«Ju lutem kaloni tortilat»
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË
MENDONI pak për një shpikje që shërben si «letër ambalazhimi, si lugë, si pjatë dhe si ushqim, të gjitha këto në të njëjtën kohë, dhe që shkon thuajse me çfarëdo ushqimi tjetër». Kështu e përshkroi specialisti në fushën e ushqimit, Hektor Burkes, një shpikje që ka kaluar nga një brez në tjetrin për mijëra vjet. Shumë njerëz e hanë ende atë çdo ditë. Kjo është tortila ose pitja meksikane, peta rrumbullake me miell misri, i cili është një element bazë i ushqimit meksikan.a
Shkrimet e lashta tregojnë se sa i rëndësishëm ishte misri për banorët e lashtë të Amerikës Qendrore. Ky drith, i kultivuar mijëra vjet më parë në atë vend që sot njihet si Meksika, ndihmoi që të bëhej i mundur zhvillimi i kulturave të mëdha të tilla, si: olmeke, maja, teotiuakane dhe meksika.
Nga misër në tortilë
Procedura bazë për të bërë tortilat është të përzjesh një masë kokrra misri që kanë arritur pjekjen me dy masa ujë, ku është tretur afërsisht 1 për qind gëlqere. Përzierja ngrohet derisa cipa e kokrrave të misrit të mbetet midis gishtërinjve. Për të ndalur procesin e ngrohjes shtohet ujë i ftohtë dhe përzierja lihet në qetësi gjithë natën.
Ditën tjetër kokrrat e zbutura, që tani quhen nikstamal, nxirren me dorë nga ena dhe vendosen në një enë tjetër, ku thahet lëngu që u ka mbetur. Nikstamali bluhet dhe pastaj shtohet kripë dhe ujë derisa përzierja bëhet një brumë i butë që quhet masa. Tradicionalisht, masa ndahet në dy toptha të vegjël, të cilëve u jepet me dorë forma e piteve rrumbullake dhe pastaj vendosen në një enë balte të nxehtë e të rrafshët. Kthehen një herë e pastaj edhe një herë tjetër. Në sipërfaqe fryhet një shtresë e hollë dhe, ja, tortila është gati.
Hapi i parë i kësaj metode, në të cilin shtohet gëlqere, ka dalë se është i dobishëm për parandalimin e disa problemeve shëndetësore. Në ç’mënyrë? Mungesa e një vitamine të quajtur niacinë shkakton pelagrën, një sëmundje që shoqërohet me dermatit, diarre e demencë dhe që mund të përfundojë me vdekje. Kjo sëmundje është e zakonshme midis njerëzve që jetojnë me misër dhe me ushqime që kanë pak ose aspak proteina.
Problemi qëndron në faktin që trupi nuk mund ta asimilojë niacinën e misrit. Gëlqerja, nga ana tjetër, e bën niacinën më të asimilueshme. Prandaj, tortila mund të jetë një arsye se përse pelagra nuk është një sëmundje e zakonshme në zonat e varfra të Meksikës, me përjashtim të disa rajoneve ku është zakon që nikstamali të shplahet për t’u zbardhur masa, gjë që largon niacinën.
Një rezultat tjetër i rëndësishëm që vjen nga shtimi i gëlqeres është rritja e përmbajtjes së kalciumit, i cili, veç të tjerash, është një element ushqyes i domosdoshëm për kockat dhe nervat. E, meqë po flasim për dobitë, tortilat janë edhe një burim mjaft i mirë fibrash, pasi për to përdoret miell misri i pasitur.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, a nuk do t’i quanit edhe ju tortilat një shpikje të madhe? Tani, ashtu si për çdo shpikje tjetër, duhet të vërejmë se në ç’mënyrë e përdorin atë ekspertët, me qëllim që të na shijojë sa më shumë.
Tradita
Në shekullin e 16-të, murgu Bernardino de Sahagún tregonte për mënyrën se si shërbeheshin tortilat: ‘Tortilat ishin të bardha, të ngrohta e të palosura. Ato vendoseshin në një shportë dhe mbuloheshin me copë të bardhë.’
Pas shumë shekujsh, gjërat kanë ndryshuar fare pak. Tortilat ende shërbehen të ngrohta, zakonisht në një shportë dhe të mbuluara me një copë të pastër. Gjithashtu, si edhe në kohët e shkuara, ka shumë lloje tortilash: të bardha, të verdha, blu e të kuqërremta. Ato, ashtu si në të kaluarën, bëhen në madhësi të ndryshme. E, pa dyshim, shumica e meksikanëve kanë përditë tortila në vaktin e drekës dhe ka shumë të ngjarë që t’i kenë edhe për mëngjes e për darkë.
Mbi tryezë vendoset një shportë plot me tortila për tërë familjen. Secili në tavolinë kujdeset që tortilat të qëndrojnë të ngrohta deri në fund të vaktit. Prandaj, çdo person që i zbulon tortilat merr vetëm një dhe pastaj e rregullon përsëri copën, për të mbuluar të tjerat. Ndërkohë që njerëzit janë ende në tryezë dhe që duan akoma tortila, pavarësisht se për ç’argument po bisedojnë, dëgjohet shpesh shprehja «ju lutem kaloni tortilat».
Në këtë moment mund të jeni duke pyetur veten: ‘A bëjnë përditë në shtëpi tortila amvisat meksikane?’ Shumica jo. Që nga viti 1884, janë shpikur makineri për ta automatizuar këtë procedurë. Shumë amvisa, veçanërisht në fshatra, i bëjnë ende me dorë tortilat. Por shumica e meksikanëve i blejnë tortilat në ndonjë dyqan tortilash, ku një makineri mund të prodhojë 3.000 deri në 10.000 të tilla në orë.
Shpesh është detyra e fëmijëve që tamam përpara një vakti të blejnë tortilat. Kështu që aroma, zhurma dhe ngrohtësia që dalin nga makineria e tortilave kanë ngelur në kujtimet e fëmijërisë së shumicës së meksikanëve. Kjo është e vërtetë madje edhe për familjet e varfra, pasi çmimi i tortilave është mjaft i ulët. Është në fakt ashtu siç thotë dr. Burkes, që e cituam më sipër, «diçka vërtet e leverdishme, të cilën e trashëguam nga paraardhësit tanë».
Kështu pra, nëse provoni tortilën, do të jeni duke përjetuar pakëz nga historia e një populli. E mos harroni: Sa herë që të keni dëshirë, mund të ndiheni i lirë të thoni: «Ju lutem kaloni tortilat.»
[Shënimi]
a Ndonëse në disa zona të Meksikës konsumohen edhe tortilat me miell gruri, ndikimi i tyre në kulturën meksikane është i kufizuar.
[Figurat në faqen 22]
Bërja e tortilave me dorë