Libri biblik numër 20—Proverbat
Thënë nga: Solomoni, Aguri, Lemueli
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: rr. 717 p.e.s.
1. Ç’mençuri gjejmë në librin e Proverbave?
KUR u bë mbret i Izraelit në vitin 1037 p.e.s., Solomoni, biri i Davidit, iu lut Jehovait për «mençuri dhe njohuri» që ‘të gjykonte popullin e tij të madh’. Jehovai iu përgjigj dhe i dha ‘njohuri, mençuri dhe një zemër me kuptueshmëri’. (2 Kron. 1:10-12; 1 Mbret. 3:12; 4:30, 31) Si rezultat, Solomoni «tha tre mijë proverba». (1 Mbret. 4:32) Disa nga këto fjalë të mençura u dokumentuan në librin biblik të Proverbave. Meqë mençuria e tij në të vërtetë ishte ajo «që i kishte vënë në zemër Perëndia», faktikisht, duke studiuar Proverbat, po studiojmë mençurinë e Perëndisë Jehova. (1 Mbret. 10:23, 24) Këto proverba përmbledhin të vërteta që s’vdesin kurrë. Janë po aq të kohës sot, sa edhe kur u thanë fillimisht.
2. Përse koha e Solomonit ishte e përshtatshme për të dhënë udhëheqjen hyjnore me anë të Proverbave?
2 Mbretërimi i Solomonit ishte një kohë e përshtatshme për të dhënë këtë udhëheqje hyjnore. Për Solomonin u tha se «u ul në fronin e Jehovait». Mbretëria teokratike e Izraelit ishte në kulmin e vet dhe Solomonit iu dha ‘një lavdi mbretërore’ e jashtëzakonshme. (1 Kron. 29:23, 25) Ishte kohë paqeje dhe bollëku, kohë sigurie. (1 Mbret. 4:20-25) Megjithatë, edhe nën atë sundim teokratik, njerëzit kishin ende probleme dhe vështirësi personale për shkak të papërsosmërisë njerëzore. Është e kuptueshme që njerëzit të shpresonin se mbreti i mençur Solomon mund t’i ndihmonte për të zgjidhur problemet. (1 Mbret. 3:16-28) Teksa gjykonte këto çështje të shumta, ai thoshte shprehje proverbiale që u përshtateshin rrethanave të shumta të jetës që lindnin përditë. Këto shprehje të shkurtra, por mbresëlënëse, vlerësoheshin shumë nga ata që dëshironin të rregullonin jetën e tyre në përputhje me vullnetin e Perëndisë.
3. Si u përpiluan Proverbat?
3 Bibla nuk thotë se Solomoni i shkroi Proverbat. Por, tregon se ai «tha» proverba, e gjithashtu se «bëri një kërkim të hollësishëm, që të vinte sipas radhës shumë proverba», duke treguar kështu se interesohej që t’i ruante proverbat për t’u përdorur më vonë. (1 Mbret. 4:32; Ekl. 12:9) Në kohën e Davidit dhe të Solomonit, në listat e zyrtarëve të oborrit kishte edhe sekretarë. (2 Sam. 20:25; 2 Mbret. 12:10) Nuk e dimë nëse proverbat i shkruan dhe i mblodhën këta skribë të oborrit të tij, por është e kuptueshme që shprehjet e cilitdo sundimtari të nivelit të tij do të vlerësoheshin tej mase dhe, normalisht, do të ruheshin me shkrim. Përgjithësisht pranohet se libri është një përmbledhje e përpiluar nga përmbledhje të tjera.
4. (a) Si ndahet në përgjithësi libri i Proverbave? (b) Kush e tha pjesën më të madhe të proverbave?
4 Libri i Proverbave mund të ndahet në pesë pjesë. Këto janë: (1) kapitujt 1-9, që hapen me fjalët «proverbat e Solomonit, birit të Davidit»; (2) kapitujt 10-24, që përshkruhen si «proverbat e Solomonit»; (3) kapitujt 25-29, nënndarje që fillon me fjalët: «Edhe këto janë proverba të Solomonit, të cilat i mblodhën njerëzit e Hezekisë, mbretit të Judës»; (4) kapitulli 30, që prezantohet si «fjalët dhe mesazhi me peshë i Agurit, birit të Jakehut» dhe (5) kapitulli 31, që përmban «fjalët e mbretit Lemuel, mesazhi[n] me peshë që ia dha e ëma për ta ndrequr». Pra, Solomoni ishte ai që tha pjesën më të madhe të proverbave. Sa për Agurin dhe Lemuelin, për identitetin e tyre s’dihet ndonjë gjë e saktë. Disa komentues sugjerojnë se emri Lemuel mund të ketë qenë një emër tjetër i Solomonit.
5. Kur u shkruan dhe kur u përpiluan Proverbat?
5 Kur u shkruan dhe u përpiluan Proverbat? Pa dyshim, pjesa më e madhe u shkrua gjatë mbretërimit të Solomonit (1037 p.e.s.-998 p.e.s.), para se ai të shmangej nga adhurimi i pastër. Për shkak se identiteti i Agurit dhe i Lemuelit nuk është i sigurt, materialit të tyre nuk është e mundur t’i vihet një datë. Meqë njëra nga përmbledhjet u bë gjatë mbretërimit të Hezekisë (745-717 p.e.s.), mbledhja përfundimtare duhet të jetë bërë gjatë kohës së mbretërimit të tij. A u mblodhën edhe dy nënndarjet e fundit nën mbikëqyrjen e mbretit Hezekia? Si përgjigje, Përkthimi Bota e Re me referime (anglisht), ka një shënim mjaft sqarues te Proverbat 31:31: «Disa botime të tekstit hebraik përmbajnë trigramin, ose ndryshe tri shkronjat, Heth, Zájin, Kof (חזק), që janë firma e mbretit Hezekia për punën e kopjimit që kanë bërë sekretarët e tij, dhe që do të thotë se vepra është përfunduar.»
6. Ç’është një proverb dhe përse është i përshtatshëm titulli hebraik i librit?
6 Në Biblat hebraike, fillimisht libri quhej sipas fjalës së tij të parë, mishléh, që do të thotë «proverba». Mishléh është një lloj shumësi i veçantë i emrit hebraik mashál, që përgjithësisht mendohet se vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «të jesh si» ose «të krahasohesh me». Këta terma përshkruajnë më së miri përmbajtjen e librit, pasi proverbat janë shprehje të përmbledhura, që shpesh përdorin krahasime ose ngjashmëri, të cilat kanë si qëllim ta bëjnë dëgjuesin të mendojë. Ngaqë janë të shkurtra, proverbat ndiqen me lehtësi dhe janë interesante, e në këtë formë mësohen e mbahen mend më lehtë. Ideja ngulitet në mendje.
7. Ç’është për t’u vërejtur në stilin e Proverbave?
7 Edhe stili i të shprehurit në libër është vërtet interesant. Është në stilin poetik hebraik. Në pjesën më të madhe të librit, struktura është paralelizëm poetik, prandaj vargjet nuk rimojnë e as nuk tingëllojnë si të ngjashme. Struktura konsiston në vargje ritmike që japin mendime ose ide paralele. Bukuria dhe fuqia e mësimdhënies gjenden në këtë ritëm mendimesh. Mendimet mund të jenë të ngjashme ose të kundërta, por fuqia e paralelizmit e zgjeron mendimin, e shtjellon idenë dhe bën të mundur që të përcillet domethënia e mendimit. Shembuj të paralelizmit me ngjashmëri gjenden te Proverbat 11:25; 16:18 dhe 18:15, ndërsa shembuj të paralelizmit me kundërvënie, që është më me bollëk, gjenden te Proverbat 10:7, 30; 12:25; 13:25 dhe 15:8. Në fund të librit gjendet një lloj tjetër strukture. (Prov. 31:10-31) Atje, 22 vargjet janë vendosur në mënyrë të tillë që, në hebraisht, secili fillon me shkronjën vijuese të alfabetit hebraik. Ky quhet stil akrostik dhe është përdorur edhe te disa psalme. Për nga bukuria, ky stil nuk krahasohet me asnjë tjetër në shkrimet e lashta.
8. Si dëshmon për autenticitetin e Proverbave përdorimi i librit nga të krishterët e hershëm?
8 Autenticiteti i Proverbave duket edhe nga fakti që të krishterët e hershëm, kur përmendën rregullat e sjelljes, e përdorën gjerësisht librin. Me sa duket, Jakovi i njihte shumë mirë Proverbat dhe i përdori parimet bazë të këtij libri në këshillat e dobishme që dha për sjelljen e krishterë. (Krahaso Proverbat 14:29; 17:27 me Jakovin 1:19, 20; Proverbat 3:34 me Jakovin 4:6; Proverbat 27:1 me Jakovin 4:13, 14.) Citime të drejtpërdrejta nga Proverbat gjenden edhe te shkrimet vijuese: Romakëve 12:20—Proverbat 25:21, 22; Hebrenjve 12:5, 6—Proverbat 3:11, 12; 2 Pjetrit 2:22—Proverbat 26:11.
9. Ç’përputhje ka mes Proverbave dhe pjesës tjetër të Biblës?
9 Veç kësaj, libri i Proverbave është në përputhje me pjesën tjetër të Biblës, dhe kjo tregon se është pjesë e ‘gjithë Shkrimit’. Ka një unitet mbresëlënës mendimi kur krahasohet me Ligjin e Moisiut, me mësimet e Jezuit dhe me shkrimet e dishepujve e të apostujve të Jezuit. (Shih Proverbat 10:16—1 Korintasve 15:58 dhe Galatasve 6:8, 9; Proverbat 12:25—Mateu 6:25; Proverbat 20:20—Dalja 20:12 dhe Mateu 15:4.) Edhe kur prek pika të tilla si përgatitja e tokës për t’u banuar nga njerëzit, ka njëjësi mendimi me shkrimtarët e tjerë të Biblës.—Prov. 3:19, 20; Zan. 1:6, 7; Jobi 38:4-11; Psal. 104:5-9.
10, 11. Ç’dëshmi të tjera kemi se libri është i frymëzuar?
10 Diçka tjetër që vërteton frymëzimin e librit nga Perëndia, është saktësia e tij shkencore, si në fushën kimike, mjekësore ose shëndetësore. Proverbat 25:20, me sa duket, flet për reaksionet acido-bazike. Proverbat 31:4, 5 është në përputhje me zbulimet shkencore moderne se alkooli mpin procesin e të menduarit. Shumë mjekë dhe specialistë të ushqimit e pranojnë se mjalti është ushqim i shëndetshëm, e kjo na sjell ndër mend proverbin: «Biri im, ha mjaltë, sepse është i mirë.» (Prov. 24:13) Vëzhgimet moderne të mjekësisë psikosomatike, që merret me çrregullimet fizike të shkaktuara nga faktorë emocionalë, nuk janë diçka e re për Proverbat. «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç.»—17:22; 15:17.
11 Vërtet, libri i Proverbave e trajton kaq plotësisht çdo nevojë dhe situatë njerëzore, saqë një autoritet në këtë fushë tha: «S’ka asnjë rrethanë të jetës për të cilën të mos ketë udhëzimet e duhura, asnjë prirje, të mirë a të keqe, për të cilën të mos jepet motivi ose ndreqja e duhur. Vetëdija njerëzore, në çdo aspekt, vihet në lidhje të drejtpërdrejtë me Hyjin, . . . dhe njeriu ecën sikur të ishte në praninë e Bërësit dhe Gjykatësit të tij . . . Në këtë libër të lashtë gjendet çdo lloj njerëzimi; dhe ndonëse u hartua tre mijë vjet më parë, është ende kaq në përputhje me realitetin, saqë duket sikur është tablo e së sotmes.»—Dictionary of the Bible, nga Smith, 1890, vëll. III, faqja 2616.
PËRMBAJTJA E PROVERBAVE
12. (a) Cila poemë përbën pjesën e parë të Proverbave? (b) Ç’mëson ajo për mençurinë dhe sjelljen e njeriut? (c) Si e theksojnë Proverbat 1:7 temën e gjithë librit?
12 Pjesa e parë (1:1–9:18). Kjo është një poemë e vetme, e përbërë nga fjalime të shkurtra—si të një ati drejtuar të birit—që trajtojnë se sa e nevojshme është mençuria për të drejtuar zemrën, ose gjithë personin e brendshëm, dhe dëshirat. Na mëson vlerën e mençurisë dhe bekimet që vijnë prej saj: lumturinë, hijeshinë, paqen dhe jetën. (1:33; 3:13-18; 8:32-35) E vë këtë në kontrast me mungesën e mençurisë dhe pasojat e saj: vuajtjen dhe, në fund, vdekjen. (1:28-32; 7:24-27; 8:36) Teksa shqyrton situatat dhe mundësitë e pafundme të jetës, paraqet një studim themelor të sjelljes së njeriut, si dhe të pasojave, të tashme e të ardhme, të kësaj sjelljeje. Fjalët e Proverbave 1:7 theksojnë temën e gjithë librit: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt njohurisë.» Të gjitha veprimet duhet të tregojnë që Jehovai mbahet parasysh. Përsëritet vazhdimisht nevoja për të mos harruar ligjet e Perëndisë, t’u përmbahesh ngushtësisht atyre e të mos i braktisësh.
13. Trego se cilat janë fijet kryesore që thurin pjesën e parë të Proverbave?
13 Fijet kryesore që thurin gjithë përmbajtjen e kësaj pjese të parë, janë mençuria, njohuria, frika nga Jehovai, disiplina dhe aftësia dalluese. Ka paralajmërime për shoqëritë e këqija, për hedhjen poshtë të disiplinës që vjen nga Jehovai dhe për marrëdhëniet e pahijshme me gratë imorale. (1:10-19; 3:11, 12; 5:3-14; 7:1-27) Dy herë, mençuria përshkruhet sikur është shesheve, domethënë e arritshme, në dispozicion. (1:20, 21; 8:1-11) Ajo personifikohet dhe u bën thirrje të papërvojëve, si dhe hedh dritë edhe mbi krijimin e tokës. (1:22-33; 8:4-36) Ç’libër i jashtëzakonshëm! Kjo pjesë përfundon, duke theksuar temën fillestare: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë.» (9:10) Fund e krye, kjo pjesë thekson se të pranojmë Jehovain në të gjitha udhët tona dhe t’i përmbahemi drejtësisë së tij, është udha e jetës dhe mund të na ruajë nga shumë gjëra të papëlqyeshme.
14. Cilët paralelizma me kundërvënie na ngulitin në mendje mësimet praktike të Proverbave?
14 Pjesa e dytë (10:1–24:34). Në këtë pjesë gjejmë shumë fjalë të urta të zgjedhura e të palidhura me njëra-tjetrën, që tregojnë si zbatohet mençuria për të përballuar situatat e ndërlikuara të jetës. Tek na mëson se si ta vëmë praktikisht në zbatim, ajo synon të shtojë lumturinë dhe kënaqësinë e jetës. Paralelizmat me kundërvënie na i ngulitin këto mësime në mendje. Më poshtë është një listë e pjesshme e temave që shqyrtohen vetëm në kapitujt 10, 11 dhe 12:
dashuria kundrejt urrejtjes
mençuria kundrejt marrëzisë
ndershmëria kundrejt hiles
besnikëria kundrejt shpifjes
e vërteta kundrejt pavërtetësisë
bujaria kundrejt koprracisë
ngulmimi kundrejt ngathtësisë
ecja me integritet kundrejt udhëve dredharake
këshilla e mirë kundrejt mungesës së drejtimit të aftë
gruaja e zonja kundrejt asaj që vepron në mënyrë të turpshme
drejtësia kundrejt ligësisë
modestia kundrejt arrogancës
Mjafton të shqyrtojmë këtë listë në lidhje me jetën e përditshme për t’u bindur se libri i Proverbave është vërtet praktik.
15. Jep disa shembuj të situatave të ndryshme njerëzore që trajtohen te Proverbat.
15 Pjesa tjetër e kësaj pjese (13:1–24:34) vazhdon të japë përkujtues për normat e Jehovait, që të kemi gjykim të thellë dhe aftësi dalluese. Lista e gjatë e argumenteve që trajtohen në këtë libër, tregon se çfarë shumëllojshmërie të pafund të situatave njerëzore merr në shqyrtim ai. Është shumë e dobishme të kemi këshilla biblike për argumente të tilla, si: shtirja, arroganca, mbajtja e fjalës, mendjehollësia, shoqëritë, ndreqja dhe stërvitja e fëmijëve, pikëpamja njerëzore për atë që është e drejtë, zemërimi shpejt, përkrahja e të munduarve, mashtrimet, lutja, talljet, kënaqja me gjërat e nevojshme në jetë, krenaria, fitimi i padrejtë, ryshfetet, grindjet, vetëkontrolli, veçimi, heshtja, anësia, sherret, përulësia, luksi, kujdesi për nënën e babanë, pijet dehëse, hilet, cilësitë e një gruaje, dhuratat, dhënia e huave, marrja e huave, mirëdashja, siguria, kufijtë e pronave, ndërtimi i familjeve, smira, shpagimi, mburrja, përgjigjja e butë, meditimi dhe shoqëritë e vërteta. Ç’pasuri me këshilla që na japin drejtim të shëndoshë në çështjet e përditshme! Edhe pse për disa këto çështje mund të mos duken të rëndësishme, kjo na bën të kuptojmë se Bibla nuk i shpërfill nevojat tona edhe në çështje të vogla në dukje. Ja përse Proverbat kanë një vlerë të jashtëzakonshme.
16. Ç’këshilla ndërtuese jep pjesa e tretë e Proverbave?
16 Pjesa e tretë (25:1–29:27). Kjo pjesë na jep këshilla ndërtuese për çështje të tilla, si: nderimi, durimi, armiqtë, sjellja me budallenjtë, argëtimet, lajkat, xhelozia, dhembjet që shkakton një mik, uria, shpifja, kujdesi për përgjegjësitë, kamatat, rrëfimi, pasojat e sundimit të lig, arroganca, bekimet nga një sundim i drejtë, rrugaçëria e fëmijëve, trajtimi i shërbëtorëve, gjykimi i thellë dhe vegimet.
17. (a) Çfarë «mesazhi me peshë» përcjell Aguri? (b) Ç’grupe të ndryshme me nga katër gjëra përshkruhen?
17 Pjesa e katërt (30:1-33). Është «mesazhi me peshë» i Agurit. Pasi pranon me përulësi si ai vetë është i parëndësishëm, shkrimtari flet për pamundësinë e njerëzve për të krijuar tokën dhe gjërat që ndodhen në të. Ai e quan Fjalën e Perëndisë të kulluar, kurse Perëndinë një mburojë. Ai kërkon që gënjeshtrat të largohen prej tij dhe të mos i jepet as pasuri, as varfëri. Pastaj, përshkruan një brez të papastër, krenar e lakmitar që mallkon prindërit e vet. Identifikohen katër gjëra që nuk thonë kurrë «Mjaft!» dhe katër gjëra që janë tepër të vështira për t’u kuptuar. (30:15, 16) Flitet për një grua kurorëshkelëse që në mënyrë të pacipë e quan veten të pafajshme. Më pas përshkruhen katër gjëra që toka s’mund t’i durojë dot, katër krijesa të vogla që janë instinktivisht të mençura dhe katër krijesa që ecin hijerëndë. Me krahasime të goditura, shkrimtari paralajmëron se «duke mos frenuar zemërimin, vjen sherri».—30:33.
18. Ç’ka për të thënë mbreti Lemuel për (a) një grua të keqe dhe (b) një grua të zonjë?
18 Pjesa e pestë (31:1-31). Është «mesazhi me peshë» i mbretit Lemuel. Ka dy stile të shkruari. Pjesa e parë tregon se një grua e keqe mund ta çojë një njeri në rrënim, paralajmëron se pija dehëse mund të shtrembërojë gjykimin dhe bën thirrje për gjykim të drejtë. Pjesa e fundit, që është në stilin akrostik, është një përshkrim klasik i gruas së zonjë. Paraqitet me hollësi vlera e saj dhe theksohet se ajo ka besimin e të shoqit, të cilit i sjell shpërblim. Ja disa nga cilësitë e saj: e papërtueshme, ngrihet që me natë, blerëse e kujdesshme, mirëdashëse me të varfrit, largpamëse dhe fjalëmençur. Ajo është syçelë, gëzon respektin e fëmijëve dhe merr lavde nga i shoqi. Mbi të gjitha, ka frikë nga Jehovai.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
19. Si e bën të njohur vetë libri i Proverbave qëllimin e dobishëm që ka?
19 Qëllimi i dobishëm i Proverbave shprehet në vargjet e para: «Që njeriu të njohë mençurinë dhe disiplinën, të dallojë fjalët e kuptueshmërisë, të marrë disiplinën që të jep gjykim të thellë, drejtësi, urtësi dhe ndershmëri, që t’u japë të papërvojëve mendjehollësi, të rinjve njohuri dhe aftësi për të menduar.» (1:2-4) Në përputhje me këtë qëllim të shprehur, libri thekson njohurinë, mençurinë dhe kuptueshmërinë, pasi secila është e dobishme në një mënyrë të veçantë.
20. Ç’thotë libri i Proverbave për njohurinë?
20 (1) Njohuria është shumë e nevojshme për njeriun, pasi s’është mirë që njeriu të bjerë në padije. Ai s’mund të fitojë kurrë njohuri të saktë po të mos ketë frikë nga Jehovai, sepse njohuria fillon me këtë frikë. Njohuria duhet pëlqyer më tepër se ari i zgjedhur. Përse? Me anë të njohurisë çlirohen të drejtët; ajo na frenon që të mos nxitojmë drejt mëkatit. Oh, sa nevojë kemi ta kërkojmë njohurinë e ta përvetësojmë! Ajo është vërtet e çmuar. Atëherë, «ktheje veshin dhe dëgjoji fjalët e të mençurve, që t’ia kushtosh zemrën njohurisë sime».—22:17; 1:7; 8:10; 11:9; 18:15; 19:2; 20:15.
21. Ç’thotë mësimi hyjnor për mençurinë?
21 (2) Mençuria, domethënë aftësia për ta përdorur drejt njohurinë, për lavdi të Jehovait, «është gjëja parësore». Fitoje atë. Burimi i saj është Jehovai. Mençuria jetëdhënëse fillon duke njohur dhe duke iu frikësuar Perëndisë Jehova: ky është sekreti i madh i mençurisë. Prandaj, ki frikë Perëndinë, jo njeriun. Mençuria e personifikuar lëshon një thirrje, duke i nxitur të gjithë të ndreqin udhët e tyre. Mençuria bërtet fort rrugëve. Jehovai u bën thirrje të gjithë atyre që janë pa përvojë dhe që kanë një zemër pa gjykim të mirë, të kthehen dhe të ushqehen me bukën e mençurisë. Pastaj, me frikën nga Jehovai, do të jenë të lumtur edhe po të kenë pak gjëra. Bekimet e mençurisë janë të shumta; ndikimi që ka ajo te njerëzit është shumë i dobishëm. Mençuria dhe njohuria janë baza të domosdoshme për të pasur aftësinë për të menduar, atë lloj që do të na ruajë. Ashtu si mjalti, mençuria është e dobishme dhe e këndshme. Ka më shumë vlerë se ari; është një pemë jete. Pa mençuri, njerëzit humbasin, sepse mençuria të ruan jetën; ajo nënkupton jetë.—4:7; 1:7, 20-23; 2:6, 7, 10, 11; 3:13-18, 21-26; 8:1-36; 9:1-6, 10; 10:8; 13:14; 15:16, 24; 16:16, 20-24; 24:13, 14.
22. Ç’mbrojtje të siguron kuptueshmëria?
22 (3) Përveç njohurisë dhe mençurisë, është e domosdoshme edhe kuptueshmëria; prandaj «me gjithçka që fiton, fito kuptueshmëri». Kuptueshmëria është aftësia për ta parë diçka në lidhje me pjesët e saj përbërëse; nënkupton aftësi dalluese, por duke pasur gjithnjë Perëndinë në mendje, sepse njeriu s’mund të mbështetet në kuptueshmërinë e vet. Është krejt e pamundur të kesh kuptueshmëri ose aftësi dalluese po të veprosh në kundërshtim me Jehovain. Për ta përvetësuar kuptueshmërinë, duhet ta kërkojmë me zell, si një thesar të fshehur. Për të kuptuar, duhet të kemi njohuri. Kur njeriu me kuptueshmëri kërkon njohurinë, shpërblehet, dhe mençuria është para tij. Ai është i mbrojtur nga grackat e panumërta të kësaj bote, si për shembull nga të ligjtë e shumtë që përpiqen t’i futin në kurth të tjerët që të ecin me ta në udhën e errësirës. Falënderojmë Perëndinë Jehova, Burimin e njohurisë, mençurisë dhe kuptueshmërisë jetëdhënëse!—4:7; 2:3, 4; 3:5; 15:14; 17:24; 19:8; 21:30.
23. Ç’këshilla të mençura do të trajtojmë më poshtë?
23 Në përputhje me qëllimin e dobishëm të Proverbave, libri ka plot këshilla të mençura e të frymëzuara që na ndihmojnë të fitojmë kuptueshmëri dhe të ruajmë zemrën, «sepse prej saj dalin burimet e jetës». (4:23) Ja një përzgjedhje e këshillave të mençura që theksohen në gjithë librin.
24. Ç’thuhet për të ligun e për të drejtin?
24 Dallimi midis të ligjve dhe të drejtëve: I ligu do të kapet në udhët e tij të shtrembëra dhe pasuritë nuk do ta shpëtojnë ditën e furisë. Të drejtin e pret jeta dhe do të shpërblehet nga Jehovai.—2:21, 22; 10:6, 7, 9, 24, 25, 27-32; 11:3-7, 18-21, 23, 30, 31; 12:2, 3, 7, 28; 13:6, 9; 14:2, 11; 15:3, 8, 29; 29:16.
25. Ç’paralajmërime japin Proverbat kundër imoralitetit?
25 Nevoja për norma morale të pastra: Solomoni paralajmëron vazhdimisht kundër imoralitetit. Kurorëshkelësit do të marrin plagë e çnderim, dhe poshtërimi i tyre nuk do të hiqet. «Ujërat e vjedhura» mund t’i duken të ëmbla një të riu, por prostitutën e pret vdekja dhe ajo merr me vete viktimat e saj që janë pa përvojë. Jehovai i dënon ata që bien në gropën e thellë të imoralitetit.—2:16-19; 5:1-23; 6:20-35; 7:4-27; 9:13-18; 22:14; 23:27, 28.
26. Ç’thuhet për vetëkontrollin?
26 Nevoja për vetëkontroll: Dehja dhe grykësia dënohen. Të gjithë ata që duan të kenë miratimin e Perëndisë, duhet të jenë të matur në të ngrënë e në të pirë. (20:1; 21:17; 23:21, 29-35; 25:16; 31:4, 5) Ata që nuk zemërohen shpejt, janë plot aftësi dalluese dhe janë më të mëdhenj se një njeri i fuqishëm që pushton një qytet. (14:17, 29; 15:1, 18; 16:32; 19:11; 25:15, 28; 29:11, 22) Vetëkontrolli duhet edhe për të shmangur zilinë dhe xhelozinë, që është kalbësirë për kockat.—14:30; 24:1; 27:4; 28:22.
27. (a) Ç’është përdorimi i pamend i të folurit? (b) Përse është kaq jetësor përdorimi i mençur i buzëve dhe i gjuhës?
27 Përdorimi i mençur dhe i pamend i të folurit: Të folurit dredharak, shpifësi, dëshmitari i rremë dhe gënjeshtari do të zbulohen, sepse janë të pështirë për Jehovain. (4:24; 6:16-19; 11:13; 12:17, 22; 14:5, 25; 17:4; 19:5, 9; 20:17; 24:28; 25:18) Nëse gojën e përdorim për të thënë gjëra të mira, ajo është burim jete; por goja e njeriut të pamend përshpejton rrënimin e tij. «Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës, dhe kush e do atë, do të hajë frytet e saj.» (18:21) Shpifja, të folurit mashtrues, lajkat dhe fjalët e nxituara, dënohen që të gjitha. Është gjë e mençur të themi të vërtetën, të nderojmë Perëndinë.—10:11, 13, 14; 12:13, 14, 18, 19; 13:3; 14:3; 16:27-30; 17:27, 28; 18:6-8, 20; 26:28; 29:20; 31:26.
28. Ç’dëme sjell krenaria, dhe ç’dobi vijnë prej përulësisë?
28 Marrëzia e krenarisë dhe nevoja për përulësi: Njeriu krenar e ngre veten në një nivel që në të vërtetë nuk e ka, prandaj edhe rrëzohet. Ata që kanë zemër krenare, janë të pështirë për Jehovain, kurse të përulurve ai u jep mençuri, lavdi, pasuri dhe jetë.—3:7; 11:2; 12:9; 13:10; 15:33; 16:5, 18, 19; 18:12; 21:4; 22:4; 26:12; 28:25, 26; 29:23.
29. Si duhet konsideruar përtacia dhe ç’vlerë ka ngulmimi?
29 Ngulmim, jo ngathtësi: Të shumta janë përshkrimet për njeriun përtac. Ai duhet të shkojë te milingona për të mësuar prej saj e për t’u bërë i mençur. Kurse njeriu që ngulmon, ah, po, ai do të begatohet!—1:32; 6:6-11; 10:4, 5, 26; 12:24; 13:4; 15:19; 18:9; 19:15, 24; 20:4, 13; 21:25, 26; 22:13; 24:30-34; 26:13-16; 31:24, 25.
30. Si theksohet te Proverbat rëndësia e shoqërisë së duhur?
30 Shoqëria e duhur: Është marrëzi të shoqërohesh me njerëz që s’i frikësohen Jehovait, me të ligj a budallenj, me njerëz që nxehen shpejt, me llafazanë ose me grykës. Më mirë shoqërohu me njerëz të mençur, e do të bëhesh edhe më i mençur.—1:10-19; 4:14-19; 13:20; 14:7; 20:19; 22:24, 25; 28:7.
31. Ç’këshillë të mençur gjejmë për qortimin?
31 Nevoja për qortim dhe ndreqje: «Jehovai qorton atë që do», dhe ata që ia vënë veshin disiplinës së tij, i pret lavdia dhe jeta. Ai që e urren disiplinën, do të çnderohet.—3:11, 12; 10:17; 12:1; 13:18; 15:5, 31-33; 17:10; 19:25; 29:1.
32. Ç’këshillë e shkëlqyer jepet për të qenë një grua e mirë?
32 Këshilla për të qenë grua e mirë: Proverbat paralajmërojnë vazhdimisht që gratë të mos bëhen grindavece e të mos veprojnë në mënyrë të turpshme. Gruaja e matur, e zonja dhe me frikë Perëndie, ka ligjin e dashamirësisë në gjuhë; kush gjen një grua të tillë, merr pëlqimin e Jehovait.—12:4; 18:22; 19:13, 14; 21:9, 19; 27:15, 16; 31:10-31.
33. Ç’këshilla të dobishme jepen për stërvitjen e fëmijëve?
33 Rritja e fëmijëve: Mësojua rregullisht urdhërimet e Perëndisë, që ‘të mos harrojnë’. Që kur janë të vegjël fare, rriti sipas udhëzimeve të Jehovait. Mos ua kurse shkopin, kur është e nevojshme; si shprehje të dashurisë, shkopi dhe qortimi i japin mençuri një djali. Ata që i rritin fëmijët sipas mënyrës së Perëndisë, do të kenë fëmijë të mençur që do t’i sjellin shumë gëzim e kënaqësi babait dhe nënës.—4:1-9; 13:24; 17:21; 22:6, 15; 23:13, 14, 22, 24, 25; 29:15, 17.
34. Ç’dobi ka të plotësosh përgjegjësinë për të ndihmuar të tjerët?
34 Përgjegjësia për të ndihmuar të tjerët: Kjo theksohet shpesh te Proverbat. I mençuri duhet ta shpërndajë njohurinë në dobi të të tjerëve. Njeriu duhet të jetë bujar e t’u tregojë mirësi atyre që janë të vobektë, pasi, duke vepruar kështu, në të vërtetë po i jep hua Jehovait, i cili e garanton se do ta shpërblejë.—11:24-26; 15:7; 19:17; 24:11, 12; 28:27.
35. Ç’këshillë na japin Proverbat, duke shkuar në thelb të problemeve tona?
35 Mbështetja te Jehovai: Libri i Proverbave shkon në thelb të problemeve tona duke na këshilluar të kemi besim të plotë te Perëndia. Duhet t’i kushtojmë vëmendje Jehovait në të gjitha udhët tona. Një njeri mund ta planifikojë udhën që do të marrë, por hapat duhet t’ia drejtojë Jehovai. Emri i Jehovait është një kullë e fortë, tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje. Shpreso te Jehovai dhe kërko udhëheqje në Fjalën e tij.—3:1, 5, 6; 16:1-9; 18:10; 20:22; 28:25, 26; 30:5, 6.
36. Nga cilat pikëpamje Proverbat mund të përshkruhen si aktuale, praktike dhe të dobishme?
36 Sa i dobishëm është libri i Proverbave për të mësuar e për të disiplinuar veten dhe të tjerët! Duket se nuk lihet pa shqyrtuar asnjë fazë e marrëdhënieve njerëzore. A ka ndonjë që veçohet nga adhuruesit e tjerë të Perëndisë? (18:1) A ka ndonjë njeri me pozitë të lartë, që arrin në përfundime para se t’i ketë dëgjuar të dyja palët në një çështje? (18:17) A bën dikush shaka me rreng dhe të rrezikshme? (26:18, 19) A ka dikush prirjen të jetë i njëanshëm? (28:21) Tregtari në dyqanin e tij, bujku në arë, burri, gruaja dhe fëmija, që të gjithë marrin udhëzime të dobishme. Prindërve u jepet ndihmë për të dalluar kurthet e shumta që gjenden në shtegun e të rinjve. Njerëzit e mençur mund të mësojnë ata që janë pa përvojë. Këto proverba janë praktike kudo që jetojmë; udhëzimeve dhe këshillave që përmban libri nuk u kalon kurrë koha. «Libri i Proverbave,—tha një herë arsimtari amerikan Uilliam Lion Felps,—është më aktual se gazeta e sotme e mëngjesit.»a Po, libri i Proverbave është aktual, praktik dhe i dobishëm për të mësuar, sepse është i frymëzuar nga Perëndia.
37. Si përputhen Proverbat me mësimet e Solomonit më të Madh?
37 Duke qenë i dobishëm për të ndrequr, libri i Proverbave të thëna kryesisht nga Solomoni, i kthen njerëzit te Perëndia i Plotfuqishëm. Njësoj veproi edhe Jezu Krishti, i cili te Mateu 12:42 është cilësuar si «dikush më i madh se Solomoni».
38. Si na e shtojnë Proverbat kuptueshmërinë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për parimet e saj të drejta?
38 Sa mirënjohës jemi që këtë Person jashtëzakonisht të mençur Jehovai e ka zgjedhur si Farën e Mbretërisë! Froni i tij «do të bëhet i patundur nga drejtësia», për një mbretërim paqësor shumë më të lavdishëm edhe se mbretërimi i Solomonit. Për këtë sundim të Mbretërisë do të thuhet: «Dashamirësia dhe e vërteta e ruajnë mbretin. Me anë të dashamirësisë, ai e mban fronin e tij.» Ky do të jetë fillimi i një qeverisjeje të përjetshme e të drejtë për njerëzimin, për të cilën Proverbat thonë edhe: «Aty ku mbreti i gjykon të përvuajturit në bazë të së vërtetës, froni i tij mbetet i patundur për tërë kohën.» Kështu, me gëzim të madh kuptojmë se Proverbat jo vetëm që na ndriçojnë shtegun drejt njohurisë, mençurisë, kuptueshmërisë dhe jetës së përhershme, por, ç’është më e rëndësishmja, madhërojnë edhe Jehovain si Burimin e mençurisë së vërtetë, të cilën e jep me anë të Krishtit Jezu, Trashëgimtarit të Mbretërisë. Proverbat na e shtojnë shumë kuptueshmërinë për Mbretërinë e Perëndisë dhe për parimet e drejta me të cilat po sundon ajo.—Prov. 25:5; 16:12; 20:28; 29:14.
[Shënimi]
a Treasury of the Christian Faith, 1949, botuar nga Stuber e Klark, faqja 48.