BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 4/15 f. 3-5
  • Ç’ndodhi me disiplinën?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ç’ndodhi me disiplinën?
  • Zgjohuni!—2015
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Bie autoriteti i prindërve
  • Pikëpamje të lëkundshme
  • Prindër, stërvitini me dashuri fëmijët
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Disiplinë që bën punë
    Zgjohuni!—2015
  • Si të rritësh fëmijë mirëdashës në një botë egoiste
    Zgjohuni!—2013
  • Prindër, ndihmojini fëmijët ta duan Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
Shih më tepër
Zgjohuni!—2015
g 4/15 f. 3-5
1. Një katërvjeçar mban një lodër; 2. Një pesëvjeçare me duar të kryqëzuara; 3. Një 12-vjeçar me dorën në bel

TEMA KRYESORE

Ç’ndodhi me disiplinën?

Dekadat e fundit jeta familjare në vendet perëndimore ka ndryshuar tej mase. Dikur komandonin prindërit, kurse fëmijët u bindeshin. Sot në disa familje duket se rolet kanë ndryshuar. Për shembull, le të mendojmë për skenat e mëposhtme të bazuara në situata të zakonshme.

  • Ndërsa është në dyqan me mamin, djali katërvjeçar zgjatet të marrë një lodër. Mami mundohet t’ia prishë mendjen: «Nuk të mjaftojnë lodrat që ke në shtëpi?» Ajo e kupton vonë se nuk duhej ta linte vetëm me një pyetje. Djali ankohet: «Po unë e dua!» Nga frika se mos shpërthen gjithë nerva​—taktika e tij normale—​mami dorëzohet.

  • Një vajzë pesëvjeçare e ndërpret babanë teksa ai flet me një të rritur tjetër. Ajo i thotë: «U mërzita! Dua të ikim në shtëpi.» Babai e lë fjalën në mes, përkulet drejt vajzës dhe i flet me zë të qetë: «Ja edhe pak zemra e babit, si thua?»

  • Xhejmsin 12-vjeçar e akuzojnë sërish se ka ngritur zërin me mësuesen. Nga ana tjetër, babai i tij mërzitet me mësuesen e jo me të birin. Ai i thotë të birit: «Ajo kapet gjithmonë me ty. Do të ankohem në drejtorinë e shkollës!»

Këto skena janë imagjinare, por jo të ekzagjeruara. Tregojnë një problem real në shtëpitë ku prindërit tolerojnë sjelljen e paedukatë të fëmijëve, dorëzohen para kërkesave të tyre dhe gjoja i shpëtojnë nga pasojat e sjelljes së keqe. Libri The Narcissism Epidemic thotë: «Është tejet e zakonshme të shohësh prindër teksa u bie autoriteti para fëmijëve të tyre të vegjël. Jo shumë kohë më parë, fëmijët e dinin mirë kush ishte shefi, dhe s’ishin ata.»

Natyrisht, mjaft prindër përpiqen t’u mësojnë fëmijëve vlerat e duhura, jo vetëm duke u lënë shembullin e mirë, por edhe duke i ndrequr me vendosmëri e dashuri kur është e nevojshme. Sidoqoftë, siç citonte libri i përmendur më sipër, prindërit që ia dinë vlerën kësaj «po ecin kundër rrymës».

Si arritën gjërat deri në këtë pikë? Ku humbi disiplina?

Bie autoriteti i prindërve

Disa thonë se autoriteti i prindërve nisi të dobësohej në vitet 60 kur ekspertët i nxitnin prindërit të ishin më tolerantë me fëmijët: «Jini miq, jo figurë autoritare. Lavdërimet janë më të mira se disiplina. Mos ndreqni të keqen, por shihni gjërat e mira te fëmijët.» Në vend që të gjenin një ekuilibër mes lavdërimeve dhe ndreqjes, mbase ekspertët donin të thoshin se qortimi ua lëndonte ndjenjat e brishta fëmijëve dhe do t’u ushqente mëri ndaj prindërve për gjithë jetën.

S’kaloi shumë dhe ekspertët po ngrinin në qiell edhe rëndësinë e vlerësimit për veten. Dukej sikur papritur u zbulua sekreti i prindit të mirë dhe ky ishte thjesht: bëjini fëmijët të ndihen mirë me veten. Patjetër që është e rëndësishme t’u ngulitësh fëmijëve sigurinë te vetja. Mirëpo, vetëvlerësimit iu dha më tepër rëndësi seç duhej. Për shembull, ekspertët udhëzonin prindërit: «Mos përdorni fjalë negative, si jo dhe keq. Vazhdoni t’u thoni fëmijëve se janë të veçantë dhe se mund të bëhen çfarë të duan.» Të ndiheshe mirë ishte më e rëndësishme se të ishe i mirë.

Prindërit i bëjnë nderime djalit të ulur në fron

Vetëvlerësimi i tepërt nuk ka bërë gjë tjetër veçse u ka dhënë më shumë autoritet fëmijëve

Së fundi, disa thonë se vetëvlerësimi i tepërt nuk ka bërë gjë tjetër veçse u ka dhënë më shumë autoritet fëmijëve, a thua se e gjithë bota ua ka për borxh. Gjithashtu, siç thotë libri Generation Me, mjaft të rinj i ka lënë «të papërgatitur për kritikat e pashmangshme dhe dështimet e herëpashershme në jetën reale». Është siç tha një baba që citohej në këtë libër: «Kur bie fjala te puna, njerëzit nuk duan t’ia dinë për vetëvlerësimin tënd. . . . Nëse paraqet një raport të keq në zyrë, shefi nuk do të të thotë: ‘O sa më pëlqejnë fletët e tua të bukura!’ Kur fëmijët rriten kështu, dëmtohen jashtë mase.»

Pikëpamje të lëkundshme

Gjatë dekadave, zakonet e prindërve shpesh kanë pasqyruar pikëpamjet e lëkundshme njerëzore. Edukatori Ronald Morrish shkruan: «Disiplina ndryshon vazhdimisht. Ajo pasqyron ndryshimin e shoqërisë sonë.»a Është kaq e lehtë që prindërit të jenë ashtu siç thotë Bibla: «Të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi.»​—Efesianëve 4:14.

Qartë, disiplina tolerante e sotme ka sjellë pasoja të këqija. Jo vetëm ka dobësuar autoritetin prindëror, por s’u ka dhënë as fëmijëve drejtimin e duhur që të bëjnë zgjedhje të mira e ta përballojnë jetën me vetësiguri të vërtetë.

A ka ndonjë mënyrë më të mirë për rritjen e fëmijëve?

a Kursivi është yni; nga libri Secrets of Discipline: 12 Keys for Raising Responsible Children.

I mësojnë gabim?

Vëre veten në situatat e mëposhtme.

  • Je një mama që bëhesh copë për fëmijët. Pas shkolle dhe në fundjavë i çon me makinë djalin e vajzën sa në një aktivitet, në tjetrin: mësime për ski, kurse për piano, stërvitje futbolli​—si e si t’i mbash aktivë. Ti thua: «Jam e rraskapitur, por fëmijët e mi e dinë se janë jeta ime dhe se do të bëja gjithçka për ta. A nuk pritet kjo nga një mama e mirë?»

    Mendo: Ç’mësime po nxjerrin vërtet fëmijët nga një nënë që rraskapitet vetëm e vetëm që t’i përfshijë në aktivitete? Me kalimin e kohës, a nuk do të besojnë fëmijët e tu se të rriturit​—sidomos prindërit—​ekzistojnë vetëm për t’u ardhur pas avazit fëmijëve?

    Një drejtim më i mirë: Ndihmoji fëmijët të kuptojnë se edhe ti ke nevoja. Kështu do të mësojnë të mendojnë për të tjerët, ku futesh edhe ti.

  • Të ka rritur një baba i ashpër e kritik, ndaj je i vendosur të sillesh krejt ndryshe me fëmijët. Shfrytëzon çdo rast për t’i lavdëruar dy çunat, edhe kur s’kanë bërë ndonjë gjë që meriton të lavdërohet. Mendon: «Është e rëndësishme t’i bëj të ndihen mirë me veten. Nëse ndihen të veçantë, do të kenë atë vetëbesim që u duhet për të pasur sukses në jetë.»

    Mendo: Ç’mësim po nxjerrin vërtet djemtë nga lavdërimet boshe, që jepen vetëm e vetëm për t’u bërë qejfin? Si do t’i lëndonte vetëbesimi i tepërt tani dhe kur të rriten?

    Një drejtim më i mirë: Ji i ekuilibruar. Mos i kritiko tepër fëmijët. Nga ana tjetër, lavdërimet bazoji në diçka konkrete që kanë bërë.

  • Je nëna e dy vajzave, gjashtë e pesë vjeçe. Vajza e madhe priret të jetë nevrike. Pikërisht dje, në acarim e sipër, i qëlloi në krah motrës së vogël. Ti reflekton për mënyrën si e zgjidhe këtë. Kujton: «Zgjodha të arsyetoja me të dhe jo ta qortoja. Në fund të fundit, a nuk do ta lëndoja po t’i thosha se veproi keq?»

    Mendo: A mjafton vetëm të arsyetosh me një gjashtëvjeçare? A do ta dëmtonte vërtet fjala «keq» për të përshkruar atë që i bëri motrës?

    Një drejtim më i mirë: Bëjua të qartë se sjellja e keqe do të ndëshkohet siç e meriton. Kur disiplina jepet me dashuri, fëmijët e kanë më të lehtë ta ndreqin sjelljen.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo