Kapitulli 14
‘Unë bëj një besëlidhje me ju për një Mbretëri’
1. Çfarë perspektive u vuri përpara Jezui apostujve të tij, natën para se të vdiste?
NATËN para se të vdiste, Jezui u tha apostujve të tij besnikë: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Unë po shkoj në mënyrë që të përgatis një vend për ju, që atje ku jam unë të jeni edhe ju.» Dhe më tej ai u tha: «Unë bëj një besëlidhje me ju, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një Mbretëri.» (Gjoni 14:2, 3; Luka 22:29) Çfarë perspektive të mrekullueshme vuri ai para tyre!
2. Sa veta do të marrin pjesë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore?
2 Megjithatë, Jezui nuk donte të thoshte se vetëm ata apostuj do të qeverisnin me të në Mbretërinë e tij qiellore. Më vonë, u bë e njohur se 144.000 të shpërblyer nga toka do të kishin këtë privilegj të madh. (Zbul. 5:9, 10; 14:1, 4) A ka ndonjë person sot që synon drejt kësaj?
Mbledhja e trashëgimtarëve të mbretërisë
3. Për çfarë mundësie tërhoqi vëmendjen Jezui në shërbimin e tij publik?
3 Pasi Gjon Pagëzori ishte burgosur nga Herod Antipa, Jezui ndërmori një fushatë intensive në predikimin publik, në të cilin ai tërhoqi vëmendjen në «Mbretërinë e qiejve». (Mat. 4:12, 17) Ai u bëri të ditur njerëzve se do të kishin rastin të hynin në atë Mbretëri dhe se dishepujt e tij me zell e synonin atë çmim.—Mat. 5:3, 10, 20; 7:21; 11:12.
4. (a) Kur u mirosën me frymën e shenjtë të Jehovait dishepujt e parë të Krishtit? (b) Çfarë tregoi, se që atëherë vëmendja qe drejtuar nga mbledhja e trashëgimtarëve të Mbretërisë?
4 Të parët prej tyre u mirosën me frymën e shenjtë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. (Vep. 2:1-4; 2. Kor. 1:21, 22) Masa që mori Perëndia për shpëtim, e cila të çonte drejt jetës së pavdekshme qiellore u bë e njohur. Pjetri përdori «çelësat e mbretërisë së qiejve» për të hapur këtë njohuri—më parë për hebrenjtë, pastaj për samaritanasit dhe kështu për njerëzit e kombeve paganë. (Mat. 16:19) Vëmendje e veçantë iu dha formimit të qeverisë që do të sundonte njerëzimin për 1.000 vjet dhe pothuajse të gjitha letrat e frymëzuara në Shkrimet e Krishtere Greke, i drejtohen në radhë të parë këtij grupi të trashëgimtarëve të Mbretërisë—«të shenjtëve», «pjesëmarrësve të thirrjes qiellore».a
5. Thirrja e tyre për një jetë qiellore, a ishte sepse ata ishin shërbëtorë të Perëndisë më të mirë nga ata që kishin jetuar më parë?
5 Ata nuk u thirrën për në jetën qiellore, sepse në njëfarë mënyre ishin më të mirë se të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, të cilët vdiqën para Rrëshajëve të vitit 33 të e.s. (Mat. 11:11) Më saktë, Jehovai kishte filluar tani të zgjidhte ata që do të ishin bashkësundimtarë me Jezu Krishtin. Për gati 19 shekuj pas kësaj ekzistonte vetëm një thirrje, ajo qiellore. Ajo ishte një dashamirësi e pamerituar që Perëndia ua dha një numri të kufizuar, për të çuar përpara qëllimet e tij të mençura dhe të dashura.—Efes. 2:8-10.
6. (a) Përse do të vinte një kohë kur thirrja qiellore do të përfundonte? (b) Kush do t’i drejtonte gjërat, në mënyrë që edhe profecia në lidhje me «shumicën e madhe» të plotësohej dhe çfarë ka ndodhur aktualisht?
6 Me kohë, numri i përshkruar, por i kufizuar i 144.000-ve do të plotësohej. Vulosja përfundimtare e këtyre izraelitëve frymorë të aprovuar, do të ishte e afërt. (Zbul. 7:1-8) Prandaj Jehovai, me anë të frymës së tij dhe kuptueshmërisë së Fjalës së tij, që e ka bërë të mundur për organizatën e vet të dukshme, do t’i drejtonte gjërat në mënyrë që të plotësohej pjesa tjetër e qëllimit të tij të përshkruar në Zbulesën 7:9-17. Do të mblidhej një «shumicë e madhe» nga të gjitha kombet, me perspektivën emocionuese për të mbijetuar mjerimin e madh dhe për të jetuar përgjithmonë në përsosmëri në Parajsën tokësore. Nëse ne konsiderojmë se çfarë ka ndodhur aktualisht, vërejmë qartë se thirrja qiellore në përgjithësi u plotësua qysh prej vitit 1935 të e.s., kur shpresa tokësore e «shumicës së madhe» u dallua qartë. Që atëherë, mijëra të mbeturve të klasës qiellore iu bashkuan miliona adhurues të Jehovait, të cilët me vendosmëri shpresojnë për të jetuar përgjithmonë pikërisht këtu në tokë.
7. A është e mundur që dikush sot mund të marrë thirrjen qiellore, dhe pse përgjigjemi kështu?
7 A do të thotë kjo se tani nuk thirret më asnjë prej Perëndisë për jetën qiellore? Derisa të bëhet vulosja përfundimtare, është e mundur që ndonjë nga ata që kanë këtë shpresë të dalë jobesnik dhe të tjerë do të duhet të zgjidhen për të marrë vendin e tyre. Por, duket e arsyeshme se kjo gjë do të jetë një rast i rrallë.
Bijtë frymorë—Si e dinë ata?
8. Çfarë shpjegimi bëri Pavli, duke treguar se si ata që lindin nga fryma e shenjtë janë të vetëdijshëm për këtë?
8 Fryma e Perëndisë u jep të krishterëve të pagëzuar që kanë marrë thirrjen qiellore, një siguri pozitive të adoptimit si bij frymorë. Apostulli Pavël foli mbi këtë kur u shkroi «të shenjtëve» në Romë, duke përshkruar se cila ishte në atë kohë situata e gjithë të krishterëve të vërtetë. Ai tha: «Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë. Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birësisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Aba, o Atë!’. Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të.»—Rom. 1:7; 8:14-17, Dio.
9. Në ç’mënyrë «vetë fryma dëshmon» me frymën e atyre që janë me të vërtetë bij të Perëndisë?
9 Dy përdorimet e fjalës «frymë» që janë këtu kanë tërhequr vëmendjen tonë: «vetë fryma» dhe «fryma jonë». E para është forca aktive e padukshme e Perëndisë. Ajo frymëzon tek fëmijët e tij frymorë një bindje se janë të adoptuar si fëmijë të lirë të Perëndisë. Kjo frymë, gjithashtu dëshmon përmes Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, Biblës, e cila është si një letër personale për fëmijët e tij frymorë. (1. Pjetr. 1:10-12) Kur ata që kanë lindur nga fryma e shenjtë e Perëndisë, lexojnë se çfarë thonë shkrimet për bijtë frymorë të Perëndisë, në mënyrë të përshtatshme përgjigjen: «Kjo aplikohet tek unë». Kështu, vetë forca aktive e Perëndisë në mënyra të ndryshme dëshmon me frymën e tyre, duke nxitur forcën e vetë mendjes dhe zemrës së tyre, se ata janë fëmijë të Perëndisë. Në përputhje me atë çka tregon fryma e Perëndisë, mendjet dhe zemrat e tyre përqendrohen në perspektivën për të qenë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin dhe pranojnë përgjegjësitë e fëmijëve frymorë të Perëndisë.—Filip. 3:13, 14.
10. (a) Në vetvete, cilët faktorë nuk e identifikojnë dikë si një të krishterë të mirosur? (b) Çfarë mendojnë «delet e tjera» në lidhje me vendin e tyre në qëllimin e Perëndisë?
10 A është e vërtetë kjo për ty? Nëse po, ti ke një privilegj të mrekullueshëm. Megjithatë, do të ishte një gabim për cilindo të përfundonte, se meqë një person ka çmueshmëri të madhe për gjërat më të thella frymore ose është i zellshëm në shërbimin në fushë ose ka dashuri intensive për vëllezërit e tij, ai pra duhet të jetë një i krishterë i mirosur me frymë. Të gjitha këto gjëra karakterizojnë shumë prej «deleve të tjera». Gjithashtu, zemrat e tyre nxiten nga ajo që lexojnë në Shkrime në lidhje me bashkëtrashëgimtarët e Krishtit, por ata nuk marrin guximin të pretendojnë për vete diçka që Perëndia nuk ua ka rezervuar atyre. (Krahaso Numrat 16:1-40.) Ata e dinë qëllimin fillestar të Perëndisë për tokën dhe veprojnë me mirënjohje që të mund të marrin pjesë në të.
Marrin pjesë denjësisht
11. Kush merr pjesë në përkujtimin vjetor të vdekjes së Jezu Krishtit dhe përse?
11 Çdo vit, më 14 Nisan pas perëndimit të diellit, ithtarët e mirosur të Jezu Krishtit në të gjitha pjesët e tokës përkujtojnë vdekjen e tij, në harmoni me udhëzimet që ai u dha apostujve të tij. (Luka 22:19, 20) «Delet e tjera» janë gjithashtu të pranishme, jo si pjesëmarrëse në bukën dhe në verën, por si vëzhguese të respektueshme.
12. Në ç’mënyrë disa prej të krishterëve të parë në Korint dështuan në të treguarit e çmueshmërisë së tyre për Darkën e Zotërisë?
12 Ky nuk është një rit fetar i padobishëm, por ka një domethënie të fuqishme. Të krishterëve të shekullit të parë në Korint e Greqi, disa prej të cilëve nuk treguan një çmueshmëri të përshtatshme për rastin, apostulli Pavël me seriozitet u dha këtë këshillë, duke thënë: «Kushdo që ha bukën pa maja apo pi kupën e Zotërisë padenjësisht do të jetë fajtor në lidhje me trupin dhe gjakun e Zotërisë.» Çfarë i bëri ata pjesëmarrës ‘të padenjë’? Ata nuk ishin të përgatitur personalisht në mënyrë të përshtatshme në mendje dhe në zemër. Kishte përçarje në kongregacion. Gjithashtu, disa e tepronin në të ngrënë e në të pirë para mbledhjes. Ata e trajtonin Darkën e Zotërisë me indiferentizëm. Nuk ishin në gjendje të dallonin domethënien serioze të bukës dhe të verës.—1. Kor. 11:17-34.
13. Cila është domethënia e bukës dhe e verës që shërbehet në Përkujtim?
13 Cila ishte kjo domethënie? Ajo nuk ka të bëjë me ndonjë transformim të mrekullueshëm të supozuar të bukës dhe verës. Krishti, në asnjë lloj kuptimi nuk flijohet përsëri në çdo Përkujtim. Shkrimet thonë se «Krishti u ofrua një herë për të gjitha kohët për të bartur mëkatet e shumicës». (Hebr. 9:28; 10:10; Rom. 6:9) Buka pa maja dhe vera e kuqe janë emblemat e zakonshme që paraqesin trupin në kuptimin e vërtetë të flijuar nga Jezui dhe gjakun në kuptimin e vërtetë që ai derdhi. Sa të çmuara janë këto të vërteta! Trupi njerëzor pa mëkat i Jezuit u dha, në mënyrë që bota e njerëzimit të ketë mundësinë për të jetuar përgjithmonë. (Gjon. 6:51) Dhe derdhja e gjakut të tij shërbeu për një qëllim të dyfishtë—të pastronte nga mëkatet ata njerëz që do të ushtronin besim në të dhe të bënte të vlefshme besëlidhjen e re midis Perëndisë dhe kongregacionit të Izraelit frymor, i cili përbëhet prej të krishterëve të mirosur me frymë. (1. Gjon. 1:7; 1. Kor. 11:25; Gal. 6:14-16) Këto masa të çmueshme që janë marrë, u japin mundësi pjesëtarëve të «kopesë së vogël» të shpallen të drejtë prej Perëndisë, aktualisht duke u atribuar atyre përsosmërinë njerëzore. (Luka 12:32) Kjo është bërë kështu, që ata të mund të lindin prej frymës së shenjtë si bij të Perëndisë, me perspektivën e pjesëmarrjes së tyre me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. Me qenë se ata marrin pjesë çdo vit në emblemat e Përkujtimit, duke dëshmuar kështu për shpresën e tyre qiellore, vlerësimi i tyre se janë në «besëlidhjen e re» të ndërmjetësuar nga Krishti rinovohet dhe thellohet.—Hebr. 8:6-12.
«Ne do të vijmë me ju njerëz»
14. (a) Përse «delet e tjera» nuk marrin nga emblemat e Përkujtimit, por çfarë presin ato me plot dëshirë? (b) Si mendojnë ato për shoqërimin me mbetjen e trashëgimtarëve të Mbretërisë?
14 «Delet e tjera» dallojnë se si është sjellë Jehovai me të mirosurit e tij dhe u bashkohen atyre, duke thënë: «Ne do të vijmë me ju njerëz, sepse ne kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.» (Zah. 8:20-23) Ato jo vetëm që mblidhen së bashku, por edhe marrin pjesë së bashku për të bërë të njohur lajmin e mirë të Mbretërisë në të gjithë tokën e banuar. Megjithatë, «delet e tjera» nuk marrin pjesë në «besëlidhjen e re» me Izraelin frymor dhe as nuk përfshihen në «besëlidhjen . . . për një mbretëri» të bërë prej Jezuit me të zgjedhurit, për të marrë pjesë me të në jetën qiellore, prandaj në mënyrë të përshtatshme, ata nuk marrin nga emblemat e Përkujtimit. (Luka 22:20, 29) Por, ndërsa «besëlidhja e re» arrin qëllimin e saj, duke mbledhur pjesëtarët e fundit të «kopesë së vogël» për Mbretërinë qiellore, «delet e tjera» kuptojnë se kjo tregon afrimin e bekimeve që ato do të marrin në tokë nga kjo Mbretëri. Ato e konsiderojnë një privilegj që të shërbejnë në këto «ditë të fundit» së bashku me mbetjen besnike të trashëgimtarëve të Mbretërisë.
[Shënimet]
a Shiko vargjet hyrëse të Romakëve; 1 dhe 2 Korintasve, Efesianëve, Filipianëve, Kolosianëve, Titit, 1 dhe 2 Pjetrit; gjithashtu Galatasve 3:26-29, 1. Selanikasve 2:12, 2. Selanikasve 2:14, 2. Timoteut 4:8, Hebrenjve 3:1, Jakovit 1:18, 1. Gjonit 3:1, 2 dhe Judës 1.
Pyetje për përsëritje
● Përse shumë nga Shkrimet e Krishtere Greke tërheqin vëmendjen nga shpresa qiellore?
● Ata që kanë lindur si bij të Perëndisë, si e dinë këtë? Cila është domethënia e emblemave që ata marrin në Përkujtim?
● Si e tregojnë «delet e tjera» se janë me të vërtetë të bashkuara me «kopenë e vogël»?