E vërteta e Biblës i çliroi
KUR po diskutonte me një grup njerëzish, Jezu Krishti tha: «Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) Siç e tregojnë shembujt vijues, kjo liri përfshin edhe çlirimin nga demonët, nga gënjeshtarët dhe mashtruesit që fshihen pas okultizmit.—Gjoni 8:44.
Secila përvojë nxjerr në pah fuqinë çliruese të së vërtetës biblike. Po, vetëm ajo i bën vërtet të lirë njerëzit. Pse të mos e shohësh vetë çfarë thotë Bibla? Nuk do të zhgënjehesh.
[Kutia dhe figura në faqen 8]
Fotografitë janë ilustrime
● Suzana ishte priftëreshë në Brazil dhe donte ta përdorte fuqinë e mbinatyrshme për të ndihmuar nevojtarët. Gjithashtu, i pëlqente «të fliste me të ëmën që i kishte vdekur». Por pastaj «mamaja» filloi t’i lutej të vriste veten dhe të jetonte me të në botën e përtejme. Kjo e torturonte Suzanën dhe natën kishte makthe. Më pas, bashkë me të shoqin nisën të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Luftuan me të gjitha forcat që t’i ‘kundërviheshin Djallit’, por ama në fund ai ‘iku prej tyre’. (Jakovi 4:7) Tani gëzojnë paqe dhe Suzana nuk ka më makthe. Ajo shkruan: «Dua ta falënderoj Jehovain për sa e sa të mira, por mbi gjithçka i jam mirënjohëse që na nxori nga errësira frymore.»
[Kutia dhe figura në faqen 8]
● Timoteu, që jeton në Afrikën Perëndimore, nuk dëgjon dhe nuk flet.a Mjekët s’e ndihmonin dot, prandaj iu drejtua shëruesve fetarë, por më kot. «Më ishte thyer zemra nga mashtrimet»,—shkroi ai. Pastaj studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, që i shpjeguan qëllimin e Perëndisë për të zhdukur gjithë sëmundjet dhe kufizimet fizike. Timoteu tha: «Mezi e pres atë ditë në botën e re të Perëndisë kur ‘do të hapen veshët e të shurdhërve . . . dhe gjuha e memecit do të lëshojë britma hareje’.» (Isaia 35:1-6) Ndërkohë, me anë të një lexuesi të vogël DVD-je, u tregon të vërtetat biblike atyre që kanë probleme dëgjimi, i ndihmon të gjejnë lirinë e vërtetë e kjo i sjell kënaqësi.
[Shënimi]
a Disa emra janë ndryshuar.
[Kutia dhe figura në faqen 9]
● Evelina në Estoni ishte zhytur thellë në okultizëm. Meqë Jezui bënte shërime, donte të bënte edhe ajo. Mbi të gjitha, donte të ndihmonte të ëmën që kishte një sëmundje kronike. Kështu, mësoi të përdorte lavjerrësit (një metodë spiritiste) për të diagnostikuar dhe kuruar sëmundje të rënda. Më pas studioi Biblën. Çfarë ndodhi? «Kuptova se isha mashtruar keqas,—thotë ajo,—prandaj i dogja lavjerrësit dhe literaturën spiritiste.» Tani u mëson të tjerëve të vërtetat çliruese të Biblës.
[Kutia dhe figura në faqen 9]
● Meri u rrit në një ishull të Papua Guinesë së Re ku njerëzit kanë frikë nga të vdekurit. Sa herë vdiste ndonjë në fshat, flinte poshtë krevatit të dikujt tjetër nga frika se mos e ngacmonte shpirti i të vdekurit po të ishte vetëm. Pastaj mësoi nga Bibla se të vdekurit janë në gjumë, domethënë janë në varr dhe kanë shpresë të ringjallen në tokën parajsore. (Luka 23:43; Gjoni 11:11-14) Si rrjedhojë, nuk i ka më frikë të vdekurit.
[Kutia dhe figura në faqen 9]
● Alisia, që u rrit nga prindër Dëshmitarë të Jehovait në Shtetet e Bashkuara, ishte e dhënë pas librave e filmave me okultizëm. Më vonë filloi të mendonte seriozisht për të vërtetat që kishte mësuar nga Bibla. Kur iu hapën sytë dhe kuptoi se ishte përpjekur ‘të merrte pjesë edhe në tryezën e Jehovait, edhe në tryezën e demonëve’, ndërroi rrugë dhe sot ka një ndërgjegje të pastër para Perëndisë.—1 Korintasve 10:21.