BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g03 22/6 f. 15-17
  • Një shpend i mahnitshëm me pendë plot «sy»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një shpend i mahnitshëm me pendë plot «sy»
  • Zgjohuni!—2003
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një shfaqje madhështore
  • Jeta familjare e palloit
  • Palloi në histori
  • Ylli vezullues i spektaklit të zogjve
    Zgjohuni!—2003
  • Syri i karkalecit merimangë me ngjyra palloi
    Zgjohuni!—2010
  • Pendët​—Projektim i mrekullueshëm
    Zgjohuni!—2007
  • Vetëm për t’u pispillosur?
    Zgjohuni!—2004
Shih më tepër
Zgjohuni!—2003
g03 22/6 f. 15-17

Një shpend i mahnitshëm me pendë plot «sy»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË INDI

NGA titulli mund ta keni marrë me mend se e kemi fjalën për palloin. Pa dyshim, palloi mashkull ka një bisht me famë botërore.a Megjithatë, a keni menduar ndonjëherë se për çfarë shërbejnë këto pendë ekstravagante dhe nëse kjo krijesë shquhet për tipare të tjera, përveç bukurisë?

Palloi, një pjesëtar i familjes së fazanëve, gjendet në tri varietete. Këtu do të flasim për palloin indian, ose palloin e zakonshëm, i cili është kryesisht me ngjyrë blu në të gjelbër. Bashkë me bishtin prej 150 centimetrash, ai arrin një gjatësi nga 200 deri në 235 centimetra. Pendët e këtij bishti të gjatë kanë ngjyrë të gjelbër e të praruar, me njolla që ngjajnë si sy me ngjyrë blu e të bronztë. Pendët e trupit janë në përgjithësi me ngjyrë blu në të gjelbër të shndritshme.

Palloi, i cili është zgjedhur si shpendi kombëtar i Indisë, ka vërtet një pamje mbretërore. Ndoshta ja përse në disa gjuhë shprehja «krekoset si pallua» përdoret për të përshkruar njerëzit kryelartë. Megjithatë ky shpend nuk është aq i paafrueshëm sa ç’mund të ngjajë nga pamja. Në fakt ai zbutet me lehtësi. Disa e mbajnë palloin si të shenjtë. Për këtë arsye bujqit në Indi ndonjëherë i durojnë këta shpendë edhe nëse përbëjnë një rrezik për arat me drithë.

Një shfaqje madhështore

Sigurisht, pallonjtë janë shumë të famshëm për shfaqjen e tyre madhështore; të mrekullojnë kur e hapin bishtin e gjatë si erashkë. Cili është qëllimi i kësaj shfaqjeje tërheqëse? Me sa duket e gjithë kjo bëhet për të tërhequr femrat.

Femra e palloit është paksa nazeqare, por ajo i ka dobësi ata që kapardisen. Bishti i gjerë i palloit, i cili i ngjan një erashke të hapur, me njolla si sy me ngjyra të shndritshme, tërheq gjithë vëmendjen e femrës. Ajo zakonisht zgjedh si partner mashkullin me pamjen më mbresëlënëse.

Sidoqoftë shpalosja e bishtit është vetëm një pjesë e shfaqjes. Në fillim mashkulli hap si erashkë bishtin e tij të gjatë, duke e shtrirë përpara. Pastaj ai fillon kërcimin duke u krekosur. Ndërsa tund trupin, krahët ngjyrë gështenje varen poshtë, kurse pendët e ngritura përpjetë fëshfërijnë. Gjithashtu ai lëshon një klithmë të fortë. S’mund të quhet aspak melodike, por të paktën i bën të ditur femrës se atij i ka rënë në kokë për të.

Herë pas here, femra përpiqet të imitojë njëfarësoj numrat e mashkullit. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës duket si mospërfillëse, ai që kapardiset më tepër do ta bëjë për vete. Një pallua mund të bëjë për vete deri në pesë femra dhe të jetë babai i 25 të vegjëlve në vit.

Jeta familjare e palloit

Pas sezonit të çiftëzimit është koha për të ndërruar pendët. Bishti i gjatë i një palloi të rritur përbëhet mesatarisht nga 200 pendë. Fshatarët indianë i mblidhnin ato që t’i eksportonin drejt vendeve perëndimore, deri kur ky eksport u ndalua për të mbrojtur llojin. Sigurisht, në këtë vend, pendët përdoren ende për të bërë erashka dhe objekte të tjera zbukurimi.

Në mbrëmje pallonjtë ngjiten ngadalë në pemë të larta për të gjetur një vend të përshtatshëm për të fjetur. Në mëngjes bëjnë të kundërtën, zbresin ngadalë. Këto krijesa mund t’ju kënaqin syrin me bukurinë e tyre, por mos pritni që kënga e tyre të jetë po kaq e bukur. Klithmat e përvajshme prishin qetësinë e mbrëmjes derisa pallonjtë fillojnë të kërkojnë ushqim.

Pallonjtë janë omnivorë​—pra hanë pothuajse gjithçka. Këtu përfshihen insektet, hardhucat, dhe ndonjëherë edhe gjarpërinjtë e vegjël, si edhe farërat, drithërat, thjerrëzat dhe rrënjët e buta të bimëve.

Edhe pse kanë pamje krenare, pallonjtë e mbrojnë shumë njëri-tjetrin. Ata i diktojnë shpejt rreziqet, si për shembull një mace që vjen rrotull në kërkim të presë. Pas kësaj, palloi vrapon përmes pyllit dhe lëshon britma të forta për të paralajmëruar rrezikun që kanoset. Edhe meshkujt e tjerë bashkohen me të. Ata vrapojnë me një shpejtësi të habitshme njëri pas tjetrit. Megjithatë, femrat nuk i braktisin zogjtë e tyre, edhe nëse ndodhen përballë rrezikut më të madh.

Bishti i gjatë i pendëve me sa duket nuk ia ngadalëson shpejtësinë palloit, megjithëse e bezdis pak kur nis fluturimin. Mirëpo sapo shkëputet nga toka, palloi fluturon me shpejtësi të madhe, duke i rrahur krahët shumë shpejt.

Kur bëhen tetë muajsh, zogjtë janë gati të lënë prindërit dhe t’ia dalin vetë mbanë. Largimi i tyre i jep mundësi nënës të përgatitet për detyrën e rritjes së të vegjëlve të ardhshëm. Meshkujve të vegjël fillon t’u dalë bishti karakteristik kur janë rreth tetë muajsh, por vetëm kur bëhen katër vjeç arrijnë të kenë të gjitha pendët që ka një mashkull i rritur. Atëherë ata janë gati të krijojnë familjen e tyre.

Palloi në histori

Në lashtësi pallonjtë zbukuronin kopshtet e Greqisë, të Romës dhe të Indisë. Për mijëra vjet pallonjtë paraqiteshin në veprat e artit dhe në objektet që zbukuronin oborret mbretërore të Indisë. Në të vërtetë, Froni i Palloit mbahej si një nga modelet më të rëndësishëm të pasurive të Indisë. Ai ishte i veshur me diamante të shumta dhe thuhet se në të ishin vendosur 108 rubinë dhe 116 smeralde. Në strehën e fronit ndodhej një pallua prej ari dhe prandaj mori këtë emër. Froni montohej dhe përdorej vetëm në raste të rëndësishme ceremoniale.

Historia biblike tregon se pallonjtë ishin midis gjërave të çmuara të importit që i sillnin mbretit Solomon. Është interesante t’i imagjinosh pallonjtë tek krekoseshin në kopshtet e tij mbretërore. (1 Mbretërve 10:22, 23) Ky shpend sigurisht që na tregon se ekziston një Projektues inteligjent. Kur palloi kërcen me bishtin e tij të hapur me pendë me ngjyra të shndritshme, na bën të mahnitemi me mjeshtërinë artistike të Jehovait, Perëndisë që ‘krijoi gjithçka’.​—Zbulesa 4:11.

[Shënimi]

a Pendët e bishtit dalin nga shpina dhe jo nga pjesa e fundit e trupit. Kurse pendët që i dalin nga fundi i trupit i përdor për të ngritur lart pendët e bishtit.

[Figura në faqen 16]

Femrës jo gjithnjë i lë mbresë kërcimi i mashkullit

[Burimi]

© D. Cavagnaro/Visuals Unlimited

[Figurat në faqen 17]

Femrat e palloit janë nëna të mira

[Burimi]

© 2001 Steven Holt/stockpix.com

[Burimi i figurës në faqen 15]

Palloi: Lela Jane Tinstman/Index Stock Photography

[Burimi i figurës në faqen 16]

John Warden/Index Stock Photography

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo