Abuzimi me drogat: Ka një rrugëdalje!
«NJË ngarkesë e stërmadhe kokaine gjendet në shishet e verës». Në artikullin që vijonte poshtë këtij titulli gazete shpjegohej se si policia në Johanesburg, në Afrikën e Jugut, konfiskoi një ngarkesë prej 11.600 shishesh me verë amerikano-jugore. Me verën qenë përzier 150 deri në 180 kilogramë kokainë. Kjo mendohej se ishte ngarkesa më e madhe me kokainë që kishte hyrë deri atëherë në vend.
Edhe pse këto zbulime duken inkurajuese, e vërteta është që në mbarë botën policia kap afërsisht vetëm 10 deri në 15 për qind të drogave të paligjshme. Mjerisht, kjo është sikur një kopshtar të presë disa gjethe të një bari të keq që përhapet me të shpejtë, por të lërë në dhé rrënjët e tij.
Fitimet e jashtëzakonshme që sjellin drogat i pengojnë përpjekjet e qeverisë për ta mbajtur nën kontroll prodhimin dhe shitjen e tyre. Është përllogaritur se vetëm në Shtetet e Bashkuara, tregtia e paligjshme e drogave arrin në shumë miliarda dollarë. Përderisa është në lojë një shumë kaq e madhe, nuk është çudi që policia dhe nëpunësit e qeverisë, madje edhe disa në pozita të larta, të bien pre e korrupsionit.
Aleks Belosi, i gazetës The Guardian Weekly, raportoi nga Brazili se sipas një hetimi parlamentar «tre kongresmenë, 12 deputetë shtetesh dhe tre kryetarë bashkie përmendeshin me emër . . . në një listë prej më shumë se 800 vetash, të cilët mendohej se ishin përfshirë në krimin e organizuar dhe në trafikun e drogës në Brazil». Në listë përfshiheshin edhe «policë, avokatë, biznesmenë dhe fermerë në 17 nga 27 shtetet». Një profesor i fushës së politikës në Universitetin e Brazilisë tha për këto zbulime: «Kjo është një akuzë në shkallë të gjerë ndaj çdo pjese përbërëse të shoqërisë braziliane.» E njëjta gjë mund të thuhet për shumë shoqëri që janë mbërthyer kokë e këmbë nga drogat. Këtë problem e ushqen ligji i ofertës dhe i kërkesës në treg.
Duke pasur parasysh suksesin e kufizuar të masave ligjore, disa përkrahin ligjësimin e një sërë drogash. Ideja e përgjithshme është që individët të lejohen të zotërojnë sasi të vogla për përdorim personal. Mendohet se kjo gjë ka për t’i lehtësuar kontrollet qeveritare dhe do të pakësojë fitimet e stërmëdha të bosëve të drogës.
Disa ia dalin mbanë
Detoksikimi së pari mund t’i shkëputë nga drogat ata që janë të varur prej tyre dhe më pas mund t’u përmirësojë shëndetin fizik. Mjerisht, ka shumë të ngjarë që pasi të kthehet në mjedisin e tij të zakonshëm, personi të ndihet i tunduar që t’i kthehet drogës. Shkrimtari Luixhi Zoxha tregon arsyen e kësaj: «Është e pamundur ta çrrënjosësh një sjellje, nëse nuk e drejton pacientin në një mënyrë krejt të re të menduari.»
Dareni, i përmendur në artikullin e kaluar, gjeti një ‘mënyrë të menduari të re’, e cila i ndryshoi jetën. Ai shpjegon: «E kisha thënë hapur se isha ateist. Por, me kalimin e kohës, ndonëse merrja drogë nga mëngjesi në mbrëmje, arrita të kuptoj se duhet të ketë një Zot. Për dy-tre muaj u përpoqa të hiqja dorë nga droga, por shokët e mi nuk më lejonin të mos e pranoja. Edhe pse merrja ende drogë, nisa të lexoj rregullisht Biblën para se të flija. Shoqërohesha gjithnjë e më pak me shokët e mi. Një mbrëmje, shoku i dhomës dhe unë ishim krejtësisht nën efektin e drogës. Unë i përmenda Biblën. Në mëngjes ai i telefonoi të vëllait, që ishte Dëshmitar i Jehovait. Vëllai i tij na drejtoi te një Dëshmitar që jetonte në të njëjtin qytet me ne dhe unë shkova ta takoj.
Biseduam deri në orën 11 të natës dhe u largova me shumë botime ndihmëse për studimin e Biblës. Fillova të studioj Biblën me të dhe hoqa dorë nga abuzimi me drogat dhe nga duhani. Rreth nëntë muaj më vonë, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.»
Nuk është e lehtë të çlirohesh nga vesi i drogës. Majkëlli, i përmendur në artikullin e mëparshëm, tregon për vështirësitë që pati kur hoqi dorë nga droga pas 11 vjetësh abuzimi: «E kisha shumë të vështirë të haja, kështu që u dobësova. Gjithashtu, më bëhej trupi miza-miza, djersitesha dhe njerëzit i shihja si të rrethuar me aureolë. Ndieja një dëshirë të tmerrshme për t’iu kthyer drogës, por afrimi me Jehovain në lutje dhe studimi i Biblës më ndihmuan të qëndroja i pastër.» Këta ish-narkomanë janë të një mendjeje se për ta ishte thelbësore të largoheshin plotësisht nga shoqëria e mëparshme.
Pse dështojnë përpjekjet e njeriut?
Abuzimi me drogat është vetëm një anë e një problemi më të madh mbarëbotëror. Një ndikim mbytës për të ndjekur të ligën, dhunën dhe mizorinë ka mbërthyer të gjithë botën. Bibla thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Se kush është ky ‘i lig’ e bën të ditur apostulli Gjon në Zbulesën 12:9: «Kështu, dragoi i madh u hodh poshtë, gjarpri i hershëm, ai që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar; u hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të.»
Përveçse me dobësitë e veta, njeriut i është dashur të ndeshet edhe me këtë armik të fuqishëm. Satanai është ai që shkaktoi në fillim rënien e njeriut. Ai është i vendosur ta çojë më tej degjenerimin e njerëzimit dhe ta largojë nga Perëndia. Abuzimi me drogat i njerëzimit duket se është pjesë e strategjisë së tij. Ai po vepron me zemërim të madh, sepse e di që «ka një periudhë të shkurtër kohe».—Zbulesa 12:12.
Cila është zgjidhja e Perëndisë?
Bibla zbulon masën e dashur që ka marrë Krijuesi për ta shpenguar njerëzimin nga gjendja mëkatare. Në 1 Korintasve 15:22 na thuhet: «Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.» Jezui erdhi me gatishmëri në tokë si një njeri i përsosur dhe e flijoi jetën e tij tokësore për ta shpenguar njerëzimin nga pasojat e mëkatit dhe nga vdekja.
Duke njohur shkakun e vdekjes, si edhe zgjidhjen e problemeve të njerëzimit, shumë veta janë motivuar dhe nxitur që të heqin dorë nga vesi i drogës. Por Bibla nuk na jep thjesht ndihmën për t’i bërë ballë individualisht problemit të drogës sot. Ajo na flet për kohën kur—pas përfundimit të ndikimit të Satanait—të gjitha shqetësimet e botës, duke përfshirë edhe abuzimin me drogat, do të marrin fund njëherë e mirë.
Libri i Zbulesës përshkruan «një lumë me ujë jete, i kulluar si kristal, që rridhte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit». (Zbulesa 22:1) Ky lumë simbolik paraqet masën që ka marrë Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit për ta rikthyer njerëzimin në jetën e përsosur në një tokë parajsore. Në librin e Zbulesës përshkruhen pemët e jetës që lulëzonin përgjatë lumit dhe thuhet: «Gjethet e pemëve ishin për shërimin e kombeve.» (Zbulesa 22:2) Këto gjethe simbolike përfaqësojnë masat shëruese të Jehovait për ta rikthyer njerëzimin në përsosmëri frymore dhe fizike.
Më në fund, njeriu do të jetë i lirë, jo vetëm nga abuzimi me drogën, por edhe nga gjithë shqetësimet dhe problemet e tjera që e mundojnë në këtë sistem të degjeneruar!
[Kutia dhe figura në faqen 9]
Sa e sigurt është marihuana?
Një sërë vendesh po marrin parasysh mundësinë për ta bërë marihuanën të ligjshme, kryesisht për përdorime mjekësore. Është vërejtur se ajo lehtëson ndjenjën e të vjellës që shkakton kemioterapia dhe duket se i ndihmon ata që vuajnë nga SIDA të kapërcejnë mungesën e oreksit. Është përdorur, gjithashtu, si qetësuese për dhembjet.
Ndërkohë që ka kundërshtime rreth përfundimeve të kërkimeve, analizat që u bënë të njohura në revistën New Scientist kanë treguar disa nga efektet e dëmshme të marihuanës.
Në një test që kreu Universiteti i Harvardit u krahasua një grup njerëzish që pinin marihuanë çdo ditë me një grup që e përdorte atë më rrallë. Nga testet mendore tradicionale dolën fare pak ndryshime. Megjithatë, në një test për përshtatjen me situatat e reja, ata që pinin rëndë marihuanë u klasifikuan shumë më poshtë se të tjerët.
Një universitet tjetër analizoi për një periudhë 15-vjeçare një grup pirësish të rregullt të marihuanës dhe një grup duhanpirësish. Ata që merrnin marihuanë pinin zakonisht tri ose katër cigare me marihuanë në ditë, kurse duhanpirësit pinin 20 a më shumë cigare të thjeshta në ditë. Në të dyja grupet, numri i atyre që vuanin nga kolla dhe bronkiti ishte i barabartë. Ekzaminimi i mushkërive zbuloi një dëmtim të përafërt të qelizave në të dyja grupet.
Ndonëse pirësit e marihuanës pinin shumë më rrallë, u zbulua se një cigare e vetme marihuane nxjerr tri herë më shumë zift se një cigare e zakonshme. Më tej, në New Scientist thuhej: «Pirësit e marihuanës e thithin tymin më thellë dhe e mbajnë frymën më gjatë.»
Veç kësaj, u pa se qelizat e sistemit imunitar në mushkëritë e pirësve të marihuanës ishin 35 për qind më të dobëta në luftën kundër baktereve, sesa qelizat e duhanpirësve.
[Burimi]
Foto e U.S. Navy
[Kutia në faqen 11]
«Një akuzë e dhembshme» ndaj prindërve
Në një kryeartikull të gazetës Saturday Star të Afrikës së Jugut shprehej shqetësimi për shtimin alarmues të abuzimit me drogat mes të rinjve në Afrikën e Jugut dhe komentohej:
«Kur fëmijët tanë e bëjnë këtë [marrin drogë], kjo është shpesh një akuzë e dhembshme ndaj nesh si prindër dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi. Javë pas jave rropatemi për të fituar para, duke adhuruar në tempullin e suksesit material. Fëmijët na thithin aftësitë mendore dhe forcat. Po kalojmë me ta kohë cilësore? Është e lehtë t’u japim ca para, që të na lënë rehat. Është më e lehtë të bëjmë këtë, sesa t’i dëgjojmë, të dëgjojmë se çfarë i tremb, çfarë shpresash kanë, çfarë i shqetëson. Në mbrëmje, tek ulemi në ndonjë restorant ose çlodhemi përpara televizorit, a e kemi idenë se çfarë janë duke bërë ata?»
Ose (mund të shtojmë) se çfarë janë duke menduar?
[Figura në faqen 10]
Shumë veta janë motivuar të heqin dorë nga abuzimi me drogat