Kapitulli 16
Përse do t’i lejonte Perëndia vuajtjet?
1. Cila është një arsye e përgjithshme për të cilën shumë veta dyshojnë në ekzistencën e një Krijuesi?
NJË arsye për të cilën shumë veta thonë se dyshojnë në ekzistencën e një Krijuesi është mbizotërimi i vuajtjeve në botë. Gjatë shekujve ka pasur shumë episode egërsie, gjakderdhje dhe ligësi, që kanë shkaktuar vuajtje të mëdha për miliona njerëz të pafajshëm. Prandaj shumë veta pyesin: «Nëse ekziston një Perëndi, përse i lejon të gjitha këto?» Dhe meqë tregimi biblik, siç kemi parë, përputhet më shumë me faktet mbi krijimin, a mund të na ndihmojë Bibla për të kuptuar se përse një Krijues i fuqishëm do të lejonte kaq shumë vuajtje për një kohë kaq të gjatë?
2. Si e përshkruan Bibla vendin ku u vendos çifti i parë njerëzor?
2 Kapitujt e parë të Zanafillës na furnizojnë me elementet themelore për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Ata përshkruajnë krijimin e një bote pa vuajtje. Burri dhe gruaja e parë u vendosën në një ambient parajsor, një banesë e shkëlqyeshme në një kopsht të quajtur Eden dhe atyre iu besua një punë e pëlqyeshme dhe sfiduese. Në lidhje me tokën, atyre iu tha ‘ta kultivonin e të kishin kujdes për të’. Kishin, gjithashtu, përgjegjësi për ‘peshqit e detit dhe për krijesat fluturuese të qiejve dhe për çdo krijesë të gjallë që lëviz mbi tokë’.—Zanafilla 1:28; 2:15.
3. Cila perspektivë shtrihej përpara Adamit dhe Evës?
3 Përveç kësaj, pasi u krijuan me një trup e me një mendje të përsosur, qeniet e para njerëzore nuk kishin asnjë të metë. Nuk kishte, pra, asnjë arsye për të cilën duhej të vuanin ndonjëherë nga ndonjë sëmundje, nga pleqëria apo vdekja. Përkundrazi, përpara tyre shtrihej perspektiva e një të ardhmeje pa fund në një parajsë tokësore.—Ligji i përtërirë 32:4.
4. Cili ishte qëllimi i Perëndisë për njerëzit dhe për vetë tokën?
4 Çiftit të parë njerëzor iu tha, gjithashtu, që ‘të ishin të frytshëm e të shtoheshin e të mbushnin tokën’. Pasi të kishin edhe fëmijë, familja njerëzore do të rritej e do t’i shtrinte kufijtë e Parajsës, kështu që me kalimin e kohës ajo do të shtrihej në mbarë tokën. Raca njerëzore, pra, do të formonte një familje të bashkuar, pjesëtarët e së cilës do të jetonin me një shëndet të përsosur mbi një tokë parajsore.
Nevoja për të pranuar sundimin e Perëndisë
5. Përse nga njerëzit kërkohej që t’i bindeshin sundimit të Perëndisë?
5 Megjithatë, që kjo harmoni të mos turbullohej, çifti i parë njerëzor duhej të pranonte se Krijuesi kishte të drejtën për të drejtuar punët e njerëzimit. Me fjalë të tjera, duhej të pranonin sovranitetin e tij. Po përse? Para së gjithash, sepse një gjë e tillë ishte e drejtë. Ndërtuesit të një diçkaje i takon me të drejtë të ketë njëfarë kontrolli mbi gjënë e bërë. Ky parim përbën prej shekujsh bazën e ligjeve mbi pronësinë. Përveç kësaj, njerëzit duhej të pranonin drejtimin e Krijuesit të tyre edhe për këtë arsye themelore: nuk ishin krijuar me aftësinë për t’u vetëqeverisur në mënyrë të pavarur nga Krijuesi i tyre, ashtu siç nuk do të mund të jetonin nëse nuk hanin, pinin apo nëse nuk do të merrnin frymë. Historia ka konfirmuar vërtetësinë e Biblës kur thotë: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23, Dio) Përderisa të mbetej brenda kufijve të vendosur nga Krijuesi, jeta e njeriut do të vazhdonte pa ndërprerje dhe ai do të gjente kënaqësi dhe lumturi.
6, 7. (a) Ç’lloj lirie u lejoi Perëndia njerëzve dhe përse? (b) Çfarë zgjedhje të gabuar bënë njerëzit e parë?
6 Gjithashtu, njeriu ishte pajisur me gjykim të lirë. Nuk ishte bërë që të reagonte si një robot dhe nuk ishte i detyruar të kryente disa gjëra i shtyrë nga instinkti, siç bëjnë kafshët apo insektet. Megjithatë, kjo liri duhej të ishte relative, jo absolute. Duhej ushtruar në një mënyrë të përgjegjshme, brenda kufijve të ligjeve të Perëndisë, që garantonin të mirën e përbashkët. Vlen të vërehet se si është theksuar në Bibël ky parim: «Jini si njerëz të lirë, duke e mbajtur megjithatë lirinë tuaj jo si një mbulesë për ligësi, por si skllevër të Perëndisë.» (1. Pjetrit 2:16) Pa ndonjë ligj që do të rregullonte marrëdhëniet midis njerëzve, do të mbretëronte anarkia, me pasoja negative për jetën e të gjithëve.
7 Prandaj, nëse një liri relative është e pëlqyeshme, liria e tepërt nuk është më e tillë. Nëse një fëmije i japim tepër liri, ai mund të shkojë e të luajë në mes të një rruge me trafik apo mund të vendosë dorën mbi një sobë të ndezur. Liria e plotë, për të marrë çdo vendim pa mbajtur parasysh Krijuesin tonë, mund t’i hapë rrugë çdo lloj problemi. Dhe kjo ndodhi me qeniet e para njerëzore. Vendosën ta përdornin keq lirinë që u ishte dhuruar. Në mënyrë të gabuar, kërkuan të bëheshin të pavarur nga Krijuesi dhe të ishin kështu «ngjashëm Perëndisë». Kujtuan se mund të vendosnin vetë se ç’ishte e drejtë dhe ç’ishte e gabuar.—Zanafilla 3:5.
8. Çfarë ndodhi kur Adami dhe Eva u shkëputën nga sundimi i Perëndisë?
8 Ajo që ndodhi me njerëzit e parë kur u shkëputën nga drejtimi i Krijuesit, mund të krahasohet me atë që ndodh kur heqim spinën e një ventilatori të ndezur. Derisa është i lidhur me prizën e korrentit, ventilatori rrotullohet. Por kur e shkëputim, ventilatori e ngadalëson shpejtësinë dhe pak nga pak ndalon. Kjo ndodhi me Adamin dhe Evën kur u shkëputën nga Krijuesi i tyre, «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Pasi këta zgjodhën vullnetarisht të jetonin të pavarur nga Krijuesi i tyre, ky u la të kuptonin plotësisht pasojat e zgjedhjes së tyre, duke i braktisur të vetëm. Një parim biblik thotë: «Po ta lini Perëndinë, ai do t’ju lërë juve.» (2. Kronikave 15:2) Pasi nuk kishin më mbështetjen e fuqisë së Krijuesit të tyre, për ta filloi një prishje graduale e mendjes dhe e trupit. Me kohë, u plakën e vdiqën.—Zanafilla 3:19; 5:5.
9. Si ka ndikuar mbi gjithë njerëzimin zgjedhja e keqe që bënë njerëzit e parë?
9 Kur Adami dhe Eva vendosën të bëheshin të pavarur nga Krijuesi i tyre, humbën përsosmërinë. Kjo ndodhi para se t’ju lindte ndonjë fëmijë. Si rrjedhojë, kur patën fëmijë, këta të fundit pasqyruan papërsosmërinë e tyre të trashëguar. Në këtë mënyrë, çifti i parë njerëzor u bë një model me të meta. Po kështu, gjithçka që prodhohej prej tyre ishte me të meta. Prandaj ne të gjithë kemi lindur të papërsosur dhe trashëgojmë mangësi të tilla si plakja, sëmundjet dhe vdekja. Kjo papërsosmëri, bashkë me largimin nga Krijuesi dhe nga ligjet e tij, u hapi dyert çmendurive njerëzore. Për këtë arsye historia e njerëzimit është plot me vuajtje, dhimbje, sëmundje e vdekje.—Psalmi 51:5; Romakëve 5:12.
10. (a) Çfarë rebelimi ndodhi në mbretërinë qiellore? (b) Si mund të ndodhë një gjë e tillë?
10 Por, a do të thotë kjo se ligësia lindi krejtësisht vetëm nga njerëzit? Jo, ka edhe më. Njerëzit nuk ishin të vetmet krijesa inteligjente. Perëndia tashmë kishte krijuar krijesa të shumta frymore në qiell. (Jobi 38:4, 7) Pasi edhe ato ishin të pajisura me vullnet të lirë, duhej po kështu që të bënin një zgjedhje në lidhje me pranimin apo mospranimin e udhëheqjes së Krijuesit të tyre. Një nga këto krijesa frymore vendosi të kultivonte dëshirën për pavarësi. Ambicia e tij mori përmasa të tilla gjigante, aq sa e shtyu të sfidonte autoritetin e Perëndisë. I tha Evës, gruas së Adamit, se mund t’i thyenin ligjet e Perëndisë dhe garantoi: «Ju me siguri nuk do të vdisni.» (Zanafilla 3:4; Jakovit 1:13-15) Deklaratat e tij të linin të kuptoje se ata nuk kishin nevojë për Krijuesin e tyre që të vazhdonin të jetonin e të ishin të lumtur. Përkundrazi, ai u tha se po të thyenin ligjin e Perëndisë do ta përmirësonin gjendjen e tyre, pasi do të bëheshin ngjashëm Perëndisë. Vuri, pra, në diskutim vlefshmërinë e ligjeve të Perëndisë dhe ngriti dyshime mbi mënyrën në të cilën Perëndia i qeveriste. Në fakt, vuri në dyshim vetë të drejtën e Krijuesit për të qeverisur. Për shkak të këtyre insinuatave të tij, ai u quajt Satana, që do të thotë «kundërshtar» dhe Djall, që do të thotë «shpifës». Në gjashtë mijë vjetët pasues ky qëndrim satanik ka ndikuar mbi njerëzimin, duke nxitur një politikë që frymëzohet nga kriteri ‘sundo ose shkatërro’.—Luka 4:2-8; 1. Gjonit 5:19; Zbulesa 12:9.
11. Përse nuk i shkatërroi Perëndia rebelët qysh në fillim?
11 Por, përse nuk i shkatërroi menjëherë Perëndia rebelët njerëzorë dhe rebelin frymor? Përgjigjja qëndron në faktin se përpara gjithë krijimit inteligjent ishin ngritur çështje të rëndësishme. Një nga këto çështje përfshinte pyetje të tilla: Pavarësia nga sovraniteti i Perëndisë, a do të sillte vallë dobi të përhershme? Ishte më mirë që njerëzit të udhëhiqeshin nga Perëndia apo të vepronin sipas kokës së tyre? A mund ta udhëhiqnin njerëzit me sukses këtë botë, të pavarur nga Krijuesi i tyre? Me pak fjalë, a kishin me të vërtetë nevojë njerëzit për udhëheqjen e Perëndisë? Këto pyetje kishin nevojë për përgjigje, të cilat vetëm kalimi i kohës mund t’i siguronte.
Përse kaq gjatë?
12. Nëse Perëndia do të kishte ndërhyrë qysh në fillim, cila akuzë do të mund të ngrihej kundër tij?
12 Por, përse Perëndia ka lejuar që të kalojë kaq shumë kohë—tanimë janë pothuajse 6.000 vjet—përpara se të zgjidhë çështje të tilla? A s’mund të zgjidheshin në një mënyrë të kënaqshme shumë kohë më parë? E pra, nëse Perëndia do të kishte ndërhyrë shumë kohë më parë, mund të ishte ngjallur dyshimi se njerëzit nuk kishin pasur mjaft kohë për të zhvilluar një qeveri të efektshme, si edhe teknologjinë e duhur për t’u dhënë paqe e begati të gjithëve. Me mençurinë e tij, Perëndia e dinte se për të zgjidhur përfundimisht çështjet e ngritura do të nevojitej kohë. Dhe e la këtë kohë.
13, 14. Cilat janë rezultatet e pavarësisë nga Perëndia?
13 Gjatë shekujve është eksperimentuar çdo lloj qeverie, çdo lloj sistemi shoqëror dhe çdo lloj sistemi ekonomik. Përveç kësaj, njerëzit kanë pasur kohë të mjaftueshme për të bërë përparime të dukshme në fushën teknologjike, duke arritur të mbajnë nën kontroll atomin e të udhëtojnë për në hënë. Me çfarë rezultatesh? A ka mundur e gjithë kjo të realizojë atë botë, për të cilën e gjithë familja njerëzore ka nevojë?
14 As për së largu. Asgjë nga ato që ka provuar njeriu nuk ka sjellë paqe e lumturi për të gjithë. Përkundrazi, pas gjithë kësaj kohe, kushtet janë shumë më të paqëndrueshme se më parë. Kriminaliteti, lufta, kriza familjare, problemet ekonomike, varfëria e uria pllakosin nga njëri vend në tjetrin. Është vënë në rrezik vetë ekzistenca e njerëzimit. Raketa bërthamore, të pajisura me një fuqi të tmerrshme shkatërruese, mund të asgjësojnë një pjesë të madhe të njerëzimit, për të mos thënë të gjithë. Prandaj, pas mijëra vjet përpjekjesh, pas shumë shekujsh përvoje, nga e cila njeriu mund të nxirrte përfitim e me gjithë sukseset e mrekullueshme në fushën teknologjike, njerëzimi ende gjendet në një luftë të dëshpëruar me problemet e tij elementare.
15. Çfarë ka ndodhur me tokën si rrjedhojë e rebelimit njerëzor?
15 Edhe vetë toka po heq pasojat e kësaj. Njeriu, me lakminë dhe shkujdesjen e vet, i ka katandisur disa zona në shkretëtira, duke shkatërruar pyjet që i mbronin. Substancat kimike dhe produktet e tjera nga mbetjet kanë ndotur tokën, detin dhe ajrin. Përshkrimi që Bibla i bëri 2.000 vjet më parë jetës mbi tokë, sot është më se i vlefshëm: «I gjithë krijimi rënkon së bashku dhe vuan së bashku deri tani.»—Romakëve 8:22.
Çfarë është treguar?
16, 17. Çfarë është treguar me kalimin e një kohe kaq të gjatë?
16 Çfarë kanë treguar, përtej çdo dyshimi, ngjarjet që kanë ndodhur gjatë gjithë kësaj kohe? Kanë treguar se sundimi i pavarur i njeriut nga Krijuesi është i pakënaqshëm. Është treguar qartësisht se nuk është e mundur të administrohen me sukses punët mbi tokë pa ndihmën e Krijuesit të njeriut. Historia vazhdon të konfirmojë vlerësimin objektiv të Biblës mbi përpjekjet njerëzore për të qeverisur: «Njeriu ka sunduar njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu 8:9.
17 Çfarë ndryshimi midis rezultateve shkatërrimtare të përpjekjeve njerëzore dhe rregullit e saktësisë që mbretërojnë në universin e rregulluar nga ligjet e Krijuesit të tij! Është e qartë se edhe njerëzit kanë nevojë për këtë lloj udhëheqjeje në drejtimin e punëve të tyre, sepse mosmbajtja parasysh e drejtimit të Perëndisë ka dalë me pasoja shkatërrimtare. Është treguar, në fakt, njëherë e përgjithmonë se kemi nevojë për drejtimin e Perëndisë, ashtu siç kemi nevojë për ajër, ujë e ushqim.—Mateu 4:4.
18. Në ç’mënyrë koha e lejuar për të zgjidhur çështjet përbën një precedent të përhershëm për të ardhmen?
18 Veç kësaj, duke lënë kohë të mjaftueshme për të zgjidhur çështjet në lidhje me sundimin njerëzor, Perëndia ka vendosur edhe një precedent të vlefshëm për të ardhmen. Mund ta krahasojmë këtë me një çështje themelore gjyqësore të diskutuar nga një gjykatë e lartë. Çështja është zgjidhur njëherë e përgjithmonë: sundimi njerëzor i pavarur nga Perëndia nuk mund të garantojë kushte të mira mbi tokë. Në këtë mënyrë, nëse në të ardhmen ndonjë krijesë e pajisur me gjykim të lirë do të sfidojë mënyrën e të vepruarit të Perëndisë, nuk do të jetë e nevojshme t’i lejohen mijëra vjet të tjerë që të përpiqet për të vërtetuar akuzat e saj. Gjithçka që mund të provohet është provuar gjatë kësaj periudhe rreth 6.000 vjeçare të lejuar nga Perëndia. Prandaj, gjatë gjithë përjetësisë në të ardhmen, asnjë rebeli nuk do t’i lejohet të turbullojë paqen dhe lumturinë e jetës mbi tokë apo të ndërhyjë në sovranitetin e Perëndisë në ndonjë vend tjetër të universit. Siç pohon hapur Bibla: «Fatkeqësia nuk do të ndodhë dy herë.»—Naumi 1:9, Dio.
Zgjidhja e Perëndisë
19. Cila është zgjidhja e Perëndisë për problemin e ligësisë?
19 Bibla, pra, na jep një shpjegim të arsyeshëm mbi ekzistencën e vuajtjeve në një botë të krijuar nga Perëndia. Gjithashtu, tregon qartësisht se është e afërt koha në të cilën Perëndia do të përdorë fuqinë e tij të plotë për të eliminuar ata që shkaktojnë vuajtje të tilla. Proverbat 2:21, 22 thotë: «Të drejtët janë ata që do të banojnë mbi tokë dhe të pafajshmit do të lihen aty. Sa për të ligjtë, do të priten nga vetë toka; dhe sa për të pabesët, ata do të shkulen tej prej saj.» Po, Perëndia ‘do t’i shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Së fundi, kjo do të përfshijë edhe eliminimin e Satana Djallit. (Romakëve 16:20) Perëndia nuk do të lejojë për shumë kohë që të ligjtë të përdhosin krijimin e tij të mrekullueshëm, tokën. Cilido që nuk do të pajtohet me ligjet e tij do të hidhet tej. Vetëm ata që bëjnë vullnetin e Perëndisë do të vazhdojnë të jetojnë. (1. Gjonit 2:15-17) Nuk mbillet një kopsht në një fushë me barishte të këqija, as dhelprat nuk vihen në një kafaz me pulat. Prandaj edhe Perëndia, kur të rivendosë parajsën për njerëzit e drejtë, nuk do të lejojë që individë vandalë të veprojnë lirisht.
20. Si do të fshihen vuajtjet e së shkuarës?
20 Edhe pse këta shekuj mundimesh kanë qenë të dhimbshëm për ata që i kanë provuar, kanë shërbyer për një qëllim të dobishëm. Mund të krahasohet me rastin e një prindi, i cili lejon që i biri të pësojë një ndërhyrje të dhimbshme kirurgjike, për të zgjidhur një problem të rëndë shëndetësor. Dobitë e përhershme kompensojnë në një masë të madhe çdo lloj dhimbje të përkohshme. Përveç kësaj, e ardhmja që Perëndia ruan për këtë tokë dhe për banorët e saj, parashikon që kujtesa do të lirohet nga pesha e së shkuarës: «Gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mëndje.» (Isaia 65:17, Dio) Prandaj, çdo lloj vuajtje që mund të ketë hequr njerëzimi, më së fundi do të fshihet nga mendja e atyre që do të jetojnë kur sundimi i Perëndisë të jetë shtrirë në mbarë tokën. Atëherë gëzimi nuk do të mjegullohet më nga kujtimet e hidhura të së shkuarës, sepse Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, nuk do të ketë më as vaj, as britmë dhe as dhimbje. Gjërat e mëparshme shkuan. Dhe ai që ulej mbi fron tha: ‘Ja, po bëj çdo gjë të re’».—Zbulesa 21:4, 5.
21. Çfarë mundësie do t’u jepet madje edhe të vdekurve?
21 Jezu Krishti foli mbi këtë sistem të ri që do të vijë, si mbi «rikrijimin». (Mateu 19:28) Ata që dikur u bënë viktima të vuajtjeve dhe të vdekjes, do të mësojnë atëherë se Perëndia interesohet me të vërtetë për ta, sepse në atë periudhë do të ndodhë edhe rikrijimi i vërtetë i atyre që dergjen nëpër varre. Jezui tha: «Të gjithë ata që janë në varret përkujtimore . . . do të dalin jashtë prej tyre», duke ardhur përsëri në jetë apo duke u ringjallur mbi tokë. (Gjoni 5:28, 29) Në këtë mënyrë edhe të vdekurve do t’u jepet mundësia që t’i nënshtrohen sundimit të drejtë të Perëndisë dhe të marrin privilegjin për të jetuar përgjithmonë në «parajsë», siç e quajti Jezui.—Luka 23:43.
22. Cilat kushte do të vendosen në mbretërinë e kafshëve?
22 Madje edhe në mbretërinë e kafshëve do të jetohet në paqe. Bibla thotë se «vetë ujku e qengji do të kullosin së bashku dhe luani do të hajë kashtë si edhe demi» dhe «një djalë i vogël do t’i udhëheqë». Në sistemin e ri të Perëndisë kafshët «nuk do të bëjnë asnjë dëm, as do të shkaktojnë asnjë rrënim», midis tyre dhe në lidhje me njeriun.—Isaia 11:6-9; 65:25.
23. Në ç’gjendje do të vijë gjithë krijimi i Perëndisë?
23 Kështu, pra, në çdo kuptim, siç thotë edhe Romakëve 8:21, «edhe vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë». Me kohë, toka do të bëhet një parajsë e banuar nga njerëz të përsosur, pa sëmundje, dhimbje e vdekje. Vuajtjet do të jenë përgjithmonë gjëra të së shkuarës. Të gjitha aspektet e krijimit tokësor të Perëndisë do të vijnë në harmoni të plotë me qëllimin e tij dhe njolla e tmerrshme që ka përdhosur universin e Tij për mijëra vjet, do të fshihet.
24. Cila pyetje mund të lindë në lidhje me Biblën?
24 Ky është shpjegimi që jep Bibla mbi arsyet për të cilat Perëndia ka lejuar vuajtjet dhe mbi mënyrën se si do ta zgjidhë ai problemin. Por dikush mund të kundërshtojë: «Kush më siguron se Bibla është me të vërtetë e denjë për t’u besuar?»
[Diçitura në faqen 188]
Shumë pyesin: «Nëse ekziston një Perëndi, përse i lejon të gjitha këto?»
[Diçitura në faqen 190]
Njerëzit nuk janë krijuar për t’u vetëqeverisur në mënyrë të pavarur nga Krijuesi i tyre
[Diçitura në faqen 190]
Liria duhej të ishte relative, jo absolute
[Diçitura në faqen 192]
Meditimi mbi gjëra të gabuara, mund ta shtyjë dikë që të kryejë gjëra të gabuara
[Diçitura në faqen 193]
Për të zgjidhur përfundimisht çështjet e ngritura do të duhej kohë
[Diçitura në faqen 194]
«I gjithë krijimi rënkon së bashku dhe vuan së bashku deri tani»
[Diçitura në faqen 196]
Krijuesi nuk do të lejojë edhe për shumë kohë që të ligjtë të përdhosin tokën e tij të mrekullueshme
[Diçitura në faqen 198]
Në çdo kuptim, «edhe vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e prishjes»
[Figura në faqen 189]
Njerëzit e parë kishin perspektivën për të jetuar përgjithmonë mbi një tokë parajsore
[Figurat në faqen 191]
Ashtu si një ventilator i ndezur, që kur hiqet nga priza e korrentit ngadalëson shpejtësinë e pastaj ndalon, edhe Adami me Evën, pasi u shkëputën nga burimi i jetës, u plakën e vdiqën
[Figurat në faqen 194]
Pas gjithë këtyre shekujve, gjendja në botë është më kërcënuese se kurrë më parë
[Figura në faqen 195]
Duke lejuar kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pikëpyetjeve, Perëndia vendosi një precedent për të ardhmen, ngjashëm me një sentencë themelore të nxjerrë nga një gjykatë e lartë
[Figura në faqen 197]
Çdo vuajtje që njerëzimi mund të ketë hequr më parë, do të fshihet nga gjërat e gëzueshme në rregullin e ri të Perëndisë