BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/12 f. 16-18
  • Kush është burrë i vërtetë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kush është burrë i vërtetë?
  • Zgjohuni!—2012
  • Material i ngjashëm
  • «Le të jetë i dukshëm përparimi yt»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Si të mbajë lidhje të ngushta babai me djalin?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
  • Jemi thjesht shokë apo diçka më shumë?​—Pjesa 2
    Zgjohuni!—2012
  • A është njeriu i duhur për mua?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
Shih më tepër
Zgjohuni!—2012
g 12/12 f. 16-18

Të rinjtë pyesin

Kush është burrë i vërtetë?

«Babi më vdiq kur isha tre vjeç. Nganjëherë i kam zili çunat që janë rritur me baba. Duken shumë më të sigurt se unë.»​—Aleksi.a

«Lidhja ime me tim atë është sa për të thënë. M’u desh ta mësoja vetë se ç’do të thotë të jesh burrë i vërtetë.»​—Xhonatani.

A JE ndier ndonjëherë si këta të rinj? A ke frikë se mos, për një arsye a një tjetër, s’do ta mësosh kurrë ç’do të thotë të jesh burrë i vërtetë? Nëse po, mos i humb shpresat!

Shiko se si mund t’i kapërcesh dy vështirësi të zakonshme.

VËSHTIRËSIA 1: Idetë e gabuara të përhapura për burrërinë

Ç’thonë disa:

  • Burrat e vërtetë janë të fortë, nuk qajnë.

  • Burrat e vërtetë nuk lënë njeri t’u thotë çfarë duhet të bëjnë.

  • Burrat janë më të mirë se gratë.

Një këndvështrim tjetër: Të bëhesh burrë do të thotë të mos jesh çunak​—jo të mos jesh grua. Burrë i vërtetë bëhesh kur i lë pas tiparet e një kalamani. Apostulli i krishterë Pavël shkroi: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.» (1 Korintasve 13:11) Me fjalë të tjera, sa më shumë mëson të mendosh, të flasësh e të sillesh me pjekuri, dhe nuk mendon, flet e sillesh më si fëmijë, aq më shumë tregon se je burrë i vërtetë.b

Provo këtë: Shkruaj në një fletë përgjigjet e pyetjeve të mëposhtme:

  1. Në cilat pika kam përparuar dhe i kam hequr «tiparet e një fëmije»?

  2. Në cilat pika mund të përmirësohem?

Mund të lexosh: Luka 7:36-50. Shiko si tregoi Jezui se ishte burrë i vërtetë (1) duke mbrojtur atë që ishte e drejtë dhe (2) duke i trajtuar me respekt të tjerët​—përfshirë edhe gratë.

«E admiroj shokun tim, Kenin. Është burrë i fortë​—fizikisht, emocionalisht dhe në besim—​por edhe njeri i mirë. Shembulli i tij më ka mësuar se një burrë i vërtetë nuk i ul të tjerët vetëm që të dalë vetë si më i mirë.»​—Xhonatani.

VËSHTIRËSIA 2: Mungesa e një figure atërore pozitive

Ç’thonë disa:

  • Nëse babai nuk është pjesë e familjes, kurrë s’do ta mësosh vërtet çfarë do të thotë të jesh burrë.

  • Nëse babai ka qenë shembull i keq, do s’do, je i destinuar të përsëritësh gabimet e tij.

Një këndvështrim tjetër: Edhe nëse fëmijëria jote s’ka qenë aspak ideale, nuk je i destinuar të dështosh! S’ka pse të ta diktojnë jetën rrethanat e këqija. (2 Korintasve 10:4) E ke vetë në dorë të ndjekësh këshillën që i dha mbreti David të birit, Solomonit: «Bëhu i fortë dhe tregohu burrë.»​—1 Mbretërve 2:2.

Natyrisht, mund të jetë e vështirë të rritesh me një baba që të lë pas dore​—ose pa baba fare. «Të mos njohësh babanë është një minus i madh në jetë,—thotë Aleksi, i cituar në fillim.—Jam 25 vjeç, por ndihem sikur vetëm tani po i mësoj gjërat që duhej t’i kisha mësuar në fillim të adoleshencës.» Nëse edhe ti ndihesh si Aleksi, ç’mund të bësh?

Provo këtë: Gjej një këshilltar​—një burrë që është shembull i mirë.c Pyete çfarë cilësish janë veçanërisht të rëndësishme te një burrë i vërtetë. Pastaj, pyete si mund t’i zhvillosh ti këto cilësi.​—Proverbat 1:5.

Mund të lexosh: Proverbat, kapitujt 1-9. Vër re këshillat atërore që mund ta ndihmojnë një djalë të bëhet burrë i mençur e me besim të fortë.

«Ndihem i kënaqur kur shoh çfarë burri po bëhem. Do të doja që im atë të kishte luajtur rol në përparimin tim, por prapëseprapë jam optimist për të ardhmen. Jam i bindur se nuk jam i destinuar të dështoj.»​—Xhonatani.

Pas Zgjohuni! të dhjetorit 2012, artikujt «Të rinjtë pyesin» mund t’i gjesh vetëm në Internet,

a Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

b Shih kutinë «Djalë apo burrë?»

c Pleqtë e kongregacionit të krishterë mund të jenë këshilltarë të mirë.

Jani​—Të jesh burrë nuk do të thotë vetëm të sillesh në mënyrë burrërore, por edhe të jesh i gatshëm t’i përvishesh punës, të mbash nën kontroll ndjenjat dhe të jesh përgjegjës për veprimet e tua.

DJALË APO BURRË?

Një fëmijë shpesh mund të jetë . . .

  • i pasjellshëm.

  • egoist.

  • i përqendruar te qejfet.

  • i drejtuar nga ndjenjat.

Një burrë i vërtetë përpiqet të jetë . . .

  • i respektueshëm.​—Romakëve 12:10.

  • vetëmohues.​—1 Korintasve 10:24.

  • i përgjegjshëm.​—Galatasve 6:5.

  • i zoti të kontrollojë ndjenjat.​—Proverbat 16:32.

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Sipas teje, si është një burrë i vërtetë? Si po eci unë, a po tregohem i pjekur?

DY FJALË PËR PRINDËRIT

BABALLARËT​—

Ideja që do të ketë yt bir për një burrë të vërtetë do të bazohet kryesisht te shembulli që lë ti. Nëse e trajton gruan me respekt, po i mëson djalit t’i trajtojë gratë me respekt. Nëse punon pa u lodhur që të kujdesesh për familjen​—edhe sikur kjo të kërkojë të bësh punë të përulur ose të lodhshme—​po i mëson djalit të punojë pa u lodhur dhe të jetë i përgjegjshëm.​—1 Timoteut 5:8.

Mbase marrëdhënia jote me babanë s’ka qenë aspak ideale. Ndoshta edhe ai s’kishte marrëdhënie të mirë me babanë e tij. Por, mos harro: ti e ke në dorë ta ndalësh këtë rreth vicioz. Mos e humb mundësinë! Zgjidh t’i qëndrosh afër djalit tënd.d Lëri shembull të mirë, dhe ka shumë të ngjarë që kur të rritet, do të bëhet burrë i vërtetë​—një burrë që do të jesh krenar ta quash «im bir».​—Proverbat 23:24.

NËNAT​—

Si mund ta ndihmosh tët bir të bëhet burrë i vërtetë? Mos bëj krahasime negative me burrin tënd. Për shembull, ta zëmë se djali bën një gabim që të sjell ndër mend bashkëshortin. Mbase të vjen t’i shfrysh: «Boll! Bën tamam si yt atë!» Natyrisht, ke të drejtë ta këshillosh djalin kur gabon. Megjithatë, mos harro: nëse fjalët a veprimet e tua nënkuptojnë se çdo gjë që bën burri yt është e gabuar, ndoshta pa dashje po e pengon djalin të bëhet burrë.

Mbështet përpjekjet e tët shoqi që të përfshihet në jetën e djalit. Nxiti të kalojnë kohë bashkë dhe kërko raste që të nxjerrësh në pah cilësitë pozitive të bashkëshortit dhe gjërat e mira që bën. A punon pa u lodhur që të mbajë familjen? A kalon kohë me fëmijët? A i trajton me respekt të tjerët? Tregoji djalit sa shumë i çmon këto gjëra. Me këto komente do ta ndihmosh të mësojë nga aspektet e mira të shembullit të të atit.

d Për më shumë informacione, shih artikullin «Si të mbajë lidhje të ngushta babai me djalin?» në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2011, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo