BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 53-58
  • Libri biblik numër 9​—1 Samuelit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 9​—1 Samuelit
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E 1 SAMUELIT
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • Pika kryesore nga libri i parë i Samuelit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Qëndroi i patundur pavarësisht nga zhgënjimet
    Imitoni besimin e tyre
  • Qëndroi i patundur pavarësisht nga zhgënjimet
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
  • Përmbajtja e 1 Samuelit
    Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 53-58

Libri biblik numër 9​—1 Samuelit

Shkrimtarët: Samueli, Gadi, Natani

Vendi ku u shkrua: Izrael

Shkrimi përfundoi: rr. 1078 p.e.s.

Periudha përkatëse: rr. 1180 p.e.s.–1078 p.e.s.

1. Ç’ndryshim i madh ndodhi në organizimin e kombit të Izraelit në vitin 1117 p.e.s., dhe cilat kushte do të vinin më pas?

VITI 1117 p.e.s. solli një ndryshim historik në organizimin e Izraelit si komb. U caktua një mbret njerëzor! Kjo ndodhi kur Samueli po shërbente si profet i Jehovait në Izrael. Megjithëse Jehovai e dinte që më parë dhe e kishte parathënë, prapëseprapë kalimi në monarki, siç kishte kërkuar populli i Izraelit, ishte si një rrufe në qiell të hapur për Samuelin. I përkushtuar në shërbim të Jehovait që nga lindja dhe plot mirënjohje përnderuese për pozitën e Jehovait si mbret, Samueli parashikonte pasoja shkatërrimtare për bashkatdhetarët e kombit të shenjtë të Perëndisë. Vetëm falë drejtimit të Jehovait, Samueli u hapi udhë kërkesave të tyre. «Fill pas kësaj Samueli i foli popullit për atë që mbreti do të kërkonte nga ata, e shkroi këtë në një libër dhe e vuri përpara Jehovait.» (1 Sam. 10:25) Kështu përfundoi epoka e gjykatësve dhe nisi epoka e mbretërve njerëzorë kur Izraeli do të merrte pushtet e prestigj të paparë deri atëherë, por edhe do të binte përfundimisht në çnderim, larg pëlqimit të Jehovait.

2. Cilët ishin shkrimtarët e 1 Samuelit, dhe ç’kualifikime kishin?

2 Kush mund të kualifikohej për të regjistruar tregimin hyjnor të asaj periudhe historike? Në mënyrë të përshtatshme, Jehovai zgjodhi Samuelin besnik që të fillonte tregimin. Samuel do të thotë «Emër i Perëndisë», dhe vërtet ai e përkrahu jashtëzakonisht emrin e Jehovait në ato ditë. Duket se Samueli shkroi 24 kapitujt e parë të librit. Pas vdekjes së tij, librin e vazhduan Gadi dhe Natani, të cilët plotësuan tregimin e atyre pak viteve deri në vdekjen e Saulit. Kjo duket nga 1 Kronikave 29:29 ku lexojmë: «Sa për ngjarjet e mbretit David, të parat dhe të fundit, ja, ato gjenden të shkruara në fjalët e parashikuesit Samuel, në fjalët e profetit Natan dhe në fjalët e vegimtarit Gad.» Ndryshe nga librat e Mbretërve e të Kronikave, librat e Samuelit nuk flasin pothuajse fare për tregimet e mëparshme, dhe kjo vërteton se shkrimtarët ishin Samueli, Gadi dhe Natani, bashkëkohës të Davidit. Të tre këta burra patën pozita të besueshme si profetë të Jehovait, dhe iu kundërvunë idhujtarisë që e kishte ligështuar fuqinë e kombit.

3. (a) Si u bë një libër më vete libri i parë i Samuelit? (b) Kur përfundoi, dhe ç’periudhë përfshin?

3 Dy librat e Samuelit në origjinal përbënin një rrotull apo një volum të vetëm që u nda në dy libra kur u botua kjo pjesë e Septuagintës greke. Në përkthimin Septuaginta, libri i parë i Samuelit u quajt libri i parë i Mbretërive. Ndarja dhe emri libri i parë i Mbretërve u përdor në Vulgatën latine, dhe ruhet në Biblat katolike edhe sot e kësaj dite. Që libri i parë e i dytë i Samuelit në origjinal përbënin një libër të vetëm, duket edhe nga një shënim i masoretëve te 1 Samuelit 28:24 që thotë se ky varg është në mes të librit të Samuelit. Me sa duket libri është përfunduar rreth vitit 1078 p.e.s. Kështu që libri i parë i Samuelit duket se përfshin një periudhë pak më shumë se 100-vjeçare, duke nisur rreth vitit 1180 deri 1078 p.e.s.

4. Çfarë e mbështet saktësinë e tregimit të librit të parë të Samuelit?

4 Dëshmitë për saktësinë e këtij tregimi janë të bollshme. Vendndodhjet gjeografike përputhen me ngjarjet e përshkruara. Ja një fakt interesant: modeli i sulmit të suksesshëm të Jonatanit kundër një garnizoni filistin në Mikmash, që solli shpartallimin e plotë të filistinëve, u përsërit gjatë Luftës I Botërore nga një oficer i ushtrisë britanike, për të cilin thuhet se i shpartalloi turqit duke ndjekur pikat e referimit që përshkruhen në tregimin e frymëzuar të Samuelit.​—14:4-14.a

5. Si e mbështetin shkrimtarët e Biblës vërtetësinë e librit të parë të Samuelit?

5 Sidoqoftë, ka prova edhe më të fuqishme për frymëzimin dhe autenticitetin e librit. Në të jepet plotësimi i profecisë mbresëlënëse të Jehovait sipas së cilës Izraeli do të kërkonte një mbret. (Ligj. 17:14; 1 Sam. 8:5) Vite më vonë, Hozea e konfirmoi këtë tregim kur citoi fjalët e Jehovait: «Unë ta dhashë mbretin në zemërimin tim dhe do ta heq atë në furinë time.» (Hoz. 13:11) Pjetri la të kuptohej se Samueli ishte i frymëzuar kur e identifikoi si një profet që kishte ‘folur qartë për ditët’ e Jezuit. (Vep. 3:24) Pavli citoi nga 1 Samuelit 13:14 kur përmblodhi shkurtimisht historinë e Izraelit. (Vep. 13:20-22) Vetë Jezui i vuri vulën tregimit si autentik kur i pyeti farisenjtë: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe ata që ishin me të?» Pastaj u tregoi ngjarjen kur Davidi kërkoi bukët e paraqitjes. (Mat. 12:1-4; 1 Sam. 21:1-6) Edhe Ezdra, siç e përmendëm tashmë, e konsideronte tregimin si të vërtetë.​—1 Kron. 29:29.

6. Cila dëshmi tjetër e brendshme e Biblës tregon se libri i parë i Samuelit është autentik?

6 Përderisa ky është tregimi origjinal për veprat e Davidit, të gjitha rastet kur ai përmendet në Shkrimet e Shenjta, vërtetojnë se libri i Samuelit është pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë. Disa nga ngjarjet e këtij libri janë përmendur edhe në mbishkrimet e psalmeve të Davidit, si për shembull në Psalmin 59 (1 Sam. 19:11), në Psalmin 34 (1 Sam. 21:13, 14), dhe në Psalmin 142 (1 Sam. 22:1 ose 1 Sam. 24:1, 3). Në këtë mënyrë, vetë dëshmia e brendshme e Fjalës së Perëndisë vërteton përfundimisht autenticitetin e librit të parë të Samuelit.

PËRMBAJTJA E 1 SAMUELIT

7. Historinë e jetës së cilëve udhëheqës të Izraelit trajton libri?

7 Libri trajton pjesërisht ose tërësisht jetën e katër udhëheqësve të Izraelit: kryepriftit Eli, profetit Samuel, mbretit të parë, Saulit, dhe Davidit, i cili u miros si mbret pasues.

8. Në cilat rrethana lind dhe bëhet «shërbëtor i Jehovait» Samueli?

8 Gjykatësi Eli dhe djaloshi Samuel (1:1–4:22). Me t’u hapur sipari i tregimit, na prezantohet Hana, gruaja e parapëlqyer e Elkanahut, një leviti. Ajo nuk ka fëmijë, prandaj, gruaja tjetër e Elkanahut, Penina, e shpërfill. Kur familja bën vizitën e përvitshme në Shiloh, ku gjendet arka e besëlidhjes së Jehovait, Hana i lutet me zjarr Jehovait për një djalë. Ajo premton se do ta kushtojë djalin në shërbim të Jehovait, nëse i pranohet lutja. Perëndia i përgjigjet lutjes, dhe ajo lind një djalë, Samuelin. Sapo i heq gjirin, ajo e çon në shtëpinë e Jehovait dhe e lë nën kujdesin e Elit, kryepriftit, duke ia «taksur Jehovait». (1:28) Pastaj, Hana ia merr një kënge të hareshme falënderimi dhe lumturie. Djali bëhet «shërbëtor i Jehovait në prani të priftit Eli».​—2:11.

9. Si bëhet Samueli një profet në Izrael?

9 Eli nuk i ka të gjitha punët në vijë. Vetë është plakur, kurse dy djemtë e tij janë dy horra pa pikë vlere, ‘që s’duan t’ia dinë për Jehovain’. (2:12) Ata e përdorin pozitën e tyre si priftërinj për të shuar lakminë dhe epshet imorale. Eli nuk i korrigjon, prandaj Jehovai nis të dërgojë mesazhe hyjnore kundër shtëpisë së Elit, dhe e paralajmëron se «në shtëpinë tënde nuk do të ketë as edhe një të moshuar», dhe se të dy djemtë e tij do të vdesin në një ditë. (1 Sam. 2:30-34; 1 Mbret. 2:27) Së fundi, Ai dërgon djaloshin Samuel tek Eli me një mesazh që të trondit. Kësisoj, Samueli i ri njihet si një profet në Izrael.​—1 Sam. 3:1, 11.

10. Si e ekzekuton Jehovai gjykimin mbi shtëpinë e Elit?

10 Në kohën e duhur, Jehovai ekzekuton gjykimin, duke ngritur filistinët. Kur fati i betejës kthehet kundër Izraelit, me britma të mëdha, izraelitët e sjellin arkën e besëlidhjes nga Shilohu në kampin e tyre ushtarak. Kur dëgjojnë britmat dhe marrin vesh se Arkën e kanë sjellë në kampin izraelit, filistinët shtrëngojnë radhët dhe arrijnë një fitore të papritur, duke i shpartalluar krejtësisht izraelitët. Arka merret dhe dy djemtë e Elit vdesin. Me zemrën që i dridhet, Eli merr vesh ngjarjen. Kur përmendet Arka, ai bie mbrapsht nga karrigia, thyen qafën dhe vdes. Kështu përfundojnë 40 vitet e tij si gjykatës. Vërtet, «lavdia iku nga Izraeli», sepse Arka përfaqëson praninë e Jehovait në mes të popullit të tij.​—4:22.

11. Si u vërtetua që Arka nuk është një hajmali?

11 Samueli gjykon Izraelin (5:1–7:17). Mirëpo tani edhe filistinët duhet ta mësojnë në kurriz të tyre, që arka e Jehovait nuk duhet të përdoret si hajmali. Kur e çojnë Arkën në tempullin e Dagonit në Ashdod, perëndia i tyre bie me fytyrën përtokë. Të nesërmen, Dagoni bie përsëri përdhe në prag të shtëpisë, dhe kësaj radhe me kokën dhe pëllëmbët e prera. Nga kjo zë fill zakoni besëtyt i filistinëve që të mos ‘shkelin pragun e Dagonit’. (5:5) Filistinët nxitojnë ta çojnë Arkën në Gath, e më pas në Ekron, por më kot! Telashet nisin: në fillim i zë paniku, pastaj hemorroidet, e së fundi, plaga e brejtësve. Numri i të vdekurve shtohet, prandaj sundimtarët e aleancës filistine, në një përpjekje të fundit të dëshpëruar, e kthejnë Arkën në Izrael mbi një qerre të re të tërhequr nga dy lopë pëlleja. Në Beth-Shemesh gjëma bie mbi disa izraelitë, ngaqë shohin Arkën. (1 Sam. 6:19; Num. 4:6, 20) Së fundi, Arka vendoset në shtëpinë e Abinadabit, në qytetin e Kiriat-Jearimit.

12. Ç’bekime vijnë ngaqë Samueli mbështet adhurimin e drejtë?

12 Për 20 vjet Arka qëndron në shtëpinë e Abinadabit. Samueli, që tanimë është bërë burrë, e nxit Izraelin të heqë shëmbëlltyrat e Baalëve dhe të Ashtorethëve dhe t’i shërbejë Jehovait me gjithë zemër. Ata bëjnë pikërisht kështu. Kur izraelitët mblidhen të adhurojnë në Mizpah, sundimtarët e aleancës filistine shfrytëzojnë rastin që të nisin betejën, dhe e zënë Izraelin të papërgatitur. Izraeli i thërret Jehovait me anë të Samuelit. Zhurma e fuqishme e një gjëmimi nga Jehovai i bën rrëmujë filistinët, kurse izraelitët, që marrin forca nga flijimet e bëra dhe nga lutja, arrijnë një fitore dërrmuese. Që nga ajo kohë, «dora e Jehovait ishte kundër filistinëve gjatë gjithë ditëve të Samuelit». (7:13) Megjithatë, s’është koha që Samueli të dalë në pension. Ai gjykon në Izrael gjithë jetën e tij, duke i rënë qark vit pas viti, që nga Ramahu, në veri të Jerusalemit, e deri në Bethel, Gilgal e Mizpah. Në Ramah ndërton një altar për Jehovain.

13. Si ndodh që Izraeli e hedh poshtë Jehovain si Mbret, dhe për cilat pasoja i paralajmëron Samueli?

13 Sauli, mbreti i parë i Izraelit (8:1–12:25). Samueli është plakur tashmë në shërbim të Jehovait. Djemtë e tij nuk ndjekin udhën e të atit, por marrin ryshfete e shtrembërojnë gjykimin. Kështu, pleqtë e Izraelit i paraqitin Samuelit këtë kërkesë: «Caktona, pra, një mbret, si kanë tërë kombet, që të na gjykojë.» (8:5) Mjaft i mërzitur, Samueli i drejtohet Jehovait në lutje. Jehovai përgjigjet: «Nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua, që të mos jem mbret i tyre. . . . Dëgjoje zërin e tyre.» (8:7-9) Mirëpo, së pari, Samueli duhet t’i paralajmërojë për pasojat e tmerrshme të kërkesës së tyre rebele: regjim, taksa, humbje lirie, dhe së fundi, dhembje e britma para Jehovait. Gjithsesi, pa u sprapsur nga dëshirat e veta, populli kërkon një mbret.

14. Si e forcon Sauli pozitën si mbret?

14 Tani takojmë Saulin, një nga bijtë e Kishit, nga fisi i Beniaminit, dhe pa diskutim, burrin më të pashëm e më shtatlartë në Izrael. Ai drejtohet për të takuar Samuelin që shtron një gosti për nder të tij, e miros, dhe pastaj e nxjerr para gjithë Izraelit në një asamble në Mizpah. Fillimisht, Sauli fshihet mes plaçkave, por së fundi paraqitet si i zgjedhuri i Jehovait. Samueli i kujton edhe një herë Izraelit të drejtat që i takojnë mbretit, dhe i shkruan ato në një libër. Gjithsesi, pozita e Saulit si mbret forcohet vetëm pas fitores që arrin kundër amonitëve, e cila i jep fund rrethimit të Jabeshit në Galaad. Pas kësaj, populli pranon pozitën e tij si mbret në Gilgal. Edhe një herë Samueli i nxit ata të kenë frikë Jehovain, t’i shërbejnë e t’i binden atij, dhe pastaj i thërret Jehovait të dërgojë një shenjë: bubullima dhe shi, jo të zakonshme për stinën e korrjes. Me një shfaqje të frikshme, Jehovai tregon zemërimin e tij ngaqë populli e ka hedhur poshtë si Mbret.

15. Cili mëkat i bërë me arrogancë, sjell dështimin e Saulit?

15 Mosbindja e Saulit (13:1–15:35). Filistinët vazhdojnë t’i bien në qafë Izraelit. Në këtë kohë, djali trim i Saulit, Jonatani, godet një garnizon filistin. Armiqtë kërkojnë hakmarrje, prandaj dërgojnë një ushtri të stërmadhe, ‘si kokrrizat e rërës në breg të detit’, dhe e ngrenë kampin në Mikmash. Radhët e izraelitëve i pushton ankthi. ‘Ah, sikur të vinte Samueli e të na jepte drejtim nga Jehovai!’ Sauli s’ka durim të presë Samuelin, dhe mëkaton, duke e paraqitur vetë me arrogancë flijimin e djegur. Kur ja, papritur shfaqet Samueli! Duke i shpërfillur justifikimet gjysmake të Saulit, ai shpall gjykimin nga Jehovai: «Mbretëria jote nuk do të zgjasë. Jehovai do të gjejë një njeri siç ia do zemra dhe Jehovai do t’i ngarkojë atij detyrën si prijës të popullit, sepse ti nuk e zbatove atë që të urdhëroi Jehovai.»​—13:14.

16. Ç’vështirësi sjell nxitimi i Saulit?

16 Jonatani, plot zell për emrin e Jehovait, sulmon përsëri një postë filistine të përparuar, kësaj radhe i shoqëruar vetëm nga shqytari i tij, dhe shpejt e shpejt godasin për vdekje 20 burra. Një tërmet i pështjellon edhe më keq radhët e armiqve, që shpartallohen e ndiqen këmba-këmbës nga gjithë Izraeli. Mirëpo fitorja nuk gëzohet plotësisht, pasi Sauli zë një be të nxituar që u ndalon luftëtarëve të hanë pa mbaruar betejën. Kështu që burrat lodhen shpejt, dhe mëkatojnë kundër Jehovait, sepse hanë mishin e kafshëve që sapo janë vrarë, pa lënë kohë t’u kullojë gjaku. Ndërsa Jonatani e shuan urinë në një huall mjalti para se të marrë vesh për benë, që e konsideron si një pengesë dhe e denoncon me guxim. Populli e shpëton nga vdekja, meqë ai i ka sjellë një shpëtim të madh Izraelit.

17. Si hidhet përsëri poshtë si mbret Sauli pasi mëkaton rëndë për herë të dytë?

17 Tani vjen koha të ekzekutohet gjykimi i Jehovait mbi amalekitët e përbuzshëm. (Ligj. 25:17-19) Ata duhet të shfarosen krejtësisht. Asgjë nuk duhet kursyer, as njerëz, as kafshë. S’duhet të marrin as plaçkë lufte. Çdo gjë duhet shkatërruar. Mirëpo Sauli i pabindur ruan gjallë Agagun, mbretin amalekit, dhe pjesën më të mirë të kopeve e të gjedhëve, gjoja që t’i flijojë për Jehovain. Kjo s’i pëlqen fare Perëndisë së Izraelit, i cili e frymëzon Samuelin të shpallë për së dyti se Sauli është hedhur poshtë si mbret. Pa i marrë parasysh fare justifikimet sa për sy e faqe të Saulit, Samueli thotë: «A kënaqet Jehovai me blatimet e djegura dhe flijimet, aq sa kur i bindesh zërit të Jehovait? Të bindesh është më mirë se flijimi . . . Meqë ti ke hedhur poshtë fjalën e Jehovait, edhe ai po të hedh poshtë ty, që të mos jesh më mbret.» (1 Sam. 15:22, 23) Atëherë Sauli i përgjërohet Samuelit dhe i gris cepin e petkut. Samueli i thotë se është po kaq e sigurt që Jehovai do ta shkëputë mbretërinë nga Sauli dhe do t’ia japë dikujt më të mirë se ai. Pastaj vetë Samueli rrok shpatën, ekzekuton Agagun dhe i kthen shpinën Saulit për të mos e parë kurrë më.

18. Mbi ç’bazë e zgjedh Jehovai Davidin?

18 Mirosja e Davidit dhe trimëria e tij (16:1–17:58). Më pas, Jehovai e drejton Samuelin në shtëpinë e Jeseut, në Betlehem të Judës, që të zgjedhë e të mirosë mbretin e ardhshëm. Bijtë e Jeseut kalojnë një nga një para Samuelit, por asnjëri nuk pranohet. Jehovai i kujton Samuelit: «Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.» (16:7) Në fund, Jehovai shfaq pëlqimin e tij për Davidin, djalin më të vogël, që përshkruhet si «një djalosh faqekuq, me sy të bukur e i pashëm», dhe Samueli e miros me vaj. (16:12) Tanimë fryma e Jehovait është me Davidin, kurse Sauli shfaq një frymë të ligë.

19. Cila është fitorja e parë e Davidit në emër të Jehovait?

19 Filistinët i sulen sërish Izraelit dhe nxjerrin përpara kampionin e tyre, Goliadin, një gjigant gjashtë kute e një pëllëmbë i gjatë (gati 2,9 m). Ai është një vigan, që thuraku i peshon rreth 57 kg, kurse tehu i heshtës rreth 6,8 kg. (17:4, 5, 7) Ditë për ditë Goliadi e sfidon Izraelin, duke blasfemuar dhe duke e përçmuar, që të zgjedhë një burrë që të luftojë me të, por më kot. Sauli dridhet në çadrën e tij. Ndërkohë, talljet e filistinit i dëgjon Davidi. I indinjuar me të drejtë dhe me një guxim të jashtëzakonshëm, Davidi thërret: «Kush na qenka ky filistin i parrethprerë që sfidoka forcat ushtarake të Perëndisë së gjallë?!» (17:26) Davidi s’e pranon armaturën e Saulit, meqë s’ka veshur një të tillë kurrë më parë, dhe del të luftojë, i armatosur vetëm me shkopin e bariut, me një hobé dhe me pesë gurë të lëmuar. Ndeshjen me këtë bari të ri Goliadi e sheh si një ulje për dinjitetin e tij, prandaj e mallkon Davidin. Përgjigjja plot besim i vjen flakërimë: «Ti po vjen me shpatë, heshtë dhe ushtë, kurse unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive.» (17:45) Një gur i shënjuar mirë vringëllon nga hobeja e Davidit, dhe kampioni filistin shembet përdhe! Davidi turret drejt tij, dhe në sy të dy ushtrive, nxjerr shpatën e gjigantit dhe i pret kokën. Çfarë çlirimi madhështor nga Jehovai! Ç’gëzim në kampin e Izraelit! Tani që kampioni i tyre dergjet i vdekur, filistinët u japin këmbëve, kurse izraelitët e ngazëllyer i ndjekin hap pas hapi.

20. Si ndryshon qëndrimi i Jonatanit ndaj Davidit, nga ai i Saulit?

20 Sauli ndjek Davidin (18:1–27:12). Veprimi i guximshëm i Davidit në mbështetje të emrit të Jehovait, i çel udhën një miqësie të shkëlqyer me Jonatanin, djalin e Saulit dhe trashëgimtarin e natyrshëm të mbretërisë. Jonatani «e donte si shpirtin e vet», dhe të dy bëjnë një besëlidhje miqësie. (18:1-3) Izraeli kremton për famën e Davidit, mirëpo Sauli i zemëruar kërkon ta vrasë, edhe pse i ka dhënë për grua vajzën e tij, Mikalën. Sauli bëhet gjithnjë e më shumë armiqësor e maniak, prandaj Davidi detyrohet të arratiset me ndihmën e dashur të Jonatanit. Të dy ndahen me lot në sy, dhe Jonatani e siguron përsëri Davidin për besnikërinë e tij me fjalët: «Jehovai qoftë përjetë mes meje e teje dhe mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu.»​—20:42.

21. Cilat ngjarje ndodhin gjatë arratisë së Davidit për shkak të Saulit?

21 Në arrati e sipër, për shkak të Saulit të nevrikosur, Davidi dhe grupi i vogël i mbështetësve të tij mbërrijnë të uritur në Nob. Këtu, prifti Ahimelek, pasi sigurohet që Davidi dhe burrat e tij nuk janë ndotur me gra, i lejon të hanë bukët e shenjta të paraqitjes. Davidi armatoset me shpatën e Goliadit dhe ia mbath në Gath, në territorin filistin, ku hiqet si i çmendur. Më vonë shkon në shpellën e Adulamit, pastaj në Moab, dhe pas këshillës së profetit Gad, kthehet prapë në Judë. I frikësuar nga ndonjë kryengritje në përkrahje të Davidit, Sauli i marrosur nga xhelozia, urdhëron edomitin Doeg të vrasë gjithë priftërinjtë që banojnë në Nob, nga të cilët shpëton vetëm Abiatari që bashkohet me Davidin. Ai bëhet prifti i grupit.

22. Si tregon Davidi besnikëri ndaj Jehovait dhe respekt për organizatën e Tij?

22 Si shërbëtor besnik i Jehovait, Davidi nis një luftë të efektshme guerile kundër filistinëve. Kurse Sauli vazhdon me të gjitha forcat fushatën për të kapur Davidin, dhe mbledh tërë burrat luftëtarë që ta ndjekin «në shkretëtirën e En-Gedit». (24:1) Davidi, njeri i dashur për Jehovain, ia del gjithnjë të jetë një hap para ndjekësve të tij. Në një rast, mund ta vriste Saulin, por e përmban veten dhe vetëm sa i pret cepin e petkut, si shenjë që i ka falur jetën. Mirëpo, edhe ky veprim i padëmshëm bën që Davidit t’i rrahë zemra fort, pasi mendon se ka vepruar kundër të mirosurit të Jehovait. Ç’respekt të thellë që kishte për organizatën e Jehovait!

23. Si vendos paqe me Davidin Abigaila, dhe si ndodh që bëhet gruaja e tij?

23 Edhe pse tani flitet për vdekjen e Samuelit (25:1), tregimin e vazhdon shkrimtari tjetër. Davidi i kërkon Nabalit, nga Maoni i Judës, t’i japë ushqim për vete dhe për burrat që janë me të, në këmbim të sjelljes së tyre miqësore ndaj barinjve të Nabalit. Por Nabali «iu hakërrua atyre», prandaj Davidi niset që ta ndëshkojë. (25:14) Gruaja e Nabalit, Abigaila, e kupton rrezikun, prandaj i dërgon fshehurazi furnizime dhe fashit zemërimin e tij. Davidi e bekon për këtë veprim të matur, dhe e përcjell në paqe. Kur Abigaila i tregon Nabalit ç’kishte ndodhur, ai pëson një goditje zemre dhe vdes dhjetë ditë më pas. Davidi martohet me Abigailën e hijshme dhe të bukur.

24. Si ia fal përsëri jetën Davidi Saulit?

24 Për të tretën herë, Sauli e ndjek Davidin si i çartur, dhe përsëri përfiton nga mëshira e Davidit. «Një gjumë i thellë i dërguar nga Jehovai» bie mbi Saulin dhe njerëzit e tij. Davidi përfiton nga kjo që të futet në kamp dhe i merr Saulit heshtën, por e frenon dorën që të mos ngrihet «mbi të mirosurin e Jehovait». (26:11, 12) Për herë të dytë, Davidi detyrohet të gjejë strehë te filistinët, të cilët i japin Ziklagun si vendbanim. Që andej, vazhdon mësymjet kundër armiqve të tjerë të Izraelit.

25. Cili është mëkati i tretë i rëndë që kryen Sauli?

25 Fundi vetëvrasës i Saulit (28:1–31:13). Sundimtarët e aleancës filistine sjellin një ushtri të përbashkët në Shunem. Me anë të një kundërmanovre, Sauli zë pozicion në malin Gilboa. Me dëshpërim përpiqet të kërkojë drejtim, por s’merr asnjë përgjigje nga Jehovai. Ah, sikur të lidhej me Samuelin! Sauli maskohet dhe kryen një tjetër mëkat të rëndë kur kërkon një medium në En-Dor, prapa radhëve të filistinëve. Atje e gjen një grua dhe i lutet ta lidhë me Samuelin. Plot ankth për të nxjerrë përfundime, Sauli mendon se i shfaqet Samueli i vdekur. Gjithsesi, «Samueli» s’ka ndonjë mesazh ngushëllues për mbretin. Nesër ai do të vdesë dhe mbretëria do t’i hiqet, ashtu si kishte thënë Jehovai. Në kampin tjetër, sundimtarët e aleancës filistine po dalin në betejë. Kur shohin mes tyre Davidin dhe burrat e tij, ata dyshojnë dhe i nisin në shtëpi. Njerëzit e Davidit kthehen në Ziklag tamam në kohë. Një bandë plaçkitëse amalekitësh ka rrëmbyer familjet dhe zotërimet e Davidit dhe të njerëzve të tij, dhe këta i ndjekin dhe arrijnë të rimarrin gjithçka pa asnjë dëm.

26. Si merr fund mbretëria mjerane e mbretit të parë të Izraelit?

26 Ndërkaq, beteja ka nisur në malin Gilboa. Izraeli pëson një disfatë të plotë, dhe filistinët marrin në kontroll pika strategjike të vendit. Jonatani dhe bijtë e tjerë të Saulit vriten, kurse vetë Sauli i plagosur për vdekje, hidhet mbi shpatën e tij dhe kryen vetëvrasje. Triumfues, filistinët i varin trupat e Saulit dhe të tre djemve të tij në muret e qytetit të Beth-Shanit, por burrat e Jabesh-Galaadit i heqin nga ai pozicion poshtërues. Mbretërisë mjerane të mbretit të parë të Izraelit i ka ardhur fundi.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

27. (a) Ku dështuan Eli dhe Sauli? (b) Në cilat fusha Samueli e Davidi janë shembuj të shkëlqyer për mbikëqyrësit dhe shërbëtorët e rinj?

27 Ç’histori që përmban libri i parë i Samuelit! Absolutisht i ndershëm në çdo hollësi, ai zbulon njëkohësisht dobësinë dhe forcën e Izraelit. Përmend katër udhëheqës të Izraelit, dy që ia vunë veshin ligjit të Perëndisë, dhe dy që nuk vepruan kështu. Ja si dështuan Eli dhe Sauli: i pari i la punët pas dore, kurse i dyti veproi me arrogancë. Në anën tjetër, Samueli dhe Davidi treguan dashuri për udhët e Jehovait që nga rinia, dhe për pasojë patën begati. Ç’mësime të vlefshme për të gjithë mbikëqyrësit! Sa e nevojshme është që të jenë të vendosur, vigjilentë që të ruajnë pastërtinë dhe rregullin në organizatën e Jehovait, të respektojnë masat që merr ai, të jenë sypatrembur, të shtruar, të guximshëm, të vëmendshëm e të dashur me të tjerët. (2:23-25; 24:5, 7; 18:5, 14-16) Gjithashtu, është për t’u përmendur se ata të dy që patën sukses, kishin përparësinë e një stërvitjeje të mirë teokratike që nga rinia, dhe që në moshë të re shpallën me guxim mesazhin e Jehovait dhe u kujdesën për interesat që u ishin besuar. (3:19; 17:33-37) Urojmë që çdo i ri që është adhurues i Jehovait, të bëhet një «Samuel» e «David»!

28. Si theksohet bindja, dhe cila këshillë e 1 Samuelit përsëritet më vonë nga shkrimtarë të tjerë të Biblës?

28 Ndër gjithë fjalët e dobishme të këtij libri, ato që duhet të mbajmë qartë në mendje janë fjalët e frymëzuara që Jehovai i drejtoi Samuelit kur shpalli gjykimin kundër Saulit pasi ky dështoi ‘të shuante kujtimin e Amalekut nën qiell’. (Ligj. 25:19) Mësimi «të bindesh është më mirë se flijimi», përsëritet në rrethana të ndryshme te Hozea 6:6, Mikea 6:6-8 dhe Marku 12:33. (1 Sam. 15:22) Për ne sot është jetësore të përfitojmë nga ky tregim i frymëzuar, duke iu bindur tërësisht dhe plotësisht zërit të Jehovait, Perëndisë tonë! Gjithashtu, 1 Samuelit 14:32, 33 na ngulit në mendje që të jemi të bindur e të pranojmë shenjtërinë e gjakut. Të haje mish pa e kulluar gjakun ashtu si duhej, ishte një mëkat «kundër Jehovait». Kjo vlen edhe për kongregacionin e krishterë, sikurse tregohet qartësisht te Veprat 15:28, 29.

29. Pasojat e cilit gabim të kombit të Izraelit ilustron libri i parë i Samuelit, dhe ç’paralajmërim përmban për njerëzit kryeneçë?

29 Libri i parë i Samuelit ilustron gabimin e rëndë të një kombi, i cili arriti deri aty sa ta shihte si jo praktik sundimin qiellor të Perëndisë. (1 Sam. 8:5, 19, 20; 10:18, 19) Vështirësitë dhe kotësia e sundimit njerëzor janë portretizuar në mënyrë të gjallë dhe profetike. (8:11-18; 12:1-17) Sauli shfaqet fillimisht si një burrë modest, që kishte frymën e Perëndisë (9:21; 11:6), por më vonë gjykimi i tij u err dhe u bë zemërashpër, ndërkohë që dashuria për drejtësinë dhe besimi te Perëndia iu venitën. (14:24, 29, 44) Zelli i tij fillestar përfundoi në hiç për shkak të veprave të mëvonshme me arrogancë, mosbindje dhe pabesi ndaj Perëndisë. (1 Sam. 13:9; 15:9; 28:7; Ezek. 18:24) Mungesa e besimit i solli pasiguri dhe degjeneroi deri në smirë, urrejtje e vrasje. (1 Sam. 18:9, 11; 20:33; 22:18, 19) Ai vdiq ashtu si kishte jetuar, si një dështak në sy të Perëndisë e të popullit të vet, dhe është një paralajmërim për këdo që mund të bëhet ‘kryeneç’ si ai.​—2 Pjet. 2:10-12.

30. Cilat cilësi të Samuelit mund të zhvillojnë shërbëtorët e sotëm për dobinë e tyre?

30 Megjithatë, kemi edhe shembuj të mirë. Vërejmë udhën që ndoqi Samueli besnik, i cili i shërbeu Izraelit gjatë gjithë jetës së vet pa mashtrime, anësi apo favore. (1 Sam. 12:3-5) Ai u tregua i gatshëm të shërbente që nga djalëria (3:5); ishte i sjellshëm e i respektueshëm (3:6-8); i besueshëm në detyrat që i caktoheshin (3:15); i patundur në përkushtimin e tij (7:3-6; 12:2); i gatshëm të dëgjonte (8:21); i shpejtë të mbështeste vendimet e Jehovait (10:24); i vendosur kur gjykonte, pavarësisht se me kë kishte të bënte (13:13); i shquar për bindjen (15:22) dhe ngulmues që të përmbushte caktimin (16:6, 11). Ai gëzonte edhe një reputacion të mirë në sy të të tjerëve. (2:26; 9:6) Shërbimi i tij që në rini është një inkurajim për të rinjtë që t’i kushtohen shërbimit sot (2:11, 18), kurse vazhdimësia e tij pa u tërhequr deri në fund të jetës, është një ndihmë për ata që ndihen të lodhur për shkak të moshës.​—7:15.

31. Për çfarë është një shembull i shkëlqyer Jonatani?

31 Kemi edhe shembullin e shkëlqyer të Jonatanit. Ai nuk i mbeti hatri ngaqë Davidi u miros që të merrte mbretërinë që mund ta kishte trashëguar vetë. Përkundrazi, i çmoi cilësitë e shkëlqyera të Davidit dhe lidhi me të një besëlidhje miqësie. Shoqëri të tilla aspak egoiste mund të jenë tepër ndërtuese dhe inkurajuese sot për ata që i shërbejnë besnikërisht Jehovait.​—23:16-18.

32. Cilat aspekte të shkëlqyera bien në sy te gra të tilla, si Hana dhe Abigaila?

32 Ndërsa gratë kanë si shembull Hanën, e cila e shoqëronte rregullisht të shoqin në vendin e adhurimit të Jehovait. Ajo ishte një grua e përulur, që i kushtohej lutjes dhe që sakrifikoi lidhjen e saj me të birin për të mbajtur fjalën e për të treguar vlerësim për mirëdashjen e Jehovait. Sa i mrekullueshëm ishte shpërblimi i saj tek e shihte të birin t’i futej një shërbimi frytdhënës ndaj Jehovait që do të zgjaste për tërë jetën. (1:11, 21-23, 27, 28) Gjithashtu, kemi shembullin e Abigailës, e cila shfaqi nënshtrim e gjykim të shëndoshë që e bënë të fitonte lavdet e Davidit, aq sa më vonë e mori për grua.​—25:32-35.

33. Ç’udhë duhet të na nxitë të ndjekim dashuria dhe besnikëria e Davidit sypatrembur?

33 Dashuria që kishte Davidi për Jehovain është shprehur në mënyrë prekëse te psalmet që kompozoi kur e ndiqte në shkretëtirë Sauli, «i mirosuri i Jehovait» që ra në mëkat. (1 Sam. 24:6; Psal. 34:7, 8; 52:8; 57:1, 7, 9) E me sa vlerësim nga zemra e shenjtëroi Davidi emrin e Jehovait kur i bëri këtë sfidë Goliadit që tallej: «Unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive . . . Sot Jehovai do të të dorëzojë në dorën time . . . Gjithë dheu do ta marrë vesh se Izraeli ka një Perëndi. Tërë ky kongregacion do ta marrë vesh se Jehovai nuk shpëton as me shpatë e as me heshtë, sepse beteja i përket Jehovait dhe ai do t’ju japë në dorën tonë.» (1 Sam. 17:45-47) Davidi, ‘i mirosuri’ trim e besnik i Jehovait, e lartësoi Jehovain si Perëndinë e të gjithë tokës dhe të vetmin Burim shpëtimi të vërtetë. (2 Sam. 22:51) Le ta ndjekim gjithmonë shembullin e këtij njeriu sypatrembur!

34. Si zbulohen më tej qëllimet e Mbretërisë së Jehovait në lidhje me Davidin?

34 Por, ç’ka për të na thënë libri i parë i Samuelit për zhvillimet që lidhen me qëllimet e Mbretërisë së Perëndisë? E pra, kjo na çon në atë që është vërtet pika kryesore e këtij libri të Biblës. Pikërisht në këtë libër njihemi me Davidin, emri i të cilit mbase ka kuptimin «I dashur». Jehovai e deshi Davidin dhe e zgjodhi si ‘një njeri siç ia donte zemra’, njeriu i duhur për t’u bërë mbret i Izraelit. (1 Sam. 13:14) Kështu, mbretëria i kaloi fisit të Judës sipas bekimit që tha Jakobi te Zanafilla 49:9, 10, dhe do t’i përkiste këtij fisi derisa të vinte Sundimtari, të cilit do t’i binden gjithë popujt.

35. Si lidhet ngushtë emri i Davidit me atë të Farës së Mbretërisë, dhe cilat cilësi të Davidit do të tregojë ajo Farë?

35 Për më tepër, emri i Davidit lidhet ngushtë me Farën e Mbretërisë, që lindi gjithashtu në Betlehem dhe vinte nga linja e Davidit. (Mat. 1:1, 6; 2:1; 21:9, 15) Ai është Jezu Krishti i ngritur në lavdi, «Luani që është nga fisi i Judës, rrënja e Davidit» dhe «rrënja dhe pasardhës i Davidit, si dhe ylli i shndritshëm i mëngjesit». (Zbul. 5:5; 22:16) Duke qeverisur në pushtetin e Mbretërisë, ky «bir i Davidit» do të tregojë gjithë palëkundshmërinë dhe guximin që kishte paraardhësi i tij, kur të luftojë kundër armiqve të Perëndisë derisa t’i shpartallojë dhe të shenjtërojë emrin e Jehovait në mbarë dheun. Sa i fortë është besimi ynë te kjo Farë e Mbretërisë!

[Shënimi]

a The Romance of the Last Crusade, 1923, nga majori Vivian Xhilbert, faqet 183-186.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo