BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • si f. 112-114
  • Libri biblik numër 21​—Eklisiastiu

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Libri biblik numër 21​—Eklisiastiu
  • «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRMBAJTJA E EKLISIASTIUT
  • PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
  • «I gjithë detyrimi i njeriut»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Pika kryesore nga libri i Eklisiastiut
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • A po e përmbushim gjithë detyrimin tonë ndaj Perëndisë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Jeta jote: Cili është qëllimi i saj?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
Shih më tepër
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
si f. 112-114

Libri biblik numër 21​—Eklisiastiu

Shkrimtari: Solomoni

Vendi ku u shkrua: Jerusalem

Shkrimi përfundoi: para 1000 p.e.s.

1. Me ç’qëllim fisnik u shkrua Eklisiastiu?

LIBRI i Eklisiastiut u shkrua me një qëllim fisnik. Solomoni, si udhëheqës i një populli të kushtuar ndaj Jehovait, kishte përgjegjësinë t’i mbante të bashkuar, për t’i qëndruar besnikë kushtimit të tyre. Ai u përpoq ta përmbushte këtë përgjegjësi me anë të këshillave të mençura që dha në librin e Eklisiastiut.

2. Si e shpreh këtë qëllim titulli hebraik i Eklisiastiut dhe përse ky është më i përshtatshëm se titujt në greqisht dhe shqip?

2 Tek Eklisiastiu 1:1, Solomoni e quan veten ‘ai që mbledh popullin’. Fjala hebraike është Kohéleth, dhe në Biblën hebraike librit i është dhënë ky emër. Në Septuagintën greke i është vënë titulli Ekklesiastés, që do të thotë «anëtar i një eklesie (kongregacioni; asambleje)», nga i cili vjen emri në shqip Eklisiastiu. Megjithatë, fjala Koheléth përkthehet më saktë «ai që mbledh popullin», dhe ky është një përkufizim më i përshtatshëm për Solomonin. Përcjell qëllimin për të cilin e shkroi ai librin.

3. Kë mblidhte Solomoni?

3 Kë mblidhte mbreti Solomon dhe me ç’qëllim? Ai mblidhte popullin e tij, izraelitët, dhe shokët e tyre, banorët e përkohshëm. Ai i mblidhte të gjithë këta në adhurimin e Perëndisë së tij, Jehovait. Më parë, ai kishte ndërtuar tempullin e Jehovait në Jerusalem dhe, për kushtimin e tempullit, i kishte thirrur, ose mbledhur të gjithë, që të adhuronin Perëndinë. (1 Mbret. 8:1) Kurse nëpërmjet librit të Eklisiastiut, u përpoq të mblidhte popullin për të bërë vepra të vlefshme e për ta larguar nga veprat e kota e të pafrytshme të kësaj bote.​—Ekl. 12:8-10.

4. Nga duket që shkrimtari është Solomoni?

4 Ndonëse nuk përmendet në mënyrë specifike emri i Solomonit, ka disa pjesë të librit që tregojnë qartë se ai ishte shkrimtari. Ai që mbledh popullin, e paraqet veten si ‘biri i Davidit’ që ‘ishte mbret i Izraelit, në Jerusalem’. Kjo mund të thuhet vetëm për mbretin Solomon, sepse pasardhësit e tij në Jerusalem ishin mbretër vetëm të Judës. Për më tepër, siç shkruan vetë shkrimtari: «Ja, mençuria ime është shtuar shumë, më shumë se ajo e kujtdo që ishte para meje në Jerusalem dhe zemra ime ka parë shumë mençuri dhe njohuri.» (1:1, 12, 16) Ky përshkrim përkon me Solomonin. Eklisiastiu 12:9 na thotë se ai «bloi në mendje dhe bëri një kërkim të hollësishëm, që të vinte sipas radhës shumë proverba». Mbreti Solomon tha 3.000 proverba. (1 Mbret. 4:32) Eklisiastiu 2:4-9 flet për gjithë ndërtimet që kishte bërë shkrimtari; vreshtat, kopshtet e parqet; për një sistem ujitjeje; për mbledhjen e shërbyesve dhe shërbyeseve; për grumbullimin e argjendit dhe arit; dhe për vepra të tjera. Solomoni i bëri që të gjitha këto. Kur pa mençurinë dhe begatinë e Solomonit, mbretëresha e Shebës tha: «Nuk më kishin treguar as gjysmën.»​—1 Mbret. 10:7.

5. Ku dhe kur duhet të jetë shkruar Eklisiastiu?

5 Duke thënë se ai që mbledh popullin, ishte mbret «në Jerusalem», libri tregon se u shkrua në Jerusalem. Si kohë, duhet të ketë qenë para vitit 1000 p.e.s., pasi kishte kaluar pjesa më e madhe e mbretërimit 40-vjeçar të Solomonit, kur ai ishte marrë me gjërat e shumta që renditen në libër, por para se të binte në idhujtari. Gjatë gjithë asaj kohe, ai do të kishte fituar me siguri njohuri të gjithanshme për punët e kësaj bote dhe se si ajo rend pas fitimit material. Gjithashtu, ende do të kishte qenë i miratuar nga Perëndia dhe nën frymëzimin e Tij.

6. Ç’kundërshtime janë ngritur për sa i përket frymëzimit të librit të Eklisiastiut, por si mund të hidhen poshtë ato?

6 Pse mund të jemi të sigurt se libri i Eklisiastiut është «i frymëzuar nga Perëndia»? Disa mund ta vënë në dyshim që është i frymëzuar, meqë nuk e përmend asnjëherë emrin e Perëndisë, Jehova. Por, është e sigurt se ky libër mbështet adhurimin e vërtetë të Perëndisë dhe përdor herë pas here shprehjen ha-ʼElohím, «Perëndia i vërtetë». Një kundërshtim tjetër mund të jetë që në librat e tjerë të Biblës nuk ka citime të drejtpërdrejta nga Eklisiastiu. Megjithatë, mësimet dhe parimet që paraqiten në libër, janë tërësisht në harmoni me pjesën tjetër të Shkrimeve. Një libër thotë: «Libri me titullin Koheleth ose Eklisiastiu, gjithnjë është pranuar si nga judenjtë, ashtu edhe nga kisha e krishterë, si i shkruar nën frymëzimin e të Plotfuqishmit; dhe është konsideruar pjesë legjitime e kanunit të shenjtë.»​—Commentary, nga Klark, vëll. III, faqja 799.

7. Ç’aspekte të formimit të Solomonit e bënë atë më se të kualifikuar për të shkruar librin e Eklisiastiut?

7 Kritikët e Biblës, të bazuar në mençurinë e botës, kanë pohuar se Eklisiastiun nuk e ka shkruar Solomoni dhe nuk është vërtet pjesë e ‘gjithë Shkrimit’, pasi, sipas tyre, gjuha dhe filozofia e librit i takojnë një epoke të mëvonshme. Ata nuk e marrin parasysh thesarin e informacioneve që kishte mbledhur Solomoni gjatë zhvillimit progresiv të tregtisë së tij ndërkombëtare dhe industrisë, si dhe nga funksionarët që udhëtonin e nga kontaktet e tjera me botën e jashtme. (1 Mbret. 4:30, 34; 9:26-28; 10:1, 23, 24) Një autor shkruan: «Veprimtaritë e përditshme dhe sipërmarrjet e veçanta të mbretit të madh hebre duhet ta kenë çuar shumë larg sferës së jetës, mendimeve dhe shprehive të zakonshme të hebrenjve.»​—Bible Commentary, nga Frederik Çarls Kuk, vëll. IV, faqja 622.

8. Cila është prova më e fortë që tregon se Eklisiastiu është pjesë e kanunit të Biblës?

8 Sidoqoftë, a kemi vërtet nevojë për burime të jashtme që të përcaktojmë nëse Eklisiastiu është pjesë e kanunit të Biblës? Shqyrtimi i vetë librit do të zbulojë jo vetëm harmoninë e brendshme të tij, por edhe harmoninë me pjesën tjetër të Shkrimeve, në të cilat bën pjesë.

PËRMBAJTJA E EKLISIASTIUT

9. Çfarë zbulon ai që mbledh popullin, për sa u përket punëve të bijve të njerëzve?

9 Kotësia e mënyrës së jetesës së njeriut (1:1–3:22). Fjalët hapëse të librit shpallin temën e tij: «Kotësi e kotësive!—ka thënë ai që mbledh popullin.—Kotësi e kotësive! Çdo gjë është kotësi.» Ç’dobi ka njeriu nga mundi dhe puna e tij? Brezat shkojnë e vijnë, ciklet natyrore përsëriten në tokë, «e kështu s’ka asgjë të re nën diell». (1:2, 3, 9) Ai që mbledh popullin, ka vendosur në zemër të tij të bëjë kërkime e të rrëmojë me mençuri në lidhje me punët sfilitëse të bijve të njerëzve, mirëpo zbulon se mençuria dhe marrëzia, arritjet dhe mundi, të ngrënat e të pirat, po, gjithçka është «kotësi dhe një rropatje pas erës». Kështu, ai nis ‘të urrejë jetën’, një jetë sfilitëse, që rend pas arritjeve materialiste.—1:14; 2:11, 17.

10. Ç’dhurata ka bërë Perëndia, e megjithatë, ç’fund i pret njerëzit mëkatarë?

10 Për çdo gjë ka një kohë të caktuar—po, Perëndia «e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet». Ai dëshiron që krijesat e tij ta gëzojnë jetën në tokë. «Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë për ta, se të gëzojnë dhe të bëjnë mirë gjatë jetës së tyre; dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.» Por, ah! Njerëzit mëkatarë dhe kafshët kanë të njëjtin fund: «Si vdes njëri, ashtu vdes edhe tjetri. Të gjithë kanë vetëm një frymë, kështu që njeriu s’ka asnjë epërsi mbi kafshët, sepse çdo gjë është kotësi.»—3:1, 11-13, 19.

11. Ç’këshilla të mençura i jep ai që mbledh popullin, njeriut që ka frikë nga Perëndia?

11 Këshilla të mençura për ata që i frikësohen Perëndisë (4:1–7:29). Solomoni shpall të lumtur të vdekurit, sepse kanë shpëtuar nga «të gjitha shtypjet që po bëhen nën diell». Pastaj, vazhdon të përshkruajë punët e kota e sfilitëse. Me mençuri këshillon se «dy janë më mirë se një» dhe se «një litar tresh nuk mund të këputet kollaj më dysh». (4:1, 2, 9, 12) I jep një këshillë të shkëlqyer popullit të Perëndisë, për rastet kur mblidhen së bashku: «Ruaji këmbët e tua kurdo që të shkosh në shtëpinë e Perëndisë së vëretë. Njeriu le të afrohet për të dëgjuar.» Mos u nxito të flasësh para Perëndisë së vërtetë; ‘fjalët e tua të jenë të pakta’ dhe mbaje zotimin që ke marrë para Perëndisë. «Ki frikë nga Perëndia i vërtetë.» Kur të vobektit shtypen, mos harro se «një që është më i lartë se i larti po vëzhgon dhe ka edhe më të lartë se ata». Ai vëren se një shërbëtor i thjeshtë do të bëjë gjumë të ëmbël, kurse i pasuri ka shumë halle që s’e lënë të flejë. E megjithatë, lakuriq ka ardhur në botë dhe, pavarësisht nga gjithë përpjekjet e tij, s’mund të marrë asgjë me vete nga kjo botë.—5:1, 2, 4, 7, 8, 12, 15.

12. Ç’këshillë jepet për çështjet serioze të jetës dhe për përparësinë e mençurisë mbi paranë?

12 Një njeri mund të marrë pasuri e lavdi, por ç’dobi ka edhe sikur të jetojë «dy herë nga një mijë vjet», nëse nuk ka parë atë që është e mirë? Është më mirë të mendosh seriozisht për çështje të tilla, si jeta e vdekja, sesa të shoqërohesh me budallenjtë «në shtëpinë ku ka gëzim»; po, më mirë të pranosh qortimin e një të mençuri, sepse «e qeshura e budallait është si zhurma [krikëllitëse] e gjembave nën kazan». Mençuria ka përparësi. «Sepse mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» Përse atëherë, udha e njerëzimit është bërë sfilitëse? «Perëndia i vërtetë i bëri njerëzit të drejtë, por ata kanë kërkuar marifete të shumta.»—6:6; 7:4, 6, 12, 29.

13. Ç’këshillon ai që mbledh popullin, dhe ç’gjë është mirë të bësh? Ç’thotë ai për vendin ku shkojnë njerëzit?

13 Një fund për të gjithë (8:1–9:12). «Ruaje urdhrin e mbretit», këshillon ai që mbledh popullin; por pastaj vëren se, ngaqë dënimi kundër një vepre të keqe nuk është ekzekutuar me shpejtësi, «zemra e bijve të njerëzve është plotësisht e vendosur për të bërë keq». (8:2, 11) Ai vetë thotë se është mirë të gëzohesh, por ja që ka edhe një gjë tjetër të keqe! Të gjithë njerëzit shkojnë në të njëjtën udhë: në vdekje! Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, «por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë. . . . Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol, në vendin ku po shkon».​—9:5, 10.

14. (a) Ç’mençuri me vlerë praktike thekson ai që mbledh popullin? (b) Cili është përfundimi i çështjes?

14 Mençuria praktike dhe detyrimi i njeriut (9:13–12:14). Ai që mbledh popullin, flet për gjëra të tjera të kobshme, si për shembull «të marrët . . . në shumë pozita të larta». Ai thotë edhe shumë proverba të tjera me vlerë praktike, dhe shpall se «rinia dhe pranvera e jetës janë kotësi» nëse nuk i kushtohet vëmendje mençurisë së vërtetë. Ai thotë: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.» Përndryshe, pleqëria do të bëjë vetëm që një njeri të kthehet në pluhurin e tokës, shoqëruar nga fjalët e atij që mbledh popullin: «Kotësia më e madhe! . . . Çdo gjë është kotësi.» Ai vetë u ka mësuar vazhdimisht njerëzve njohurinë, sepse «fjalët e të mençurve janë si hostenë qesh», që nxisin për vepra të drejta, kurse për mençurinë e botës ai paralajmëron: «Nuk ka fund bërja e shumë librave dhe përkushtimi i madh ndaj tyre e lodh trupin.» Pastaj, ai që mbledh popullin nxjerr në pah pikën kulmore të librit, duke përmbledhur gjithçka që kishte diskutuar për kotësinë dhe mençurinë: «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut. Sepse Perëndia i vërtetë do të gjykojë çdo lloj vepre dhe çdo gjë të fshehur, qoftë kjo e mirë ose e keqe.»​—10:6; 11:1, 10; 12:1, 8-14.

PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?

15. Ç’dallim bën Solomoni mes punëve sfilitëse dhe atyre që ia vlejnë?

15 Eklisiastiu nuk është aspak një libër pesimist, por, përkundrazi, është plot me xhevahire të çmuara të mençurisë së Perëndisë. Kur radhit punët e shumta që i quan kotësi, Solomoni nuk përfshin ndërtimin e tempullit të Jehovait në malin Moriah në Jerusalem dhe as adhurimin e pastër të Jehovait. Ai nuk e përshkruan jetën—këtë dhuratë të Perëndisë—si kotësi, por tregon se qëllimi pse Perëndia e dha jetën, është që njeriu të gëzojë e të bëjë të mira. (3:12, 13; 5:18-20; 8:15) Punë sfilitëse janë ato që nuk mbajnë parasysh Perëndinë. Një baba mund të grumbullojë pasuri për të birin, por një katastrofë shkatërron gjithçka e nuk mbetet më asgjë për të. Do të ishte shumë më mirë t’i siguronte një trashëgimi të qëndrueshme me pasuri frymore. Është tragjike të kesh gjëra me bollëk e të mos kesh mundësi t’i shijosh. Keq u del edhe atyre që janë të pasur materialisht, pasi «ikin», domethënë vdesin, dhe s’marrin dot asgjë me vete.​—5:13-15; 6:1, 2.

16. Si tregon Kohelethi, ose Eklisiastiu, se është në harmoni me mësimet e Jezuit?

16 Te Mateu 12:42, Krishti Jezu e quajti veten «dikush më i madh se Solomoni». Meqë Solomoni paraqiste Jezuin, a janë fjalët e Solomonit në librin e Kohelethit në harmoni me mësimet e Jezuit? Gjejmë shumë ngjashmëri. Për shembull, Jezui theksoi se sa shtrirje të madhe kohore ka vepra e Perëndisë, duke thënë: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani, prandaj edhe unë vazhdoj të punoj.» (Gjoni 5:17) Edhe Solomoni flet për veprat e Perëndisë: «Pashë gjithë veprën e Perëndisë së vërtetë, se si njerëzit s’janë në gjendje të zbulojnë veprën që është bërë nën diell. Sado të mundohen ta kërkojnë, prapë nuk do të zbulojnë gjë. Madje edhe sikur të thoshin se janë mjaft të mençur për ta njohur, nuk do të ishin në gjendje ta zbulonin.»​—Ekl. 8:17.

17. Ç’ngjashmëri të tjera gjejmë në fjalët e Jezuit e të Solomonit?

17 Si Jezui, ashtu dhe Solomoni, i nxitën adhuruesit e vërtetë që të mblidheshin bashkë. (Mat. 18:20; Ekl. 4:9-12; 5:1) Komentet e Jezuit për ‘përfundimin e sistemit’ dhe për «kohët e caktuara të kombeve», janë në harmoni me pohimin e Solomonit se «për çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë nën qiej».​—Mat. 24:3; Luka 21:24; Ekl. 3:1.

18. Në lidhje me cilat paralajmërime Jezui dhe dishepujt e tij bashkohen me Solomonin?

18 Mbi të gjitha, Jezui dhe dishepujt e tij, ashtu si Solomoni, paralajmëruan për kurthet e materializmit. Mençuria është mbrojtja e vërtetë, sepse «i ruan gjallë ata që e zotërojnë»,—thotë Solomoni. «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen»,—thotë Jezui. (Ekl. 7:12; Mat. 6:33) Tek Eklisiastiu 5:10 shkruhet: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura. Edhe kjo është kotësi.» Shumë e ngjashme është këshilla që jep Pavli te 1 Timoteut 6:6-19, kur thotë se «dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme». Pjesë të tilla paralele gjejmë edhe për mësime të tjera biblike.​—Ekl. 3:17​—Vep. 17:31; Ekl. 4:1​—Jak. 5:4; Ekl. 5:1, 2​—Jak. 1:19; Ekl. 6:12​—Jak. 4:14; Ekl. 7:20​—Rom. 3:23; Ekl. 8:17​—Rom. 11:33.

19. Me cilën perspektivë të lumtur në mendje mund të mblidhemi sot në adhurimin e Jehovait?

19 Mbretëria e Birit të dashur të Perëndisë, Jezu Krishtit, i cili në tokë ishte pasardhës i mbretit të mençur Solomon, do të vendosë një shoqëri të re tokësore. (Zbul. 21:1-5) Ajo që shkroi Solomoni për të drejtuar nënshtetasit e mbretërisë së tij, është me interes të madh për të gjithë ata që tani shpresojnë te Mbretëria e Perëndisë me Mbret Krishtin Jezu. Nën sundimin e tij, njerëzimi do të jetojë sipas të njëjtave parime të mençura që theksoi ai që mblidhte popullin, dhe do të gëzojë gjithnjë jetën e lumtur, këtë dhuratë të Perëndisë. Tani është koha të mblidhemi në adhurimin e Jehovait, që të provojmë të gjitha gëzimet e jetës nën Mbretërinë e tij.​—Ekl. 3:12, 13; 12:13, 14.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo