BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 95-100
  • Libri biblik numër 18​—Jobi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 18​—Jobi
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E JOBIT
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • Pika kryesore nga libri i Jobit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Jobi duroi​—Edhe ne mund ta bëjmë!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Jobi lartësoi emrin e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • «Nga integriteti im nuk do të heq dorë»
    Imitoni besimin e tyre
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 95-100

Libri biblik numër 18​—Jobi

Shkrimtari: Moisiu

Vendi ku u shkrua: Shkretëtirë

Shkrimi përfundoi: rr. 1473 p.e.s.

Periudha përkatëse: mbi 140 vjet, midis 1657 p.e.s. dhe 1473 p.e.s.

1. Ç’domethënie ka emri i Jobit dhe cilave pyetje u përgjigjet libri i Jobit?

NJË nga librat më të vjetër të Shkrimeve të frymëzuara. Një libër që vlerësohet shumë dhe që citohet shpesh, e megjithatë kuptohet shumë pak nga njerëzit. Pse u shkrua ky libër dhe ç’vlerë ka për ne sot? Përgjigjen e tregon domethënia e emrit të Jobit: «Objekt armiqësie». Po, ky libër trajton dy pyetje të rëndësishme: pse vuajnë të pafajshmit? Pse e lejon Perëndia ligësinë në tokë? Për të gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve, kemi tregimin për vuajtjet e Jobit dhe për qëndresën e tij madhështore. Gjithçka është dokumentuar me shkrim, ashtu siç kërkoi vetë Jobi.​—Jobi 19:23, 24.

2. Ç’prova kemi se Jobi ishte një person real?

2 Jobi është bërë sinonim i durimit dhe i qëndrueshmërisë. Por, a ka ekzistuar vërtet ai? Me gjithë përpjekjet e shumta të Djallit për ta hequr nga faqet e historisë këtë shembull të jashtëzakonshëm integriteti, përgjigjja është e qartë. Jobi ishte një person real! Jehovai e përmend së bashku me dëshmitarë të tjerë të Tij, me Noenë dhe Danielin, ekzistencën e të cilëve Jezu Krishti e pranonte. (Ezek. 14:14, 20; krahaso Mateun 24:15, 37.) Kombi i lashtë hebre e konsideronte Jobin një person real. Shkrimtari i krishterë Jakovi flet për shembullin e qëndrueshmërisë së Jobit. (Jak. 5:11) Vetëm një shembull i jetës reale, jo i trilluar, do të kishte peshë për t’i bindur adhuruesit e Perëndisë se mund të mbahet integriteti në çfarëdolloj rrethane. Për më tepër, forca dhe ndjenjat që përmbajnë fjalimet e dokumentuara në librin e Jobit, dëshmojnë se sa reale ishte ajo situatë.

3. Ç’dëshmi provojnë se libri i Jobit është i frymëzuar nga Perëndia?

3 Që libri i Jobit është autentik dhe i frymëzuar tregohet edhe ngaqë hebrenjtë e lashtë e përfshinin gjithnjë në kanunin e tyre biblik, dhe ky fakt është i veçantë, sepse vetë Jobi nuk ishte izraelit. Përveç referimeve tek Ezekieli dhe Jakovi, librin e citon edhe apostulli Pavël. (Jobi 5:13; 1 Kor. 3:19) Provë të fuqishme se libri është i frymëzuar, jep harmonia e tij mahnitëse me faktet e provuara nga shkenca. Nga dihej që Jehovai ‘e mban tokën varur në asgjë’, ndërkohë që njerëzit e lashtë kishin idetë më të çuditshme se ku qëndronte ose mbahej toka? (Jobi 26:7) Një ide që kishin në kohët e lashta, ishte se toka mbahej nga disa elefantë që qëndronin mbi një breshkë deti gjigante. Pse nuk ka në librin e Jobit absurditete të tilla? Pa dyshim sepse të vërtetën e zbuloi me anë të frymëzimit Jehovai, Krijuesi. Edhe përshkrimet e tjera të shumta të tokës dhe të mrekullive të saj, të kafshëve të egra e të zogjve në habitatet e tyre natyrore, janë kaq të sakta, sa vetëm Perëndia Jehova mund të ishte Autori dhe Frymëzuesi i librit të Jobit.a

4. Ku dhe kur u luajt drama e këtij libri, dhe kur përfundoi shkrimi i librit të Jobit?

4 Jobi jetonte në Uz, që sipas disa gjeografëve ndodhej në veri të Arabisë, pranë vendit ku banonin edomitët dhe në lindje të tokës që u ishte premtuar pasardhësve të Abrahamit. Në jug ndodheshin sabeatitët, në lindje kaldeasit. (1:1, 3, 15, 17) Problemet e Jobit filluan në një periudhë shumë më të vonshme se ajo e Abrahamit. Ishte një periudhë kur ‘nuk kishte në tërë tokën njeri si [Jobi], të paqortueshëm dhe të drejtë’. (1:8) Duket se përfshin periudhën pas vdekjes së Jozefit (1657 p.e.s.), një njeri me besim të jashtëzakonshëm, e deri në kohën kur Moisiu filloi jetën e tij si mbajtës i integritetit. Në këtë periudhë, kur Izraeli ishte ndotur me adhurimin demonik të Egjiptit, Jobi u dallua për adhurimin e pastër. Për më tepër, praktikat që përmenden në kapitullin e parë të Jobit dhe fakti që Perëndia e pranonte Jobin si adhurues të vërtetë, tregojnë se bëhej fjalë për kohët patriarkale, jo për periudhën e mëvonshme nga viti 1513 p.e.s. e më tej, kur Perëndia u mor vetëm me Izraelin që ishte nën Ligj. (Amo. 3:2; Efes. 2:12) Kështu, duke pasur parasysh jetën e gjatë të Jobit, duket se libri i referohet periudhës midis vitit 1657 p.e.s. dhe 1473 p.e.s., vit kur vdiq Moisiu; libri u përfundua nga Moisiu ca kohë pas vdekjes së Jobit, ndërsa izraelitët ishin në shkretëtirë.​—Jobi 1:8; 42:16, 17.

5. Ç’gjë tregon se shkrimtari i librit të Jobit është Moisiu?

5 Pse themi që shkrimtari ishte Moisiu? Kjo është sipas traditës më të vjetër, qoftë mes studiuesve judenj, qoftë mes studiuesve të hershëm të krishterë. Stili i gjallë autentik i poezisë hebraike i përdorur në librin e Jobit, e bën të qartë se teksti origjinal ishte shkruar në hebraisht, në gjuhën e Moisiut. E pamundur të ketë qenë përkthim nga një gjuhë tjetër, siç është arabishtja. Gjithashtu, pjesët në prozë ngjasojnë me Pentateukun, më shumë se çdo shkrim tjetër i Biblës. Shkrimtari duhet të ketë qenë izraelit, siç ishte Moisiu, sepse judenjve «iu besuan thëniet e shenjta të Perëndisë». (Rom. 3:1, 2) Pasi kishte arritur moshën madhore, Moisiu kaloi 40 vjet në Midian, jo larg Uzit, ku arriti të merrte informacionet e hollësishme që i dokumentoi në librin e Jobit. Më vonë, kur kaloi pranë vendlindjes së Jobit gjatë udhëtimit 40-vjeçar të Izraelit në shkretëtirë, Moisiu pati mundësi të mësonte e të dokumentonte hollësitë përmbyllëse në libër.

6. Në ç’aspekte libri i Jobit është shumë më tepër se një kryevepër letrare?

6 Sipas një enciklopedie (The New Encyclopædia Britannica), shpesh libri i Jobit «përfshihet ndër kryeveprat e literaturës botërore».b Megjithatë, libri është shumë më tepër se një kryevepër letrare. Jobi dallohet ndër librat e Biblës, pasi e lartëson shumë fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë e Jehovait. Tregon fare qartë çështjen kryesore që është shtruar para gjithë universit. Hedh dritë mbi shumë gjëra që janë thënë në libra të tjerë të Biblës, sidomos te Zanafilla, Dalja, Eklisiastiu, Luka, Romakëve dhe Zbulesa. (Krahaso Jobin 1:6-12; 2:1-7 me Zanafillën 3:15; Daljen 9:16; Lukën 22:31, 32; Romakëve 9:16-19 dhe Zbulesën 12:9; gjithashtu Jobin 1:21; 24:15; 21:23-26; 28:28 me Eklisiastiun 5:15; 8:11; 9:2, 3; 12:13.) Jep përgjigje për shumë nga pyetjet e jetës. Sigurisht që është pjesë përbërëse e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, dhe jep një ndihmesë të madhe për ta kuptuar mirë atë.

PËRMBAJTJA E JOBIT

7. Cila është situata e Jobit në fillim të librit?

7 Hyrje për librin e Jobit (1:1-5). Këtu njihemi me Jobin, një njeri «i paqortueshëm dhe i drejtë, [që] kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes». Jobi është i lumtur, ka shtatë djem e tri vajza. Është një pronar tokash i pasur dhe ka shumë dhen e gjedhë. Ka shumë shërbëtorë dhe është ‘më i kamuri ndër ata që jetojnë në Lindje’. (1:1, 3) Gjithsesi, nuk është materialist, pasi shpresa e tij nuk mbështet te zotërimet materiale. Është i pasur frymësisht, i pasur në vepra të mira, gjithnjë i gatshëm të ndihmojë të munduarit ose ata që vuajnë, dhe t’u japë rroba atyre që kanë nevojë. (29:12-16; 31:19, 20) Të gjithë e respektojnë. Jobi adhuron Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Ai s’pranon të përkulet para diellit, hënës dhe yjeve, sikurse bëjnë kombet pagane, por është besnik ndaj Jehovait, ruan integritetin para Perëndisë së vet dhe gëzon një miqësi të ngushtë me Të. (29:7, 21-25; 31:26, 27; 29:4) Jobi shërben si prift për familjen e tij dhe paraqit rregullisht blatime të djegura kur ata mëkatojnë.

8. (a) Si e sfidon Satanai integritetin e Jobit? (b) Si e pranon Jehovai sfidën?

8 Satanai sfidon Perëndinë (1:6–2:13). Në mënyrë të mrekullueshme, ngrihet perdja e së padukshmes, që të kemi një pamje të gjërave qiellore. Shfaqet Jehovai, tek drejton një asamble të bijve të Perëndisë. Mes tyre duket edhe Satanai. Jehovai e kthen vëmendjen te shërbëtori i tij besnik, Jobi, mirëpo Satanai sfidon integritetin e Jobit dhe lëshon akuzën se Jobi i shërben Perëndisë ngaqë përfiton materialisht. Sikur Perëndia ta lejonte Satanain që t’ia hiqte këto, Jobi do të hiqte dorë nga integriteti. Jehovai e pranon sfidën, por me një kufizim, që Satanai të mos e prekë Jobin.

9. (a) Ç’sprova të rënda godasin Jobin? (b) Nga duket se ai e mban integritetin?

9 Fatkeqësi të shumta nisin të godasin Jobin që s’dyshon për asgjë. Mësymjet e sabeatitëve e të kaldeasve rrënojnë pasuritë e tij të mëdha. Një stuhi vret gjithë djemtë e vajzat e tij. Kjo sprovë e rëndë nuk arrin ta bëjë Jobin të mallkojë Perëndinë apo të largohet prej tij. Përkundrazi, ai thotë: «Qoftë përherë i bekuar emri i Jehovait!» (1:21) I mposhtur dhe i demaskuar si një gënjeshtar në këtë çështje, Satanai del sërish para Jehovai dhe akuzon: «Lëkurë për lëkurë, dhe njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» (2:4) Satanai pretendon se, po t’i lejohej të prekte trupin e Jobit, ai do ta bënte atë ta mallkonte Perëndinë sy më sy. Pasi merr leje për të bërë çdo gjë, përveçse t’i marrë jetën, Satanai e godet Jobin me një sëmundje të tmerrshme. Trupi i tij mbulohet «me vemje dhe toptha dheu», dhe trupi e fryma e tij janë të neveritshme edhe për gruan e të afërmit e tij. (7:5; 19:13-20) Duke treguar se Jobi nuk e ka thyer integritetin e tij, e shoqja e nxit: «Akoma e mban të patundur integritetin?! Mallko Perëndinë dhe vdis!» Mirëpo Jobi e qorton dhe ‘nuk mëkaton me buzët e tij’.​—2:9, 10.

10. Ç’lloj «ngushëllimi» të heshtur jep Satanai?

10 Satanai ngre tani tre shokë, që shkojnë ‘ta ngushëllojnë’ Jobin. Ata janë Elifazi, Bildadi dhe Zofari. Kur e shohin nga larg, nuk e njohin Jobin, por pastaj nisin të qajnë me të madhe e të hedhin pluhur mbi kokë. Më pas, ulen përballë tij, përtokë, pa thënë asnjë fjalë. Kalojnë shtatë ditë e shtatë net me këtë farë ‘ngushëllimi’ të heshtur, dhe së fundi, Jobi e thyen heshtjen dhe i hap udhë një debati të gjatë me ata që kishin ardhur gjoja për ta ngushëlluar.​—2:11.

11-13. Si e hap Jobi debatit, ç’akuzë bën Elifazi dhe ç’përgjigje të guximshme i jep Jobi?

11 Debati: raundi i parë (3:1–14:22). Që nga ky çast e më tej, drama shpaloset në formën e një poezie sublime hebraike. Jobi mallkon ditën që ka lindur dhe habitet pse Perëndia e ka lënë të jetojë.

12 Elifazi përgjigjet dhe e akuzon Jobin për mungesë integriteti. I drejti nuk është zhdukur kurrë, deklaron ai. Ai flet për një vegim që ka pasur natën, ku një zë i ka thënë se Perëndia nuk u zë besë shërbëtorëve të vet, sidomos atyre të bërë nga argjila, nga pluhuri i dheut. Ai thotë se vuajtjet e Jobit janë një formë disiplinimi nga Perëndia i Plotfuqishëm.

13 Jobi ia kthen plot guxim Elifazit. Thërret, sikurse do të bënte çdo krijesë tjetër që po kalon përndjekje e vuajtje. Oh, ç’lehtësim do të ishte vdekja! Ai i qorton shokët e vet, se po kurdisin plane kundër tij, dhe proteston: «Më mësoni e unë do të hesht. Më ndihmoni të kuptoj ku kam gabuar.» (6:24) Për drejtësinë e tij, Jobi argumenton para Perëndisë, ‘Vëzhguesit të njeriut’.​—7:20.

14, 15. Si argumenton Bildadi dhe përse Jobi ka frikë se do ta humbë çështjen me Perëndinë?

14 Tani e merr fjalën Bildadi, i cili hedh fjalën se bijtë e Jobit kanë mëkatuar dhe se Jobi vetë nuk është i drejtë, përndryshe Perëndia do ta dëgjonte. Ai e udhëzon Jobin të kërkojë si udhërrëfyes brezat e shkuar dhe gjërat që zbuluan etërit e tyre.

15 Jobi ia kthen, duke pohuar se Perëndia nuk është i padrejtë. Perëndia s’është i detyruar t’i japë llogari njeriut, sepse Ai bën «gjëra madhështore e të pahetueshme, gjëra të mrekullueshme që s’kanë të numëruar». (9:10) Jobi s’mund të fitojë kundër Jehovait si kundërshtar i tij në gjyq. Ai vetëm mund të kërkojë hirin e Perëndisë. Dhe sidoqoftë, a ia vlen të përpiqesh të bësh atë që është e drejtë? «Ai i jep fund si të pafajit, si fajtorit.» (9:22) S’ka gjykim të drejtë në tokë. Jobi ka frikë se do të humbë edhe çështjen me Perëndinë. Ka nevojë për një ndërmjetës. Ai pyet se përse po sprovohet dhe i lutet Perëndisë të mos harrojë se është bërë «nga argjila». (10:9) Ai vlerëson dashamirësinë që i ka treguar Perëndia në të shkuarën, por thotë se Perëndia veçse do të inatosej më shumë nëse ai debaton, edhe pse Jobi ka të drejtë. Ah, sikur të vdiste!

