Mbroni veten dhe ata që doni
INTERNETI mund të jetë një mjet i dobishëm. Por, ashtu si me shumicën e mjeteve, edhe me të mund të abuzohet. Kiberpornoja—pornografia në kompjuter—është një shembull i këtij abuzimi.
Duke e ditur se ç’fuqi mund të ketë një pamje, prindërit duhet të bëjnë çmos që vendndodhjet e padëshirueshme në Internet të mos jenë në dispozicion të fëmijëve. Në broshurën Teen Safety on the Information Highway, e cila jep informacione të rëndësishme rreth kësaj çështjeje, thuhet: «Tani ka shërbime që i klasifikojnë vendndodhjet në rrjet sipas përmbajtjes së tyre, si edhe programe e ‘browser’ (programe për kërkime në Internet) përzgjedhës, të cilët u japin mundësi prindërve të bllokojnë ato lloj vendndodhjesh që i konsiderojnë të papërshtatshme. Këto programe punojnë në mënyra të ndryshme. Disa bllokojnë vendndodhje që dihet se përmbajnë material të padëshirueshëm. Disa nuk i lejojnë përdoruesit që të japin lloje të caktuara informacioni, si për shembull, emrin dhe adresën e tyre. Programe të tjera i mbajnë fëmijët larg dhomave të bisedës ose kufizojnë mundësinë e tyre për të dërguar a për të lexuar postë elektronike. Zakonisht prindi mund të rregullojë që këto programe të bllokojnë vetëm ato lloj vendndodhjesh të cilat i konsideron të padëshirueshme.»—Shih edhe kutinë «Të mbrojmë fëmijët nga pornografia».
Duhet pranuar, gjithsesi, se prindërit mund t’i eliminojnë vetëm deri në njëfarë mase vendndodhjet e padëshirueshme që mund të shohin fëmijët e tyre. Ata nuk mund t’u rrinë fëmijëve mbi kokë çdo minutë. Gjithashtu, një fëmijë ose një i ri që nuk ka mundësi të shohë pornografi në shtëpi, mund ta ketë atë në dispozicion, thuajse pa asnjë kufizim, në ndonjë kompjuter në shkollë ose në shtëpinë e një shoku. Prandaj, përveçse të bëjnë çmos për të bllokuar mundësitë që fëmijët të shohin pornografi, prindërit duhet t’i ndihmojnë ata që të zhvillojnë një ndërgjegje të ndjeshme, e cila do t’i nxitë që t’i kthejnë krahët pornografisë pa qenë nevoja t’u thotë dikush.
Do të ishte gabim të arrihej në përfundimin se të rriturit janë më në gjendje se fëmijët për të parë pornografi. Siç e kemi parë në artikullin e kaluar, pornografia nuk i bën mirë askujt!
Megjithatë, le të supozojmë sikur keni parë për njëfarë kohe pornografi. E kuptoni se ajo që po bëni nuk i pëlqen Perëndisë dhe dëshironi ta hiqni këtë zakon. A mund t’ia dilni mbanë? Po, mundet. Njerëzit heqin përditë vese të ndryshme. Nëse doni vërtet të liroheni nga pornografia, mund t’ia dilni.
Nëse doni të liroheni
Hapi i parë është të ndërpritni shikimin e pornografisë: menjëherë! Sa më shumë të pritni, aq më e vështirë do të jetë të largoheni. Megjithatë, të thuash se do të heqësh dorë është më e lehtë sesa ta bësh. Bibla, në mënyrë realiste, vëren se mëkati mund të jetë përkohësisht i kënaqshëm. (Hebrenjve 11:25) Por mëkati, gjithashtu, mund të çojë në vdekje. (Romakëve 6:23) Fillimisht, mund ta shihni veten duke nxjerrë gjithfarësoj justifikimesh për të parë pornografi edhe një herë. Mos e dëgjoni veten! Dhe mos u dorëzoni para tundimit që të vazhdoni të shihni!
Siç u përmend më parë në këtë seri, shikimi i pornografisë mund ta dëmtojë seriozisht jetën tuaj. Hidhini një vështrim realist mënyrës se si po ndikon ky zakon në marrëdhëniet tuaja me familjen dhe me miqtë. A jeni bashkëshort dhe baba? Ka të ngjarë që gruaja dhe fëmijët të kenë vërejtur disa ndryshime në sjelljen tuaj. Që kur keni filluar të shikoni pornografi, mund të jeni bërë më tekanjoz, më i ngrysur, më i heshtur ose më i mbyllur, ndoshta, madje, pa qenë të vetëdijshëm për këtë gjë. Nganjëherë mund t’u zbrazeni pjesëtarëve të familjes pa ndonjë arsye. Nëse po shikoni materiale pornografike, ka të ngjarë që sjellja juaj po e pasqyron këtë. Miqtë dhe pjesëtarët e familjes kanë vërejtur se diçka nuk shkon. Thjesht nuk e dinë ç’është kjo—edhe për ca kohë!
Nëse e shihni veten vazhdimisht të tërhequr ndaj pornografisë, mos u përpiqni të luftoni i vetëm. Kërkoni ndihmë. Hapjuni një miku me përvojë. Vërtet, kërkohet kurajë nga ana juaj që ta pranoni se keni një problem me pornografinë, por një mik i pjekur ka mundësi t’ju admirojë që po merrni iniciativën të hiqni dorë prej saj.
Dëshira e thellë për t’i pëlqyer Perëndisë është, pa dyshim, arsyeja më e fortë për të luftuar pornografinë. Kur vazhdojmë të mbajmë një sjellje të virtytshme, gëzojmë zemrën e Perëndisë. (Fjalët e urta 27:11) Kur ndjekim një sjellje të gabuar, bëjmë që ai të ‘brengoset në zemër’. (Zanafilla 6:6) Nëse jeni i krishterë, pa dyshim që ju interesojnë shumë ndjenjat e Perëndisë. Duhet t’ju interesojë shumë edhe mënyra se si e përdorni mendjen dhe zemrën tuaj, të cilat i janë dedikuar Perëndisë dhe duhen mbajtur të pastra për shërbimin e tij. (Ezekieli 44:23) Bibla i nxit të krishterët që ta pastrojnë veten nga ‘çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojnë shenjtërimin e tyre në druajtjen e Perëndisë’. (2 Korintasve 7:1) Vërtet, një druajtje e shëndetshme se mos i shkaktoni pakënaqësi Perëndisë, i cili sheh gjithçka, mund t’ju motivojë të hiqni dorë nga pornografia.
Por, ta zëmë se ndërkohë që luftoni për të hequr dorë, hapni rastësisht një vendndodhje në rrjet që paraqet pornografi. Largohuni menjëherë nga vendndodhja! Nëse është e nevojshme, mbyllni programin «browser» të Internetit! Në rast se ndiheni i tunduar të riktheheni, drejtojuni Perëndisë me lutje të zjarrtë, duke i kërkuar ndihmë për t’i rezistuar tundimit. «Në çdo gjë,—thotë Bibla,—ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë.» Në rast se ju mundojnë mendime të pahijshme, lutuni derisa të çliroheni prej tyre. Atëherë ‘paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrën tuaj dhe mendjen tuaj’. (Filipianëve 4:6, 7) Sigurisht, do t’ju duhet t’i zëvendësoni mendimet e pashëndetshme me mendime që janë ‘të vërteta, të ndershme, të drejta, të pastra, të dashura dhe me famë të mirë’.—Filipianëve 4:8.
Mund të jetë e dobishme të ngulitni në mendje dhe të meditoni rreth disa vargjeve biblike, si këto më poshtë.
«Ju që e doni Zotin, urreni të keqen!»—Psalmi 97:10.
«E qëlloj me grushta trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që pasi t’u kem predikuar të tjerëve, unë vetë të mos bëhem në ndonjë mënyrë i pamiratuar.»—1 Korintasve 9:27, BR.
«Bëni të vdesin, pra, gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, papastërtinë, urinë seksuale.»—Kolosianëve 3:5, BR.
«Secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder, jo me pasione epshi.»—1 Thesalonikasve 4:4, 5.
«Kushdo që shikon [vazhdon të shikojë, BR] një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.»—Mateu 5:28.
«Burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten.»—Efesianëve 5:28.
Ka shumë arsye për të shmangur pornografinë. Ajo mund të ketë një ndikim të madh në jetën tuaj, mund t’ju shtrembërojë gjykimin, mund të dëmtojë marrëdhëniet tuaja me të tjerët dhe, ç’është më e rëndësishmja, mund të shkatërrojë marrëdhënien tuaj me Perëndinë. Nëse nuk e keni bërë zakon të shikoni pornografi, mos filloni. Nëse e keni bërë zakon, hiqni dorë menjëherë! Qoftë e paraqitur në një libër, qoftë në një revistë, qoftë në kompjuter, pornografia s’është për të krishterët. Shmangeni atë me çdo kusht!
[Kutia dhe figura në faqen 9]
Të mbrojmë fëmijët nga pornografia
Sugjerimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë t’i mbroni fëmijët tuaj nga rreziqet e pornografisë në Internet.
● Mos lejoni që fëmija të lidhet me Internetin në dhomën e vet. Çdo kompjuter të lidhur me Internetin vendoseni në një dhomë ku mund të hyjnë kollaj të gjithë pjesëtarët e familjes.
● Njihuni me programet kompjuterike që përdor fëmija.
● Kontrolloni nëse fëmija juaj ka krijuar vendndodhjen e vet në rrjet pa dijeninë tuaj. Për ta bërë këtë, përpiquni të kërkoni emrin e tij në programet për kërkim, të cilat kontrollojnë tërë Internetin. Shkruajeni emrin e tij të plotë brenda thonjëzave, për të mos hapur ndonjë vendndodhje të panevojshme.
● Mos e lejoni fëmijën të caktojë një takim vetëm për vetëm me një tjetër përdorues kompjuteri të cilin nuk e njihni.—Shiko kutinë «Më shumë se llomotitje kot».
● Mos iu përgjigjni kurrë mesazheve ose pikave të një stende elektronike, të cilat janë të pahijshme, të turpshme, me frymë ndërluftuese ose kërcënuese.
● Paralajmërojini fëmijët tuaj rreth materialeve të papërshtatshme në Internet. Mësojini të bëhen mbikëqyrës të vetvetes kur ju të mos jeni aty. Mos harroni se kompjuterat në shkollë ose në shtëpinë e ndonjë shoku mund të mos i mbrojnë fëmijët nga pornografia.
[Burimi]
Material i bazuar pjesërisht në Child Safety on the Information Highway dhe në një artikull të Los Angeles Times, 5 korrik 1999.
[Kutia dhe figura në faqen 10]
Më shumë se llomotitje kot
Kur përdoret një dhomë bisede në kompjuter, duhet treguar kujdes i jashtëzakonshëm. Një dhomë bisede është një mjet që u jep mundësi përdoruesve të Internetit të komunikojnë me njëri-tjetrin. Sigurisht, shumë njerëz komunikojnë me miqtë e afërt nëpërmjet postës elektronike. Disa që jetojnë larg pjesëtarëve të familjes, kanë mundësi që në këtë mënyrë të mbajnë kontakt të rregullt me ta. Por tjetër gjë është t’i dërgosh postë elektronike dikujt që e njeh, dhe tjetër të bësh muhabet me dikë që s’e njeh. A do ta shkoje nëpër mend t’i bije kuturu një numri telefoni e pastaj të bëheshe mik me këdo që të përgjigjej në telefon? Patjetër që jo! Atëherë, pse të krijosh lidhje nëpërmjet Internetit me një person krejtësisht të panjohur?
Një nga problemet e komunikimit me një të panjohur është se personi mund të mos jetë ai që duket se është. Mund të jetë, për shembull, një pedofil që shpreson të përfitojë nga ndonjë fëmijë a nga ndonjë i ri naiv.
Pari Aftab, një avokat i specializuar në çështjet që kanë të bëjnë me Internetin, shpjegoi se sa e lehtë mund të jetë kjo. Ai vërejti: «Zakonisht, fëmijët hyjnë në dhomat e bisedës. Pedofilët rrinë në pritë të kësaj, ndjekin bisedat që bëhen dhe gjejnë ata fëmijë që janë të vetmuar. Një fëmijë mund të dërgojë mesazhe të tilla, si: ‘Prindërit e mi po divorcohen . . . E urrej mamanë time; nuk ma blen kurrë atë lojë kompjuteri që dua.’ . . . Pedofili përgjigjet dhe thotë: ‘Prindërit e mi po divorcohen . . . E urrej mamanë time . . . Nuk mund ta kem kurrë lojën që dua, derisa ma jep xhaxha Timi. . . . Gjithçka që duhet të bësh është të shkosh te kompleksi i dyqaneve dhe të takosh xhaxha Timin.’ » «Xhaxha Timi» është faktikisht pedofili në kërkim të presë.
Prandaj, prindërit duhet të mbajnë një marrëdhënie të ngrohtë e të dashur me fëmijët e tyre. Mbajini të hapura linjat e komunikimit, në mënyrë që fëmijët tuaj të mos e ndiejnë nevojën për të kërkuar mbështetje emocionale në vende të gabuara.
Të rriturit që janë të vetmuar ose që kanë një martesë jo të lumtur nuk duhet t’u drejtohen dhomave të bisedës në kompjuter për mbështetje emocionale. Është e rrezikshme t’u drejtohesh personave të panjohur. Disa të rritur kanë lënë bashkëshortët e tyre për dikë që e kanë «takuar» në Internet.a
[Shënimi]
a Për informacione të mëtejshme rreth dhomave të bisedës në kompjuter, ju lutemi të shikoni artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si mund t’i shmang rreziqet në Internet?» në numrin e Zgjohuni! të 22 janarit 2000, anglisht.
[Figura në faqen 8]
Lutja mund të ndihmojë për t’i rezistuar tundimit