BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/01 f. 15-17
  • Kameot e Italisë: Kryevepra në miniaturë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kameot e Italisë: Kryevepra në miniaturë
  • Zgjohuni!—2001
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Në punishten e kameove
  • Përmbajtja
    Zgjohuni!—2001
  • Xhevahiret e bregdetit
    Zgjohuni!—2003
  • Guaska e kërmillit xixëllues
    Zgjohuni!—2012
  • Guaska e molusqeve
    Zgjohuni!—2009
Shih më tepër
Zgjohuni!—2001
g 12/01 f. 15-17

Kameot e Italisë: Kryevepra në miniaturë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

Kemi ardhur në Torre-del-Greko, në gjirin e Napolit, për të parë prodhimin e veprave të artit të bëra me dorë, tipike për këtë zonë të Italisë. E kemi fjalën për kameot—stoli të skalitura prej guaskash deti. Kemi ndër mend të vizitojmë një nga punishtet e shumta të kameove në qytet, por, para se të nisemi, ndoshta do t’ju pëlqente të mësonit pak rreth kameove dhe historisë së tyre të gjatë.

KAMEOT janë xhevahire, gurë të fortë ose guaska që skaliten në reliev. Agati, oniksi, sardoniksi dhe disa lloje guaskash të kërmijve të detit janë veçanërisht të përshtatshme për këtë lloj vepre arti, pasi shtresat e tyre me ngjyra të ndryshme bëjnë të mundur të përftohen kontraste të këndshme. Teknika e punimit thuhet se është e ngjashme me atë të relieveve, por në miniaturë.

Shumë kameo prej gurësh të fortë ose të çmuar kanë mbetur që nga kohët perse e greko-romake, duke dëshmuar për famën e tyre në antikitet. Kameot prej guaskash janë më të vona. Sedefi u përdor për kameot në Francë, Gjermani dhe Flandër gjatë shekujve të 14-të dhe të 15-të. Punimet artistike me guaska duket se kanë qenë shumë të çmuara në oborrin mbretëror të Francës, njerëzit e të cilit ishin të pasur dhe me shije të hollë. Udhëtimet e zbulimeve të bëra gjatë atyre viteve bënë që të vërshonin në Evropë materiale të rralla dhe ekzotike të tilla, si guaska breshkash të stërmëdha, dhëmbë elefantësh deti, nefrit, qelibar dhe guaska deti të çuditshme. Kjo zgjoi interesin për historinë e natyrës dhe nxiti fantazinë e artizanëve, të argjendarëve dhe të gdhendësve të aftë. Ka të ngjarë që gjatë shekullit të 16-të të jetë zbuluar se guaskat e kërmijve të detit të familjes Cassidae dhe Cypraeidae ishin veçanërisht të përshtatshme për gdhendjen e kameove.

E ashtuquajtura epokë neoklasike njohu një rizgjim të interesit për artin antik dhe gjatë shekullit të 18-të prodhimi i kameove prej guaskash mori hov, edhe pse disa i kritikuan si imitime për shkak të vlerës së tyre më të ulët në krahasim me gurët e çmuar. Që atëherë numri i qendrave që bënin kameo u zvogëlua. Tani, ky art ka mbetur gjallë në dy qytete: Idar-Obershtajn të Gjermanisë, që është i specializuar për punimin e agatit me anë të makinave, dhe Torre-del-Greko të Italisë, ku kameot me guaska vazhdojnë të modelohen me dorë.

Tani që dimë diçka rreth së kaluarës së tyre, le të shkojmë të shohim se si bëhen kameot prej guaskash, në kohën tonë.

Në punishten e kameove

Punishtja që do të vizitojmë është në një rrugë të ngushtë në qendër të Torre-del-Grekos. Banka e punës së mjeshtrit është rrëmujë me vegla e kameo në faza të ndryshme të punës. Mbetemi të mahnitur nga bukuria e veprës që ai po përfundon—një skenë komplekse baritore që përmban disa personazhe.

Guaskat nga të cilat bëhen kameot vijnë nga Bahamasi, si dhe nga vendet e Karaibeve e nga ujërat e Afrikës Lindore. Me lloje të ndryshme guaskash bëhen lloje të ndryshme kameosh me ngjyra. Për shembull, ato të gdhendura me guaskë Cassis madagascariensis (zakonisht njihen si guaska sardoniksi) kanë një pamje të bardhë mbi një sfond kafe të errët; ato me guaskë Cypraecassis rufa (guaska kalcedoni) paraqesin nuanca të ndritshme dhe të errëta në të kuqërremtë. Më të kushtueshme janë ato që kanë kontrastet më të forta të ngjyrave.

Hapi i parë është të presësh kupën, pjesën e guaskës që do të përdoret, me një thikë-disk të ftohur në ujë. Format e kameove që do të bëhen, zakonisht vezake ose rrethore, vijëzohen mbi sipërfaqen e brendshme të kupës, e cila pastaj pritet me përafërsi në copa të vogla shumëkëndëshe. Zakonisht, nga një guaskë mesatare mund të dalë vetëm një kameo i madh dhe dy më të vegjël. Një sy i stërvitur duhet të shquajë potencialin që ka çdo guaskë, pra, nëse ajo duhet të pritet në një mënyrë ose në një tjetër. Tri pjesë të ngritura në anën e jashtme të një cope, për shembull, mund të japin mundësinë për të gdhendur tri personazhe. Pasi është prerë, secilës pjesë i jepet forma e dëshiruar me anë të një rrote që e lëmon. Pastaj ngjitet në një copë druri të shkurtër që të jetë më e lehtë për t’u përdorur, dhe shtresa e jashtme e ashpër lëmohet derisa arrihet trashësia e duhur. Në këtë pikë artisti lejon që forma e copës t’i frymëzojë zgjedhjen e temës. Ai bën shpejt e shpejt me laps një skicë në sipërfaqen e saj dhe fillon të gdhendë.

Një frezë elektrike—turjelë me një majë gërryese—përdoret për të hequr materialin e tepërt. Kur pjesët kryesore të modelit shfaqen tërësisht, fillon gdhendja me dorë me një sërë veglash të madhësive të ndryshme jashtëzakonisht të mprehta të quajtura dalta. Modeli duhet të realizohet tamam deri në atë thellësi, ku guaska ndryshon ngjyrë nga e çelët në të errët. Duke e prerë në thellësi të ndryshme, artisti i talentuar mund të japë përshtypjen e vellove të tejdukshme. Më në fund, një personazh i punuar imët e me mjeshtëri shfaqet në reliev përkundrejt sfondit të shtresës së errët poshtë.

Larmia e temave të mundshme është e pafund. Ndoshta e keni parë zonjën e hijshme në profil, e cila është gjithmonë shumë e kërkuar. Në unaza ose vathë bëhen profile shumë të vogla ose lule. Kameo më të mëdhenj, që kanë përmasën rreth 75 milimetra, përdoren për kapëse flokësh ose varëse dhe mund të portretizojnë tema më të ndërlikuara—peizazhe dhe krijime baritore ose klasike. Më e madhja që arrin një maksimum prej ndoshta 200 milimetrash, mund të vihet në kornizë ose qëndron e ngritur në një mbështetëse. Vlera e tyre varet jo vetëm nga madhësia dhe materialet e përdorura për kornizën, por veçanërisht edhe nga puna e njeriut dhe kujdesi që përfshihet në bërjen e tyre. Disa janë vepra të vërteta arti.

Meqë mjeshtri udhëhiqet nga forma e çrregullt e guaskës dhe duhet ta shfrytëzojë atë për të nxjerrë veprën e përfunduar, kurrë nuk ka për të qenë e mundur të mekanizohet prodhimi i kameove prej guaskash dhe kurrë nuk do të ketë dy të tilla njëlloj. Ato janë vërtet stoli të pakrahasueshme dhe të mrekullueshme—kryevepra të vërteta në miniaturë.

[Figurat në faqen 16]

PUNIMI I KAMEOVE

Guaska prej të cilave bëhen kameot

Kupa pritet për të bërë kameot

Forma e kameos vijëzohet mbi copë

Copa pritet me përafërsi në masën e duhur

Pasi është modeluar copa, punëtori punon në tavolinën e punës

[Figura në faqen 17]

Gemma Augustea, bërë gjatë viteve 10-20 të e.s. Përmasat e saj janë 19 x 23 centimetra

[Burimi]

Erich Lessing/Art Resource, NY

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo