Lojërat Olimpike kthehen në vendlindje
BELI dhe lopata e arkeologëve çuan në rilindjen e Lojërave Olimpike në kohët moderne. Zbulimet arkeologjike në Olimpia të Greqisë e nxitën baronin francez Pjer dë Kubertan që të këmbëngulte për rikthimin e Lojërave Olimpike. Si rrjedhojë, në kohët tona, Lojërat Olimpike u zhvilluan për herë të parë në Athinë, në vitin 1896.
Pak vite para 2004-s, buldozerët dhe trapanët po hapnin udhën që Lojërat të ktheheshin në vendlindjen e tyre. Teksa modernizohej për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike, kryeqyteti i Greqisë ngjante me një kantier të madh ndërtimi.
Olimpiada XXVIII, siç quhen zyrtarisht Lojërat Olimpike të 2004-s, do të zhvillohet në Athinë nga data 13 deri në 29 gusht. Rreth 10.000 sportistë, nga një numër rekord prej 201 vendesh, do të konkurrojnë në 28 sporte. Veprimtaritë sportive do të zhvillohen në 38 mjedise dhe do të kurorëzohen me më shumë se 300 ceremoni për dhënien e medaljeve. Do të jenë afro 21.500 përfaqësues të mediave, kurse forcat e sigurisë do të arrijnë një numër edhe më të madh, rreth 55.000 punonjës të palodhur.
Një vrapim me pengesa
Për një kohë të gjatë Athina është përpjekur t’i tërheqë Lojërat Olimpike në vendlindje. Meqë viti 1996 shënoi njëqind vjetorin e Lojërave Olimpike në kohët moderne, u duk sikur ishte koha më e përshtatshme që këto Lojëra të ktheheshin në vendin e origjinës.
Megjithatë, Athina nuk ia doli të zgjidhej si vendi mikpritës i Lojërave të vitit 1996. U tha se qytetit i mungonte infrastruktura e nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta që do të sillnin dy javët e Olimpiadës.
Pasi u tronditën nga ky refuzim, Greqia dhe kryeqyteti i saj iu futën punës me vrull. Athina u betua se do ta ndreqte situatën. E armatosur me synime të mira dhe me projekte bindëse, më 1997 ajo hodhi përsëri kandidaturën për Lojërat Olimpike të 2004-s. Kësaj radhe fitoi.
Athinasit përveshën mëngët për të transformuar qytetin. Dëshira për të mirëpritur Lojërat bëri që të ngrihej një valë e paparë aktiviteti dhe zhvillimi. Kudo makineritë gërmonin tokën ndërsa punohej për përmirësimin e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve dhe të mjediseve ku do të zhvillohen Lojërat. Edhe gjatë fundjavëve përvëluese në pikë të verës, ngado shihje ekskavatorët, vinçat dhe njerëzit që punonin pa pushim.
Në mars të vitit 2001, në aeroportin e ri ndërkombëtar të Athinës u ul aeroplani i parë. Ky aeroport radhitet ndër më të mirët në botë. Gjithashtu ishte planifikuar të ndërtoheshin 120 kilometra rrugë dhe të përmirësoheshin 90 kilometra rrugë kryesore ekzistuese. Për të lehtësuar trafikun, sistemi i ri rrugor përfshinte edhe afro 40 mbikalime. U hapën linja të reja metrosh dhe u morën masa që të shtoheshin edhe 24 kilometra linja tramvaji. Ishte projektuar një linjë hekurudhore 38 kilometra e gjatë, me shumë stacione moderne, e cila do të shtrihej në periferi të qytetit. Kjo u bë për të ndryshuar drejtimin e trafikut dhe për të pakësuar ndotjen e ajrit.
Me pak fjalë, Athina u përpoq që brenda pak vitesh të transformohej në një qytet të ri me më shumë gjelbërim, me një mjedis më të pastër dhe me një sistem të ri transporti. Zhak Rog, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, tha: «Njerëzit që kanë parë Athinën para Lojërave dhe që do ta shohin atë pas Lojërave s’kanë për ta njohur qytetin.»
Maratonë përgatitjesh
Ndërkohë që afrohet dita e ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike ritmi i punës shtohet. Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Rog, e krahasoi ecurinë e ndërtimeve dhe të përgatitjeve me sirtakin, një valle tradicionale greke. Ai tha si me shaka: «Do ta krahasoja me një pjesë muzikore, me sirtakin. Ajo fillon shumë ngadalë dhe sa vjen e bëhet më e shpejtë, aq sa nga fundi nuk e ndjek dot ritmin.»
Në përputhje me fjalët e tij, Fshati Olimpik, «boshti i të gjitha përgatitjeve për Olimpiadën», sikur mbiu nga dheu në një nga periferitë në veri të Athinës. Ky projekt, i cili do të hapë dyert për afro 16.000 sportistë dhe përfaqësues të skuadrave gjatë Lojërave Olimpike, është projekti më i madh i strehimit i ndërmarrë në Greqi. Pas Lojërave, në të do të strehohen rreth 10.000 banorë të qytetit.
Organizatorët e Lojërave Olimpike nuk e kanë harruar që Lojërat e kohëve tona janë një trashëgimi e lashtësisë. Disa ceremoni do të zhvillohen në Olimpian e lashtë. Vende të tjera kryesore arkeologjike do të tërheqin vëmendjen e publikut gjatë ngjarjeve kulturore që do të shoqërojnë sezonin e Olimpiadës. Një qendër e re vozitjeje u ndërtua pranë sheshit ku u bë beteja e famshme e Maratonës. Gjithashtu vrapuesit e maratonës me të drejtë do të thonë se kanë bërë vrapimin e lashtë. Organizatorët e Lojërave kanë zgjedhur po atë rrugë që përshkoi edhe ushtari athinas, i cili në vitin 490 p.e.s. bëri 42 kilometra nga Maratona deri në Athinë për të dhënë lajmin e humbjes së persëve.
Dhe medaljen e artë e merr . . .
Kur fishekzjarrët të lajmërojnë fillimin e ceremonisë hapëse të Lojërave, Stadiumi Olimpik, me një kapacitet prej 75.000 vendesh, do të jetë në qendër të vëmendjes. Shumë veta mendojnë se nga të gjitha ndërtesat e Lojërave Olimpike në Athinë, ky stadium i restauruar është «xhevahiri më i çmuar i kurorës». Ajo që e bën unik këtë stadium, është tavani. Merita për idenë dhe projektin e tij i takon arkitektit të famshëm spanjoll Santiago Kalatrava.
Ky tavan është një mrekulli inxhinierike. Ai do të përbëhet nga panele xhami me peshë 16.000 tonë gjithsej dhe është projektuar të mbulojë një zonë me sipërfaqe 10.000 metra katrorë. Tavani do të mbështetet mbi dy harqe gjigante, secili 304 metra i gjatë dhe 80 metra i lartë, pra pothuajse sa dy të tretat e Urës së Limanit në Sidnei të Australisë. Tubat e çelikut që do të formojnë harqet peshojnë nga 9.000 deri në 10.000 tonë secili dhe një specialist ndërtimi thotë se ata janë «aq të mëdhenj, saqë brenda tyre mund të kalojë një autobus». Pritet që ky tavan të peshojë gjithsej sa dyfishi i Kullës Eifel në Paris.
Pse nevojitet një tavan kaq gjigant? Mendoni pak se sa nxehtë bën nën diellin përvëlues të Athinës në gusht! Panelet e qelqit kanë një veshje speciale që pasqyron 60 për qind të dritës së diellit. Por ka edhe arsye të tjera. Projekti i tavanit u bë me synimin që ai të mbetej një monument i Lojërave. Siç tha edhe ish-ministri grek i kulturës Evangjelos Venizellos, «ai është një monument i madh arkitekturor dhe simbol i Lojërave Olimpike të zhvilluara në Athinë».
Pas ceremonisë mbyllëse, vepra të tilla do të shërbejnë si kujtim i punës së madhe që u desh për të mikpritur një ngjarje kaq të shënuar. Athinasit shpresojnë që e gjithë kjo infrastrukturë e përgatitur për Lojërat Olimpike të ndihmojë në përmirësimin e jetës në qytetin e tyre. Dhe si gjithmonë, ata do të vazhdojnë ta marrin jetën si të vijë, me gjithë vështirësitë dhe ritmin e saj, siç bëjnë edhe me sirtakin.
[Kutia në faqen 15]
Vihen në provë idealet
Organizatorët e Lojërave Olimpike duan të nxjerrin në pah idealet e Lojërave—«konkurrencën fisnike, sportin, paqen, kulturën dhe edukimin». Megjithatë në anën tjetër të medaljes është politika, nacionalizmi, tregtia dhe korrupsioni.
Tradicionalisht Lojërat Olimpike kanë bërë të rritet shumë numri i telespektatorëve dhe të lidhen kontrata mjaft fitimprurëse reklamash. Si rrjedhojë, sponsorizimi i Lojërave shërben si një mjet tregtie i jashtëzakonshëm. «Sot Lojërat Olimpike janë një biznes me shumë leverdi,—tha studiuesi australian Mori Filips,—dhe shumë vendime merren duke pasur parasysh strategjinë e tregut.»
Të tjerë dënojnë nacionalizmin flagrant që demonstrohet në Lojëra. Po bëhen përpjekje që gjatë Olimpiadës të vendoset një «armëpushim», pra të ndërpriten armiqësitë dhe lufta. Megjithatë, përveç kuptimit simbolik, një masë e tillë nuk do të japë rezultat po të mos zhduken arsyet e konflikteve. «Lojërat janë një arenë për fuqitë politike»,—tha një pedagog i shkencave shoqërore, Brajën Martin. Pastaj shtoi: «Në Lojërat Olimpike, konkurrenca mes sportistëve kthehet në një konkurrencë mes shteteve. Sportistët nuk mund të marrin pjesë nëse vendi i tyre nuk merr pjesë. Fitoret e individëve dhe të skuadrave konsiderohen si fitore kombëtare dhe kjo simbolizohet me ngritjen e flamurit dhe me ekzekutimin e himnit . . . [Lojërat Olimpike] thjesht kanë krijuar një terren të ri për dhunë të vazhdueshme ndërmjet individëve në ngjarjet sportive dhe ndërmjet shteteve në luftën për pushtet dhe status. . . . Olimpiada nuk ka fuqi ta bëjë realitet synimin që kishte fillimisht, pra për të nxitur paqen.»
[Figurat në faqen 15]
Kompleksi sportiv Olimpik i Athinës
Model medaljeje për Olimpiadën e vitit 2004
[Burimet]
Fotografi e bërë nga sipër: AP Photo/Thanassis Stavrakis; model medaljeje: © ATHOC
[Figurat në faqen 16]
Metro në Athinë
Aeroporti ndërkombëtar i Athinës
[Burimi]
© ATHOC
[Figurat në faqen 17]
Fshati Olimpik në ndërtim
Qendra për vozitje «Agios Kosmas»
[Burimi]
© ATHOC/Fotografia: K. Vergas
[Figura në faqet 16, 17]
Tavani i Stadiumit Olimpik në ndërtim
[Figura në faqen 17]
Një model në miniaturë i tavanit të përfunduar
[Burimi]
© ATHOC
[Burimi i figurës në faqen 14]
© ATHOC