SI TË PËRBALLOSH RRITJEN E ÇMIMEVE
Ji i kënaqur me atë që ke
Njerëzit që kënaqen me atë që kanë, e shijojnë jetën. Edhe kur u ndryshojnë rrethanat, ata e përshtasin mënyrën e jetesës në bazë të të ardhurave.
PSE KA RËNDËSI
Psikologia Xhesika Koler vëren se njerëzit që kënaqen me atë që kanë, priren të jenë më pozitivë. Gjithashtu, ajo thotë se ata janë më pak ziliqarë. Ndaj nuk është e habitshme që këta njerëz zakonisht janë më të lumtur e më pak të stresuar. Në fakt, disa nga njerëzit më të lumtur në botë nuk janë të pasur. Kjo është e vërtetë sidomos për ata që i japin më shumë rëndësi gjërave që nuk blihen me pará, si gëzimi që vjen kur kalon kohë me familjarët dhe miqtë.
ÇFARË MUND TË BËSH
Mos bëj krahasime. Nëse e krahason jetën tënde të thjeshtë me jetën luksoze që duket sikur ka dikush tjetër, do të ndihesh i pakënaqur e madje mund të bëhesh ziliqar. Për më tepër, krahasime të tilla jo gjithmonë pasqyrojnë realitetin. Disa që duket sikur kanë shumë zotërime, mund të jenë zhytur kokë e këmbë në borxhe. Nikola që jeton në Senegal, thotë: «Që të jem e lumtur, s’më nevojiten shumë gjëra. Kur kënaqem me aq sa kam, jam e lumtur edhe kur të tjerët kanë më shumë.»
Provo këtë: Shmang reklamat a postimet në rrjetet sociale që i japin tepër rëndësi mirëqenies ose stilit luksoz të jetesës që bëjnë të tjerët.
Ji mirënjohës. Njerëzit mirënjohës janë më të prirur të kënaqen me atë që kanë, dhe zakonisht nuk mendojnë se u nevojitet a meritojnë më shumë. Robertoni nga Haiti thotë: «Vazhdimisht lë kohë për të reflektuar për çdo të mirë që të tjerët bëjnë ndaj meje dhe familjes sime. Pastaj u them sa shumë i vlerësoj gjërat që kanë bërë për ne. Madje, edhe djalin tim 8-vjeçar e kam mësuar të thotë faleminderit, sa herë që i japin diçka.»
Provo këtë: Çdo ditë shkruaj diçka për të cilën je mirënjohës. Për shembull, mund të jetë shëndeti i mirë, një familje e bashkuar, miqtë e vërtetë ose edhe një perëndim magjepsës.
Ndonjëherë nuk është e lehtë të kënaqemi me atë që kemi. Megjithatë ia vlen çdo përpjekje. Kur zgjedhim të jemi të kënaqur me aq sa kemi, po zgjedhim të jemi të lumtur, dhe asnjë shumë parash nuk mund ta blejë këtë ndjenjë.