PIKËPAMJA E BIBLËS
Bukuria Fizike
Qëndrimi i ekuilibruar ndaj bukurisë fizike mund të bëjë ndryshimin midis të qenët të lumtur ose jo.
Pse e çmojmë të bukurën?
Mënyra si e percepton të bukurën truri i njeriut, mbetet ende mister. Bibla nuk shpjegon si ndodh, por tregon pse e kemi ndjenjën e së bukurës: Zoti na ka bërë dhuratë cilësitë e tij. (Zanafilla 1:27; Eklisiastiu 3:11) Gjithashtu, ai krijoi trupin njerëzor tejet kompleks e i dha formë e funksion të mrekullueshëm. Me këtë në mendje, një kompozitor i lashtë shkroi: «Do të të përlëvdoj [o Perëndi], sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë.»—Psalmi 139:14.
Megjithatë, sot pikëpamja për bukurinë fizike shpesh është e paekuilibruar—një prirje e nxitur nga industria e modës dhe media. Sipas librit Body Image, një numër studimesh në kulturat perëndimore «tregojnë se pamja e jashtme është faktori më i rëndësishëm që ndikon në imazhin e përgjithshëm të dikujt për veten». Por, një këndvështrim i ngushtë si ky, bën që të shpërfillësh diçka që është ku e ku më e rëndësishme, zemrën e njeriut.—1 Samuelit 16:7.
Në mjaft kultura i jepet kaq shumë rëndësi pamjes së jashtme dhe joshjes seksuale, saqë po i dëmton njerëzit
Bashkë me vëmendjen që i kushtohet trupit, po i jepet tepër rëndësi joshjes seksuale, sidomos joshjes nga femrat. Në raportin e vitit 2007 të Shoqatës së Psikologëve Amerikanë (APA) thuhet se «gati në të gjitha mediat e studiuara dolën prova të bollshme se femrat shihen si objekte seksuale». Bibla na nxit me forcë të mos lejojmë të ndikohemi nga prirje të tilla, dhe jo më kot.—Kolosianëve 3:5, 6.
«Stolisja juaj të mos jetë e jashtme . . . , por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë.»—1 Pjetrit 3:3, 4.
Pse është e mençur të kemi një pikëpamje të ekuilibruar?
Disa thonë për bukurinë fizike: «Nëse je tërheqëse, tregoje!» Në ato kultura ku është i zakonshëm ky lloj mendimi, sipas një raporti të APA-s, vajzat në adoleshencë ose para adoleshencës mësojnë ta shohin veten «si objekt për të plotësuar dëshirat e të tjerëve, . . . për t’u parë e për t’u vlerësuar në bazë të pamjes». Kjo pikëpamje mund të jetë shumë e dëmshme. Në fakt, është kthyer në problem të madh social e shëndetësor që sipas APA-s, mund të çojë në «një mori ndjenjash negative». Këtu mund të futet ankthi, e «madje neveria për veten . . . , çrregullimet në të ngrënë, vlerësimi i ulët për veten dhe depresioni ose gjendja e dëshpërimit».
«Largoje, pra, shqetësimin nga zemra dhe mënjano të keqen nga mishi yt; sepse rinia dhe pranvera e jetës janë kotësi.»—Eklisiastiu 11:10.
Ç’qëndrim pasqyron një mendje e shëndoshë?
Bibla e lidh ‘mendjen e shëndoshë’, ose mençurinë, me modestinë. (1 Timoteut 2:9) Mendo për këtë: njerëzit modestë nuk janë sipërfaqësorë ose nuk i japin rëndësi vetes, nuk fiksohen pas pamjes, por kanë pikëpamjen e duhur dhe të ekuilibruar për veten. Gjithashtu, ata marrin parasysh ndjenjat e të tjerëve e kështu fitojnë admirimin, respektin, dhe mbi të gjitha, miratimin e Perëndisë. (Mikea 6:8) Për më tepër, ka më shumë gjasa të krijojnë miqësi të vërteta dhe të tërheqin bashkëshortë të mundshëm, të cilët nuk janë të interesuar thjesht për intimitet fizik, por edhe për një lidhje afatgjatë e të lumtur.
Prandaj, për shumë arsye të vlefshme, Bibla na nxit të përqendrohemi te njeriu i brendshëm, «njeriu i fshehtë i zemrës». (1 Pjetrit 3:3, 4) Bukuria e brendshme nuk njeh moshë, madje përmirësohet me kalimin e kohës. Proverbat 16:31 thotë: «Flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë.» Të rinj a të moshuar qofshin, njerëzit që ua vënë veshin këshillave të larta të Biblës, do të gjejnë çelësin jo vetëm të bukurisë që zgjat, por edhe të dinjitetit dhe të kënaqësisë.
«Nuri mund të jetë i rremë dhe bukuria e kotë, por gruaja që ka frikë nga Jehovai, do të marrë lëvdata.»—Proverbat 31:30.