Kapitulli 8
Mutacionet: Një bazë për evolucionin?
1, 2. Cili thuhet se është mekanizmi bazë për evolucionin?
EKZISTON edhe një vështirësi tjetër me të cilën ballafaqohet teoria e evolucionit. Është pikërisht pyetja se si mendohet të ketë ndodhur ai? Cili është mekanizmi themelor që ka bërë të aftë një lloj gjallese të evoluojë në një lloj tjetër? Evolucionistët pohojnë se këtu kanë luajtur rolin e tyre ndryshimet e shumta brenda bërthamës së qelizës. Dhe më kryesoret ndër to janë ndryshimet «e rastësishme» të njohura si mutacione. Besohet se në këto ndryshime mutative janë përfshirë gjenet dhe kromozomet në qelizat seksuale dhe se përmes tyre ato mund të kalojnë në pasardhës.
2 «Mutacionet . . . janë baza e evolucionit»,—thotë The World Book Encyclopedia.1 Po kështu, paleontologu Stivën Stenli i quan mutacionet «lëndë të parë» të evolucionit.2 Ndërsa gjenetisti Peo Kollër deklaron se mutacionet «janë të domosdoshme që evolucioni të shkojë përpara».3
3. Ç’lloj mutacioni do të kërkonte evolucioni?
3 Megjithatë, evolucioni nuk kërkon çdo lloj mutacioni. Robert Xhestrou theksonte nevojën për «një akumulim të ngadalshëm të mutacioneve të favorshme».4 Ndërsa, Karl Sagan shton: «Mutacionet—ndryshimet e papritura në trashëgim—shumëzohen besnikërisht. Ato sigurojnë lëndën e parë të evolucionit. Mjedisi seleksionon ato pak mutacione që favorizojnë mbijetesën, duke çuar në një varg ndryshimesh graduale të një forme jetësore në një tjetër, në lindjen e llojeve të reja.»5
4. Çfarë vështirësie paraqitet nga pohimi se mutacionet marrin pjesë në ndryshimet e shpejta të evolucionit?
4 Gjithashtu, thuhet se mutacionet mund të jenë një çelës për të kuptuar ndryshimin e shpejtë që kërkohet nga teoria e «ekuilibrit të ndërprerë». Duke shkruar në Science Digest, Xhon Glaidmen deklaron: «Revizionuesit e evolucionit besojnë se mutacionet në gjenet kryesore rregullatore mund të jenë ato mekanizma që kërkon teoria e tyre e kapërcimit sasior.» Por, zoologu britanik Kollin Petërson vëren: «Spekulimi ka fushë të lirë. Ne nuk dimë asgjë për këto gjene kryesore rregullatore.»6 Por, duke lënë mënjanë këto spekulime, është pranuar përgjithësisht se mutacionet që supozohet se marrin pjesë në evolucion janë ndryshime të vogla të rastit që akumulohen gjatë një periudhe të gjatë kohore.
5. Si lindin mutacionet?
5 Si kanë lindur mutacionet? Supozohet se shumica e tyre shfaqen në procesin normal të riprodhimit qelizor. Por, eksperimentet tregojnë se ato lindin edhe për shkak të faktorëve të jashtëm, siç janë rrezatimi dhe kimikatet. Sa shpesh ndodhin ato? Shumëzimi i materialit gjenetik në qelizë është jashtëzakonisht i qëndrueshëm. Duke folur relativisht në proporcion me numrin e qelizave që ndahen në organizmin e gjallë, mutacionet nuk ndodhin shumë shpesh. Siç komentonte Encyclopedia Americana: «Riprodhimi i zinxhirëve të ADN-së që përbëjnë një gjen është jashtëzakonisht i saktë. Gabimet në transkriptim apo kopjim janë aksidente të rralla.»7
A janë të dobishme apo të dëmshme?
6, 7. Sa mutacione të dëmshme i korrespondojnë një të dobishmi?
6 Nëse mutacionet e dobishme janë një bazë për evolucionin, në ç’masë janë të dobishme? Në këtë pikë midis evolucionistëve ekziston një pajtim i përgjithshëm. Për shembull, Karl Sagan ka deklaruar: «Shumica prej tyre janë të dëmshme apo vdekjeprurëse.»8 Edhe Peo Kollër pohon: «Përqindja më e madhe e mutacioneve janë të dëmshme për individin që mbart gjenin mutant. Është provuar eksperimentalisht, se për çdo mutacion të suksesshëm apo të vlefshëm gjenden disa mijëra të dëmshme.»9
7 Duke përjashtuar mutacionet «neutrale», del se mutacionet e dëmshme e tejkalojnë numrin e mutacioneve që supozohet se janë të dobishme, në raport një mijë me një. «Të tilla rezultate duhen pritur nga ndryshimet e rastit që shfaqen në çdo organizëm të ndërlikuar»,—thotë Encyclopædia Britannica.10 Prandaj edhe thuhet se mutacionet janë përgjegjëse për qindra sëmundje me origjinë gjenetike.11
8. Si i vërtetojnë rezultatet aktuale vërejtjet e një enciklopedie?
8 Në lidhje me natyrën e dëmshme të mutacioneve, Encyclopedia Americana pranon: «Fakti se shumica e mutacioneve e dëmtojnë organizmin, është i vështirë të pajtohet me mendimin se mutacionet janë burimi i lëndës së parë për evolucionin. Në të vërtetë, shembujt e mutacioneve të paraqitura në librat e biologjisë, janë një koleksion i trilleve e llahtarive dhe se mutacioni duket më tepër një proces shkatërrues, sesa ndërtues.»12 Kur insektet e ndryshuara nga mutacionet u krahasuan me ato normale, përfundimi gjithmonë ishte i njëjtë. Siç vërente G. Lediard Staibins: «Pas një numri më të madh a më të vogël brezash, mutantët eliminohen.»13 Ata nuk mund të konkurojnë, sepse nuk u përmirësuan, por u degjeneruan, duke qenë kështu në disavantazh.
9, 10. Pse është pa vend supozimi se mutacionet janë në dobi të evolucionit?
9 Në librin e tij Burimet e jetës (The Wellsprings of Life) shkrimtari fantastiko-shkencor Isak Azimov pohonte: «Shumica e mutacioneve janë për të keq.» Megjithatë, më tej ai mbrohet: «Është e sigurt se mutacionet gjatë një kohe më të gjatë bëjnë që rrjedha e evolucionit të shkojë përpara dhe më lart.»14 Por, a është vërtet kështu? A mund të konsiderohet i dobishëm një proces që në 1.000 raste 999 herë është i dëmshëm? Nëse do të duhej një ndërtues për shtëpinë, a do të zgjidhje një të tillë që një punë e kryen mirë ndërsa një mijë të tjera i prish? Nëse një shofer merr mijëra vendime të gabuara dhe vetëm një të drejtë ndërsa nget makinën, a do të dëshiroje të udhëtoje me të? Nëse një kirurg kur operon bën mijëra lëvizje të gabuara dhe vetëm një të saktë, a do të pranoje të të operonte ai?
10 Gjenetisti Dobzhanski dikur tha: «Vështirë se mund të pritet që një aksident, një ndryshim i rastësishëm në një mekanizëm të ndërlikuar, të sjellë përmirësimin e tij. Duke futur një shufër në një mekanizëm sahati apo radioje, vështirë se do të punonin më mirë se më parë.»15 Pra, pyete veten: A duket e arsyeshme që të gjitha këto qeliza jashtëzakonisht të ndërlikuara, organet, gjymtyrët dhe proceset që ekzistojnë në organizmat e gjallë, të jenë ndërtuar me një procedurë që shkatërron?
A prodhojnë mutacionet diçka të re?
11-13. A prodhon ndonjëherë mutacioni diçka të re?
11 Edhe sikur të gjitha mutacionet të ishin të dobishme, a mund të prodhojnë ato diçka të re? Jo, nuk munden. Një mutacion mund të rezultojë vetëm në një variacion të një tipari që tashmë ekziston. Mutacioni siguron varietete, por asnjëherë diçka të re.
12 The World Book Encyclopedia jep një shembull të asaj që mund të ndodhte me një mutacion të dobishëm: «Një pemë në një tokë të thatë, ndoshta ka një gjen mutant, i cili bën që ajo të rritë rrënjë më të mëdha dhe më të forta. Pema do të kishte një mundësi më të mirë për të mbijetuar sesa bimët e tjera të të njëjtit lloj, sepse rrënjët e saj mund të thithin më shumë ujë.»16 Por, a u shfaq diçka e re? Jo, ajo prapë është e njëjta pemë. Nuk evoluoi në diçka tjetër.
13 Mutacioni mund të ndryshojë ngjyrën apo radhitjen e flokëve të një personi. Por, flokët gjithmonë mbeten flokë. Kurrë s’do të shndërrohen në pendë. Edhe dora e njeriut mund të ndryshojë nga mutacionet. Ndoshta ka gishta jonormalë. Ndonjëherë mund të ketë edhe gjashtë gishta apo ndonjë çrregullim tjetër. Por ajo gjithmonë është dorë. Kurrë nuk ndryshon në diçka tjetër. Asgjë e re nuk është shfaqur, as që do të shfaqet ndonjëherë.
Eksperimente me mizën e frutave
14, 15. Çfarë kanë zbuluar dekada ekperimentesh me mizat?
14 Pak eksperimente mutacioni mund të barazohen me eksperimentet e gjera të zhvilluara me mizën e zakonshme të frutave Drosophila melanogaster. Në fillim të shekullit të 20-të, shkencëtarët kanë ekspozuar nën rrezet X me miliona miza të tilla. Kjo e rriti frekuencën e mutacioneve në më se njëqind herë kundrejt asaj normale.
15 Çfarë treguan këto eksperimente pas gjithë këtyre dekadave? Dobzhanski zbuloi një rezultat: «Çdo mizë e veçantë e ndryshuar e Drosophilës, me të cilën janë bërë aq shumë eksperimente klasike në gjenetikë, është pothuaj pa asnjë përjashtim inferiore kundrejt mizave natyrore, si në aftësinë për të mbijetuar, në aftësinë për shumëzim dhe në jetëgjatësi.»17 Një rezultat tjetër ishte se mutacionet nuk prodhuan kurrë diçka të re. Mizat mutante patën krahë, këmbë dhe trup të deformuar, si dhe deformime të tjera, por gjithmonë mbetën miza. Dhe kur mizat mutante çiftoheshin me njëra-tjetrën, u vërtetua se pas një numri të caktuar brezash filluan të çelnin miza normale. Nëse do të liheshin në gjendjen e tyre natyrore, këto miza normale do të ishin më superiore se mutantet e dobëta, duke mbijetuar dhe duke ruajtur po atë formë të mizës që ekzistonte në fillim.
16. Si ndihmon kodi i trashëgimisë në ruajtjen e organizmave?
16 Kodi i trashëgimisë, ADN-ja, ka një aftësi të mrekullueshme që të përmirësojë vetë dëmtimin gjenetik. Kjo ndihmon në ruajtjen e atij lloji organizmi për të cilin është koduar. Scientific American përmend se si «jeta e çdo organizmi dhe vazhdimësia e tij nga brezi në brez» mbahet nga «enzimat që riparojnë vazhdimisht» dëmtimin gjenetik. Revista pohon: «Veçanërisht, dëmtimet e mëdha të molekulave të ADN-së mund të shkaktojnë një reagim emergjence, në të cilin sintetizohen sasi të mëdha të enzimave riparuese.»18
17. Pse Goldshmidi u dëshpërua nga eksperimentet e mutacionit?
17 Kështu, në librin Darvini i tërhequr (Darwin Retried), autori thotë në lidhje me gjenetistin e njohur, të ndjerin Riçard Goldshmid: «Pasi vrojtoi mutacionet tek mizat për shumë vjet më radhë, Goldshmid ra në dëshpërim. Ndryshimet, u ankua ai, ishin pa asnjë shpresë të vogla, aq sa edhe sikur të ndërthureshin me mijëra mutacione në një specie, akoma nuk do kishte asnjë lloj të ri.»19
Flutura e mështeknës
18, 19. Ç’deklarata janë bërë për fluturën e mështeknës dhe pse?
18 Shpesh, në literaturën evolucioniste, flutura e mështeknës e Anglisë referohet si një shembull bashkëkohor i evolucionit në përparim. The International Wildlife Encyclopedia thotë: «Ky është ndryshimi evolucionist më i dukshëm që ka parë njeriu ndonjëherë.»20 Pasi ka vërejtur se Darvini ishte i dëshpëruar nga paaftësia e tij për të demonstruar evolucionin qoftë edhe të një lloji, Xhestrou në librin e tij Gjigantët e kuq dhe xhuxhët e bardhë shton: «Sikur ta dinte këtë, do të kishte pasur shembullin që do t’i siguronte provën që i nevojitej. Ky është rast jashtëzakonisht i rrallë.»21 Natyrisht, bëhej fjalë për fluturën e mështeknës.
19 Por, çfarë ndodhi me fluturën e mështeknës? Në fillim, forma me ngjyrë më të çelët e kësaj fluture ishte më e zakonshme nga ajo e errëta. Ky lloj i çelët përshtatej mirë me trungjet e pemëve me ngjyrë të çelët dhe kështu ishte më shumë i mbrojtur nga zogjtë. Por, pas ndotjeve shumëvjeçare nga zonat industriale, trungjet e pemëve u bënë të errëta. Tashmë ngjyra më e çelët e fluturave ishte kundër tyre, sepse zogjtë mund t’i zbulonin më lehtë e t’i hanin. Rrjedhimisht, flutura me ngjyrë më të errët, për të cilën thuhet se është mutante, mbijetoi më mirë, sepse zogjtë e kishin të vështirë t’i dallonin në pemët ngjyrerrëta nga bloza. Varieteti më i errët u bë shpejt lloji dominues.
20. Si shpjegon një revistë mjekësore angleze se flutura nuk po evoluon?
20 Por, a evoluoi flutura e mështeknës në ndonjë lloj tjetër insekti. Jo, ajo ishte ende saktësisht po e njëjta flutur nate, vetëm se me një ngjyrë të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye, revista mjekësore angleze On Call i referohet përdorimit të këtij shembulli, duke u përpjekur të provojë se evolucioni është «i dëmshëm». Ajo deklaronte: «Ky është një demonstrim i shkëlqyer i funksionit të maskimit, por meqë fillon dhe mbaron me flutur dhe nuk formohet asnjë lloj i ri, është plotësisht i parëndësishëm si dëshmi për evolucionin.»22
21. Ç’mund të thuhet për pohimin se mikrobet janë të afta t’u rezistojnë antibiotikëve?
21 Pohimi i pasaktë se flutura e mështeknës po evoluon, është i njëjtë me plot raste të tjera të ngjashme. Për shembull, meqë disa mikrobe kanë dalë rezistente ndaj antibiotikëve, është pohuar se në këtë mes hyn evolucioni. Por, mikrobet rezistente janë ende të të njëjtit lloj, nuk kanë evoluar në diçka tjetër. Madje është pranuar se ndryshimi nuk ka ndodhur për shkak të mutacionit, por për faktin se disa mikrobe qysh në fillim ishin imune. Kur të tjerat u zhdukën nga ilaçet, imunet u shumuan dhe mbizotëruan. Siç thotë libri Evolucion nga hapësira: «Mirëpo, ne dyshojnë se në këto raste hyn në mes diçka tjetër, përveç seleksionimit të gjeneve që tashmë ekzistonin.»23
22. A do të thotë fakti që disa insekte janë imune ndaj helmeve, se ato po evoluojnë?
22 Gjithashtu, i njëjti proces mund të ketë qenë edhe në rastin e disa insekteve që ishin imune ndaj helmeve që u përdoren kundër tyre. Helmet ose i vritnin insektet mbi të cilat përdoreshin, ose dilnin të paefektshme. Pasi kishin ngordhur, është e qartë se të vrarat nuk mundën të rezistonin. Mbijetesa e të tjerave mund të nënkuptonte se ato kishin qenë imune qysh në fillim. Një imunitet i tillë është një faktor gjenetik që shfaqet në disa insekte, por tek të tjerat jo. Sidoqoftë, insektet mbeten të të njëjtit lloj. Nuk evoluan në diçka tjetër.
«Sipas llojeve të tyre»
23. Cili rregull themelor i librit të Zanafillës vërtetohet edhe nga mutacionet?
23 Mesazhi i konfirmuar edhe njëherë nga mutacionet, është formula e kapitullit të parë të Zanafillës: Gjallesat shumëzohen vetëm «sipas llojeve të tyre». Arsyeja është se kodi gjenetik nuk e lejon një bimë apo një kafshë të largohet shumë nga mesatarja. Mund të ekzistojnë varietete të shumta (siç mund të shihen, për shembull, tek njerëzit, macet apo qentë), por jo aq të mëdha, sa një gjallesë të mund të ndryshojë në një tjetër. Çdo eksperiment i bërë me mutacionet e provon këtë. Përveç kësaj, provohet edhe ligji i biogjenezës, se jeta rrjedh vetëm nga jeta që ekzistonte më parë dhe se organizmat prindërorë dhe pasardhësit e tyre janë të të njëjtit «lloj».
24. Si tregojnë eksperimentet e mbarështimit se gjallesat shumohen vetëm «sipas llojeve të tyre»?
24 Eksperimentet e mbarështimit gjithashtu e vërtetojnë këtë. Shkencëtarët kanë provuar të ndryshojnë shumë kafshë dhe pemë, në mënyrë të vazhdueshme, me anë të kryqëzimit. Dëshironin të shihnin nëse pas një kohe të caktuar, mund të zhvillohen forma të reja jete. Cili ishte rezultati? Revista On Call raporton: «Mbarështuesit zakonisht shohin se pas disa brezave arrihet një optimum pas të cilit përmirësimi i mëtejshëm bëhet i pamundur dhe nuk formohen lloje të reja . . . Prandaj, procedurat e mbarështimit më tepër duket sikur e kundërshtojnë evolucionin sesa e përkrahin.»24
25, 26. Ç’thonë disa botime shkencore mbi kufijtë brenda të cilëve shumohen krijesat e gjalla?
25 Po e njëjta gjë thuhet në revistën Science: «Llojet kanë vërtet aftësi për të pësuar modifikime të vogla në karakteristikat fizike apo të llojeve të tjera, por kjo aftësi është e kufizuar dhe kur provat zgjatin më tepër, ajo tregon një lëkundje rreth një mesatareje.»25 Kështu, pra, qeniet e gjalla nuk trashëgojnë mundësinë e ndryshimit të vazhdueshëm, por përkundrazi (1) stabilitetin dhe (2) hapësirën e kufizuar të ndryshimit.
26 Kështu, libri Nga molekulat deri tek qelizat e gjalla (Molecules to Living Cells) thotë: «Qelizat e karrotës apo të mëlçisë së miut ruajnë vazhdimisht strukturën e tyre dhe identitetin e organizmave të tyre, edhe pas cikleve të pafundme të shumimit.»26 Ndërsa, libri Simbioza në evolucionin e qelizës (Symbiosis in Cell Evolution) thotë: «E gjithë jeta . . . riprodhohet me një besnikëri të pabesueshme.»27 Revista Scientific American gjithashtu vëren: «Qeniet e gjalla ndryshojnë jashtëzakonisht në formë, por forma është për çudi konstante brenda secilës vijë të dhënë trashëgimie: derrat mbeten derra dhe lisat mbeten lisa brez pas brezi.»28 Një shkrimtar shkencor komenton: «Shkurret e trëndafilave lulëzojnë gjithmonë me trëndafila e asnjëherë me kamelie. Dhe dhitë lindin keca, asnjëherë qengja.» Ai përfundon se mutacionet «nuk mund të shpjegojnë të gjithë evolucionin—përse ekzistojnë peshq, zvarranikë, zogj dhe gjitarë».29
27. Çfarë keqinterpretoi Darvini tek trishtilat e ishujve Galapagos?
27 Ndryshueshmëria brenda një lloji shpjegon diçka që ndikoi në mendimin fillestar të Darvinit mbi evolucionin. Kur ishte në ishujt Galapagos, ai vrojtoi një lloj zogu të quajtur trishtil. Këta zogj ishin të një lloji me prindërit e tyre në kontinentin e Amerikës Jugore, prej nga ishte e qartë se kishin migruar. Por, midis tyre kishte ndryshime interesante, si për shembull në formën e sqepit të tyre. Darvini e interpretoi këtë si evolucion progresiv. Por, në fakt, kjo nuk ishte asgjë më tepër sesa një tjetër shembull i varieteteve brenda llojit, i mundësuar nga struktura gjenetike e gjallesave. Trishtilat akoma ishin trishtila. Ata nuk po ndryshonin në diçka tjetër dhe as që kanë për ta bërë kurrë.
28. A mund të thuhet, pra, se faktet shkencore janë në harmoni të plotë me rregullin e Zanafillës «sipas llojeve të tyre»?
28 Kështu, ajo që thotë Zanafilla është në harmoni të plotë me faktet shkencore. Kur mbjell farat e një peme ato japin prodhime vetëm «sipas llojeve të tyre», kështu që ti mund të mbjellësh një kopsht i sigurt në besueshmërinë e këtij ligji. Kur macet pjellin, pasardhësit janë gjithmonë mace. Kur njerëzit bëhen prindër, fëmijët e tyre janë gjithmonë njerëz. Ka ndryshime në ngjyrë, madhësi dhe formë, por gjithmonë brenda kufijve të llojit. A ke parë ndonjëherë personalisht ndonjë rast të ndryshëm? Edhe të tjerët nuk kanë parë.
Nuk janë bazë për evolucionin
29. Çfarë tha një biolog francez mbi mutacionet?
29 Konkluzioni është i qartë. Nuk ekziston asnjë sasi e ndryshimeve të rastësishme gjenetike, që mund të shkaktojë që një qenie e gjallë të shndërrohet në një tjetër. Siç ka thënë njëherë biologu francez Zhan Rostan: «Jo, unë nuk mund të mendoj në asnjë mënyrë se këto ‘shmangie’ nga trashëgimia kanë qenë të afta, qoftë edhe në bashkëpunim me seleksionimin natyror, qoftë edhe me favorin e periudhave jashtëzakonisht të gjata të kohës në të cilat evolucioni ka ndikuar në jetë, që të ndërtonin gjithë këtë botë, me gjithë këtë bujari strukturash që ka, me gjithë këto stërhollime, me gjithë këto ‘përshtatje’ të mrekullueshme.»30
30. Çfarë komenti bëri një gjenetist mbi mutacionet?
30 Po kështu, gjenetisti C. H. Uedington pohon në lidhje me besimin në mutacionet: «Kjo teori është vërtet e ngjashme me përpjekjen e një njeriu që duke filluar me katërmbëdhjetë rreshta të anglishtes moderne dhe duke ndërruar kohë pas kohe një shkronjë e duke mbajtur vetëm ato që kanë kuptim, kërkon të krijojë më në fund një nga sonetat e Shekspirit. . . . Kjo më duket një logjikë e marrë dhe mendoj se do të duhej të ishim në gjendje të bënim diçka më të mirë.»31
31. Si e quajti një gjenetist pohimin se mutacionet janë lëndë e parë për evolucionin?
31 E vërteta është siç deklaronte profesori Xhon Mur: «I parë nën një shqyrtim dhe analizë më rigoroze, çdo pohim dogmatik . . . se mutacionet e gjeneve janë lënda e parë e proceseve evolucioniste, duke përfshirë edhe seleksionimin natyror, është shprehje e një miti.»32
[Diçitura në faqen 99]
«Mutacionet . . . janë baza e evolucionit»
[Diçitura në faqen 100]
Mutacionet lidhen me «aksidentet» në mekanizmin gjenetik. Por, aksidentet shkaktojnë dëme e jo dobi
[Diçitura në faqen 101]
«Mutacioni duket më tepër një proces shkatërrues, sesa ndërtues»
[Diçitura në faqen 105]
«Edhe sikur të ndërthureshin me mijëra mutacione në një specie, akoma nuk do të kishte asnjë lloj të ri»
[Diçitura në faqen 107]
«Është plotësisht i parëndësishëm si dëshmi për evolucionin»
[Diçitura në faqen 107]
Mesazhi i konfirmuar nga mutacionet është ky: Organizmat e gjallë shumohen vetëm «sipas llojeve të tyre»
[Diçitura në faqen 108]
«Procedurat e mbarështimit më tepër duket sikur e kundërshtojnë evolucionin sesa e përkrahin»
[Diçitura në faqen 109]
«Derrat mbeten derra dhe lisat mbeten lisa brez pas brezi»
[Diçitura në faqen 110]
Mutacionet «nuk mund të shpjegojnë të gjithë evolucionin»
[Diçitura në faqen 110]
«Kjo më duket një logjikë e marrë dhe mendoj se do të duhej të ishim në gjendje të bënim diçka më të mirë»
[Kutia dhe figura në faqet 112, 113]
Cili pajtohet me faktet?
Pasi lexon kapitujt e mëparshëm, është me vend të bëhet pyetja: Cili pajtohet me faktet, evolucioni apo krijimi? Tabela e mëposhtme tregon modelin evolucionist, modelin e krijimit dhe faktet ashtu siç i gjejmë në botën reale.
Pohimet e modelit Pohimet e modelit Faktet e gjetura
të evolucionit të krijimit në botën reale
Jeta evoluoi nga Jeta vjen vetëm nga (1) Jeta vjen vetëm
materia e vdekur, jeta e mëparshme; nga jeta e mëparshme;
rastësisht, me fillimisht e krijuar (2) kodi kompleks
evolucion kimik nga një Krijues gjenetik s’formohet
(lindje spontane) inteligjent në asnjë mënyrë
rastësisht
Fosilet duhej të Fosilet duhej Fosilet
tregonin: të tregonin: tregojnë:
(1) forma të (1) forma të (1) shfaqje
thjeshta të jetës ndërlikuara që e papritur e jetës së
që lindën shfaqen befas ndërlikuar
gradualisht; në shumë lloje; në shumë lloje;
(2) forma (2) humnera që (2) çdo lloj i ri
ndërkalimtare ndajnë llojet është i ndarë nga
që lidhen me kryesore; asnjë llojet e mëparshme;
të mëparshmet formë lidhëse asnjë formë lidhëse
Lloje të reja me Asnjë lloj i ri Asnjë lloj i ri
zhvillim gradual; s’paraqitet nuk shfaqet
fillime me kocka gradualisht; asnjë gradualisht, edhe pse
e organe kockë e organ ka varietete
të pakompletuara, i pakompletuar, të shumta; asnjë
në faza të ndryshme të gjitha pjesët kockë dhe organ i
tranzitore janë të formuara paformuar plotësisht
Mutacionet: rezultati Mutacionet janë Mutacionet e vogla
përfundimtar të dëmshme për dëmtuese, të mëdhatë
—të dobishme; jetën komplekse; vdekjeprurëse;
krijojnë nuk çojnë kurrë s’japin
karakteristika në asgjë të re diçka të re
të reja
Lindja graduale Civilizimi paraqitet Civilizimi paraqitet
e civilizimit, njëkohësisht me njeriun; banorët
prej fillimeve me njeriun; që nga e shpellave ishin
primitive e të egra fillimi është bashkëkohës
kompleks të civilizimit
Gjuha evoluoi Gjuha paraqitet me Gjuha shfaqet me
nga tingujt shfaqjen e njeriut; njeriun; gjuhët e
e thjeshtë të gjuhët e vjetra lashta shpesh janë
kafshëve, deri tek janë komplekse më të ndërlikuara
gjuhët moderne komplekse dhe të plota se modernet
Njeriu Njeriu shfaqet Raportet më të
shfaqet para afërsisht para vjetra të shkruara
miliona viteve 6.000 vjetëve datojnë vetëm
5.000 vjet prapa
. . . Përfundimi logjik
Kur krahasojmë atë që është gjetur në botën reale me atë që pohojnë evolucioni dhe krijimi, a nuk është e qartë se cili model pajtohet me faktet dhe cili kundërshtohet me to? Dëshmitë në botën e gjallë përreth nesh dhe dëshmitë fosile mbi jetën që ka ekzistuar në të kaluarën e hershme, dëshmojnë të njëjtin përfundim: Jeta është krijuar; nuk ka evoluar.
Jo, jeta nuk filloi në ndonjë «supë» të panjohur primitive. Njerëzit nuk erdhën nga paraardhësit majmunë. Përkundrazi, qeniet e gjalla u krijuan me bollëk si tipe familjesh të ndara. Secila prej tyre mund të shumohet në varietete të shumta brenda «llojit» të vet, por nuk mund të kalojë kufirin që ndan çdo lloj të veçantë. Ky kufi, siç mund të vërehet qartë në botën e gjallë, mbahet i mbyllur me anë të sterilitetit. Ndërsa, dallueshmëria midis llojeve mbrohet nga mekanizmi gjenetik unik për secilin lloj.
Mirëpo, ekzistojnë edhe shumë gjëra që dëshmojnë për një Krijues, e jo vetëm faktet që përputhen me pohimet e modelit të krijimit. Ki parasysh projektet e mrekullueshme dhe ndërlikimet që gjenden në Tokë, natyrisht, edhe në të gjithë kozmosin. Edhe këto dëshmojnë ekzistencën e një Inteligjence Supreme. Vetëm disa nga këto mrekulli, nga universi marramendës e deri tek strukturat e ndërlikuara të botës mikroskopike, do të jenë tani në qendër të vëmendjes sonë në disa nga kapitujt vijues.
[Figurat në faqen 102]
A do të merrje një ndërtues që bën një punë të mirë për çdo një mijë të këqija?
Nëse një shofer merr mijëra vendime të gabuara dhe vetëm një të drejtë, a do të dëshiroje të udhëtoje me të?
Nëse një kirurg bën mijëra lëvizje të gabuara dhe vetëm një të saktë, a do të pranoje të të operonte ai?
[Figura në faqen 103]
Dobzhanski: «Duke futur një shufër në një mekanizëm . . . radioje, vështirë se do të punonte më mirë se më parë»
[Figurat në faqen 104]
Eksperimentet me mizën e frutave prodhuan shumë mutante të deformuara, por ato gjithmonë mbetën miza frutash
Drosofila normale
Drosofila mutante
[Figurat në faqen 106]
Ndryshimi i ngjyrës tek flutura e mështeknës nuk është evolucion, por vetëm varietet brenda llojit themelor
[Figurat në faqen 108]
Familja e qenve ka shumë varietete, por qentë gjithmonë mbeten qen
[Figurat në faqen 109]
Ekziston një varietet i madh në familjen njerëzore, por njerëzit shumohen vetëm «sipas llojit të tyre»
[Figurat në faqen 111]
Trishtilat që Darvini i vërejti në Galapagos, mbetën gjithmonë trishtila; pra, ajo që ai vërejti ishte varietet, jo evolucion