoolizmit të të atit. Kur Pedro ishte 14 vjeç, kushëriri i tij e njohu me hashashin. Brenda një muaji, ai u vu nën varësinë e hashashit.

«Marrja e drogës ishte një kalim kohe,—thotë Pedro,—një arratisje nga realiteti dhe një mënyrë për të qenë pjesë e grupit. Në moshën 15-vjeçare, fillova t’i shtoja hashashit edhe LSD e amfetamina. LSD-ja ishte droga ime e preferuar dhe për të siguruar paratë që ta blija, u bëra shpërndarës, një trafikant i vogël droge. Merresha kryesisht me trafikun e hashashit. Njëherë, pasi mora një mbidozë LSD-je, nuk munda të flija për tërë natën dhe ndihesha sikur isha çmendur. Kjo përvojë më frikësoi. E kuptova se po të vazhdoja të merrja drogë, do të përfundoja ose në burg, ose i vdekur. Por dëshira për drogë e mbyste frikën. U bëra krejtësisht i varur nga LSD-ja dhe kisha nevojë për gjithnjë e më shumë drogë, që të më bënte efekt. Me gjithë pasojat e frikshme, nuk arrija të hiqja dorë. Nuk dija si të shpëtoja.

LSD-ja nuk ishte e lirë, kështu që mësova se si të grabitja dyqane bizhuterish, t’u zhvatja çantat turistëve dhe t’u vidhja orë e kuleta kalimtarëve. Rreth moshës 17-vjeçare, isha bërë një trafikant i njohur droge në atë pjesë të qytetit ku banoja dhe disa herë merrja pjesë në grabitje me armë. Nga reputacioni që kisha në lagje si një kriminel i dhunshëm më ishte ngjitur nofka el torcido, që do të thotë ‘i mbrapshti’.

Kur bashkon drogën me alkoolin, personaliteti yt ndryshon, shpeshherë drejt dhunës. E dëshira për të marrë më shumë drogë është kaq e fortë, saqë ngrihet mbi ndërgjegjen. Jeta bëhet një torturë dhe ti jeton nga një efekt i drogës në tjetrin.»

«Të thithur nga bota e drogës»

Ana, gruaja e Pedros, u rrit në Spanjë, në një ambient të mirë familjar. Kur ishte 14 vjeçe, Ana takoi disa djem të një shkolle fqinje, të cilët pinin hashash. Në fillim, sjellja e tyre e çuditshme e bëri të zmbrapsej. Por Rozën, njërën prej shoqeve të Anës, e tërhiqte njëri nga djemtë. Ai e bindi Rozën se pirja e hashashit nuk do të ishte e dëmshme dhe se do t’i pëlqente. Kështu Roza e provoi drogën dhe pastaj ia dha cigaren Anës.

«Më krijoi një ndjenjë të këndshme dhe brenda pak javëve unë pija hashash përditë,—thotë Ana.—Pas nja një muaji, hashashi nuk më bënte dhe aq efekt, kështu që fillova të merrja edhe amfetamina ndërkohë që pija hashash.

Pas pak kohësh, unë dhe shoqëria ime ishim thithur plotësisht nga bota e drogës. Flitnim se kush mund të merrte më shumë drogë pa pasur efekte të dëmshme dhe se kush provonte më shumë kënaqësi. Gradualisht, u shkëputa nga bota normale dhe shkoja rrallë në shkollë. Hashashi dhe amfetaminat nuk më mjaftonin më, kështu që fillova të injektoja një derivat të morfinës, të cilin e siguroja nga farmaci të ndryshme. Gjatë verës shkonim në koncerte rok që bëheshin në mjedise të hapura, në të cilat ishte gjithnjë e lehtë të siguroje droga të tilla, si LSD-ja.

Një ditë mamaja më kapi duke pirë hashash. Prindërit u përpoqën me të gjitha forcat që të më mbronin. Më treguan për rreziqet e drogës dhe më siguruan për dashurinë dhe kujdesin e tyre. Por unë i konsideroja përpjekjet e tyre si një ndërhyrje të padëshiruar në jetën time. Kur isha 16 vjeçe, vendosa të largohem nga shtëpia. U bashkova me një grup të rinjsh që bridhnin në tërë Spanjën duke shitur varëse të bëra me dorë e duke marrë drogë. Dy muaj më pas, u arrestova nga policia në Málaga.

Kur policia më dorëzoi te prindërit e mi, ata më pritën me krahë hapur dhe unë u ndjeva e turpëruar për atë që kisha bërë. Im atë qante, diçka që s’e kisha parë kurrë më parë ta bënte. Më erdhi keq që i kisha lënduar, por brejtja e ndërgjegjes nuk ishte aq e fortë sa të më bënte të largohesha nga droga. Vazhdova të merrja drogë çdo ditë. Kur isha esëll, mendoja ndonjëherë për rreziqet, por kjo gjë nuk zgjaste shumë.»

Nga murator në trafikant droge

Hozé, një kryefamiljar i kujdesshëm, u mor pesë vjet me trafikun e kanabisit nga Maroku në Spanjë. Si u përfshi në këtë gjë? «Ndërsa punoja si murator, një shok i punës filloi të merrej me trafik droge,—shpjegon Hozé.—Ngaqë kisha nevojë për para, thashë me vete: ‘Pse mos ta bëj edhe unë?’

Në Marok ishte e lehtë të blije kanabis dhe unë blija sa të mundesha. Kisha një motobarkë të shpejtë, me të cilën mund t’i shpëtoja kollaj policisë. Pasi e fusja drogën në Spanjë, e shitja me shumicë, rreth 600 kilogramë drogë njëherësh. Kisha vetëm tre a katër klientë dhe ata e merrnin të gjithë drogën që mund t’u siguroja. Ndonëse kishte mbikëqyrje nga ana e policisë, droga arrinte të futej. Ne trafikantët kishim pajisje shumë më të mira se ato të policisë.

Nxirrja shumë para pa u lodhur. Një udhëtim nga Spanja në Afrikën e Veriut mund të më sillte nga 25.000 deri në 30.000 dollarë. Nuk kaloi shumë dhe kisha 30 njerëz që punonin për mua. Nuk më kapën kurrë, sepse paguaja një informator për të më vënë në dijeni kur veprimtaria ime vëzhgohej.

Ndonjëherë mendoja se çfarë mund t’u bënte të tjerëve gjithë ajo drogë, por e bindja veten se kanabisi ishte një drogë e lehtë që nuk vriste askënd. Duke qenë se po fitoja mjaft para, në të vërtetë nuk mendoja shumë për këtë gjë. Unë vetë nuk mora kurrë drogë.»

Paratë dhe jetën!

Siç e tregojnë këta shembuj, droga u merr njerëzve jetën. Pasi mbërthehen prej saj, largimi është i vështirë dhe traumatizues. Siç vërehet në librin Drugs in America, «në Perëndimin e Vjetër, banditët u tundnin armët para fytyrës viktimave të tyre dhe kërkonin me forcë: ‘O paratë, o jetën.’ Drogat janë më të këqija sesa banditët e kohëve të shkuara. Ato i marrin që të dyja».

A ka ndonjë gjë që mund ta ndalë ortekun shkatërrimtar të drogës? Në artikullin vijues do të shqyrtohen disa rrugëzgjidhje.

[Shënimi]

a Disa nga emrat në këtë seri janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 8]

«Në Perëndimin e Vjetër, banditët u tundnin armët para fytyrës viktimave të tyre dhe kërkonin me forcë: ‘O paratë, o jetën.’ Drogat janë më të këqija sesa banditët e kohëve të shkuara. ATO I MARRIN QË TË DYJA»

[Kutia dhe figura në faqen 10]

A DO T’I THOTË ‘JO’ DROGËS FËMIJA YT?

CILËT ADOLESHENTË JANË MË NË RREZIK?

a. Ata që duan të tregojnë se janë të pavarur dhe se janë gati t’i marrin në sy rreziqet.

b. Ata që kanë pak interes për synimet që lidhen me arsimimin ose me aspektin shpirtëror.

c. Ata që u duket se janë në kontradiktë me shoqërinë.

d. Ata që nuk kanë ndonjë koncept të qartë për atë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar.

e. Ata që ndiejnë njëfarë mungese të mbështetjes prindërore dhe që nxiten nga shoqëria të marrin drogë. Studiuesit kanë vërejtur se «cilësia e marrëdhënies së adoleshentit me prindërit, duket se është faktori më i mirë mbrojtës kundër përdorimit të drogës».—Kursivi është yni.

SI MUND T’I MBRONI FËMIJËT TUAJ?

a. Duke pasur një marrëdhënie të ngushtë dhe komunikim të mirë me ta.

b. Duke rrënjosur tek ata një koncept të qartë të së drejtës dhe të së gabuarës.

c. Duke i ndihmuar të kenë pikësynime të qarta.

d. Duke i bërë të ndihen pjesë e një familjeje të dashur dhe e një shoqërie të përzemërt.

e. Duke i mësuar rreth rreziqeve të abuzimit me drogën. Fëmijët kanë nevojë të dinë qartësisht se përse duhet t’i thonë ‘jo’ drogës.

[Burimi]

Burimi: World Drug Report, i Kombeve të Bashkuara

[Figura në faqen 9]

Droga të konfiskuara në Gjibraltar

[Burimi]

Me mirësjelljen e Policisë së Gjibraltarit

[Figura në faqen 10]

Kisha një motobarkë si kjo, me të cilën mund t’i shpëtoja kollaj policisë

[Burimi]

Me mirësjelljen e Policisë së Gjibraltarit

[Burimi i figurës në faqen 9]

Godo-Foto

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo