Kapitulli 19
Pas Harmagedonit—Një Tokë parajsore
1. (a) Cili është opinioni i përgjithshëm mbi Harmagedonin? (b) Çfarë thotë Bibla mbi këtë?
«HARMAGEDON» është një fjalë që shumëkujt i ngjall frikë. Shpesh, udhëheqësit e botës e përdorin për t’iu referuar një lufte të tretë të mundshme botërore. Përkundrazi, Bibla flet për Harmagedonin si për një vend në të cilin Perëndia do të zhvillojë një luftë të drejtë. (Zbulesa 16:14, 16) Kjo luftë e Perëndisë do të përgatisë rrugën për një botë të re të drejtë.
2. (a) Kush do të shkatërrohet në Harmagedon? (b) Pra, cilat gjëra të gabuara duhet të shmangim me mençuri?
2 Në ndryshim nga luftërat e njerëzve, që vrasin si të mirët dhe të këqinjtë, Harmagedoni do të shkatërrojë vetëm të këqinjtë. (Psalmi 92:7) Perëndia Jehova do të jetë Gjykatësi dhe do t’i eliminojë të gjithë ata që vullnetarisht refuzojnë t’u binden ligjeve të tija të drejta. Sot, shumë njerëz nuk shohin asgjë të keqe kur kryejnë kurvëri, dehen, kur gënjejnë ose mashtrojnë. Por, sipas Perëndisë, këto gjëra janë të liga. Prandaj, në Harmagedon, nuk do t’i shpëtojë ata që vazhdojnë t’i praktikojnë ato. (1. Korintasve 6:9, 10; Zbulesa 21:8) Duke njohur ligjet e Perëndisë mbi këto gjëra, është e rëndësishme për njerëzit që ndoshta praktikojnë gjëra të tilla të këqija, të ndryshojnë rrugën e tyre.
3. (a) Me çfarë e krahasoi Jezui fundin e botës së tanishme? (b) Çfarë do të ndodhë me Satanain dhe demonët e tij? (c) Sipas shkrimeve në faqet vijuese, çfarë kushtesh do të ekzistojnë në tokën parajsore?
3 Pas Harmagedonit, nuk do të mbetet as një pjesë e kësaj bote të ligë. Vetëm ata që i shërbejnë Perëndisë do të vazhdojnë të jetojnë. (1. Gjonit 2:17) Jezu Krishti e krahasoi gjendjen me atë të ditëve të Noes. (Mateu 24:37-39; 2. Pjetrit 3:5-7, 13; 2:5) Pas Harmagedonit, mbretëria e Perëndisë do të jetë qeveria e vetme që do të sundojë tokën. Satanai dhe demonët e tij do të zhduken. (Zbulesa 20:1-3) Le të shqyrtojmë në faqet që vijojnë disa prej bekimeve që do të gëzojnë sipas Biblës njerëzit e bindur.
MBARË NJERËZIMI NË PAQE
«Na lindi një fëmi, na u dha një djalë; dhe qeveria princërore do të jetë mbi shpatullat e tij. Dhe emri i tij do të jetë . . . Princ i Paqes. Bollëku i qeverisë princërore dhe i paqes nuk do të ketë fund.»—Isaia 9:6, 7.
«Në ditët e tij do të lulëzojë i drejti dhe bollëku i paqes, derisa të jetë hëna. Dhe do të ketë shtetas nga deti në det dhe nga Lumi deri në fund të Tokës.»—Psalmi 72:7, 8.
KURRË MË LUFTËRA
«Ejani ju njerëz, shikoni veprat e Jehovait, si ka vendosur ngjarje mahnitëse mbi tokë. Ai i ka ndërprerë luftërat deri në skaj të tokës.»—Psalmi 46:8, 9.
SHTËPI TË BUKURA DHE PUNË TË GËZUESHME PËR TË GJITHË
«Me siguri do të ndërtojnë shtëpi dhe do t’i kenë në zotërim . . . Nuk do të ndërtojnë që dikush tjetër të zotërojë; nuk do të mbjellin që dikush tjetër të hajë . . . punën e duarve të tyre, të zgjedhurit e mi do ta përdorin plotësisht. Nuk do të lodhen për asgjë dhe nuk do të lindin për shqetësime; sepse janë pasardhës të dalë nga të zgjedhurit e Jehovait dhe me ta edhe pasardhësit e tyre.»—Isaia 65:21-23.
NUK KA MË KRIME, DHUNË DHE LIGËSI
«Vetë keqbërësit do të çrrënjosen . . . Edhe vetëm pak dhe i ligu nuk do të jetë më; me siguri do t’i kushtosh vëmendje vendit të tij dhe ai nuk do të jetë.»—Psalmi 37:9, 10.
«Sa për të ligjtë, do të shkulen nga toka vetë; dhe sa për të pabesët, ata do të fshihen prej saj.»—Proverbat 2:22.
E GJITHË TOKA NJË PARAJSË
Jezui tha: «Do të jesh me mua në parajsë.»—Luka 23:43.
«Vetë të drejtët do ta trashëgojnë tokën e do të banojnë mbi të përgjithmonë.»—Psalmi 37:29.
TË GJITHË DO TË KENË BOLLËK GJËRASH TË MIRA PËR TË NGRËNË
«Jehovai i ushtrive me siguri do të bëjë për të gjithë popujt . . . një banket me gjellë të yndyrshme, një banket me verë të kulluar, me gjellë të yndyrshme plot me palcë.»—Isaia 25:6.
«Mbi tokë do të ketë grurë me bollëk; në majë të maleve do të ketë vërshimë.» «Vetë toka me siguri do ta japë frytin e saj; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.»—Psalmi 72:16; 67:6.
4, 5. (a) Cilat kushte nuk do të ekzistojnë më në tokën parajsore? (b) Çfarë gjërash që sot nuk mund t’i bëjmë, do të jenë të realizushme atëherë?
4 Sigurisht, ti dëshiron të jetosh në një tokë parajsore të ngjashme me kopshtin ku u krijua njeriu i parë, Adami. (Zanafilla 2:8; Luka 23:43) Mendo pak: nuk do të ketë më luftëra, krime dhe dhunë. Mund të ecësh kudo, në çdo orë të ditës ose të natës pa asnjë lloj frike se mund të jesh i dëmtuar. Thjesht, të ligjtë nuk do të ekzistojnë më.—Psalmi 37:35-38.
5 Kjo do të thotë, se populli nuk do të jetë më i shtypur prej politikanëve të pandershëm dhe afaristëve lakmitarë. As nuk do të jetë i rënduar prej taksave të larta për të mbështetur harxhimet e armatimit. Mungesa e parave nuk do të pengojë më askënd për të pasur ushqim të mirë apo një shtëpi të rehatshme. Papunësia, inflacioni dhe çmimet e larta nuk do të ekzistojnë më. Hallet nga të cilat vuajnë sot familjet do të zhduken. Të gjithë do të kenë punë të kënaqshme për të kryer dhe mund t’i shohin e t’i gëzojnë frytet e punës së tyre.
6. (a) Çfarë pune do të bëjnë ata që do ta mbijetojnë Harmagedonin? (b) Si do ta bekojë Perëndia punën që duhet kryer?
6 Së pari, ata që mbijetojnë Harmagedonin do të kenë si punë pastrimin e tokës dhe fshirjen e gërmadhave të këtij sistemi të vjetër. Pastaj, do të kenë privilegjin, që nën drejtimin e rregullit të Mbretërisë, ta kultivojnë tokën dhe ta kthejnë atë në një vend të bukur jetese. Sa e gëzueshme do të jetë ajo punë! Perëndia do të bekojë çdo gjë që bëhet. Ai do të sigurojë një klimë të përshtatshme për kultivimin e të korrave dhe për rritjen e gjësë së gjallë; ai do të bëjë të mundur që ato të jenë të mbrojtura nga sëmundjet dhe dëmtimet.
7. (a) Cili premtim i Perëndisë do të përmbushet? (b) Çfarë presin të krishterët sipas premtimit të Perëndisë?
7 Do të përmbushet ky premtim i Krijuesit dashamirës, i shprehur nga psalmisti biblik: «E hap dorën tënde dhe kënaq dëshirën e çdo gjëje të gjallë. (Psalmi 145:16) Po, të gjitha dëshirat e drejta të njerëzve që i frikësohen Perëndisë do të kënaqen plotësisht. Ne nuk mund as ta marrim me mend se sa e mrekullueshme do të jetë jeta mbi tokën parajsore. Duke folur mbi rregullimin e Perëndisë për të bekuar popullin e tij, apostulli Pjetër shkroi: «Sipas premtimit të Perëndisë ne presim qiej të rinj dhe tokë të re dhe në to do të banojë drejtësia.»—2. Pjetrit 3:13; Isaia 65:17; 66:22.
8. (a) Përse nuk ka nevojë për qiej të rinj fizikë? (b) Çfarë janë «qiejt e rinj»?
8 Por, ç’janë këta «qiej të rinj»? Nuk janë qiej të rinj fizikë. Perëndia i bëri qiejt tanë fizikë të përsosur dhe ata i sjellin lavdi. (Psalmi 8:3; 19:1, 2) «Qiejt e rinj» i referohen një qeverie të re mbi tokën. «Qiejt» e sotëm janë qeveritë njerëzore. Në Harmagedon ato do të kalojnë. (2. Pjetrit 3:7) «Qiejt e rinj» që do t’i zëvendësojnë janë qeveria qiellore e Perëndisë, mbret i së cilës do të jetë Jezu Krishti. Por së bashku me të, si pjesë e «qiejve të rinj», do të mbretërojnë 144.000 ithtarë besnikë.—Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3.
9. (a) Çfarë është «toka e re»? (b) Cila tokë do të shkatërrohet?
9 Ç’është atëherë «toka e re»? Nuk është një planet i ri. Perëndia e bëri planetin Tokë të përshtatshëm për jetën njerëzore dhe është vullneti i tij që kjo të mbetet përgjithmonë. (Psalmi 104:5) «Toka e re» i referohet një grupi apo shoqërie të re njerëzish. Shpesh Bibla e përdor fjalën «tokë» me këtë kuptim. Për shembull thotë: «E gjithë toka [d.m.th. njerëzit] vazhdonte të kishte vetëm një gjuhë.» (Zanafilla 11:1) «Toka» që do të shkatërrohet janë njerëzit që bëhen pjesë e këtij sistemi të lig gjërash. (2. Pjetrit 3:7) «Toka e re» që do të zërë vendin e saj do të përbëhet prej shërbëtorëve të vërtetë të Perëndisë që janë ndarë nga kjo botë e njerëzve të ligj.—Gjoni 17:14; 1. Gjonit 2:17.
10. (a) Kush po mblidhet tani dhe ku? (b) Sipas shkrimeve në faqet vijuese, çfarë gjëje që qeveritë njerëzore nuk mund ta bëjnë, do të realizohet në tokën parajsore?
10 Qysh tani, njerëz prej të gjitha racave dhe kombësive që do të formojnë një pjesë të «tokës së re», mblidhen në kongregacionin e krishterë. Uniteti dhe paqja që ekziston mes tyre na japin vetëm një ide të asaj që do ta bëjë kaq të gëzueshme jetën mbi tokën parajsore pas Harmagedonit. Në të vërtetë, mbretëria e Perëndisë do të sjellë atë që asnjë qeveri njerëzore nuk mund as të shpresonte për ta bërë. Shqyrto vetëm disa prej këtyre bekimeve të përshkruara në faqet që pasojnë.
NJË VËLLAZËRI E DASHUR MES GJITHË NJERËZVE
«Perëndia nuk është i njëanshëm, por në çdo komb, njeriu që i frikësohet dhe që vepron në drejtësi është i pranueshëm prej tij.»—Veprat 10:34, 35.
«Ja, një shumicë e madhe që askush nuk mund ta numëronte, prej çdo kombi, fisi, populli dhe gjuhe . . . Nuk do të kenë më uri, as etje kurrë më.»—Zbulesa 7:9, 16.
PAQE MES NJERËZVE DHE KAFSHËVE
«Në të vërtetë ujku do të banojë njëkohësisht me qengjin, dhe me kecin do të shtrihet vetë leopardi dhe viçi me luanin e ri kreshpor dhe me kafshën e majme të gjithë bashkë; dhe një fëmi i vogël do t’i udhëheqë ata.»—Isaia 11:6; 65:25.
KURRË MË SËMUNDJE, PLEQËRI OSE VDEKJE
«Në atë kohë sytë e të verbërve do të hapen, dhe vetë veshët e të shurdhëve do të zhbllokohen. Në atë kohë i çali do të kërcejë tamam siç bën dreri dhe gjuha e memecit do të bërtasë me gëzim.»—Isaia 35:5, 6.
«Dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as nuk do të ketë më pikëllim, as klithmë as dhimbje. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Zbulesa 21:3, 4.
TË VDEKURIT KTHEHEN NË JETË
«Po vjen ora, kur të gjithë sa janë në varre përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij e do të dalin jashtë.»—Gjoni 5:28, 29.
«Deti i dha të vdekurit që ishin në të dhe vdekja dhe Hadesi i dhanë të vdekurit që ishin në to.»—Zbulesa 20:13.
11. Çfarë e prish sot shpeshherë parajsën e bërë prej njerëzve?
11 Parajsa nën mbretërinë e Perëndisë do të jetë shumë më e mirë, sesa çdo gjë tjetër që mund të ofrojë ky sistem i vjetër! Është e vërtetë se sot disa njerëz e kanë sistemuar vendin ku jetojnë ngjashëm me një parajsë. Por ndoshta ata që jetojnë aty janë të ashpër dhe egoistë, ose e urrejnë njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës, sëmuren, plaken dhe vdesin. Përkundrazi, mbas Harmagedonit, parajsa mbi tokë do të përfshijë shumë më tepër se sa shtëpi të bukura, kopshte dhe parqe.
12, 13. (a) Cilat kushte parajsore do të ekzistojnë pas Harmagedonit? (b) Çfarë nevojitet që të mundësohen këto kushte?
12 Mendo mbi këtë gjë. Njerëz të çdo race dhe kombësie do të mësojnë që të jetojnë së bashku, si një familje e vetme vëllezërish dhe motrash. Do të duhen me të vërtetë me njëri-tjetrin. Askush nuk do të jetë egoist dhe i panjerëzishëm. Askush nuk do ta urrejë tjetrin për arsye race, ngjyre ose origjine. Nuk do të ketë më paragjykime. Mbi tokë, të gjithë do të jenë shokë dhe fqinjë të vërtetë. Me të vërtetë, do të jetë një parajsë frymore. A do të dëshiroje të jetosh në këtë parajsë nën «qiejt e rinj»?
13 Sot flitet shumë për të jetuar së bashku në paqe dhe njerëzit kanë krijuar madje «Organizatën e Kombeve të Bashkuara». E megjithatë, njerëzit dhe kombet janë të ndara më tepër se kurrë. Çfarë nevojitet? Zemrat e njerëzve duhet të ndryshojnë. Por thjesht, është e pamundur që qeveritë e kësaj bote të bëjnë një mrekulli të tillë. Përkundrazi, mesazhi biblik mbi dashurinë e Perëndisë është duke e bërë.
14. Çfarë po ndodh tashmë që provon se këto kushte parajsore do të realizohen?
14 Duke mësuar mbi sistemin e ri të drejtësisë, zemrat e shumë njerëzve janë nxitur për të dashur Perëndinë. Kështu fillojnë të sillen në mënyrë të dashur ndaj njëri-tjetrit, ashtu siç bën edhe Perëndia. (1. Gjonit 4:9-11, 20) Kjo nënkupton një ndryshim të madh në jetën e tyre. Shumë nga ata që ishin të sertë dhe të mbushur me urrejtje, si kafshë të egra, janë bërë të butë dhe paqedashës. Si dele të bindura, mblidhen në kopenë e krishterë.
15. (a) Cilat janë dy grupet e të krishterëve? (b) Kush do të përbëjnë të parët «tokën e re»?
15 Prej më shumë se 1.900 vjetësh, është mbledhur «kopeja e vogël» e 144.000 të krishterëve, që do të mbretërojnë me Krishtin. Vetëm pak prej tyre jetojnë akoma mbi Tokë; shumica tashmë është duke qeverisur me Krishtin në qiell. (Luka 12:32; Zbulesa 20:6) Por, duke folur për të krishterë të tjerë, Jezui tha: «Kam edhe dele të tjera që nuk janë nga kjo vathë [«kope e vogël»]; edhe ato më duhet t’i sjellë, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim dhe do të bëhen një kope, një bari.» (Gjoni 10:16) Një «shumicë e madhe» e këtyre «deleve të tjera» po mblidhet tani. Ata do të përbëjnë të parët «Tokën e re». Jehovai do t’i mbrojë gjatë «mjerimit të madh», në fund të këtij sistemi të lig, për të jetuar mbi tokën parajsore.—Zbulesa 7:9, 10, 13-15.
16. Cila mrekulli do ta bëjë një kënaqësi jetesën me kafshët?
16 Pas Harmagedonit, kushteve parajsore do t’u shtohet edhe një mrekulli tjetër. Kafshë të tilla si luani, tigri, leopardi dhe ariu, që sot mund të jenë të rrezikshme, do të jetojnë në paqe. Sa bukur do të jetë atëherë të bësh një shëtitje në pyje dhe të ecësh pak përkrah një luani dhe mandej ndoshta me një ari të madh. Askush nuk do të frikësohet më nga ndonjë gjallesë tjetër.
17, 18. (a) Cila arsye për dhimbje nuk do të ekzistojë më në tokën parajsore? (b) Përse mund të jemi të sigurt se të gjithë do të gëzojnë shëndet të përsosur?
17 Por sado të bukura që të jenë shtëpitë dhe kopshtet, sado të sjellshëm dhe dashamirës të jenë njerëzit dhe sado miqësore të jenë kafshët, prapë do të ketë trishtim, nëse do të sëmureshim, plakeshim dhe vdisnim. Por, kush mund t’u japë të gjithëve një shëndet të përsosur? Qeveritë njerëzore kanë dështuar në përpjekjet e tyre për të zhdukur kancerin, shqetësimet kardiake dhe sëmundje të tjera. Edhe në qoftë se do të kishin mundur, mjekët pohojnë se përsëri do të vazhdonte plakja. Me kalimin e kohës, të parit do të mugëllohej, muskujt do të dobësoheshin, lëkura do të rrudhosej dhe organet trupore do të prisheshin. Pastaj do të vinte vdekja. Sa trishtim!
18 Pas Harmagedonit, në tokën parajsore, të gjitha këto do të ndryshojnë me një mrekulli të madhe nga Perëndia, sepse Bibla premton: «Dhe asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam i sëmurë.’ » (Isaia 33:24). Kur ishte në Tokë, Jezu Krishti dha prova të fuqisë së tij për të shëruar çdo lloj sëmundje dhe lëngimi që janë rrjedhojë e mëkatit të trashëguar nga Adami. (Marku 2:1-12; Mateu 15:30, 31) Nën qeverinë e Mbretërisë as nuk do të plakemi më. Bile, pleqtë do të rinohen. Po, «mishi i njeriut do të bëhet më i freskët, sesa në rininë e tij.» (Jobi 33:25). Sa emocionuese do të jetë të zgjohesh çdo mëngjes dhe të ndihesh se je më mirë se një ditë më parë!
19. Kush është armiku i fundit që do të shkatërrohet dhe në ç’mënyrë?
19 Sigurisht në tokën parajsore, askush nga ata që do të kenë një shëndet të përsosur dhe një fizik rinor nuk do të dojë të vdesë. Dhe askush nuk do të jetë i detyruar të vdesë! Më në fund, falë dobive të sakrificës së shpërblerjes, do t’i gëzohemi dhuratës së madhe të «jetës së përhershme nëpërmjet Krishtit Jezu, Zotit tonë.» (Romakëve 6:23) Siç thotë Bibla, Krishti «duhet të qeverisë, derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Si armiku i fundit, do të asgjësohet vdekja.»—1. Korintasve 15:25, 26; Isaia 25:8.
20. Përveç atyre që jetojnë tani, kush tjetër do t’i gëzohet tokës parajsore dhe në ç’mënyrë do të bëhet e mundur kjo?
20 Bile edhe të vdekurit do ta gëzojnë tokën parajsore. Do të rikthehen në jetë! Pra, në atë kohë, në vend të lajmërimeve të vdekjes, do të ketë njoftime të gëzueshme mbi ata që do të ringjallen. Sa e shkëlqyeshme do të jetë të mirëpresim përsëri nga varri etërit, nënat, bijtë dhe të dashurit e tjerë të vdekur! Bukuria e tokës parajsore nuk do të prishet nga agjencitë e funeralit, varrezat ose gurët e varrit.
21. (a) Kush do të ndihmojë për të siguruar zbatimin e ligjeve dhe udhëzimeve të «qiejve të rinj»? (b) Si mund të tregojmë se i dëshirojmë me të vërtetë «qiejt e rinj» dhe «tokën e re»?
21 Kush do t’i qeverisë apo drejtojë aktivitetet mbi tokën parajsore? Të gjitha ligjet dhe udhëzimet do të vijnë prej «qiejve të rinj» nga lart. Por mbi tokë, do të jenë burrat besnikë të caktuar për të siguruar zbatimin e këtyre ligjeve dhe udhëzimeve. Pasi këta burra përfaqësojnë mbretërinë qiellore në një mënyrë të veçantë, Bibla i quan «princër.» (Isaia 32:1, 2; Psalmi 45:16) Edhe sot në kongregacionin e krishterë, po caktohen burra nga fryma e shenjtë e Perëndisë për t’u kujdesur dhe për të drejtuar aktivitetin e tyre. (Veprat 20:28) Mund të jemi të bindur se mbas Harmagedonit, Krishti do të sigurojë që njerëz të përshtatshëm do të caktohen përfaqësues të qeverisë së mbretërisë, sepse atëherë ai do të ketë kontroll të plotë mbi punët e tokës. Si mund të tregosh se po i pret me zell të madh «qiejt e rinj» dhe «tokën e re» të Perëndisë? Duke bërë ç’të jetë e mundur për të plotësuar kërkesat për të jetuar në atë sistem të ri të drejtë.—2. Pjetrit 3:14.