Rrjeta peshkimi kineze në Indi
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË INDI
NË BREGDETIN perëndimor të Indisë, 250 kilometra nga pika më jugore e nënkontinentit indian, gjendet qyteti i Kokit, i njohur në të kaluarën si Kokini. Brigjeve, përgjatë të dyja anëve të gjuhëzës së detit që formohet nga baticat, radhiten rrjeta peshkimi të pazakonta e të varura të stilit kinez. Si kanë arritur deri këtu?
Kinezët kanë jetuar në këtë rajon qysh nga shekulli i tetë i e.s. e më pas dhe mendohet se disa tregtarë kinezë të oborrit të Kublai Kanit qenë të parët që sollën rrjeta të këtij lloji në Kokin para vitit 1400. Në ujërat përreth Kokinit, afër bregut, mund të zihet shumë peshk. Kështu, këto mjete të gjata peshkimi, të drejtuara nga njeriu, bënë goxha punë për më shumë se një shekull, derisa arabët i dëbuan kinezët nga vendi.
Me largimin e kinezëve u zhdukën edhe rrjetat. Por aty nga fillimi i shekullit të 16-të, arabëve ua zunë vendin portugezët. Duket se qenë portugezët ata që i futën sërish këto rrjeta në Kokin, duke i sjellë nga ishulli Makao, që asaj kohe ishte koloni e Portugalisë, në juglindje të Kinës.
Ndonëse kjo ide është e lashtë me shekuj, rrjetat kineze e kryejnë ende mirë punën e tyre, me ndonjë ndryshim të vogël e të rrallë në mënyrën se si janë ndërtuar ose se si funksionojnë. Ato vazhdojnë t’u sigurojnë jetesën shumë peshkatarëve dhe ushqim shumë njerëzve. Në fakt, sasia e peshkut që zihet në një rrjetë mund të ushqejë një fshat të tërë. Por, përveçse të efektshme, rrjetat janë edhe të bukura, sidomos kur silueta e tyre elegante spikat në sfondin e qiellit të artë të mëngjesit ose të mbrëmjes.
Si funksionojnë?
Rrjetat gjigante kineze janë të pajisura me një bosht dhe disa kundërpesha për të baraspeshuar ngarkesën e rrjetës dhe të peshkut të zënë. Kur nuk janë në përdorim, rrjeta dhe skeleti i saj mbështetës qëndrojnë varur mbi ujë. Peshkimi fillon herët në mëngjes dhe zgjat katër a pesë orë. Rrjetat ulen me kujdes në ujë. Këtë punë e bëjnë ose peshkatarët, duke rregulluar peshat e vëna në anën e kundërt të sistemit ekuilibrues, ose kapiteni i skuadrës së peshkimit, duke ecur nëpër boshtin qendror të rrjetës. Rrjeta lihet nën ujë për 5 deri në 20 minuta dhe pastaj ngrihet me kujdes, duke mbledhur kështu peshq që notojnë në afërsi të bregut. Nga vite të tëra përvoje, kapiteni e di se kur është momenti i saktë për të tërhequr rrjetën.
Pasi kapiteni jep sinjalin, pjesa tjetër e ekuipazhit prej pesë ose gjashtë burrash ngre rrjetën, duke ulur poshtë litarët në të cilët janë lidhur gurët e zallit, që shërbejnë si kundërpesha. Ndërsa rrjeta ngrihet pak nga pak, cepat e rrjetës janë të parat që duken në sipërfaqe. Kështu, rrjeta merr formën e një tasi me peshq brenda. Sa të emocionuar ndihen peshkatarët! Pas një peshkimi të mbarë, ata i rrahin shpatullat njëri-tjetrit për të treguar gëzimin e tyre. Më vonë peshku do të nxirret në ankand për ta blerë tregtarët, amvisat edhe turistët e rastit.
Kinezët, arabët e portugezët kanë ardhur e kanë shkuar. Por rrjetat kineze vazhdojnë të ulen e të ngrihen në ujërat e Kokit, tamam siç ndodhte më shumë se 600 vjet përpara.
[Harta në faqen 31]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Koki
[Burimi]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.