Një vështrim rreth botës
Anglezët dhe koha e lirë
Siç raportohet në gazetën Times të Londrës, në vitin 1999, për të parën herë, një anglez i zakonshëm shpenzoi më shumë për zbavitje, sesa për «ushqimin, shtëpinë ose çfarëdo gjëje tjetër të veçantë, nga buxheti javor i familjes». Në vitin 1968, vetëm 9 për qind të shpenzimeve totale të familjes iknin për kohën e lirë, në krahasim me 17 për qind sot. Konsulenti i konsumatorëve, Martin Hejuard, thotë: «Duke qenë se tani jemi të gjithë shumë më në gjendje sesa, të themi, 30 vjet më parë, mjaft gjëra që blihen për kohën e lirë, të cilat mund të konsideroheshin dikur si një luks, tani konsiderohen nga pjesa dërrmuese e njerëzve si një domosdoshmëri jetike. Të shkosh me pushime konsiderohet sot nga shumica e njerëzve si një ‘nevojë’, jo thjesht si një ‘dëshirë’. Disa, madje, e konsiderojnë një nevojë bazë të marrësh pushime tri herë në vit.» Familjet harxhojnë katër herë më shumë kohë me videot, aparatet akustike, televizorin dhe kompjuterin, se ç’harxhonin në vitin 1968. Në fakt, një familje në 10 është e lidhur me Internetin dhe 1 në 3 ka kompjuter.
Një sy gjumë që të përtërin
Sipas The New York Times, zakoni që t’i varësh shpresat te kafeina për të mposhtur përgjumjen në fillimin e pasdites mund të jetë antiproduktiv. «Konsumimi i kafeinës do të pasohet nga ndjenja plogështie,—thotë dr. Xhejms Mas, ekspert në fushën e gjumit, në Universitetin Kornell.—Një deficit në depozitën e gjumit nuk zvogëlohet me nxitës artificialë.» Në vend që të pushojmë për të marrë një kafe, Mas rekomandon të marrim një sy gjumë, gjë që, siç thotë ai, «e rrit mjaft aftësinë për t’u kushtuar vëmendje hollësive dhe për të marrë vendime të rëndësishme». Në Times vërehet se një sy gjumë për pak kohë në mesditë, më pak se 30 minuta, mund të rigjallërojë energjitë e një personi, pa e bërë të vështirë zgjimin dhe pa e penguar të bëjë një gjumë të mirë natën. «Të marrësh një sy gjumë është diçka që s’duhet hedhur poshtë,—thotë Mas.—Duhet të ketë vendin e një ushtrimi të përditshëm.»
Pambuku rritet mbi delet?
Sipas një sondazhi të kohëve të fundit të drejtuar nga Këshilli Evropian i Fermerëve të Rinj, «50 për qind e fëmijëve të BE-së [Bashkimit Evropian] nuk dinë se nga merret sheqeri, tre të katërtat . . . nuk dinë se nga merret pambuku e ndër këta më shumë se një e katërta mendojnë se ai rritet mbi delet». Veç kësaj, 25 për qind e fëmijëve nëntë dhe dhjetëvjeçarë në Britani e në Holandë besojnë se portokallet dhe ullinjtë rriten në vendet e tyre. Kontakti kryesor i fëmijëve me prodhimet bujqësore nuk është ferma, por supermarketet dhe ata mësojnë rreth bujqësisë kryesisht në shkollë. Këto mund të jenë ndër arsyet përse sot shumë fëmijë në Evropë nuk i tërheq bujqësia ose blegtoria si profesion. «Mesatarisht,—deklaron këshilli,—vetëm 10 për qind të fëmijëve të BE-së do t’u ‘pëlqente shumë’ të bëheshin fermerë në të ardhmen.»
Miqësi në rrezik
Ditët më të gjata të punës, udhëtimet më të shpeshta të biznesit dhe zbavitjet elektronike «që na mbajnë të lidhur thuajse me gjithçka tjetër, përveçse me njerëzit e tjerë», po u kushtojnë shumë miqësive personale, raportohet në The Wall Street Journal. «Kalimi i kohës me miqtë nuk shihet si diçka e rëndësishme, por si një kënaqësi e mundshme që i vjedh orët e pakta një programi tashmë të ngjeshur»,—vërehet në gazetë. Por, siç thotë sociologu Jin Jeigër, ata që i lënë pas dore miqësitë mund të gjenden «pa askënd pranë» kur godasin tragjedi familjare. Nga ana tjetër, me sa duket studimet tregojnë se ata që kanë miq të mirë, zakonisht kanë më pak stres e sëmundje dhe, madje, mund të jetojnë më gjatë. «Çelësi,—vërehet në Journal,—është të kuptosh që mbajtja e miqësive kërkon përpjekje shtesë, ashtu siç duhen përpjekje për të ekuilibruar punën me jetën familjare.»
Fëmijë mbipeshë
«Dhjamosja është një nga problemet më serioze shëndetësore që përballojnë të rinjtë e Azisë»,—vëren dr. Çuang Le Çi, drejtues i shoqatës së dietologëve të Tajpeit, në Tajvan. Përqindja e fëmijëve mbipeshë në shumë pjesë të Azisë, siç raportohet në Asiaweek, është e lartë, sidomos ndër djemtë në zonat qytetëse. Një studim i kohëve të fundit i kryer në Pekin zbuloi se atje më shumë se 20 për qind e nxënësve të shkollave tetëvjeçare e të mesme janë mbipeshë. Duket se të rinjtë aziatikë, siç thuhet në artikull, harxhojnë gjithnjë e më shumë kohë duke parë televizor dhe duke luajtuar me video-lojëra. Ç’duhet bërë? Sipas Asiaweek, zgjidhja nuk gjendet edhe aq në kufizimin e sasisë së ushqimit që hanë fëmijët, por, përkundrazi, në kombinimin e ushtrimeve të rregullta me një dietë të shëndetshme—një dietë të përqendruar te frutat e perimet, në vend se te gjërat hafife të yndyrshme. Dr. Çuang vëren më tej se ta bësh aktivitetin fizik diçka të këndshme është çelësi për të pasur sukses. Por nëse s’ndryshohen zakonet, thuhet në artikull, fëmijët mbipeshë mund të përballen me tensionin e lartë, shqetësime në mëlçi, diabetin dhe me probleme psikologjike.
Filma në vend të kishës
«Për adoleshentët, filma të tillë, si Terminator 2, Titaniku dhe Luftëra yjore ofrojnë përvoja më të thella fetare, sesa kishat tradicionale»,—thuhet në gazetën e Londrës The Independent. Dr. Lin Klark, e qendrës për studimin e mas mediave në Universitetin e Kolorados, pyeti 200 të rinj se cili film u afrohej më shumë bindjeve të tyre fetare. Shumë përmendën Terminator 2, i cili paraqet një betejë midis të mirës dhe të keqes, ku personazhi kryesor udhëton mbrapa në kohë për të shpëtuar një fëmijë ngjashëm Mesisë. Duke folur në një konferencë në Edinburg të Skocisë, dr. Klark përfundoi me fjalët: «Të rinjtë tani po mbështeten te Darth Vaderi dhe te X Files si burime ndihme për të zbuluar domethënien e jetës. X Files i tërheq, sepse shqyrton në tërësi idenë se një forcë e panjohur kontrollon universin. Ai ngre çështjen që ka gjëra të pashpjegueshme nga shkenca. Kjo është një çështje fetare, por feja nuk po e trajton mirë.»
Pirja e duhanit shkurton jetën
«Çdo cigare që pi një njeri ia shkurton jetën 11 minuta»,—thuhet në një buletin universitar (University of California Berkeley Wellness Letter). Kështu, sipas studiuesve të Universitetit të Bristolit në Angli, pirja e një kutie me paketa do t’ia shkurtonte jetën personit një ditë e gjysmë dhe për çdo vit që pi një paketë në ditë, jeta do t’i shkurtohej me afro dy muaj. Shkencëtarët arritën në këto vlerësime duke krahasuar jetëgjatësitë e pritshme të njerëzve që pinë duhan dhe të atyre që nuk pinë. Studiuesit komentuan: «Kjo tregon çmimin e lartë të pirjes së duhanit në një mënyrë që gjithkush mund ta kuptojë.»
Elefantë «artistë»
Në Otapalam, Indi, elefantëve të vegjël po u mësohet të bëjnë piktura duke mbajtur me feçkë një penel. Në The Indian Express thuhet se mbrojtësit e ambientit kanë krijuar Projektin Aziatik të Artit dhe të Ruajtjes së Elefantëve, që të shtojnë fondet për mbrojtjen e elefantëve nëpërmjet shitjes së pikturave të tyre. Një elefanti gjashtëvjeçar, që quhet Ganesan, duket se i pëlqejnë në mënyrë të veçantë veprimtaritë e tij «artistike». Kur është në qejf për të pikturuar, ai tund veshët dhe e merr me dëshirë penelin nga stërvitësi i tij. Teksa pikturon, Ganesani nuk do që ta shqetësojnë, madje e bezdis edhe prania e zogjve ose e ketrave. Pasi bën disa penelata plot ngjyrë, Ganesani ndalet dhe duket sikur studion punën e vet. Megjithatë, jo të gjithë elefantët e vegjël reagojnë mirë ndaj përpjekjeve për t’i kthyer në kafshë «artiste». Disa e tregojnë pakënaqësinë duke i thyer penelat.
Programimi i lindjeve
«Fëmijët kanë mësuar të lindin kur do spitali»,—thuhet në gazetën italiane Corriere della Sera. Në një konferencë për lindjet, të mbajtur kohët e fundit në Firence të Italisë, gjinekologu zvicerian Fred Pakod vërejti: «Që nga shekulli i 19-të, në Perëndim ka pasur një rënie prej 95 për qind të lindjeve në ditët e shtuna dhe të diela. Por kjo s’është e gjitha: mund të pohojmë që shumica e lindjeve ndodh gjatë atyre orëve të ditës që përputhen me kërkesat e sindikatave, domethënë, gjatë turneve kur shumica e mjekëve dhe e infermierëve janë në punë.» Lindjet ose nxiten me anë të mjekimeve, ose kryhen me operacion cezarian. «Po ndeshemi me futjen e lindjeve në rrugë farmaceutike dhe kirurgjike,—thotë Anxhelo Skuderi, gjinekolog në Firence.—Shohim një shtim të shpejtë të operacioneve cezariane, të cilat tashmë përbëjnë më shumë se 20 për qind [të lindjeve].» Megjithatë, profesor Karlo Romanini, president i Shoqatës Italiane të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, pohon se «lindjet ‘e programuara’ nuk janë një zgjedhje e leverdisshme», por janë një mbrojtje për nënat dhe foshnjat e tyre nga ndërlikimet e paparashikuara. «Është shumë më mirë që [një lindje] të ndodhë kur në spital është i gjithë personeli dhe kur mund të garantohet kujdesi më i mirë i mundshëm»,—tha ai.