Tirania e njeriut ndaj njeriut
RRJEDHA e historisë përforcon të vërtetën që gjendet në Predikuesin 8:9: «Njeriu ka mbizotëruar mbi njeriun në dëm të tij.» (BR) Ose siç shprehet një përkthim katolik Jerusalem Bible, «njeriu tiranizon njeriun në dëm të tij». Miliona veta kanë vuajtur padrejtësi dhe kështu ka qenë pothuajse nën të gjitha format e ndryshme të qeverisjes që njeriu ka provuar. Kjo vuajtje u përkujtua në një fjalim, nga ndihmës sekretari për Çështjet e Indianëve në Departamentin e Punëve të Brendshme të Shteteve të Bashkuara, me rastin e përvjetorit të 175-të të themelimit të Zyrës për Çështjet e Indianëve.
Ai tha se më tepër se një festim ishte «një kohë për të thënë të vërtetat e dhimbshme, një kohë për pendim». Ai pranoi që misioni i parë i këtij institucioni në vitet 30 të shekullit të 19-të, ishte të zhvendoste kombet fisnore juglindore—çerokët, krikët, çoktaut, çikasaut dhe seminolët—nga tokat e tyre. «Me anë të kërcënimeve, mashtrimeve dhe forcës, këto kombe fisnore kryesore u detyruan të marshonin 1.600 kilometra në perëndim, duke lënë pas mijëra të moshuar, të vegjël dhe të dobët që i varrosnin me ngut gjatë vendit të quajtur Shtegu i Lotëve.»
Ai vazhdoi: «Megjithatë, në këto kohë më përparimtare, duhet pranuar që përhapja e paramenduar e sëmundjeve, zhdukja në masë e kopeve të bizonëve të fuqishëm, përdorimi i pijeve alkoolike të dëmshme për të shkatërruar mendjen dhe trupin dhe vrasja burracake e grave dhe e fëmijëve sollën një tragjedi në një shkallë aq të kobshme sa nuk mund ta heqësh nga mendja si thjesht një pasojë të pashmangshme të konfliktit mes dy mënyrave konkurruese të jetesës.»a Ai pranoi: «Kjo agjenci kishte për qëllim të shkatërronte të gjitha gjërat indiane. Ndaloi të fliteshin gjuhët indiane . . . dhe i bëri të kishin turp që ishin indianë. Më e keqja, Dega për Çështjet Indiane i kreu këto veprime kundër fëmijëve që i ishin besuar në shkollat e saj me konvikt, duke i trajtuar egërsisht nga ana emocionale, psikologjike, fizike dhe shpirtërore.»
Ai përfundoi duke thënë: «Le të fillojmë duke shprehur keqardhjen tonë të thellë për çfarë ka bërë kjo agjenci në të shkuarën. . . . Nuk do të jemi më kurrë bashkëfajtorë në vjedhjen e pronës indiane. . . . Nuk do të sulmojmë më kurrë fetë tuaja, gjuhët tuaja, ritet tuaja ose ndonjë nga zakonet tuaja fisnore.» Në mënyrë kuptimplotë, ai tha: «Së bashku duhet të fshijmë lotët e shtatë brezave. Së bashku duhet të lejojmë zemrat tona të copëtuara të shërohen.»—Vital Speeches of the Day, 1 tetor 2000.
E vetmja zgjidhje e vërtetë dhe e përhershme për mizorinë e njeriut ndaj njeriut është Mbretëria e Perëndisë, e cila do të rivendosë drejtësinë për të gjithë dhe «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar».—Zbulesa 21:3, 4.
[Shënimi]
a Historia e indianëve të Amerikës vërteton se fiset ishin shpesh në konflikt midis tyre, kështu lufta «për territore, kuaj, dhe bizonë u bë e përhershme».—The People Called Apache.
[Burimet e figurave në faqen 31]
Indian: Vizatim bazuar në një fotografi të Edward S. Curtis; Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.; Banesa indiane: Leslie’s