16, 17. (a) Ç’këshillë prej mburraveci jep Zofari? (b) Si i quan Jobi «ngushëlluesit» e tij dhe ç’besim të fortë shfaq?

16 Tani në debat përfshihet edhe Zofari. Me pak fjalë ai thotë: Mos jemi fëmijë, që të rrimë e të dëgjojmë fjalë boshe? Ti po na thua se je vërtet i pastër, por sikur Perëndia të fliste, do ta nxirrte në shesh fajin tënd. Pastaj e pyet Jobin: «A i zbulon dot ti gjërat e thella të Perëndisë?» (11:7) Ai e këshillon Jobin të braktisë veset e dëmshme, sepse ata që bëjnë kështu, do të kenë bekime, kurse «të ligjve do t’u ikë drita e syrit».​—11:20.

17 Jobi ia kthen me një sarkazëm therëse: «Posi, veç ju keni të drejtë, dhe bashkë me ju do të marrë fund mençuria!» (12:2) Ai mund të jetë bërë gazi i botës, por nuk qëndron më poshtë se ata. Sikur shokët e tij të pyesnin krijesat e Perëndisë, edhe ato do t’u mësonin diçka atyre. Fuqia dhe mençuria janë të Perëndisë, që kontrollon gjithçka, që «i bën kombet të fuqishme, që t’i shkatërrojë». (12:23) Jobit i pëlqen të diskutojë me Perëndinë, por sa për «ngushëlluesit» e tij—‘ata i përbaltin të tjerët me gënjeshtra, dhe janë mjekë që nuk shërojnë’. (13:4) Do të ishte e mençur nga ana e tyre të mos e hapnin fare gojën! Ai shfaq besim te drejtësia e çështjes së tij dhe i thërret Perëndisë që ta dëgjojë. Pastaj, i kthehet mendimit se «njeriu i lindur nga një grua është jetëshkurtër dhe i mbytur në halle». (14:1) Ikën shpejt, si një lule ose si një hije. S’mund të nxjerrësh një të pastër nga një i papastër. Jobi i lutet Perëndisë që ta fshehë në Sheol derisa t’i shuhet zemërimi, dhe pyet: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» Përgjigjja që jep, pasqyron një shpresë të fortë: «Do të prisja . . . derisa të më vinte lehtësimi.»​—14:13, 14.

18, 19. (a) Me ç’tallje e hap Elifazi raundin e dytë të debatit? (b) Si e konsideron Jobi «ngushëllimin» e shokëve të tij, dhe për çfarë shpreson ai te Jehovai?

18 Debati: raundi i dytë (15:1–21:34). Debatin e dytë e hap Elifazi, që tallet me njohurinë e Jobit dhe thotë se ai ‘e ka mbushur barkun me erën e lindjes’. (15:2) Edhe një herë ai i përçmon pohimet e Jobit për integritetin, duke u shprehur se as njeriu i vdekshëm, as të shenjtët në qiell, nuk janë të denjë për besim në sytë e Jehovait. Tërthorazi ai e akuzon Jobin se po përpiqet ta tregojë veten më të lartë se Perëndia dhe se merret me apostazi, ryshfete e mashtrime.

19 Jobi ia kthen se shokët e tij janë ‘ngushëllues të bezdisshëm me fjalë të thëna në erë’. (16:2, 3) Po të ishte në vendin e tyre, ai nuk do t’i shante. Ai kërkon me forcë të dalë i drejtë dhe shpreson te Jehovai, që ka mbajtur shënim veprimet e tij dhe do të vendosë për rastin e tij. Jobi nuk sheh fare mençuri te shokët e tij. Ata heqin çdo lloj shprese. «Ngushëllimi» i tyre është si t’i thuash natës ditë. Shpresa e vetme është ‘të zbresë në Sheol’.​—17:15, 16.

20, 21. Ç’vrer derdh Bildadi, si proteston Jobi dhe te kush tregon Jobi se ka besim?

20 Biseda po nxehet. Bildadi është plot vrer, pasi mendon se Jobi i ka krahasuar miqtë e tij me kafshë pa farë njohurie. Ai e pyet Jobin: ‘A do të braktiset toka për hirin tënd?’ (18:4) Ai paralajmëron se Jobi do të bjerë në një grackë të tmerrshme, si shembull për të tjerët. Jobi s’ka për të lënë pasardhës pas tij.

21 Jobi përgjigjet: «Deri kur do të ma acaroni shpirtin dhe do të më dërrmoni me fjalë?» (19:2) Ka humbur familjen e miqtë, gruaja dhe ata të shtëpisë së tij e kanë braktisur, kurse ai vetë ‘mezi i ka shpëtuar vdekjes’. (19:20) Ai ka besim se do të dalë një shpengues që ta zgjidhë çështjen në favor të tij, e kështu më në fund ai ‘do të shohë Perëndinë’.​—19:25, 26.

22, 23. (a) Pse ndihet i lënduar Zofari dhe ç’thotë ai për mëkatet e supozuara të Jobit? (b) Me ç’argument të pakundërshtueshëm ia kthen Jobi?

22 Zofari, ashtu si Bildadi, ndihet i lënduar ngaqë i duhet të dëgjojë nga Jobi «një këshillë fyese». (20:3) Ai përsërit se Jobi po korr pasojat e mëkateve të veta. Të ligjtë ndëshkohen gjithnjë nga Perëndia dhe s’gjejnë prehje, thotë Zofari, edhe kur gëzojnë mbarësi.

23 Jobi ia kthen me një argument të pakundërshtueshëm: nëse Perëndia i ndëshkoka kësisoj të ligjtë, si vallë ata rrojnë, plaken dhe vënë një mal me pasuri? Ata i kalojnë ditët si s’ka më mirë. Sa herë bie gjëma mbi ta? Ai tregon se të pasurit vdesin ashtu si dhe të varfrit. Faktikisht, njeriu i lig shpesh vdes «i qetë dhe rehat», kurse i drejti mund të vdesë «me shpirt të helmuar».​—21:23, 25.

24, 25. (a) Çfarë shpifjeje ngre Elifazi kundër Jobit duke e mbajtur veten si të drejtë? (b) Si e hedh poshtë dhe si e sfidon Jobi këtë shpifje?

24 Debati: raundi i tretë (22:1–25:6). Elifazi i kthehet sërish sulmit me egërsi dhe tallet me thënien e Jobit se ai është i pafajshëm para të Plotfuqishmit. Ai shpif kundër Jobit, duke thënë se ai është i lig, ka shfrytëzuar të varfrit, u ka mbajtur bukën të uriturve dhe ka keqtrajtuar vejushat dhe jetimët. Elifazi thotë se jeta private e Jobit nuk është aq e kulluar sa pretendon ai, dhe kjo shpjegon gjendjen e tij të mjerueshme. Por, reciton Elifazi se «nëse kthehesh tek i Plotfuqishmi, . . . ai do të të dëgjojë».​—22:23, 27.

25 Jobi e hedh poshtë akuzën e paturp të Elifazit dhe thotë se dëshiron që Perëndia ta dëgjojë, meqë është i vetëdijshëm për udhën e drejtë të Jobit. Ka nga ata që shtypin jetimët, vejushat e të varfrit, që bëjnë vrasje, vjedhje e kurorëshkelje. Për njëfarë kohe mund të duket sikur atyre po u shkon mbarë, por do ta marrin shpërblimin që u takon. Ata do të asgjësohen. Jobi lëshon sfidën: «Hë pra, tani, kush do të më nxjerrë gënjeshtar?»​—24:25.

26. Ç’kanë për të thënë akoma Bildadi dhe Zofari?

26 Bildadi përgjigjet shkurtimisht, duke i mëshuar argumentit të vet se asnjë njeri s’mund të jetë i pastër para Perëndisë. Zofari s’merr pjesë fare në këtë raund të tretë. S’ka ç’të thotë më.

27. Si e larton tani Jobi madhështinë e të Plotfuqishmit?

27 Argumentimi përfundimtar i Jobit (26:1–31:40). Me ligjëratën e fundit, Jobi ua mbyll gojën një herë e mirë shokëve të tij. (32:12, 15, 16) Ai thotë gjithë sarkazëm: ‘Ama ç’e ndihmokeni të pafuqishmin! . . . Sa bukur e këshillokeni atë që s’ka mençuri!’ (26:2, 3) Megjithatë, asgjë, as Sheoli vetë, s’mund të fshehë ndonjë gjë nga sytë e Perëndisë. Jobi përshkruan mençurinë e Perëndisë që shpaloset në hapësirë, tokë, re, det dhe erë—dhe të gjitha këto njeriu i ka vëzhguar. E pra, këto s’janë veçse thekët e udhëve të të Plotfuqishmit. Nuk janë as sa pëshpërima e madhësisë së të Plotfuqishmit.

28. Ç’pohim të drejtpërdrejtë për integritetin bën Jobi?

28 I bindur për pafajësinë e vet, Jobi deklaron: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.» (27:5) Jo, Jobi s’ka merituar asgjë nga ato që ka pësuar. Krejt ndryshe nga sa është akuzuar, Perëndia do ta shpërblejë integritetin, duke bërë që gjithë begatinë që kanë grumbulluar të ligjtë, ta trashëgojnë të drejtët.

29. Si e përshkruan Jobi mençurinë?

29 Njerëzit e dinë se nga vijnë thesaret e tokës (argjendi, ari, bakri)—«por nga vjen mençuria»? (28:20) E kanë kërkuar mes të gjallëve; e kanë kërkuar në det; ajo s’mund të blihet me ar ose argjend. Vetëm Perëndia e kupton mençurinë. Ai sheh deri në skajet e tokës e të qiejve, ndan erën dhe ujërat dhe kontrollon shiun e retë e stuhishme. Jobi arrin këtë përfundim: «Ja, të kesh frikë nga Jehovai, kjo është mençuri, dhe t’i largohesh së keqes, është kuptueshmëri.»​—28:28.

30. Ç’dëshiron të fitojë sërish Jobi, por cila është gjendja ku ndodhet?

30 Më pas, Jobi i shkretë tregon historinë e jetës së tij. Dëshira e tij është të fitojë edhe një herë miqësinë e ngushtë që gëzonte më parë me Perëndinë, kur respektohej edhe nga të parët e qytetit. Ai çlironte të munduarin dhe ishte sy për të verbrin. Këshillat e tij ishin të mira dhe njerëzit prisnin të dëgjonin fjalët e tij. Kurse tani, në vend që të ketë një pozitë të respektueshme, njerëzit qeshin me të, madje edhe më të rinjtë, etërit e të cilëve nuk ishin të denjë të rrinin as me qentë e kopesë së tij. Ata e pështyjnë dhe i kundërvihen. Tani që ai është i munduar sa s’ka ku të vejë më, ata s’e lënë të prehet i qetë.

31. Te gjykimi i kujt shpreh siguri Jobi, dhe ç’thotë ai për historinë e vërtetë të jetës së vet?

31 Jobi e përshkruan veten si njeri i kushtuar dhe kërkon të gjykohet nga Jehovai. «Perëndia do të më peshonte në një peshore të saktë dhe do ta njihte integritetin tim.» (31:6) Jobi mbron veprimet e veta të mëparshme. S’ka qenë kurorëshkelës, dhe as nuk ka kurdisur plane kundër të tjerëve. Nuk i ka lënë pas dore nevojtarët. S’e ka vënë sigurinë te pasuritë materiale, edhe pse është i pasur. S’ka adhuruar diellin, hënën apo yjet, sepse «prapë do të ishte një faj për të shkuar para gjykatësit, se do të kisha mohuar Perëndinë e vërtetë atje lart». (31:28) Jobi e fton kundërshtarin e vet në gjyq që të ngrejë padi kundër historisë së vërtetë të jetës së tij.

32. (a) Kush e merr fjalën tani? (b) Përse Elihut i ndizet zemërimi kundër Jobit dhe shokëve të tij, dhe çfarë e nxit të flasë?

32 Elihu merr fjalën (32:1–37:24). Ndërkaq, Elihu, pasardhës i Buzit, një nga bijtë e Nahorit, pra një farefis i largët i Abrahamit, ka ndjekur në heshtje debatin. Ka pritur ngaqë mendon se ata me moshë më të madhe duhet të kenë më shumë njohuri. Mirëpo, nuk është mosha, por fryma e Perëndisë që jep kuptueshmëri. Elihut i ndizet zemërimi tek dëgjon Jobin që ‘e shpalli veten më të drejtë se Perëndia’, por i ndizet edhe më shumë kundër tre shokëve të Jobit për mungesën e tyre të vajtueshme të mençurisë, kur e shpallin Perëndinë të lig. Elihu është «plot fjalë» dhe fryma e Perëndisë e nxit t’i shfrejë, por pa i mbajtur anën njeriu dhe pa ‘iu drejtuar askujt me tituj lajkatues’.​—Jobi 32:2, 3, 18-22; Zan. 22:20, 21.

33. Ku gabon Jobi, e megjithatë ç’favor i tregon Perëndia?

33 Elihu flet me çiltërsi dhe pranon se Perëndia është Krijuesi i tij. Ai nxjerr në pah se Jobi është merakosur më shumë të shfajësojë veten, se Perëndinë. S’kishte nevojë që Perëndia t’u përgjigjej të gjitha fjalëve të Jobit, si për të justifikuar veprimet e veta, e prapëseprapë Jobi ka debatuar me Perëndinë. Sidoqoftë, kur Jobi gjendet buzë vdekjes, Perëndia i dërgon një lajmëtar, që thotë: «Le të mos shkojë në gropë! Për të gjeta shpërblesë! Mishi iu bëftë më i freskët se në rini! Iu ktheftë gjallëria si në ditët e rinisë!» (Jobi 33:24, 25) I drejti do të rivendoset!

34. (a) Ç’qortim të mëtejshëm jep Elihu? (b) Në vend që të ngrejë lart drejtësinë e vet, ç’duhet të bëjë Jobi?

34 Elihu i fton të mençurit që të dëgjojnë. Ai e qorton Jobin ngaqë ka thënë se s’ka ndonjë dobi të mbash integritetin: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi, që i Plotfuqishmi të veprojë me padrejtësi! Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprimeve të tij.» (34:10, 11) Ai mund të heqë frymën e jetës dhe çdo gjallesë do të merrte fund. Perëndia gjykon me paanësi. Jobi i ka mëshuar së tepërmi drejtësisë së vet. Është treguar i nxituar, edhe pse pa dashje, por gjithsesi «pa ditur»; dhe Perëndia është treguar shpirtgjerë me të. (34:35) Ka ende shumë për të thënë për shfajësimin e Perëndisë. Perëndia s’do t’i largojë sytë nga të drejtët, por do t’i qortojë. «Ai nuk do të lërë gjallë asnjë të lig, por të munduarit do t’i gjykojë me drejtësi.» (36:6) Meqë Perëndia është Mësuesi më i madh, Jobi duhet të lartësojë veprën e Tij.

35. (a) Ç’gjërave duhet t’u vërë mendjen Jobi? (b) Cilëve do t’u tregojë hir Jehovai?

35 Në një atmosferë stuhie që të ngjall frikë, Elihu flet për gjërat e mëdha që ka bërë Perëndia dhe për aftësinë që ka Ai për t’i mbajtur nën kontroll forcat e natyrës. Pastaj i thotë Jobit: «Rri në heshtje e vëru mendjen mrekullive të Perëndisë.» (37:14) Shqyrto shkëlqimin e artë dhe lavdinë e Perëndisë që ngjall frikë e që shkon përtej kuptueshmërisë njerëzore. «S’ka më të fuqishëm se Ai. Ai nuk do ta nënçmojë gjykimin e drejtë dhe drejtësinë që shfaqet me bollëk.» Po, Jehovai do të përfillë ata që i frikësohen atij, dhe jo «ata që e mbajnë veten për të mençur».​—37:23, 24.

36. Me ç’mësim tregues dhe me cilat pyetje e mëson Jehovai Jobin?

36 Jehovai i përgjigjet Jobit (38:1–42:6). Jobi ka kërkuar të flasë me Perëndinë. Me madhështi, tani Jehovai i përgjigjet nga stuhia. Ai shtron para Jobit një sërë pyetjesh, që në vetvete janë një mësim domethënës për vogëlsinë e njeriut dhe madhështinë e Perëndisë. «Ku ishe ti, kur unë i vura themelet tokës? . . . kush ia vuri gurin e qoshes, kur yjet e mëngjesit lëshonin tok britma hareje, dhe gjithë bijtë e Perëndisë brohoritnin tërë ngazëllim?» (38:4, 6, 7) Këto ndodhën shumë kohë para se të vinte Jobi! Teksa Jehovai flet për detin, për retë që ia veshi atij si rrobë, për agimin, për portat e vdekjes, për dritën dhe errësirën, njëra pas tjetrës ngrihen pyetje, për të cilat Jobi s’ka përgjigje. «Mos vallë linde që atëherë që i ditke, apo ngaqë ke jetuar shumë ditë?» (38:21) Ç’ka për të thënë për depot e borës e të breshrit, për stuhinë, shiun dhe vesën, për akullin e për brymën, për yjësitë e fuqishme qiellore, për rrufetë e për shtresat e reve, për kafshët e për zogjtë?

37. Ç’pyetje të mëtejshme e përulin Jobin dhe çfarë është i detyruar të pranojë e të bëjë?

37 Jobi pranon me përulësi: «E pra, unë jam fare i papërfillshëm. Ç’të të përgjigjem?! Po e mbyll gojën.» (40:4) Jehovai e urdhëron Jobin t’i bëjë ballë çështjes. Parashtron një tjetër varg me pyetje sfiduese që lartësojnë dinjitetin, epërsinë dhe forcën e tij, që vërehen te krijesat në natyrë. Edhe behemothi e leviathani janë më të fuqishëm se Jobi. Kokë e këmbë i përulur, Jobi e pranon se ka pikëpamje të gabuar dhe se ka folur pa kuptuar. Tani që e sheh Perëndinë, jo nga ajo që ka dëgjuar, por nga kuptueshmëria, ai tërhiqet dhe pendohet «në pluhur dhe në hi».​—42:6.

38. (a) Çfarë u thotë në fund Jehovai Elifazit dhe shokëve të tij? (b) Ç’hir dhe ç’bekime i jep Jobit?

38 Gjykimi dhe bekimi i Jehovait (42:7-17). Më pas, Jehovai akuzon Elifazin dhe dy shokët e tij se nuk thonë të vërtetën për Të. Ata duhet të paraqitin flijime dhe Jobi duhet të lutet për ta. Vetëm pas kësaj, Jehovai ia heq Jobit robërinë dhe e bekon dyfish. Vëllezërit, motrat dhe miqtë e tij të dikurshëm vijnë me dhurata, dhe ai bekohet me dyfishin e dhenve, deveve, gjedhëve e gomaricave që kishte më parë. Bëhet përsëri me dhjetë fëmijë, dhe tri vajzat e tij janë më të bukurat në mbarë vendin. Me anë të një mrekullie, jeta e tij zgjatet edhe 140 vjet të tjerë, dhe ai sheh pasardhësit e tij për katër breza. Jobi vdes «i moshuar dhe i ngopur me ditë».​—42:17.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

39. Në ç’mënyra të ndryshme e lartëson libri i Jobit Jehovain?

39 Libri i Jobit lartëson Jehovain dhe jep dëshmi për mençurinë e fuqinë e tij të pakrahasueshme. (12:12, 13; 37:23) Vetëm në këtë libër, Perëndia quhet i Plotfuqishëm 31 herë, më shumë se në gjithë pjesën tjetër të Shkrimeve. Tregimi ngre lart përjetësinë e Perëndisë dhe pozitën e tij të lartësuar (10:5; 36:4, 22, 26; 40:2; 42:2), si dhe drejtësinë, dashamirësinë dhe mëshirën e tij (36:5-7; 10:12; 42:12). E vë theksin më tepër te shfajësimi i emrit të Jehovait, sesa te shpëtimi i njeriut. (33:12; 34:10, 12; 35:2; 36:24; 40:8) Aty tregohet se Jehovai, Perëndia i Izraelit, është edhe Perëndia i Jobit.

40. (a) Si i madhështon dhe i shpjegon libri i Jobit veprat krijuese të Perëndisë? (b) Si u paraprin mësimeve të Shkrimeve të Krishtere Greke dhe si përputhet me to?

40 Tregimi në librin e Jobit madhështon dhe shpjegon veprën krijuese të Perëndisë. (38:4–39:30; 40:15, 19; 41:1; 35:10) Është në përputhje me pohimin e Zanafillës se njeriu është bërë nga pluhuri dhe kthehet në pluhur. (Jobi 10:8, 9; Zan. 2:7; 3:19) Përdor termat «shpenguesi», «shpërblesë» dhe «kthehet prapë në jetë», duke u paraprirë mësimeve kryesore të Shkrimeve të Krishtere Greke. (Jobi 19:25; 33:24; 14:13, 14) Shumë shprehje të librit janë përdorur ose janë marrë si krahasim nga profetë dhe shkrimtarë të tjerë të krishterë. Për shembull, krahaso këto vargje: Jobi 7:17​—Psalmi 8:4; Jobi 9:24​—1 Gjonit 5:19; Jobi 10:8​—Psalmi 119:73; Jobi 12:25​—Ligji i përtërirë 28:29; Jobi 24:23​—Proverbat 15:3; Jobi 26:8​—Proverbat 30:4; Jobi 28:12, 13, 15-19​—Proverbat 3:13-15; Jobi 39:30​—Mateu 24:28.c

41. (a) Ç’norma teokratike thekson libri i Jobit? (b) Në ç’aspekte shërbëtori i Perëndisë, Jobi, është shembull i shkëlqyer për ne sot?

41 Normat e drejta të Jehovait për sa i përket jetesës, dalin në pah në shumë vargje. Në libër dënohet rëndë materializmi (Jobi 31:24, 25), idhujtaria (31:26-28), kurorëshkelja (31:9-12), keqdashja (31:29), padrejtësia dhe anshmëria (31:13; 32:21), egoizmi (31:16-21), pandershmëria dhe gënjeshtra (31:5), duke treguar se një njeri që i praktikon këto gjëra, nuk mund të fitojë miratimin e Perëndisë dhe jetën e përhershme. Elihu është shembull i shkëlqyer për sa i përket respektit të thellë dhe modestisë, si dhe guximit, trimërisë dhe lartësimit të Perëndisë. (32:2, 6, 7, 9, 10, 18-20; 33:6, 33) Gjithashtu, mënyra si e ushtronte Jobi kryesinë, vlerësimi që kishte për familjen e vet, dhe mikpritja, janë një mësim i shkëlqyer. (1:5; 2:9, 10; 31:32) Gjithsesi, Jobi kujtohet më shumë për integritetin që mbajti dhe për qëndrueshmërinë e durimin e tij, duke lënë një shembull që ka mbështetur dhe ka forcuar besimin e shërbëtorëve të Perëndisë gjatë gjithë epokave, e sidomos në këto kohë sprovuese për besimin. «Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë shpërblimin që i dha Jehovai, se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm.»​—Jak. 5:11.

42. Cila çështje themelore e Mbretërisë sqarohet në librin e Jobit dhe ç’aspekte interesante të kësaj çështjeje shpjegohen?

42 Jobi nuk ishte nga fara e Abrahamit, të cilit iu dhanë premtimet e Mbretërisë, megjithatë tregimi për integritetin e tij ndihmon shumë për të kuptuar më qartë qëllimet e Mbretërisë së Jehovait. Libri është pjesë thelbësore e Fjalës së Perëndisë, sepse zbulon çështjen themelore midis Perëndisë dhe Satanait, ku përfshihet integriteti i njeriut ndaj Jehovait si Sovran i tij. Tregon se edhe engjëjt, që u krijuan para tokës dhe njerëzve, janë spektatorë dhe shumë të interesuar për tokën dhe për përfundimin e çështjes. (Jobi 1:6-12; 2:1-5; 38:6, 7) Aty tregohet se çështja ekzistonte para se të jetonte Jobi dhe se Satanai është një person frymor real. Nëse libri i Jobit u shkrua nga Moisiu, kjo është hera e parë që në tekstin hebraik të Biblës del shprehja has-Satán, duke dhënë kështu një hollësi tjetër të identitetit të ‘gjarprit të hershëm’. (Jobi 1:6, shënimi te Bibla me referime, anglisht; Zbul. 12:9) Gjithashtu, libri provon se nuk është Perëndia shkaktari i vuajtjeve, i sëmundjeve dhe i vdekjes së njerëzve, e shpjegon pse përndiqen të drejtët, kurse të ligjtë dhe ligësia lejohen të vazhdojnë. Tregon se Jehovai është i interesuar për zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

43. Në përputhje me zbulimet që ka bërë Perëndia në librin e Jobit, ç’udhë duhet të ndjekin tani të gjithë ata që kërkojnë bekimet e Mbretërisë së Perëndisë?

43 Tani është koha kur të gjithë ata që duan të jetojnë nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, duhet t’i përgjigjen Satanait, ‘paditësit’, duke bërë një jetë me integritet. (Zbul. 12:10, 11) Edhe mes ‘sprovave për të cilat u vjen çudi’, ata që e mbajnë integritetin duhet të vazhdojnë të luten që të shenjtërohet emri i Perëndisë dhe të vijë Mbretëria e tij për të shfarosur Satanain dhe farën e tij tallëse. Kjo do të jetë ‘dita e luftës dhe e betejës’ së Perëndisë, pas së cilës do të vijnë çlirimi dhe bekimet që shpresonte të merrte edhe Jobi.​—1 Pjet. 4:12; Mat. 6:9, 10; Jobi 38:23; 14:13-15.

[Shënimet]

a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 280, 281, 663, 668, 1166; vëll. 2, faqet 562, 563, anglisht.

b 1987, Vëll. 6, faqja 562.

c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 83, anglisht.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo