Një vështrim rreth botës
Në Republikën e Gjeorgjisë, në juglindje të Evropës, «numri i divorceve thuajse është dyfishuar dhjetë vitet e fundit». Shumica e atyre që divorcohen nuk i kanë mbushur të 20-at.—FINANCIAL, GJEORGJI.
Në Irlandë, 17 për qind e të rinjve të moshës 11 deri në 16-vjeçare «i kanë dhënë emrin e plotë dikujt në Internet që nuk e kanë takuar asnjëherë». Dhjetë për qind i kanë dhënë edhe «email-in, numrin e celularit ose fotografinë».—SHOQATA IRLANDEZE PËR PARANDALIMIN E MIZORISË NDAJ FËMIJËVE.
Vetëm rreth 4 për qind e zjarreve nëpër pyjet e mbarë botës kanë shkaqe natyrore. Në të gjitha rastet e tjera, zjarri shkaktohet nga njeriu—qoftë nga pakujdesia, qoftë me dashje.—PRESSEPORTAL, GJERMANI.
«Afro 1 në 10 amerikanë [12 vjeç e sipër] raportojnë se përdorin rregullisht drogë, përfshirë marihuanë, kokainë, heroinë, halucinogjenë, substanca që merren me të thithur ose droga të tjera.»—USA TODAY, SHBA.
Vetëkontrolli, çelësi për stabilitet
«Sipas disa studimeve, mungesa e vetëkontrollit gjatë fëmijërisë a adoleshencës është tregues se, kur të rritet, personi mund të ketë probleme shëndetësore, më pak stabilitet ekonomik dhe një dosje penale»,—thotë revista Time. U studiuan mbi 1.000 veta nga lindja deri në moshën 32-vjeçare. «Ata që [në fëmijëri] ishin më impulsivë, acaroheshin kollaj dhe mezi pritnin t’u plotësohej dëshira ose t’u vinte radha», kur u rritën ishin rreth tri herë më të prirur të kishin shëndet të dobët, të ardhura të pakta, të ishin prindër të vetëm dhe të kishin kryer një krim. Sidoqoftë, «vetëkontrolli mund të mësohet»,—thotë revista. Pastaj shton: «Shkollat dhe familjet që i mësojnë fëmijët të përmirësojnë sjelljen që në moshë të njomë, ndihmojnë që të bëhen të rritur më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm.»
Një mësim për shoferët problematikë
Autoritetet në Indi po provojnë metoda të reja me shoferët më problematikë, duke i vënë si policë trafiku. Qëllimi është t’i ndihmojnë shoferët të kuptojnë sa e vështirë është të merresh me kaosin që shkaktojnë ata. Tani, në vend që thjesht t’i ndalojë e t’i gjobitë, policia në Gurgaun, në veriperëndim të Indisë, po u kërkon shoferëve edhe të bashkohen me policët që të drejtojnë trafikun për gjysmë ore ose më shumë. Disa shoferë e pranojnë se tani kanë ndryshuar qëndrim. «Në Gurgaun, vëmë 1.000 [gjoba] çdo ditë për shkaktarët e trafikut,—thotë Barti Arora, zëvendëskomisare e policisë vendëse.—Kështu, mund të kemi edhe 1.000 ‘policë’ të tjerë çdo ditë.»