Pikëpamja e Biblës
A pajtohen shkenca dhe Bibla?
«Shkenca ime merr kuptim dhe bëhet shkak gëzimi për mua në ato momente kur zbuloj diçka të re dhe them me vete: ‘Atëherë, kështu e paska bërë Perëndia!’»—HENRI SHAFERI, PROFESOR KIMIE.
SHKENCA na ndihmon mjaft të kuptojmë natyrën. Ajo zbulon një rregullsi, saktësi e kompleksitet që shumë veta i shohin si dëshmi të një Perëndie me zgjuarsi e fuqi të pafund. Për ta, shkenca nuk zbulon vetëm hollësi të natyrës, por edhe mënyrën si mendon Perëndia.
Në Bibël ka shumë vargje që e mbështetin këtë mendim. Te Romakëve 1:20 thuhet: «Cilësitë e padukshme [të Perëndisë], madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata nuk kanë asnjë justifikim.» Edhe Psalmi 19:1, 2 thotë: «Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, hapësira qiellore flet për veprën e duarve të tij. Ditët njëra pas tjetrës thonë fjalë si një përrua gurgullues, netët njëra pas tjetrës tregojnë njohurinë e tij.» Prapëseprapë, me gjithë mrekullitë e saj, natyra nuk zbulon çdo gjë rreth Krijuesit tonë.
Kufizimet e shkencës
Shumë të vërteta për Perëndinë nuk i mësojmë dot nga shkenca. Për shembull, një shkencëtar mund të jetë i zoti të përshkruajë çdo molekulë të një keku me çokollatë, por a mund të zbulojë studimi i tij se përse ose për kë u bë keku? Për të ditur përgjigjet e pyetjeve të tilla, që për shumicën e njerëzve janë më të rëndësishmet, i duhet të flasë me atë që ka bërë kekun.
Po ashtu, shkenca «jep shumë informacione të sakta», siç shkroi Ervin Shrëdingeri, fizikan austriak dhe fitues i çmimit Nobel, «por nuk thotë asnjë fjalë për gjithçka . . . që kemi në zemër, që na intereson vërtet». Ndër to, ai rendit «Perëndinë dhe përjetësinë». Për shembull, vetëm Perëndia mund t’u përgjigjet pyetjeve të tilla: pse ekziston universi? Pse gëlon jeta në planetin tonë, përfshirë edhe krijesat inteligjente? Pse i lejon Perëndia ligësitë e vuajtjet nëse është vërtet i plotfuqishëm? A ka ndonjë shpresë për njeriun pas vdekjes?
A u është përgjigjur Perëndia këtyre pyetjeve? Po, nëpërmjet faqeve të Biblës. (2 Timoteut 3:16) Gjithsesi, dikush mund të pyesë: «Si të jem i sigurt se Bibla vjen vërtet nga Perëndia?» Nga ana shkencore, ajo që thotë Bibla për botën rreth nesh, duhet të jetë në harmoni me faktet shkencore, sepse Perëndia nuk bie në kundërshtim me veten. A e pasqyron Bibla këtë harmoni? Le të shohim disa shembuj.
Më e përparuar se shkenca e kohës së saj
Në kohën kur po shkruhej Bibla, shumë njerëz besonin se në tokë jetonin disa perëndi dhe se ato perëndi, e jo ligjet natyrore, kishin fuqi mbi diellin, hënën, motin, pjellorinë e kështu me radhë. Megjithatë, profetët e lashtë hebrenj të Perëndisë nuk e besonin këtë. Sigurisht, ata e dinin se Perëndia Jehova mund të ushtronte fuqi drejtpërdrejt mbi natyrën dhe se e kish bërë këtë në raste të veçanta. (Josiu 10:12-14; 2 Mbretërve 20:9-11) Sidoqoftë, Xhon Lenoksi, profesor i matematikës në Universitetin e Oksfordit, Angli, tha se atyre profetëve «nuk iu desh të hiqnin dorë nga besimi te [perënditë mitike]. . . , për arsyen e thjeshtë se nuk kishin besuar kurrë tek ato perëndi. Nga ajo besëtytni i shpëtoi besimi te Perëndia i vetëm i vërtetë, te Krijuesi i qiellit dhe i tokës».
Si i mbrojti nga besëtytnia ky besim? Perëndia i vërtetë u zbuloi se e drejton universin me anë të ligjeve të sakta. Për shembull, mbi 3.500 vjet më parë, Perëndia Jehova e pyeti shërbëtorin e tij Job: «A i njeh ti ligjet e qiejve?» (Jobi 38:33) Në shekullin e shtatë p.e.s., profeti Jeremia përmendi «ligjet e qiellit dhe të tokës».—Jeremia 33:25.
Kështu, kushdo që jetonte në kohët e lashta dhe i besonte shkrimet e profetëve të Biblës, mund ta dinte se universin nuk e drejtonin disa perëndi mitike tekanjoze, por ligjet racionale. Për rrjedhojë, njerëzit që i frikësoheshin Perëndisë as përkuleshin para gjërave të krijuara prej tij, si dielli, hëna a yjet, as kishin besëtytni për to. (Ligji i përtërirë 4:15-19) Përkundrazi, mendonin se ia vlen t’i studiosh veprat e Perëndisë, që nxjerrin në pah mençurinë, fuqinë dhe cilësi të tjera të tij.—Psalmi 8:3-9; Proverbat 3:19, 20.
Ashtu si shumë shkencëtarë sot, edhe hebrenjtë e lashtë mendonin se universi kishte një fillim. Te Zanafilla 1:1 thuhet: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Veç kësaj, më se 3.500 vjet më parë, Perëndia i bëri të ditur shërbëtorit të tij Job se toka ‘mbahet varur në asgjë’ ose qëndron pezull në hapësirë. (Jobi 26:7) E në fund, mbi 2.500 vite të shkuara, profeti Isaia shkroi se toka është rruzull.—Isaia 40:22.a
Po, Bibla është në harmoni me faktet shkencore për natyrën. Në të vërtetë, këto dy fusha studimi pajtohen më së miri dhe janë një plotësim i bukur i njëra-tjetrës. Po të shpërfillim njërën prej tyre, mbyllim një derë që çon drejt njohurisë së Perëndisë.—Psalmi 119:105; Isaia 40:26.
[Shënimi]
a Për një diskutim më të hollësishëm rreth ekzistencës së Perëndisë dhe saktësisë së Biblës, ju lutemi të lexoni broshurën A u krijua jeta? dhe librin A ka një Krijues që interesohet për ju?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
A DONI TË DINI?
● Çfarë mund të na tregojë krijimi për Perëndinë?—Romakëve 1:20.
● Cilat të vërteta për Perëndinë nuk i mësojmë dot nga shkenca?—2 Timoteut 3:16.
● Pse profetët e lashtë të Perëndisë së vërtetë nuk kishin besëtytni për krijimin?—Jeremia 33:25.
[Diçitura në faqen 23]
Universi drejtohet nga ligje të sakta, «ligjet e qiellit dhe të tokës».—JEREMIA 33:25