BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 10/00 f. 13-15
  • Ç’ndodhi vallë me «punën e përhershme»?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ç’ndodhi vallë me «punën e përhershme»?
  • Zgjohuni!—2000
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Vendi i punës në ndryshim
  • Pasojat e papëlqyeshme
  • Të mbijetojmë nga papunësia
  • Çfarë i bën të rrezikshme vendet e punës?
    Zgjohuni!—2002
  • Si mund të gjej (dhe të ruaj) një vend pune?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
  • Jehovai kurrsesi nuk do të të lërë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Parime nga Bibla që mund të të ndihmojnë kur humb punën
    Tema të tjera
Shih më tepër
Zgjohuni!—2000
g 10/00 f. 13-15

Ç’ndodhi vallë me «punën e përhershme»?

GRAHAMIa kishte 37 vjet që punonte për një firmë të madhe australiane. Nga fundi i të 50-ave, e njoftuan befas se pas disa javësh do ta pushonin nga puna, meqë shërbimet që kryente ai nuk nevojiteshin më. Mund ta kuptojmë hutimin e tij, që shprehte habi dhe shqetësim të thellë për mirëqenien e tij të ardhshme. ‘Ç’ndodhi vallë me «punën e përhershme», që mendoja se ishte e sigurt derisa të arrija në moshën e pensionit?’​—bluante me vete Grahami.

Sigurisht, të humbasësh punën nuk është as diçka e pazakontë e as diçka e re. Gjithsesi, numri i madh i njerëzve që humbasin punën në shkallë mbarëbotërore është diçka e re për brezin e tanishëm të punonjësve. Pa dyshim që ka shumë arsye përse dikush mund të humbasë punën, por një nga kryesoret është, me sa duket, ajo që quhet shkurtim. Çfarë janë shkurtimet dhe si lindën?

Vendi i punës në ndryshim

Sot ekonomitë janë bërë gjithnjë e më globale. Kjo u kuptua veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, nga fundi i viteve 70 të shekullit të 20-të, kur firmat vërejtën se një numër gjithnjë e më i madh konsumatorësh po blinin makina, pajisje elektronike dhe shumë mallra të tjera që prodhoheshin jashtë vendit.

Duke u përpjekur të bëheshin konkurruese dhe të ulnin koston e prodhimit, firmat amerikane filluan të pakësonin numrin e punëtorëve dhe të përmirësonin metodat e pajisjet. Teknika që u përdor për të pakësuar fuqinë punëtore u bë e njohur me emrin ‘shkurtime’. Ky proces është përshkruar si «pakësim i numrit të fuqisë punëtore të një shoqërie, zakonisht nëpërmjet kombinimit të pezullimeve nga puna, nxitjeve për të dalë para kohe në pension, transferimeve dhe zvogëlimit të natyrshëm të numrit të punonjësve».

Për disa vjet, nga shkurtimet u prekën kryesisht punëtorët. Por nga fundi i viteve 80 dhe fillimi i viteve 90, ky proces filloi të përfshinte një numër gjithnjë e në rritje nëpunësish, sidomos kuadro drejtues të shtresës së mesme. Kjo rrymë preku shpejt të gjitha vendet e industrializuara. E ndërsa presioni financiar vazhdonte, administratat shtetërore dhe punëdhënës të tjerë përpiqeshin të ulnin koston me anë të shkurtimeve të mëtejshme.

Për shumë punonjës, siguria e punës nuk ekziston më. Drejtuesi i një sindikate thotë: «Njerëz që kanë shërbyer me besnikëri për 10, 15 a 20 vjet, kanë parë të griset kontrata e tyre e sigurt dhe janë flakur jashtë.» Në librin e saj Healing the Downsized Organization, Deloríz Ambroz shpjegon se në vitin 1956 u krijua termi «njeri i organizimit», për të përshkruar punonjësin tipik. Ajo shton: «Pavarësisht nëse ishte sindikalist a drejtues, ai ia përkushtonte mirëqenien ekonomike, jetën shoqërore dhe besnikërinë e tij shoqërisë ku punonte, në shkëmbim të sigurisë​—punës së përhershme. Duket qartë që në korporatën moderne kjo marrëveshje është shkelur.»

Miliona punëtorë anembanë botës kanë humbur punën si rezultat i shkurtimeve dhe asnjë grup punonjësish nuk ka shpëtuar pa u cenuar. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, numri i punonjësve të prekur ka qenë mjaft i madh: miliona njerëz kanë humbur punë të qëndrueshme. Shkurtime të ngjashme kanë ndodhur edhe në shumë vende të tjera. Por këto statistika të thata në vetvete nuk përcjellin vuajtjen njerëzore që fshihet pas tyre.

Pasojat e papëlqyeshme

Grahami, i përmendur në fillim të këtij artikulli, tha: «Pëson një dëmtim të vërtetë psikologjik.» Ai e krahasoi pushimin e tij nga puna me «një sëmundje ose me një përplasje që të mavijos».

Kur besnikëria nuk shpërblehet, njerëzit ndihen të tradhëtuar, pasi sakrificat që kanë bërë për kompaninë s’janë vlerësuar. Besimi humbet, sidomos kur shumë kuadro të lartë marrin shpërblime të bollshme për shkurtimin e kompanisë. Për më tepër, për shkak të humbjes së beftë të të ardhurave të rregullta, janë në rrezik mundësitë e të papunit që të paguajë hipotekën a huatë e tjera, kujdesin shëndetësor për pjesëtarët e familjes dhe tarifën e shkollimit. Gjithashtu, mund të jetë e vështirë që të ruajë mënyrën e tij a të saj të jetesës, ndjekjen e pasionit për diçka dhe zotërimet materiale. Kjo gjë çon në ndjenja dëshpërimi dhe pavlefshmërie.

Përderisa puna e qëndrueshme dhe domethënëse i kontribuon mjaft ndjenjës se jemi të vlefshëm, të imagjinojmë pasojat shkretuese të papunësisë tek ata që janë të gjymtuar, të paaftë a në moshë të shtyrë. Një sondazh i kryer në Australi zbuloi se personat e moshës 45 deri në 59 vjeç kishte më shumë të ngjarë të bëheshin shënjestër e pushimeve nga puna. Gjithsesi, kjo është grupmosha që e ka më të vështirë të përshtatet me këtë ndryshim.

A ka alternativa? Punësimi me orar të reduktuar ose puna me pagë më të ulët patjetër që është më e mirë sesa papunësia. Megjithatë, kjo mund të çojë në një standard më të ulët jetese. Gjithashtu, është zbuluar se vetëm afro një e treta e punëtorëve të pezulluar nga puna gjejnë më vonë punë që paguhet po aq mirë sa e mëparshmja. Kjo gjë shton stresin në jetën familjare.

Madje edhe punësimi tjetër ka të ngjarë të mos sjellë paqe mendore. Kjo ndodh sepse pritja për ta humbur punën në të ardhmen ushtron një ndikim tinëzar, por gjithsesi gërryes. Në librin Parting Company thuhet: «Të parashikosh se do të humbasësh punën është si të zgjedhësh mënyrën më të mirë për t’u goditur nga një kamion. Në fakt, rrallë ndodh të të shkojë ndër mend qoftë edhe ideja më e vogël, sepse zakonisht ti nuk e sheh kamionin​—ose shkurtimin nga puna​—para se të të rrëzojë.»

Si ndikon papunësia te të rinjtë? Pas një sondazhi të drejtuar nga një seksion i arsimit dhe i shkencës, u bë kjo vërejtje: «Një nga provat kryesore të dukshme se kishe arritur moshën madhore ishte sigurimi i punësimit në kohë të plotë, i cili sinjalizonte fillimin e jetës ‘së vërtetë’ si i rritur, në një botë të rriturish dhe sipas standardeve të të rriturve, me pavarësinë financiare që vinte si rezultat.» Ndaj, nëse mendohet që punësimi sinjalizon fillimin e jetës së vërtetë si i rritur, papunësia mund të jetë rrënuese për të rinjtë.

Të mbijetojmë nga papunësia

Përballimi i humbjes së punës është krahasuar me ecjen përmes një fushe të minuar. Libri Parting Company veçon ndjenjat që përjetohen më dendur, si: zemërimi, turpi, frika, trishtimi dhe vetëmëshirimi. Të mposhtësh këto ndjenja është diçka e vështirë. Autori vëren: «Të është dhënë një caktim i vështirë: të përcaktosh të ardhmen tënde. Nuk e ke kërkuar këtë caktim, ndoshta nuk di se si të bësh dhe fare papandehur mund të ndihesh krejt i pandihmë.» Veç kësaj, një nga problemet më të vështira që has i papuni është t’i tregojë familjes për pushimin e beftë nga puna.

Megjithatë, ka disa mënyra praktike për ta përballuar goditjen e shkurtimit nga puna. Para së gjithash, bëni menjëherë shkurtime në mënyrën e jetesës, duke planifikuar dhe duke bërë një jetë më të thjeshtë nga ç’jeni mësuar në të kaluarën.

Më poshtë janë disa sugjerime që mund t’ju ndihmojnë t’i bëni ballë situatës, edhe sikur mos ta zgjidhin atë krejtësisht. Së pari, pranoni që në këto kohë humbja e papritur e punës është një realitet. Ndaj, pavarësisht nga mosha dhe përvoja juaj, planifikoni që më përpara për këtë mundësi në mënyrën se si e jetoni jetën.

Së dyti, jini të kujdesshëm të mos merrni ndonjë borxh të madh për gjëra që s’janë të domosdoshme për ushqimin, veshjen dhe strehimin. Jetoni brenda mundësive tuaja dhe mos pandehni t’i shlyeni borxhet me të ardhurat që pritni nga ngritjet në pozitë ose nga rritjet e rregullta të rrogës. Mesazhi i ekonomisë së sotme është që mund të mos ekzistojë një e ardhme afatgjatë, tek e cila të mbështeteni.

Së treti, kërkoni mënyra për ta thjeshtësuar jetën dhe për të zvogëluar angazhimet ekzistuese financiare. Kjo përfshin të lirohesh nga ato detyrime financiare që s’janë të domosdoshme për një jetë të shëndetshme dhe të thjeshtë në mënyrë të arsyeshme.

Së katërti, rishikoni synimet tuaja për jetën, si ato frymore, ashtu edhe ato shekullare, dhe përditësojini. Pas kësaj mund të peshoni të gjitha vendimet duke i ballafaquar me synimet dhe të përcaktoni se si do të ndikojnë ato në jetën tuaj.

Së fundi, mos e shikoni me dëshirim stilin e jetës së personave të tjerë në zonën tuaj, të cilët nuk kursejnë dhe aq shumë, në mënyrë që të mos filloni të dëshironi gjërat që kanë ata dhe të josheni për të ndjekur mënyrën e tyre të jetesës.

Këto janë disa sugjerime që mund t’ju ndihmojnë ju dhe familjen tuaj të shmangni lakun e mbështetjes te pasuritë e pasigurta në një botë shumë të pasigurt dhe t’i kurseni vetes shumë prej anktheve që shkaktojnë mënyrat e sotme të jetesës.

Ish-bankieri Feliks Rohatin tha: «Ka diçka rrënjësisht të gabuar në shoqërinë tonë, kur papunësia e një njeriu sjell pasurimin e një njeriu tjetër.» Kaq rrënjësisht i gabuar është ky sistem, saqë së shpejti do të zëvendësohet me një botë ku shprehja «punë e përhershme» do të marrë kuptim përtej asaj që imagjinojmë sot.​—Isaia 65:17-24; 2 Pjetrit 3:13.

[Shënimi]

a Emri është ndryshuar.

[Diçitura në faqen 14]

‘Ka diçka rrënjësisht të gabuar kur papunësia e një njeriu sjell pasurimin e një njeriu tjetër.’

[Figura në faqen 15]

Kërkoni mënyra për ta thjeshtësuar jetën

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo