BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ce kap. 12 f. 152-159
  • Kush e bëri i pari?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kush e bëri i pari?
  • Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
  • Material i ngjashëm
  • Shqisat mahnitëse të botës së kafshëve
    Zgjohuni!—2003
  • Çfarë na mëson natyra?
    Zgjohuni!—2006
  • Modelin e kishte natyra
    Zgjohuni!—2010
Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
ce kap. 12 f. 152-159

Kapitulli 12

Kush e bëri i pari?

1. Çfarë thotë një biolog mbi shpikësit njerëzorë?

«KAM dyshimin,—tha një biolog,—se nuk jemi ata novatorë që na duket se jemi; jemi vetëm imitues.»1 Në shumë raste shpikësit njerëzorë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përsëritin atë që bimë apo kafshë e kanë bërë tashmë prej mijëra vjetësh. Ideja për të kopjuar nga krijesat e gjalla është kaq e përhapur, saqë i është dhënë edhe një emër: bionika.

2. Çfarë thotë një shkencëtar tjetër, duke krahasuar teknologjinë njerëzore me atë të natyrës?

2 Sipas një shkencëtari, praktikisht të gjithë sektorët themelorë të teknologjisë njerëzore «kanë nisur dhe janë shfrytëzuar prej krijesave të gjalla . . . përpara se mendja njerëzore të fillonte të kuptonte funksionet dhe t’i bënte të vetat». Në mënyrë interesante ai shton: «Në shumë fusha, teknologjia njerëzore është ende shumë mbrapa në lidhje me natyrën.»2

3. Cilat pyetje duhet të mbajmë ndër mend gjatë shqyrtimit të disa shembujve të bionikës?

3 Ndërsa mediton mbi aftësitë e ndërlikuara që shpikësit njerëzorë janë përpjekur të kopjojnë nga krijesat e gjalla, a të duket e arsyeshme të besosh se ato janë zhvilluar krejt rastësisht dhe se kjo nuk ka ndodhur vetëm një herë, por shumë herë, në krijesa të pavarura nga njëra-tjetra? A nuk na mëson përvoja se struktura kaq të ndërlikuara mund të jenë vetëm vepër e një projektuesi të shkëlqyer? A mendon me të vërtetë se rastësia mund të krijojë gjëra, kopjimi i të cilave më vonë ka kërkuar njerëz të pajisur me mençuri të madhe? Mbaji parasysh këto pyetje, ndërsa shqyrton shembujt e mëposhtëm:

4. (a) Në ç’mënyrë i freskojnë termitet banesat e tyre? (b) Cilës pyetje nuk dinë t’i përgjigjen shkencëtarët?

4 AJËR I KONDICIONUAR. Teknologjia moderne lejon freskimin e ajrit në shumë banesa. Por termitet e bënin këtë gjë shumë kohë më parë dhe vazhdojnë ta bëjnë akoma. Foleja e tyre është e vendosur në qendër të një bregoreje të madhe. Prej atje, ajri i ngrohtë ngjitet lart, duke depërtuar nëpër një rrjet kanalesh ajri në afërsi të sipërfaqes. Këtu, ajri i ndenjur shpërndahet nëpër faqet me pore dhe ajri i freskët filtron brenda dhe zbret në një dhomë ajri të vendosur në rrëzë të bregores, prej nga hyn në qarkullim në fole. Disa bregore kanë në rrëzë të tyre disa të çara që e lejojnë ajrin e freskët të hyjë dhe kur jashtë bën vapë ato i lejojnë ujit të nëndheshëm të avullojë, duke freskuar kështu ajrin. Si mundin këto miliona termite të verbra punëtore të bashkërenditin përpjekjet e tyre për të ndërtuar struktura të projektuara me kaq zgjuarsi? Biologu Luis Tomas përgjigjet: «Fakti i thjeshtë që ato shfaqin atë që ngjan një inteligjencë e përbashkët është një mister.»3

5-8. Çfarë kanë mësuar inxhinierët e aeronautikës, duke studiuar krahët e zogjve?

5 AEROPLANË. Projektit të krahëve të aeroplanëve i ka kontribuar gjatë viteve studimi i krahëve të zogjve. Tek këta të fundit, përkulja e krahëve furnizon aftësinë mbajtëse të nevojshme për të mposhtur forcën e gravitetit. Por nëse përkulja e krahëve është më e madhe, ekziston rreziku i humbjes së shpejtësisë gjatë çarjes së rrymës. Për të shmangur këtë gjë, krahët e zogjve janë të pajisur në skajin e përparmë me një sërë pendësh, të cilat dora-dorës që përkulja e krahut rritet, ngrihen duke shërbyer si mbështetës (1, 2). Këto pendë mbështetin aftësinë mbajtëse, duke mos e lejuar rrymën kryesore të ajrit të shkëputet nga sipërfaqja e krahëve.

6 Një tjetër aspekt që lejon mbajtjen nën kontroll të pështjellimeve dhe shmangien e humbjes së shpejtësisë gjatë çarjes së rrymës është edhe álula (3), një tufë pendësh që zogu mund ta mbajë të ngritur si një gisht.

7 Në majë të krahëve, si të zogjve dhe të aeroplanëve, krijohen vorbulla që prodhojnë rezistencë. Zogjtë e zgjidhin problemin në dy mënyra. Disa, si për shembull dejkat apo albatrosët, kanë krahë të gjatë dhe të zhdërvjellët që mbarojnë me një majë të hollë, ndërtim ky që eliminon pjesën më të madhe të vorbullave. Disa të tjerë, si skifterët e mëdhenj apo hutat, kanë krahë të gjerë, të cilët mund të shkaktonin vorbulla të mëdha, por ata e shmangin problemin duke i hapur, si të ishin gishta, majat e pendëve në skajet e krahëve. Skajet e dendura shndërrohen në këtë mënyrë në maja të holla të shumta që pakësojnë vorbullat dhe rezistencën (4).

8 Inxhinierët e aeronautikës kanë adoptuar shumë prej këtyre aspekteve. Përkulja e krahëve favorizon aftësinë mbajtëse. Mbyllëse dhe projekte të ndryshme shërbejnë për të kontrolluar rrymën e ajrit apo si elemente frenuese. Për të zvogëluar rezistencën në skajet e krahëve, disa objekte të vogla fluturuese janë të pajisura me pllaka pingule në sipërfaqen e krahëve. Megjithatë, krahët e aeroplanëve nuk mund ta arrijnë ende përsosmërinë teknike të krahëve të zogjve.

9. Cilat kafshë dhe bimë e kanë paraprirë njeriun në përdorimin e substancave kundër ngrirjes dhe me çfarë efikasiteti?

9 KUNDËRNGRIRËS. Njerëzit përdorin glikolin në radiatorët e automjeteve si kundërngrirës. Por disa bimë mikroskopike në liqenet arktike përdorin kundër ngrirjes një substancë kimikisht të ngjashme, glicerinën. Ajo është e pranishme edhe tek disa insekte që mbijetojnë në një temperaturë prej 20° nën zero. Ka peshq që prodhojnë kundërngrirësin e tyre, duke arritur kështu të mbijetojnë në ujërat e ngrira të Antarktidës. Disa pemë u rezistojnë temperaturave prej 40° nën zero, sepse përmbajnë «ujë shumë të pastër, pa grimca pluhuri apo papastërti mbi të cilat mund të formohen kristalet e akullit».4

10. Çfarë bëjnë disa koleopterë të ujit që të mund të marrin frymë nën ujë?

10 FRYMËMARRJE E NËNUJSHME. Njerëzit, të pajisur me bombola ajri, mund të qëndrojnë nën ujë deri në një orë. Disa koleopterë uji e bëjnë këtë në një mënyrë më të thjeshtë dhe mund të qëndrojnë nën ujë më gjatë. Ata kapin një flluskë ajri dhe zhyten. Flluska shërben si mushkëri. Merr dyoksidin e karbonit nga koleopteri dhe e shpërndan në ujë, nga i cili thith oksigjenin që përdoret nga koleopteri.

11. Çfarë përhapje kanë në natyrë orët biologjike dhe cilët janë disa shembuj të tyre?

11 ORË. Shumë kohë më parë se njeriu të shpikte meridianin, organizma të gjallë ishin të pajisur me orë të afta për të llogaritur me saktësi kalimin e kohës. Gjatë zbaticës, disa bimë mikroskopike, diatomat, dalin në sipërfaqe në rërën e lagur. Kur vjen batica, diatomat zhduken sërish poshtë rërës. Megjithatë, edhe në laborator, pa ngritjet dhe uljet e detit, orët e tyre vazhdojnë t’i çojnë lart e poshtë nëpër rërë, në sinkroni me dallgët. Gjatë zbaticës, disa gaforre të gjinisë Uca marrin një ngjyrë më të mbyllur dhe dalin në sipërfaqe, ndërsa gjatë baticës marrin një ngjyrë më të hapur dhe rikthehen në strofullat e tyre. Të vëzhguara në laborator, larg oqeanit, ato vazhdojnë të ndryshojnë ngjyrën në sinkroni me alternimin e dallgëve. Zogjtë mund të orientohen me diellin dhe me yjet, që me kalimin e kohës ndryshojnë pozicionin. Për të kompensuar këto zhvendosje duhet të kenë një orë të brendshme. (Jeremia 8:7) Nga bimët mikroskopike deri tek njeriu ekzistojnë miliona orë të brendshme.

12. Në ç’kohë njeriu filloi të përdorë busulla elementare, por përse mund të themi se ato ishin në përdorim tashmë nga shumë shekuj?

12 BUSULLA. Rreth shekullit XIII të e.s. njerëzit filluan të përdornin si një busull elementare një gjilpërë magnetike që pluskonte në një tas me ujë. Por ajo s’ishte asgjë e re. Ekzistojnë baktere që përmbajnë fije të pjesëzave të magnetit me përmasa të mjaftueshme për të formuar një busull. Ato i përdorin për të mbërritur në ambientin e tyre të preferuar. Prania e magnetitit është vërtetuar edhe në organizma të tjerë, si zogj, bletë, flutura, delfinë, molusqe e të tjerë. Eksperimentet tregojnë se pëllumbat shtegtarë mund të gjejnë rrugën e shtëpisë, duke perceptuar fushën magnetike të tokës. Sot është një mendim i përgjithshëm se një nga mënyrat në të cilat zogjtë shtegtarë gjejnë rrugën është falë busullave magnetike që gjenden në kokat e tyre.

13. (a) Si ia bëjnë disa pemë nga familja e rizoforeve për të jetuar në ujëra të kripura? (b) Cilat kafshë mund ta pijnë ujin e detit dhe përse?

13 SHKRIPËZIM. Njerëzit ndërtojnë fabrika të mëdha për të shkripëzuar ujin e detit. Disa pemë nga familja e rizoforeve janë të pajisura me rrënjë që thithin ujin e detit, duke e filtruar nëpërmjet disa membranave që eliminojnë kripën. Një prej tyre, Avicennia, e eliminon kripën e tepërt nëpërmjet gjëndrave të vendosura poshtë gjetheve. Zogj detarë, si pulëbardhat, pelikanët, karabullakët e detit, albatrosët dhe zgalemat, pijnë ujë deti dhe me anë të gjëndrave në kokat e tyre eliminojnë nga gjaku kripën e tepërt. Edhe pinguinët, breshkat e detit dhe iguanat e detit, pijnë ujë deti, duke eliminuar më vonë kripërat e tepërta.

14. Cilët janë disa shembuj të kafshëve që prodhojnë elektricitet?

14 ELEKTRICITET. Ekzistojnë rreth 500 lloje peshqish të pajisur me bateri që prodhojnë elektricitet. Peshku mace i Afrikës mund të arrijë deri 350 volt. Shkatrra gjigante e Atlantikut Verior lëshon shkarkesa elektrike nga 50 amper në 60 volt. Është vërtetuar se ngjala elektrike jugamerikane mund të lëshojë shkarkesa më se 886 voltëshe. Sipas një kimisti, «njihen njëmbëdhjetë familje të ndryshme peshqish që përfshijnë lloje të pajisura me organe elektrike».5

15. Cilat aktivitete bujqësore zhvillohen prej kafshëve?

15 AGROKULTURË. Prej shekujsh njerëzit kultivojnë dheun dhe rritin kafshët. Por shumë më parë se ata, milingonat gjetheprerëse punonin si kopshtare. Ato kultivonin kërpudha për ushqim në një përzierje të përbërë nga gjethet dhe mbetjet e tyre organike. Disa milingona rritin morra bimësh, nga të cilët marrin një sekrecion të ëmbël dhe madje ndërtojnë stalla për t’i pritur. Milingonat korrëse grumbullojnë fara në hambarët e nëndheshëm. (Proverbat 6:6-8) Një koleopter krasit mimoza. Disa brejtës, siokotona marmota, i presin fieret, i thajnë dhe i vënë mënjanë.

16. (a) Në ç’mënyrë i ngrohin vezët breshkat e detit, disa zogj dhe aligatorët? (b) Përse është një sfidë e madhe puna që bën fazani mashkull australian dhe si e kryen ai atë?

16 INKUBATORË. Njerëzit ndërtojnë inkubatorë për të çelur vezët, por nën këtë aspekt ata janë të vonuar. Breshkat e detit dhe disa zogj i depozitojnë vezët në rërën e ngrohtë. Disa zogj të tjerë i vendosin ato në hirin e ngrohtë të vullkaneve. Disa herë aligatorët i mbulojnë vezët me mbetjet e bimëve në dekompozim, të cilat lëshojnë ngrohtësi. Por në lidhje me këtë, një ekspert i vërtetë është fazani australian. Mashkulli gërmon një gropë të madhe, e mbush me mbeturina bimësh dhe e mbulon me rërë. Duke fermentuar, bimët e ngrohin grumbullin në të cilin femra vendos një vezë në javë, për gjashtë muaj; gjatë gjithë kësaj kohe mashkulli kontrollon temperaturën, duke futur sqepin në grumbull. Duke shtuar apo duke hequr rërë, ky zog e mban të qëndrueshme temperaturën e inkubatorit mbi 33° C, pavarësisht nëse temperatura e jashtme është tepër e nxehtë apo zbret nën zero.

17. Si e përdorin shtytjen reaktive oktapodi dhe kallamari dhe cilat kafshë që s’kanë lidhje me ta e përdorin gjithashtu?

17 SHTYTJE REAKTIVE. Sot udhëtimet ajrore kry-hen zakonisht mbi avionë reaktivë. Edhe shumë kafshë, prej mijëra vitesh, shfrytëzojnë një sistem me shtytje reaktive. Oktapodi dhe kallamari shkëlqejnë në këtë aspekt. Ata e thithin ujin në një dhomë të veçantë dhe pas kësaj, me muskujt e tyre të fuqishëm, e nxjerrin jashtë dhe lëshohen përpara. Shtytjen reaktive e përdorin edhe kërmilli i detit me dhomë, molusqet e detit, kandilët e detit, larvat e pilivesës dhe disa planktone oqeani.

18. Cilat janë disa nga bimët dhe kafshët e shumta që kanë dritë dhe në ç’mënyrë drita e tyre është më e efektshme se e njerëzve?

18 NDRIÇIM. Merita për shpikjen e llambës i jepet Tomas Edisonit. Por efikasiteti i llambës nuk është edhe aq i lartë, sepse një pjesë e energjisë humb në formën e nxehtësisë. Xixëllonjat veprojnë më mirë, kur ndezin dritat e tyre me ndërprerje. Prodhojnë dritë të ftohtë, pa humbur energji. Shumë sfungjerë, baktere dhe krimba janë lumineshentë. Disa krimba u ngjajnë trenave të vegjël në miniaturë, ndërsa lëvizin me «farin e përparmë» të kuq dhe me 11 çifte «dritaresh» të bardha apo jeshile të zbehtë. Ka shumë peshq që nxjerrin dritë: peshku thithlopë, peshku kandil, peshku nepërkë e shumë lloje të tjera. Miliona mikroorganizma që jetojnë në sipërfaqe të oqeaneve ndizen dhe shkëlqejnë.

19. Kush prodhonte letër shumë më parë se njeriu dhe si e izolon shtëpinë e saj një letërbërëse?

19 LETËR. Egjiptianët e prodhonin mijëra vjet më parë. Megjithatë, ishin shumë prapa në lidhje me arëzat dhe grerëzat. Këto punëtore me krahë, përtypin drurin e staxhionuar dhe prodhojnë një letër me ngjyrë gri, me të cilën ndërtojnë foletë. Disa grerëza i varin foletë e mëdha sferike në pemë. Veshja e jashtme përbëhet nga shtresa të shumta kartoni, të ndara nga dhoma ajri. Kjo i siguron folesë një izolim termik të barabartë me atë të një muri të dendur me tulla më shumë se 40 centimetra.

20. Si zhvendoset një lloj bakteri dhe si kanë reaguar shkencëtarët ndaj kësaj?

20 MOTOR ROTATIV. Bakteret mikroskopike e paraprinë njeriun mijëra vjet në ndërtimin e një motori rotativ. Një baktere është e pajisur me zgjatje fijezore të përdredhura që formojnë një spirale të fortë, të ngjashme me një tapënxjerrëse. Bakteri lëviz përpara, duke e rrotulluar këtë spirale si elikën e një anijeje. Mund të kthejë mbrapa madje edhe motorin! Por ende nuk dihet mirë se si funksionon kjo. Sipas një studimi, bakteri mund të arrijë një shpejtësi të barabartë me 50 km në orë dhe pohon se «në fakt, natyra kishte shpikur rrotën».6 Një kërkues përfundon: «Një nga konceptet biologjike më fantastike është vërtetuar: natyra ka prodhuar me të vërtetë një motor rotativ, me shumë organe çiftëzimi, me aksin e motorit, me kushineta dhe transmision.»7

21. Si i përdorin radarët kafshë të ndryshme, krejtësisht të palidhura me njëra-tjetrën?

21 RADARË. Radari i lakuriqëve të natës dhe i delfi-nëve i tejkalon kopjet që kanë bërë njerëzit. Në një dhomë të errët, plot me fije të holla të varura në çdo drejtim, lakuriqët e natës arrijnë të fluturojnë pa prekur kurrë fijet. Sinjalet e tyre me ultratinguj pasqyrohen nga objektet dhe duke përcaktuar vendndodhjen e jehonës, lakuriqët arrijnë t’i shmangin. Derrat e detit dhe balenat bëjnë të njëjtën gjë në ujë. Disa zogj që i bëjnë foletë e tyre nëpër shpella të errëta, përdorin të njëjtin sistem për të hyrë e për të dalë, duke nxjerrë tinguj të mprehtë dhe depërtues.

22. Në ç’mënyrë vepron parimi i ekuilibrit hidrostatik që përdorin nëndetëset, tek disa kafshë të ndryshme dhe pa lidhje me njëra--tjetrën?

22 NËNDETËSE. Shumë nëndetëse ekzistonin përpara se t’i shpikte njeriu. Disa radiolarë të vegjël kanë në protoplazmën e tyre pika të vogla vajore me të cilat ndryshojnë peshën e tyre, duke lëvizur kështu lart e poshtë nëpër det. Shumë peshq e rregullojnë aftësinë e tyre për të pluskuar, duke përhapur gaz në fshikëzën e notimit apo duke e nxjerrë. Brenda guaskës, kërmilli i detit me dhomë ka serbatorë pluskimi: duke rregulluar aty raportin ujë/gaz, kërmilli i detit rregullon thellësinë e vet. Sepja ka një kockë poroze (që i korrespondon një guaske të brendshme gëlqerore). Për të rregulluar aftësinë e pluskimit, ky molusk pompon ujë jashtë skeletit të tij dhe lejon që struktura poroze të mbushet me gaz. Në këtë mënyrë, poret e kockës së sepjes funksionojnë si bombolat e ujit në një nëndetëse.

23. Cilat kafshë përdorin ndjesorët termikë dhe sa të saktë janë ata?

23 TERMOMETRA. Prej shekullit XVII njerëzit kanë vënë në përdorim termometra që janë elementarë po të krahasohen me disa të tillë që gjenden në natyrë. Antenat e një mushkonje mund të perceptojnë një ndryshim termik prej dy të mijtave të gradit. Një gjarpër me zile ka mbi kokë disa ndjesorë, të cilët lajmërojnë një ndryshim prej një të mijtave të gradit. Koha e reagimit të boas ndaj një ndryshimi termik prej një fraksioni gradi është 35 të mijtat e sekondit. Sqepi i fazanit australian dhe i gjelit të detit të pyllit është i ndjeshëm edhe ndaj një ndryshimi termik prej gjysmë gradi centigrad.

24. Cilën shprehje na kujtojnë këta shembuj?

24 Të gjitha këto raste, në të cilat njeriu ka kopjuar kafshët, të sjellin ndër mend sugjerimin që shpreh Bibla me këto fjalë: «Por pyeti tani kafshët dhe do të të mësojnë, zogjtë e qiellit dhe do të ta thonë, ose foli tokës, dhe ajo do të të mësojë, dhe peshqit e detit do të ta tregojnë.»—Jobi 12:7, 8, Dio.

[Diçitura në faqen 152]

Kopjimi nga krijesat e gjalla është kaq i përhapur, saqë i është dhënë edhe një emër

[Diagrami në faqen 153]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Fole e ftohur për avullim

Ajër i përdorur

Ajër i jashtëm

Ujë i nëndheshëm

[Diagrami në faqen 154]

1 2 3 4

1 2 3

[Figura në faqen 155]

Flluskë ajri

[Figura në faqen 159]

Prerje tërthore e kërmillit të detit me dhomë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo